Mbreti Nikolla dhe Esat Pasha, përballja e dy ballkanasve të ashpër në konferencën e Paqes në Paris

Mbreti Nikolla dhe Esat Pasha,  përballja e dy ballkanasve të ashpër  në konferencën e Paqes në Paris
HISTORI/ Mbreti malazez Nikolla dhe shqiptari Esat Pasha, në kujtimet e gazetarit dhe përkthyesit të njohur, Stephen Bonsal, i cili pati rastin të rrinte nga afër me ta gjatë punimeve të Konferencës së Paqes në Paris, më 1919-tën: “Dy kampionë ballkanas që mes tyre kanë pasur veç grindje dhe mosmarrëveshje”

Dy burra tipikë ballkanas, që mbartnin mbi supet e tyre ashpërsinë, por edhe zgjuarsinë e këtij rajoni të ashpër. Kështu i përshkruan Stephen Bonsal, përkthyesi i presidentit amerikan, Uilson, gjatë Konferencës së Paqes në Paris, mbajtur gati një shekull më parë, në vitin 1919, mbretin malazez Nikolla dhe Esat Pashën nga Shqipëria. Përmes një rrëfimi të detajuar të figurës dhe tipareve të tyre, ai arrin të nxjerrë në fakt edhe raportet që karakterizonin dy vendet e vogla ballkanike që ata përfaqësonin në fillim të shekullit të kaluar. Një rrëfim interesant ky, që pasqyron tiset e një kohe kur këto vende gjendeshin njësoj nën “kthetrat” e gllabërimit prej Fuqive të Mëdha. E që njësoj rrekeshin të mbroheshin kundër tyre. Njësoj në fakt, siç bënin edhe ndaj njëri-tjetrit, në një luftë të vazhdueshme...

 

Nga Stephen Bonsal

Prej shumë “kërkuesve” dhe “lutësve”, në pritje të orës së tyre kritike nën “diktatin” e Fuqive të Mëdha, mbreti Nikolla i Malit të Zi dhe Esat Pasha, i cili përfaqësonte shumicën e fiseve shqiptare dhe pothuajse të gjithë ata me fe myslimane, si njeriu më i rëndësishëm prej tyre, janë absolutisht më piktoreskët do të thosha. Unë i kam vizituar fortesat e maleve të tyre vite më parë dhe sot të dy këta personazhe më duken sa simpatikë, aq edhe tërheqës. Ata janë që të dy burra me formë fizike të shkëlqyer dhe ndër të gjithë monarkët, vetëm fisniku mbreti Albert i Belgjikës nuk do të “frikësohej” nga një konfrontim fizik me dy figura të tilla trupore. Ata vijnë në Paris si “lutës”, është e vërtetë, por jo të gjunjëzuar. Në fakt, ata qëndrojnë “fort dhe drejt në këmbë” dhe ndoshta ky është fakti se përse mua më pëlqejnë kaq shumë. (Këtu, gjatë kësaj Konference, ka kaq shumë që zvarriten e bien në gjunjë, madje edhe me të katër gjymtyrët sa herë që nënshtrimi duket se do t’u zgjidhë punë). Unë nuk kam asnjë “të preferuar” ndërmjet këtyre dy kampionëve të fuqishëm, por më duhet të pranoj se Koloneli (kolonel House, krahu i djathtë i presidentit Uilson në Konferencën e Paqes në Paris dhe shefi im direkt) më ka “qortuar” shpesh lidhur me preferencën që kam treguar për të qenë në shoqërinë e tyre, preferencë kjo të cilën unë nuk jam përpjekur kurrë ta fsheh në fakt, sepse e kam kuptuar mirë dhe pa dyshimin më të vogël se shefi im ka të njëjtat preferenca me mua dhe do të dëshironte që t’i njihte dhe ai më mirë këta dy burra.

Pushteti i Nikollës

Nikolla e ka mbajtur pushtetin e tij mbi Malin e Zi, duke luftuar për kryqin në Ballkanin e zhytur në errësirë prej më shumë se gjashtë dekadash, edhe pse duke parë paraqitjen dhe formën e tij të shkëlqyer fizike, askush nuk mund të dyshojë se ai e ka kaluar gjysmë shekulli. Ai e di mirë se është shumë në rrezik për t’u rrëzuar nga armiqtë, që janë mbledhur të gjithë këtu në këtë Konferencë, të përgatitur më shumë për të thurur intriga, sesa për të hyrë në beteja të hapura, në të cilat nuk ia kanë dalë dot deri tani.

Pushteti i Esatit

Edhe Esati, nën gjysmëhënë, ka pasur rolin më të rëndësishëm në shumë prej fushatave të gjata dhe të pafundme luftarake, të kryera ndërmjet racave dhe popullsive armike e kundërshtare me njëra-tjetrën, apo kishave të gadishullit të errët. Ai tashmë frymëzon që ta udhëheqë atë pjesë të tij të rajonit ligjërisht, plotësisht ligjërisht në fakt, siç pohon dhe ai vetë, që do të thotë sipas ligjit të maleve, mbi atë pirg shkëmbinjsh të lartë që dalin në pah në bregun lindor të Adriatikut, çerdhja e fortesës së shqiptarëve të fuqishëm dhe trima, që e kanë mbrojtur tokën e tyre kundër të gjithë pushtuesve grekë, romakë e shumë të tjerëve, që prej kohëve të lashta. Fatkeqësisht sot, imperialistët neoromanë e konsiderojnë këtë pjesë të bregdetit të rrethuar prej shkëmbinjve të egër si të nevojshme e të domosdoshme për sigurinë e vendit të tyre dhe perandorisë së tyre të re që sapo ka nisur së lulëzuari. Në çdo rast, italianët e konsiderojnë Shqipërinë të paktën si një shpërblim të merituar për shërbimin që u kanë bërë aleatëve në luftë (shërbime të cilat këtu gjatë punimeve të Konferencës nuk mbahen si kaq të merituara) gjatë Luftës së Parë Botërore.

Së fundmi, këta dy kampionë ballkanas që mes tyre kanë pasur veç grindje e mosmarrëveshje të hershme janë përballur me njëri-tjetrin në luftime të ashpra, të egra, vdekjeprurëse gjatë luftës së Shkodrës. Nikolla fitoi dhe Esati u tërhoq, por jo prej malazezëve, siç pohon ai vetë. “Unë u tërhoqa, - thotë Esati, - u tërhoqa përpara anijeve të mëdha të Ligës së Kombeve që ishin vënë kundër meje me të padrejtë dhe që ishin më të shumta sesa pulëbardhat e Adriatikut. Atyre dhe vetëm atyre iu dorëzova, kështu që të mund të jetoja vetëm për të luftuar përsëri një tjetër ditë. Dhe ajo ditë do të jetë një ditë e zezë për mbret Nikollën”.

Dy burrat

Pothuajse të mbytur prej intrigave që lulëzojnë kaq natyrshëm kudo nëpër Paris dhe në përballje me fytyrat false që shihen sot në çdo lagje të tij, më duket sa flladitëse, po aq edhe e këndshme të vërej urrejtjen e egër që shpërthen në sytë e këtyre dy kampionëve sa herë që përmendet emri i tjetrit. Kjo është vërtet diçka si në kohët e lashta. Këta burra e urrejnë dhe e luftojnë njëri-tjetrin në mënyrën e vjetër, njësoj si në kohën e heronjve homerikë në fushat trojane me erërat kumbuese. Të gjithë pjesëmarrësit e Konferencës, si delegatët po ashtu edhe vëzhguesit, të cilët janë të gjithë plotësisht injorantë në lidhje me Ballkanin dhe kushtet e tij (përfshirë këtu edhe vetë emrin “Ballkan”) flasin vazhdimisht rreth idesë së një Konfederate, si një zgjidhje e mirë e mbi situatën në Ballkan, e cila deri më tani ka provokuar kaq shumë luftëra dhe që premton më shumë të tjera në të ardhmen e afërt me sa duken gjasat. Avantazhet ekonomike të një Konfederate dhe një bashkësie doganore janë shumë të qarta për këdo përveç atyre të cilët janë direkt të implikuar, që duket se kënaqen me luftërat e tyre të vogla, por kanë edhe zakonin e keq për t’i përhapur ato dhe në rajonet përreth, derisa t’i vënë flakën Europës. Nëse argumentet mbi këtë çështje do të vazhdojnë, janë ekonomistët ata që duhet të marrin fjalën.

Planet për konfederatë

Sigurisht që ka shumë rrethana dhe arsyetime bindëse, të cilat shpjegojnë tendencat e luftërave ndërmjet këtyre njerëzve të mjerë, disa prej të cilëve unë i kam akuzuar edhe pa të drejtë duke mos e ditur deri në ç’pikë mund të arrijnë. U mundova t’ua shpjegoj në mënyrë didaktike siç mund ta shpjegojë dikush që ka kaluar disa vite në rajonin e shqetësuar. Kujtojmë se “Ballkan” është një fjalë e vjetër turke, që do të thotë “male” ose “zona shumë të larta malore”. Më pas, duke vazhduar më tej me historinë, iu shpjegova që një gjeograf i madh i shkollës gotike ka arritur në përfundimin se temperamenti dhe karakteri i njerëzve varet dhe është në proporcion të drejtë me atë çka autori e përkufizon si “rrudhosje” të terrenit prej të cilit vijnë dhe ku ata jetojnë. Njerëzit në rajone të ulëta janë paqësorë nga natyra, ndërsa ata që vijnë nga rajone shkëmbore, malore janë të prirur të luftojnë e të kacafyten edhe për hiçgjë. U mundova t’u shpjegoj këtyre zotërinjve dështimet e shumta të përpjekjeve për të ndërtuar e formuar konfederata dhe diçka më shume mbi natyrën e njerëzve që jetojnë në rajonin e Europës Juglindore, për të cilët unë vetë kisha dëshmi të shumta. Planet e shumta mbi këto konfederata gjithnjë kishin dështuar, edhe pse ishin ndërtuar mbi letër, shpjeguar prej profesionistëve më të mirë të fushës, të cilët në kohën e tyre kanë qenë liderë të vërtetë të saj.

“Në këtë gadishull që njeh vetëm luftëra, - vazhdova unë, - gjithnjë jemi përballur me diferenca dhe ndryshime si racore, po ashtu dhe kulturore dhe mbi të gjitha, me rivalitete dhe armiqësi fetare dhe siç ka pohuar dhe Bacon në librin e tij mbi peripecitë që ndikojnë mbi njerëzimin: “Më i keqi i të gjithë armiqësive dhe peripecive është ai i sektit”. Bullgarët ende ëndërrojnë për ditën e Çezarit të tyre të madh Simon, serbët ëndërrojnë të vijë dhe njëherë dita e perandorisë së Dushanit të tyre të madh dhe shqiptarët kanë shumë besim se gjaku blu i Skënderbeut të tyre do te prevalojë përsëri në histori. Fatkeqësisht, kishat në këtë pikë nuk kanë qenë shumë miqësore dhe as ndihmë, edhe pse ndoshta qëllimet e tyre kanë qenë pozitive. Pjesëtarët e Kishës Katolike i kanë sytë nga patriarku në Stamboll, bullgarët i kanë sytë nga kryetari i tyre ortodoks, ndërsa kroatët dhe sllovenët i kanë sytë nga Roma për guidë dhe këshillim shpirtëror. Dhe të gjitha këto, të para së bashku në filtrin e këtyre malësorëve, nuk sjellin gjithnjë karakterin miqësor të marrëdhënieve ndërmjet tyre”.

Përballja

Fatkeqësisht për mua, njohuritë e mia prej eksperti në këtë fushë dolën që ishin shumë domethënëse për gjithë të tjerët dhe përpara se unë të merrja frymë më ngarkuan me detyrën aspak të thjeshtë, që të ulja në të njëjtën tavolinë krerët e dy fiseve më të vogla të Ballkanit në luftë të hershme ndërmjet tyre: Mbretin Nikolla të Malit të Zi dhe Esat Pasha Toptanin, që përfaqësonte shumicën e fiseve dhe klaneve shqiptare, të cilët kanë luftuar për vite me radhë për disa kodrina shterpë që ndodhen ndërmjet territoreve të tyre respektive. Meqë unë kohë më parë i kam vizituar të dyja këto vende të vogla ballkanike dhe i njoh shkëmbinjtë e tyre të thepisur, m’u caktua detyra që të përpiqesha t’i ulja bashkë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët dhe të kënaqshme ndërmjet dy krerëve të tyre, gjë e cila do të triumfonte në këtë Konferencë paqeje. Fillimisht, unë drekova dhe darkova me të dy, por veçmas nga njëri-tjetri. Sigurisht që ëndrra ime në këtë pikë ishte t’i ulja në të njëjtën tavolinë dhe t’i bëja të ndanin bukën bashkë, të pinim të njëjtën pije të tre së bashku dhe të thithnim të njëjtën puro. Pika ime e fortë për t’i bërë bashkë këta dy zotërinj ishin mbledhjet e shpeshta të zotërinjve tepër elegantë të veshur me kostume e kravata, të cilët edhe pse kishin luftuar njëri-tjetrin për katër vite të gjatë dhe të lodhshëm sot po mblidheshin, uleshin e takoheshin me shoqi-shoqin shumë shpesh në të njëjtat fusha e rrugë ku ishin luftuar betejat e përgjakshme ndërmjet tyre, aty ku ato beteja ishin humbur prej disave dhe fituar prej disa të tjerëve.

Dialogu

“Pas katër vitesh të gjata lufte të frikshme dhe të përgjakshme, sot këta burra mblidhen këtu dhe takohen si vëllezër për t’i shërbyer paqes. Pse të mos e bëni dhe ju?”, i pyes. “Por ne kemi 400 vite që luftohemi për vdekje me këta shqiptarët pa Zot, - kundërshtoi Mbreti Nikolla, - kjo ka shumë ndryshim nga ajo që thoni ju”.

Atëherë u ktheva nga Esat Pasha dhe e pyeta: “A do të ndërrosh bukë me Mbret Nikollën? Ose më ndonjë malazez tjetër, si të dëshirosh?”.

“Kjo është e pamundur, - u përgjigj ai, -sepse kjo është kundër ligjit dhe vullnetit të maleve të mia, të cilave ne u përulemi me respekt”.

Esati kishte dhuntinë e mrekullueshme dhe po aq të rrezikshme, të fliste një gjuhë piktoreske dhe me raste, e lëshonte gjerë frerin. Ai kishte shërbyer si ministër lufte në kohën e qeverisjes së shkurtër të princit gjerman Vid në Shqipëri. (Princit Uilliam I Vid, kushëri i Kaizerit gjerman, iu ofrua kurora e e Shqipërisë autonome nga Fuqitë e Mëdha pas luftërave ballkanike dhe krizës së vitit 1913. Por trazirat e vazhdueshme të brendshme dhe shpërthimi i luftës së madhe e detyruan të largohej nga froni. Gjatë kësaj kohe, viti 1918, Shqipëria ka qenë e pushtuar kryesisht nga italianët, por dhe nga francezët e sllavët. Qyteti kryesor i saj, Shkodra, mbeti nën administrimin e të huajve).

“Në Konferencën e Londrës te vitit 1913, - më tha Esati, - makineria e shtetit të ri u ndërtua mirë, por zgjedhja e kryemakinistit në timon ishte e papërshtatshme. Shumë shpejt u kuptua se qëllimi i vërtetë i Princit ishte të dobësonte shqiptarët, që më pas ne ashtu të drobitur të mos kishim zgjidhje tjetër, por të binim në prehrin e Austrisë dhe kështu të mos kishim më mundësi që të ndalnim marshin gjerman në det. Por pas një periudhe të shkurtër ne u larguam, marrëdhëniet tona u bënë të ftohta e më të ftohta dhe unë edhe pse isha ende në detyrë si ministri i tij i Luftës, u detyrova të marr roje personale për t’u mbrojtur kundër makinacioneve dhe intrigave të zotërisë së tij. Princi rrethohej vetëm nga ushtarakë holandezë dhe austriakë, të cilët kishin ardhur me kokëfortësi të madhe për të “modernizuar” pallatin e vjetër në bregdet, ku ne pjesëtarët e kabinetit dhe qeverisë jetonim e punonim. Por në fakt, ata kishin ardhur për të hequr nga skena e ditës Esat Pashanë, sigurisht në një mënyrë të tillë që vrasja të mos linte dyshime. Princi mendoi se do të ishte më e lehtë që kjo të ndodhte në atë vend, pranë bregdetit, larg prej atmosferës së lirisë së maleve të mia, ku shqiptarët kanë folenë. Gjatë gjithë kohës, intrigantët e tij ishin, ose më mirë bënin sikur ishin shumë të zënë me punët e tyre, ndërkohë që natën përvidheshin fshehurazi në pallat për të ndërtuar kurthet e tyre ogurzeza dhe unë shpejt kuptova se qëllimi i tyre i vërtetë ishte të mësonin se ku flija unë gjatë natës. Kur perdja e miqësisë tonë më në fund ra, flota austriake bombardoi shtëpinë time, një predhë e cila fatmirësisht nuk shpërtheu ra në dhomën time të gjumit, ku sigurisht unë jam mësuar të mos fle asnjëherë...”.

 

 

DËSHMIA

 Esat Pasha, kritik ndaj italianëve

“Esati dukej edhe më kritik për sjelljet e italianëve gjatë ditëve të fundit të qëndrimit të tyre të parë në brigjet shqiptare. (Kujtojmë se ata u larguan përpara krizës austro-bullgare në vitin 1916). “Unë isha në male, - më thotë Esati, -gjoja për gjueti, por faktikisht kisha shkuar të takoja krerët e fiseve malore dhe të ndërtonim me ta një plan të përbashkët për të luftuar armiqtë tanë. U tregova atyre që si brenda kufijve tanë ashtu dhe jashtë tyre, ne shqiptarët numërojmë pesë milionë dhe të gjithë me një ndërgjegje shumë të fortë kombëtare, të gjithë të dëshiruar për pavarësinë e Shqipërisë. Por jemi shumë të dhënë pas luftërave ndërmjet fiseve tona dhe hakmarrjeve familjare e në këtë pikë, do të ishte me vend të kërkonim një protektorat të dyfishtë, amerikan ose anglez për shembull, sa kohë që ne shqiptarët të kemi mësuar artin e vetë-qeverisjes dhe sigurisht të kuptojmë mirë shijen e vërtetë të paqes. Në fakt, kjo ishte dhe shpresa e pritshmëria ime personale kur papritur filluan bombardimet dhe garnizoni italian lëshoi armët dhe të gjithë u gjunjëzuan duke bërtitur “Santa Madonna”, “Santa Madonna”, por duke qenë se thirrjeve të tyre hyjnore për ndihmë nuk u erdhi asnjë përgjigje, atëherë ata u detyruan t’ia mbathnin si burracakë, madje edhe më shpejt se kaq. Kishim një kolonel francez atje në krye të misionit francez, që quhej Colardet, të cilit unë i thashë: “Më lejoni mua dhe njerëzve të mi të mbrojmë urën dhe ju siguroj se austriaket s’do të mbërrijnë kurrë në anën tjetër”. Por ai u përgjigj: “Jo, më mirë ua besoj këtë këtyre batalioneve lepujsh, sesa bandës tuaj të ujqërve”. Siç e dini dhe ju, unë e dija mirë se këta evropianët me njëri-tjetrin nuk ishin aspak miqësorë, por mbi të gjitha ata ua kishin frikën trimave shqiptarë. Më pas, ata italianët frikacakë u përvodhën deri tek porti dhe ia dolën të shkonin tek anijet, por përpara se t’ia mbathnin, menduan të ushqehen mirë dhe u prenë kokat dy prej kuajve të mi më të mirë, të cilët i kisha blerë në Angli me një çmim të lartë, kafshë të shkëlqyera, të stërvitura mrekullisht për luftë. Dhe ata lepujt burracakë i hëngrën si racione mishi në udhëtimin e tyre...”.

 

(Vijon në numrin e ardhshëm)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: