Mashtrimi me pallatet, qeveria apel: Mos blini shtëpi pa mbaruar “letrat”!

Mashtrimi me pallatet, qeveria apel: Mos blini shtëpi pa mbaruar “letrat”!
 

Keni ndërmend që të blini shtëpi? Mos e bëni pa u siguruar më parë që ndërtuesi t’ua mbyllë “letrat”.

Këtë herë, ky sugjerim qytetarëve të interesuar nuk u bëhet as nga miqtë dhe as nga të afërmit, por nga vetë shteti.

Ka qenë kreu i Agjencisë së Legalizimeve (ALUIZNI), Artan Lame, i cili ka apeluar publikisht ndaj kategorisë së qytetarëve që janë në tratativa për banesë të re, që të kenë kujdes nga mashtrimi që bëjnë ndërtuesit.

“Vazhdoni t’u bëni presion këtyre ndërtuesve. Mos blini shtëpi prej tyre, pa mbaruar punë paraprakisht me dokumentacionin”, ka apeluar publikisht, ai.

Duke vijuar më tej me këshillën që nëse ata marrin vesh që ndërtuesit kanë ndërruar emër subjekti apo administrator dhe vazhdojnë të aplikojnë në bashki për leje të reja, t’i denoncojnë pranë autoriteteve.

“Ujku ndërron qimen, por jo zakonin”, ka qenë një tjetër deklaratë e ashpër e bërë nga kreu i ALUIZNI-t, ndaj kategorisë së atyre ndërtuesve, që sipas tij i kanë sorollatur për vite të tërë qytetarët, ua kanë lënë shtëpitë përgjysmë, apo më keq akoma, ua kanë shitur të njëjtën për 2-3 herë.

“Janë të shumta subjektet që vazhdojnë të luajnë si macja me miun, duke sjellë vërdallë qindra qytetarë”, tha ai.

Duke pranuar se më e keqja në këtë rast qëndron në faktin se me gjithë këto mashtrime, “një pjesë e këtyre subjekteve apo ndërtuesve, paraqiten pranë bashkive përkatëse dhe aplikojnë sërish për leje të tjera ndërtimi”, për të marrë sipas tij, “në qafë të tjerë pronarë trojesh dhe të tjerë qytetarë”.

Në këto kushte, ai ka komunikuar masën më të fundit që do të ndërmarrë shteti, pikërisht atë të moslejimit që këto subjekte të marrin sërish leje për të ndërtuar.

“Ne do të fillojmë t’u përcjellim bashkive listat e këtyre subjekteve, duke u kërkuar që këto shoqëri apo këta persona, të mos pajisen me leje të reja ndërtimi, pa shlyer detyrimet dhe pa mbyllur procesin e legalizimit për objektet tashmë të ndërtuara prej tyre. Po e fillojmë këtë proces me bashkinë Tiranë. Asnjë leje ndërtimi e re për këto subjekte, pa përmbyllur pallatet e ndërtuara deri më sot”, bëri me dije kreu i ALUIZNI-t.

 

SHIFRA

Kërkesa banorë/subjektesh

-1200 objekte;

Vetë deklarime subjektesh

-500 objekte

Objekte të filluara legalizimi

- 200 objekte

Objekte tashmë të legalizuara

- 110 objekte.

 

102 objekte të legalizuara deri sot, kanë 8182

banesa, me gjithsej 736.000 metra2 ndërtim.

 

Pallatet e braktisura nga ndërtuesit, problemi që prej viteve 1993-1994

Pallatet e braktisura nga ndërtuesit, është një problemi i cili ka lindur që prej viteve 1993-94 dhe vijon ende. Por sipas kreut të ALUIZNI-t, ai tashmë do të marrë fund teksa një sërë masash konkrete do ndërmerren ndaj tij. Më tej, ai referoi edhe shifra konkrete lidhur me këtë dukuri, të tilla si ai i kërkesave të paraqitura prej qytetarëve, por edhe vetë subjekteve për legalizimin e 1200 objekteve në rang vendi. Dhe ndërsa për 200 prej tyre tashmë ka nisur procesi, për 110 prej tyre rezulton i përfunduar. Ku këto të fundit përfshijnë 8182 banesa, me gjithsej 736.000 m2 ndërtim.  Ndërsa në të ashtuquajturën “listë e zezë” janë përfshirë 341 subjekte, ndërtesat e të cilëve janë lënë përgjysmë. Pikërisht për këto, qeveria do të marrë masën ndëshkimore të të mos marrit dot leje për ndërtim. ““Ndërkohë që, 85 pallate të tjera janë në procedurë e sipër, kush më përpara e kush më ngadalë, në plotësimin e dokumentacionit tekniko-juridik”, sqaroi gjithashtu Lame.

 

“Gjysma e lejeve të ndërtimit të dhëna nga bashkitë, rezultojnë me shkelje”

“Në rang republike, afërsisht gjysma e lejeve të ndërtimit të dhëna nga bashkitë rezultojnë me shkelje”. Ky është një tjetër fakt i bërë dje me dije nga kreu i ALUIZNI-t. Duke shtuar se nga pikëpamja administrative, ky është një prej problematikave më të komplikuara që paraqitet lidhur me ndërtimet në vend. Duke shtuar ndërkaq, se ndërprerja e dhënies së lejeve për ndërtuesit që rezultojnë me probleme,  “do të zgjidhë hallin e mijëra familjeve në Tiranë që vijnë vërdallë prej vitesh”. “Nga ana tjetër, bllokimi i këtyre subjekteve do të ndihmonte që të mos lejonim që këta persona të bënin sërish dëm”, tha Lame. Për të vijuar me faktin se ditë pas dite, ky proces i hartimit dhe dërgimit pranë bashkive të listës së zezë “me ata që u kanë nxirë jetën qytetarëve, do vijojë edhe qytetet e tjera”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: