Marjana Bulku: Gjuha dhe vlerat na bashkojnë përjetë

Publicitet
Publicitet
Marjana Bulku: Gjuha dhe vlerat na bashkojnë përjetë
INTERVISTA/ Flet intelektualja dibrane që sot jeton në SHBA, Marjana Bulku. Rrëfimi i saj për shkollimin e gjerë, marrëdhënien me fëmijërinë dhe librat, pasionin për politikën e deri në prezantimin për katër vite, në një nga televizionet shqiptare në SHBA

Intervistoi nga New York për Albanian Free Press, Fadil Shehu

Nëse do t'i ktheheshit retrospektivës së viteve të fëmijërisë suaj, si do i kujtonit ato?

Ah, fëmijëria! Ajo është "mbretëria jonë e humbur" (unë kështu e konsideroj), edhe pse jemi një brez i rritur në errësirë, kishte më shumë lumturi brenda saj. Ndoshta për shkak të naivitetit të kohës, të izolimit, pa lirisë, mungesave të disa kushteve minimale që, kur ua tregoj fëmijëve sot, u duken të pakonceptueshme. E, megjithatë, dy gjëra të mrekullueshme që e kanë mbështjellë fëmijërinë tonë, dua t’i kujtoj gjithmonë. Ato janë përkujdesja e jashtëzakonshme prindërore dhe miqësia e mirë. Gjithsesi, është mirë që, në çdo etapë të jetës, njeriu duhet të gjejë të mirën, ta ruajë atë në shpirt e pse jo, edhe t’ia përcjellë brezave.

Keni përfunduar studimet e larta në universitetin Histori-Filologji të Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi. Më vonë studimet pasuniversitare, Institutin e Studimeve Europiane, Master për Politika dhe Institucionet në Bashkimin Europian. A e kishit menduar se po bënit zgjedhjen e duhur për të ardhmen? 

Kur përmenda mangësitë e rritjes pak më sipër, kisha parasysh edhe mungesën e lirisë për të zgjedhur profesionin e së ardhmes, bazuar në merita dhe preferenca. Për këtë as flitej e as mendohej para viteve 90-të. Janë mijëra të rinj që u mohohej e drejta e studimit për shkaqe politike dhe qindra të tjerë që nuk e kishin të drejtën e zgjedhjes së degës për të cilën donin të studionin. Duket qesharake sot kur kujtojmë se, partia-shtet vendoste për ne. Shkollimi i lartë i limituar dhe sistemi i politizuar deri në robëri e kushtëzonte lirinë tonë, madje mundej që edhe të na e privonte atë. Brezat e rritur në izolim nuk mundën ta liberalizonin shkollën e lartë, edhe pse për hir të së vërtetës ajo konsiderohej "paja", për ne gjeneratat e para 90- tës. Por unë e kam dashur letërsinë, edhe pse ëndërra ime ishte mjekësia. E në mangësi të saj, fjalën e kam përdorur si “mjet shërimi", pasi vërtet besoj se komunikimi i butë, zbut dhe shëron. Letërsia u bë pasioni dhe profesioni im.

Ndonëse i kushtuat kohë dhe vëmendje letërsisë, mësimdhënies, çuditërisht, një ditë në jetën tuaj, zuri vend edhe politika. Si ndodhi?

Politika, kjo gjë e ndaluar për qytetarët shqiptarë, ka qenë diku në familjen time, e nëndheshme, e padukshme. Gjyshja e mamës time, një grua stoike siç e përshkruajnë bashkohësit, ishte delegate e Dibrës në Kongresin e parë të Gruas Antifashiste në Berat më 1943. Madje kishte mbajtur një fjalim atje. Për familjen e saj, Kadiu, një derë ku predikohej fe dhe moral, kjo nuk ishte ndonjë gjë e jashtëzakonshme, ndërsa për Dibrën e izoluar të asaj kohe, madje edhe të kësaj kohe, ky fakt duhej të ishte historik. Por historitë tona janë prej lapsi dhe gome... Tek unë u gdhend ajo grua, e cila mbajti në shpirt dashurinë për fenë dhe jo për partinë, nga e cila familja e saj do të kishte goditje të njëpasnjëshme. Mamaja ime ka qenë kryetarja e parë e Lidhjes Demokratike të gruas në Dibër, lidhje të cilën më pas do ta drejtoja unë. Krijimi i Partisë Demokratike në Shqipëri, pavarësisht turbulencave, kishte si mision përmbushjen e të drejtave të mungura. I parë nga ky kontekst ishte domosdoshmëri e vonuar që, për shkak të izolimit të gjatë dhe pamësimit me lirinë, derivoi në një lloj pluralizmi kaotik. Unë i përkas asaj shkolle politike, mbase pak klasike, por që beson se politika është arti i zgjidhjes, kur aplikohet nga njerëzit e duhur. Sot tabloja politike është e mjerë, por kjo nuk mendoj se duhet t’i stepë intelektualët dhe patriotët, përndryshe vendi do t’i nënshtrohet një lloj diktature edhe më brutale e më të padrejtë se ajo që na izoloi nga bota e zhvilluar, për më shumë se pesëdhjetë vjet.

Vjen një ditë, largimi nga të afërmit, miqtë, shoqet, vendlindja…, Shqipëria, duke shtegtuar në Amerikë. E prisnit këtë shkëputje?

Ka qenë korriku i vitit 2011, dita kur u larguam nga Shqipëria, jo me një vendim përfundimtar, por...

Peshkopia, përherë në kujtesën time e bukur, e freskët.

Ajo më vuri përpara një vendimi shumë të vështirë, kur im bir fitoi një edicion arkitekture dhe iu rezervua një vend studimi në Art and Design high school Manhattan. Aty unë ndalova, mora një drejtim krejt tjetër. Ishin ëndrrat e tij që udhëhiqnin hapat e mija jo të lehta, në Amerikën që nuk ka qenë kurrë destinacioni im për të ndërtuar jetën.

Sa i vështirë ishte për ju integrimi në Amerikë, veçanërisht në jetën gjigante Nju Jorkeze? 

Për mua ka qenë e vështirë shkëputja nga Shqipëria, ishte një ikje e pavullnetshme, e diktuar nga rrethanat. Dy-tre vitet e para pothuajse vetëm fizikisht ndjehesha këtu, sepse shpirtërisht dhe mendërisht ndjehesha në Shqipëri, atje ku edhe sot ndjej se jeton pjesa më vitale e jetës time. Njeriu është i detyruar të përshtatet e për më tepër në Nju Jork, në këtë vend ku popullsia pothuajse shumicë emigrantësh, ndjehet ngrohtë; në një shtet gjigand si ky, ku të gjithë jemi të huaj, por askush nuk ndjehet i tillë. Këtë lloj sistemi, adaptimi që vetëm Amerika e ka, fillova ta pranoj, kuptoj dhe sot realisht e vlerësoj shumë si një model kulturor, që diversitetin etnik e konsideron vlerë dhe pasuri. Integrimi është një proces që nis me përshtatjen ndaj një ritmi tjetër pune e përditshmërie, që unë e konsideroj si përvojë. Ka pothuaj tri vjet që punoj në shërbimin shëndetësor ambulator, brenda një korpusi spitalor nga ku ke aq shumë për të mësuar, që nga cilësia e kujdesit për pacientin, e cila këtu konsiderohen si klient e deri tek teknologjia e avancuar e të dhënave për pacientin, të drejtat e tij dhe rëndësinë e jetëve njerëzore në realitetin amerikan, sidomos krahasuar me vendet nga ne vijmë.

Në shumë shtete këtu në Amerikë, funksionojnë jo pak televizione shqiptare. Përse zgjodhët për të punuar në televizionin “Albanian Culture” dhe jo në një televizion tjetër?

Kontaktet e mia me televizionin Albanian Culture, kanë qenë rastësore. Rastësi e bukur do ta quaja, në dy aktivitete prezantime librash, ku njërin e moderoja unë dhe te tjetri thjesht u intervistova nga drejtuesi i këtij televizioni, zoti Adem Belliu. Që nga ajo kohë, ne kemi një bashkëpunim shumë të frytshëm me televizionin Kultura Shqiptare, i cili tashmë ka një histori më se 20-vjeçare në komunitetin shqiptaro-amerikan këtu. Unë jam me kohë të pjesshme aty, për shkak se puna ime e përditëshme i takon një fushe tjetër, por që në fakt shpesh herë bëhet burim frymëzimi për mjaft emisione, mendime dhe vlerësime për jetën që janë bazë e emisionit tim, "Një jetë... disa histori".

Prej katër vitesh, drejtoni emisionin "Një jetë… disa histori”, ideuar dhe realizuar nga ju. Si lindi ky produksion?

Kur u ula për herë të parë në atë studio modeste televizive, gjëja e parë që ndesh aty është arkivi i pasur. Aty pata rast që, vetëm në pak ditë, të "njoh" shumëçka nga shqiptaro-amerikanët, veprimtari, intervista, kronika, madje pata nxitjen e bashkëthemelueses së këtij televizioni, zonjës Mimoza Belliu, për të vazhduar një cikël të hershëm "Bota e gruas", por jo. Tashmë në mendjen time, ishte kristalizuar "Një jetë... disa histori", e cila tashmë është një historizës katërvjeçare.

Si ndiheni përballë ekranit, i cili padyshim ju merr jo pak kohë që nga projekti, takimin me personazhin, deri tek realizimi i emisionit?

Ekrani është përgjegjësi, është komunikim, është qasje me kohën edhe kur koha, dita apo çasti yt, ka preokupime të tjera. Megjithatë, ajo çka është gjithmonë me mua, gjithmonë një, është serioziteti në veshje, sjellje, komunikim. Për mua, ajo studio është një marrëdhënie shumëplanëshe, me problematikën, të ftuarit dhe ata që e ndjekin komunikimin. Miqtë e televizionit Albanian Culture, janë shikues konservatorë, që vlerat e familjes, traditës, historisë, i kanë të shenjta. Edhe unë po ashtu, jo vetëm për të qenë sinkron me ta, por sepse ato janë në tërësinë e qenies time. Të ftuarit e mi janë individë të fushave të ndryshme, që të gjithë kanë vëmendjen time maksimale, sepse, të kuptohemi, në shumicën e rasteve ato biseda janë spontane, të natyrshme, pa asnjë truk apo parapërgatitje, por shumë prej të ftuarve janë frymëzim për mjaft nga shkrimet e mia, për arsye të multiproblematikës që derivon nga ai bashkëbisedim historish personale e kolektive.

Keni mundur të intervistoni personalitete nga fusha të ndryshme të jetës, jo vetëm këtu në SHBA, por madje nga Kanadaja dhe Shqipëria. Cilin prej tyre mund të përmendni si më mbresëlënësin?

Janë vërtet me dhjetëra e dhjetëra personalitete, njerëz të zakonshëm, artistë edhe pse i kam të gjithë në kujtesë, nuk do bëj veçimi. Janë miq të Albanian Culture tv, janë në fondin e arkivit dhe kam bindjen që, në të ardhmen, do jenë në nje botim po me këtë titull.

Cili mbetet çelësi i suksesit në punën tuaj, që pas çdo emisioni, edhe pse e lodhur, sërish ndjeheni e kënaqur?

Është kënaqësi kur sheh se, ekranit i rritet shikueshmëria, është edhe përgjegjësi dhe detyrim për të rritur cilësinë, për të sjellë histori. Por edhe vlera në studio, që natyrisht mbart edhe vështirësi objektive brenda. Televizionet shqiptare këtu nuk janë aq të fuqishëm në teknologji dhe mjedisin fizik. Megjithatë, ata mbeten kampionë të mbajtjes gjallë të kujtesës, promovimit dhe ruajtjes së kulturës shqiptare, gjuhës dhe historisë sonë, si dhe promovimit të vlerave të fushave të ndryshme. Kjo është jo vetëm kënaqësi, por edhe mision që, natyrisht, mbart shumë aktorë brenda. Pra, nëse ka sukses në komunitet, ky sukses do të pasqyrohet edhe në ekran. Ne jemi një korrelacion veprimesh, që ekziston dyanshmërisht.

Çfarë do të thoshit për bashkëpunimin, konkurrencën që ekziston midis jush dhe kolegëve të televizioneve të tjera?

Nuk e konsideroj si konkurrencë ekzistencën e disa mediave, është një marrëdhënie paralele. Ne kemi shumë gjëra të përbashkëta, por në një fushë të lirë veprimi, çka nënkupton se ka kaq shumë hapësira në Amerikën e madhe, ku krijimtaria nuk duhet të na bëjë konkurrues ndaj njëri-tjetrit, por të ndryshëm, të larmishëm dhe partnerë në çështje të përbashkëta. Sa për ta ilustruar: kur në studio kam dibranë, unë detyrimisht dua të kem në krah Beqir Sinën, dibranin që nuk u ngop kurrë me Dibrën.

A pretendoni se veten tuaj e shprehni më mirë, kur shkruani artikuj e poezi, apo gjatë punës suaj në televizion?

Unë nuk besoj në përsosmëri edhe pse kam idhuj të cilët i konsideroj të përsosur. Por kur dëgjoj veten, jam kritike ndaj saj. Mendoj se shkrimi është një mënyrë më e thelluar e prezantimit të mendimit, madje proza ime edhe pse pak botuar, është më e bukur. Më pëlqen stili telegrafik, ku teksti dhe konteksti i shkojnë lexuesit në mënyrë të shpejtë, të ngjeshur, koncize. Kam dashur gjithmonë që, çdo akt leximi, të nxisë reflektime e kritika, të mos jetë vetëm vargëzim shkronjash. Mesazhi e bën veprën jetëgjatë.

Mendoni se tematika që shtrohet në shkrime apo komunikimet tuaja, i jep vlerë atyre? 

Natyrshëm që tematika, të qenit sinkron me realitetin, natyrisht edhe fleksibël, sepse ne jetojmë në SHBA dhe kuptimi i realizmit këtu apo atje, kanë masën e vet, çka e bën edhe më të vështirë rolin dhe vërtetësinë e shënimeve. Por ky pozicion këtu dhe atje, ka edhe bonuset e veta që të vejnë në pozita solide kur lexon objektivisht dhe i nënshtrohesh logjikës të së vërtetave. Është me shumë rëndësi ndjeshmëria dhe reflektimi, tipare këto që të mbajnë gjithmonë në kontakt me temat e kohës.

Ku e shikoni ju tashmë Marjanën, si nënë e dy fëmijëve, bashkëshorte, njëkohësisht poete dhe gazetare?

Kur shikoj vitet që rendin, mosha, djemtë që rriten e shkollohen, natyrshëm aty është Marjana dhe Iliri, bashkëshorti im, roli ynë i padiskutueshëm në konsolidimin e edukimin e dy djemve. Padyshim e përditshmja, e ardhmja brenda meje është poezi, prozë, letërsi.

Sa kanë ndikuar tek ju, përfundimi i studimeve europiane, krijimtaria juaj si poete, në gazetari, moderim?

Shkollimi dhe përvoja janë dy anë paralele që nxisin dhe rrisin njëra-tjetrën, ndaj dhe pas çdo cikli studimi, kam pyetur veten se si do t’i ruaj ato çka mësova edhe nëse nuk do më duhen. Dhe e vërteta është se më janë dashur gjithmonë. Dijet nuk të tradhtojnë kurrë! Në punën e përditshme, mësuesia më vjen në ndihmë kur më duhet t’i kujtoj diabetikut dietën, të moshuarit ilaçet, depresivit dashurinë për jetën dhe njeriut në përgjithësi, se shëndeti i mirë është kapital. E natyrisht që dijet e studimeve master politikash europiane, janë një bagazh që merr dhe i jep formë çdo komunikimi. Jeta është më e thjesht dhe e bukur kur din, padija të burgos, të bën të pa lirë dhe këtë ne e kuptojmë kur largohemi nga Shqipëria. Megjithatë, unë e konsideroj edukimin si një bonus individual që gjithë secili e ve në përdorim mbi bazën e kapaciteteve personale intelektuale.

Kohët e fundit, jeni zgjedhur në këshillin drejtues të Vatrës. Çfarë do të thotë të jesh në Vatër, për më tepër në forumet drejtuese të saj.

Federata Panshqiptare “VATRA”, është faqja më e bukur e historisë së Shqipërisë, që i dha emër dhe jetë Shqipërisë, edhe përpara shtet formimit. Është vendi ku të gjithë shqiptarët, pavarësisht mureve gjeografikë ndjehen bashkë. E konsideroj përgjegjësi angazhimin tim apo të çdokujt tjetër aty. Është ai lloj vendi ku ligjëroi Konica e Noli e ku çdo fjalë e mendim duhet të ketë peshë e maturi. Për shqiptarët e vjetër, këtu Vatra është lidhja me atdheun, ndërsa për ne rishtarët është mohimi i padrejtë i lirisë. Prandaj ne e kemi të nevojshme t’i takojmë këto dy kohë, që mbartin shumë histori të pashkruara ende. Le ta quajmë një muze shqiptarie që, nëse do ndrijë do na nderojë, e nëse do e denigrojmë do jetë përgjegjësi dhe faj historik. Unë besoj që po jetojmë atë lloj moment historik ku, çdo lloj përgjegjësie e angazhimi shoqëror, i duhet dhe i vlen kombit sot, më shumë se kurrë.

Çfarë mendoni për rolin dhe cilësinë e shkollave shqipe në diasporë?

Pa dashur të paragjykoj ato, dua të nxis dhe përkrah çdo lloj vullneti për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe. Dhe ky vullnet mundet të vijë nga familja, intelektualët, televizionet, organizatat, individët; nuk ka rëndësi se si vjen, por është shumë e rëndësishme që të institucionalizohet, dhe shkolla është vendi i duhur. Nuk ka investim më patriotik sesa ai gjuhësor, ndër të gjitha të shumtat që na ndajnë, gjuha është vlera që na bashkon sot e përjetë.

Si është një ditë e zakonshme për ju?

Gjëja e parë me të cilën nis dita ime, është kafja, letra dhe lapsi. Dy botimet e librave të mi me poezi “Zemër e Thinjur”, “Lutja e Vetmisë” dhe novela “Muzg ekzistence”, që tashmë i përkasin një epoke tjetër (qesh çiltërsisht), së shpejti do të shoqërohen nga “lindja” e një libri të ri. Duke mos harruar kurrsesi prozën, ku po përpiqem të gjej kohën dhe momentin e duhur, të mbledh krijimet e kohëve të fundit, në rrugëtimin e librit të dytë në prozë. Ndonëse këto “hoje mjalti” i përkasin retrospektivës së disa viteve të mëparshme të Marjanës, e cila fizikisht jeton në Amerikë, por shpirtërisht jeton në Shqipëri.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: