Mariola Kaçani: E dua këngën popullore, ajo na bën autentikë!

Mariola Kaçani: E dua këngën popullore, ajo na bën autentikë!
Flet në një intervistë ekskluzive për “Albanian Free Press”, këngëtarja më e njohur e muzikës popullore qytetare vlonjate, Mariola Kaçani: Për mua, ka shumë rëndësi që, teksti i një kënge të ketë mesazh dhe të trajtojë tematika të jetës sociale. Sigurisht, edhe melodia të jetë e pëlqyer për të gjithë, jo vetëm për vete. Por vlerësimin ia jep publiku; nëse ai e këndon atë këngë, nëse e dëgjon atë, atëherë ajo është realizuar ashtu siç duhet!

Është një vajzë tepër e re, por me një përvojë të gjatë në skena e gëzime familjare. Veçanërisht kur vjen sezoni i ngrohtë, qyteti bregdetar mbushet me banderolat e koncerteve të saj, të cilat janë gjithmonë plot me spektatorë. Por, në syrin e artdashësve të këngës popullore qytetare vlonjate, Mariola Kaçani është edhe motra me vëllanë, Jurgenin, koleg në skenë, vëlla në jetë, - një binom i suksesshëm të cilët kanë vite si liderë në tregun muzikor të trevave të jugut të Shqipërisë. Kjo intervistë ekskluzive, ju rrëfen më mirë si nisi udha e saj si këngëtare dhe cilat janë shpresat dhe dëshirat e saj për të ardhmen.

Intervistoi për Albanian Free Press: Juela Meçani

Ju këndoni me dashuri këngën e Shqipërisë së Jugut. Si erdhët deri tek kënga?

Faleminderit, së pari, për intervistën! Tashmë u bënë disa vite që këndoj muzikën popullore, e cila është bërë pjesë imja. Fillimisht, nuk kam dashur të këndoja këngë popullore dhe jo se nuk më pëlqente, por mendoja të zhvillohesha në ndonjë tjetër rrymë. Fati e deshi që të përfaqësoja muzikën popullore të jugut. Jam shumë krenare që, deri më sot, besoj e shpresoj se ia kam arritur vërtet!

Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë, e mbani mend?

Për herë të parë në skenë, jam ngjitur qysh fëmijë, në festivalin e fëmijëve, ku kam marrë çmim të parë. Pastaj vazhdova të merrja pjesë në festivalin e Gjirokastrës, ku edhe aty kam marrë çmim.

Po klipi i parë, ju kujtohet?

Sigurisht që më kujtohet, pasi kënga dhe klipi i parë kanë qenë fillimi i karrierës time. Ka qenë kënga “Ca në Vlorë, ca në Tiranë”, një këngë që la mbresa dhe vërtet e duan ende.

Jeni nga artistet më të njohura të këngës popullore qytetare, në Shqipëri; nga lindi ky pasion për këtë formë të ndjerë të këngës?

Ndoshta e kam disi të trashëguar nga babai. Ëndrra e tij e paplotësuar, u bë realitet tek unë dhe im vëlla! Gjithsesi, të dy - motër e vëlla - e duam këngën popullore, sepse është ajo që na bën autentikë.

Keni disa bashkëpunime me artistë të tjerë të njohur, si kanë lindur këto bashkëpunime?

Jo, në të vërtetë, bashkëpunime nuk kam shumë. Përveçse me tim vëlla dhe dy bashkëpunime me djemtë e grupit “Revolt Klan”; si edhe një bashkëpunim me të madhin e këngës polifonike labe, Nazif Çela. Me vëllanë, sigurisht, u bë kohë, sepse këto vitet e fundit, gjithmonë bashkë dalim me këngë dhe klipe. Me djemtë e grupit “Revolt Klan”, sigurisht ishte kënaqësi të bashkëpunoja, pasi janë tepër të talentuar dhe i kam miq!

Jeni një duet thuajse i pandarë me vëllanë; si është të punosh brenda familjes?

Po, e vërtetë. Tashmë, siç e përmenda pak më lart, kemi vite që, në çdo dalje, pothuajse jemi të dy. Jam tepër e qetë kur jam me Jurgenin, në çdo aspekt. Pra, nuk ka më mirë kur këndon motër e vëlla. Madje edhe publiku është mësuar me këtë fakt dhe na duan bashkë.

Keni në duar një projekt të ri?

Po, është normale. Asnjëherë nuk ka pushim për ne. Tregu kërkon gjithmonë këngë dhe klipe të reja, kështu që, sigurisht, edhe këtë sezon, po përgatisim këngë dhe videoklip të ri.

Çfarë vere ju pret, do jetë e ngarkuar?

Sigurisht, si çdo vit edhe kjo verë është intensive, mbushur plot me aktivitete, koncerte dhe dasma.

Si lind një këngë e re që është interpretim i yti ose një bashkëpunim i ri...?

Normalisht, kur niset një këngë e re, diskutohet rreth temës që do të trajtosh në këngë, si do të trajtohet teksti me melodinë etj. Gjithmonë me kompozitorin dhe tekstshkruesin, shkëmbejmë mendime me njëri-tjetrin. Edhe kur ke bashkëpunim, pak a shumë, konsultohemi me njëri-tjetrin.

Çfarë është për ju një këngë e arrirë?

Për mua, ka shumë rëndësi që teksti i një kënge të ketë mesazh dhe të trajtojë tematika të jetës sociale. Sigurisht, edhe melodia të jetë e pëlqyer për të gjithë, jo vetëm për vete. Por vlerësimin ia jep publiku, - nëse ai e këndon atë këngë, nëse e dëgjon atë këngë, atëherë ajo është realizuar si duhet.

Sot, në muzikë, ka rryma të reja, ritme të huazuara; cili është mendimi juaj për këtë dukuri?

Mendimi im sa i takon rrymave të reja, është pozitiv sigurisht. Mendoj se, çdo prurje e re është e vlefshme, jo vetëm për muzikën, por kudo besoj. Gjithashtu, artisti duhet të provojë edhe tendenca të reja, sigurisht kur është formuar mirë artistikisht dhe ka identitetin e tij. Pra, jam dakord sa i takon rrymave të tjera.

Koncertet e muzikës popullore, dikur, kishin mijëra spektatorë. Sot, kjo duket gati e pamundur, pse?

Kush e tha këtë?! S’është aspak e vërtetë. Përkundrazi, muzika popullore është gjithmonë e para. E them këtë, jo se unë bëj muzikë popullore, por s’ka koncert, s’ka gëzim familjar pa muzikë popullore! Madje, do të thosha se, muzika popullore ka më shumë popullaritet. Gjithsesi, ndoshta kjo lloj ideje vjen edhe nga artisti që performon, sa i dëgjuar është nga publiku. Por muzika popullore është rryma që s’do të reshtë kurrë së pëlqyeri!

Ju ka ndodhur të keni pasur ndonjë incident apo ndodhi në skenë?

Po, edhe na ka ndodhur, ha ha ha, por incidente pa dëme.

Nëse nuk do të ishit këngëtare, ku e shikoni veten, keni ndonjë pasion tjetër?

Hmmm, ndoshta aktore, pasi edhe universitetin e mbarova për aktrim.

Sa ndiheni e vlerësuar nga publiku?

Hmmm, tani, të them të drejtën, më duket sikur do të mburrem hahaha, por faleminderit Zotit, faleminderit pafund publikut që, vërtet në gjithë këto vite, më ka treguar se më do! Sigurisht, kjo vjen edhe prej punës dhe talentit, pra zërit tim, që kam arritur ta bëj publikun për vete.

Numëroni me dhjetëra e dhjetëra këngë nëpër vite, edhe pse jeni shumë e re. Keni pasur ndonjë moment që jeni lodhur nga kjo lloj jete?

Jo, aspak, sepse kënga është jo vetëm profesion për mua, por edhe pasion, dashuri. Sigurisht, ka momente që lodhesh dhe zhgënjehesh, por kur e bën me shpirt dhe e do profesionin, kalojnë këto ndjesi.

Po ekonomikisht, ndiheni të shpaguar si duhet nga puna?

E mira nuk ka fund! Duhet punë që dhe rezultatet të jenë të kënaqshme. Por duke parë tregun në Shqipëri dhe duke krahasuar investimet që bëjmë, sigurisht nuk është një pagesë e mjaftueshme. Më shumë harxhojmë, se sa fitojmë! Prandaj, them se, duhet shumë punë!

Keni hasur xhelozi mes këngëtareve, në karrierën tuaj?

Xhelozi ka pasur, ka dhe do të ketë. E rëndësishme është që të jetë xhelozi pa kaluar në ekstreme.

Cili është mendimi juaj për brezin më të ri të këngëtarëve të muzikës popullore?

S’kam ndonjë mendim, por mund të them më tepër si këshillë. Të jenë vetvetja, të japin atë që ata kanë, jo çfarë u imponohet. Pra, të krijojnë identitetin e tyre.

Sa ju ka mbështetur familja në pasionin tuaj për këngën?

Shumëëë! Pa mbështetjen e familjes, ndoshta nuk do isha këtu! Më kanë mbështetur moralisht dhe financiarisht por mbi të gjitha, më kanë qëndruar pranë në çdo hap dhe u jam pafund mirënjohëse!

A është e vështirë jetesa e një artisteje, që është gjithmonë në lëvizje?

Jo, e vështirë jo. Zakonisht kemi periudha të caktuara të ngjeshura, por ka edhe periudha kur jemi pushim.

Sa aromë dhe shije nga Vlora, ka interpretimi juaj?

Besoj, mjaftueshëm, ha ha ha.

Si e përzgjidhni një këngë ose një videoklip?

Gjithçka me bashkëpunim dhe duke konsultuar idetë. Konkretisht, për këngën konsultohem me kompozitorin dhe tekstshkruesin. E njëjta gjë vlen dhe për videoklipin.

Më tregoni diçka më shumë rreth jetës tuaj të përditshme… si e kaloni ditën…

E përditshmja ime është ajo e një vajze që punon. Sigurisht, merrem me veten, i kushtoj kohë familjes, shoqërisë, duke qenë se nuk kam krijuar ende familje dhe kam kohë të dal.

Si i keni përballuar vështirësitë në jetë?

Duke i dhënë kohë vetes për të gjetur sërish forcë. Sigurisht, edhe duke pasur pranë njerëzit që më duan vërtet dhe më motivojnë për të ecur gjithmonë përpara.

Shpenzoni shumë për veshjen dhe pamjen? Po kujdes, a bëni shumë për fizikun dhe pamjen?

Po, shpenzoj. E mira s’ka fund, por përpiqem të përmirësohem çdo ditë. Edhe për fizikun sigurisht, kujdesem, sepse edhe vetë profesioni ma kërkon të kem kujdes. Por kjo nuk është arsye e fortë, sepse të gjithë duhet të kujdesemi për fizikun dhe pamjen. Sigurisht, sipas mundësive.

Merreni shumë me pamjen tuaj të jashtme, gjatë jetës së përditshme? Kujdeseni vetë apo keni bashkëpunëtorë?

Po, merrem me gjërat më të rëndësishme dhe të nevojshme. Jo, s’kam bashkëpunëtor në këtë aspekt, deri më tani jo.

Cila është gjëja për të cilën do të luftonit më fort?

Jeta, rreth saj vërtitemi.

Jeni një femër shqiptare në karrierë artistike. Keni një mesazh për to?

Me vullnet, punë dhe përkushtim, shumë mirë mund t’ia arrijmë të jemi aty ku duam, pa ia zgjatur dorën askujt!

Ke ndonjë peng në fushën e muzikës, një ëndërr në sirtar?

Jo, fatmirësisht, nuk kam asnjë peng!

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: