Lushnja e Vllaznia, kur rënia firmoset në zyrat e bashkisë

Lushnja e Vllaznia, kur rënia firmoset në zyrat e bashkisë
Kategoria Superiore/Edhe Vllaznia pranë rënies nga kategoria pas Lushnjës, dy ekipet e vetme në Superiore që varen 100 për qind nga buxheti i bashkive përkatëse

Aranit Muraçi

Pas Lushnjës që e kishte prerë me kohë biletën për kategorinë më poshtë, Vllaznia është skuadra e dytë e Kategorisë Superiore, që vetëm ndonjë mrekulli do t’i sigurojë mbijetesën. Vllaznia e parafundit pas 33-javëve të para, ndodhet dy pikë pas Teutës dhe Kamzës. Vitin tjetër, Vllaznia feston 100-vjetorin dhe në këtë jubile, “djepi i futbollit”, me shumë mundësi, do ta festojë një kategori më poshtë. Do të jetë hera e tretë që Vllaznia bie nga kategoria, por ndoshta kjo rënie do të jetë edhe më dramatike për historinë dhe për faktin se sot janë me dhjetarë futbollistë të talentuar shkodranë, të cilët aktivohen për klube të tjera, brenda e jashtë vendit. Po përse po bie Vllaznia?!

Gara, edhe këtë sezon, nisi me 10 ekipe, aq sa kishte edhe një vit më parë. Sezonin e kaluar, Vllaznisë iu desh ta siguronte mbijetesën në javën e fundit, ndërsa, këtë vit, ajo u fut në garë me të njëjtën strategji, e financuar 100 për qind nga bashkia Shkodër. Vllaznia dhe Lushnja janë dy skuadrat e vetme në Kategorinë Superiore, të cilat financohen nga buxheti i pushtetit lokal, duke mos pasur sponsor. Lushnja si bashki më e vogël, akordoi një buxhet më të ulët se Vllaznia, por në të dy rastet, pavarësisht se njëra është bashki e majtë dhe tjetra e djathtë, buxheti duket se nuk mjaftoi për të shmangur dështimin. Pavarësisht se, në të dy rastet, ekipet janë mbajtur me paratë e taksapaguesve të qyteteve përkatëse, skema nuk ka funksionuar. Sepse tetë klubet e tjera e kanë rishikuar buxhetin muaj pas muaji, për të  shmangur një dështim të tillë. Por a funksionin më kjo skemë, që klubi të varet nga bashkia? Pas një reagimi mbi gjendjen e Vllaznisë, aktori shkodran Julian Deda, tifoz i Vllaznisë, pasi kritikoi drejtuesit mbi gjendjen aktuale, ndau të njëjtin mendim dhe tha për “Albanian Free Press” se, “kjo skemë nuk funksionon.”

Kukësi që u pozicionua në vend të dytë, nuk ka as historinë dhe as traditën e Vllaznisë. Skënderbeu, po ashtu. Laçi i përket një bashkie me buxhetin më të ulët në Shqipëri. Kamza ka përveç bashkisë, edhe president. Edhe Teuta mbahet nga një investitor, që nga eksperienca e njeh më mirë skemën sesi funksionon futbolli shqiptar. Fakti që këto ekipe kanë kaluar vitet e fundit në duart të investitorëve privatë, do të thotë se objektivat i kanë pasur më të qarta dhe llogaridhënia për t’i përmbushur ato, ka qenë gjithashtu më e rreptë.

Buxheti

300 milionë lekë të vjetra është buxheti i Lushnjës dhe 550 milionë i Vllaznisë. Mund të konsiderohet buxheti më i ulët për 10 ekipet në garë, por më i larti sa i takon përgjegjësisë publike, pasi janë 100 për qind pará që dalin nga taksapaguesit lokalë të dy bashkive përkatëse.

Java e 34-ët

Laçi - Lushnja

Skënderbeu - Teuta

Kukësi - Luftëtari

Partizani - Vllaznia

Kamza - Flamurtari

 

Java 35

Flamurtari - Partizani

Vllaznia - Kukësi

Luftëtari - Skënderbeu

Teuta - Lushnja

Kamza - Laçi

 

Java e 36-të

Laçi - Teuta

Lushnja-Luftëtari

Skënderbeu - Vllaznia

Kukësi - Flamurtari

Partizani - Kamza

 

Renditja               P             N             F              B             H             G+          G-

Skënderbeu       72           33           22           6              5              65           30

Kukësi                   61           33           18           7              8              56           35

Luftëtari               52           33           14           10           9              40           33

Laçi                         47           33           13           8              12           36           35

Partizani               47           33           13           8              12           37           34

Flamurtari           45           33           11           12           10           34           32

Kamza                   40           33           10           10           13           34           39

Teuta                    40           33           10           10           13           44           51

Vllaznia                 38           33           10           8              15           31           38

Lushnja                                11           2              5              26           25           75           -50

Shpërndajeni me miqtë tuaj: