LUFTA E PASINQERTË KUNDËR TRAFIQEVE – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

Publicitet
Publicitet
LUFTA E PASINQERTË KUNDËR TRAFIQEVE – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Me lëndët narkotike po bëhet politikë ende. Akuzat për kanabizimin e vendit, kanë mbetur po në lëmin politik e askund më shumë. Edhe ministrin e ri të Brendshëm po e luftojnë në emër të narkotikëve, por deri këtu. Ndërkohë, për sasinë e 620 kg kokainë të kapur në Durrës, ka nisur pingpongu i akuzave. Pas opozitës që e lidhte sasinë e kapur me të afërm të pushtetarëve të sotëm, nga PS-ja kthehet restoja se, duhet të durojmë dhe disa ditë për të mësuar që droga ka lidhje me eksponentë të lartë të PD-së.

Deri këtu, deklaratat politike na e mbushin ditën me dalje e spektakël, porse diçka nuk shihet. Asnjë përgjegjësi direkte ligjore nga institucioni i akuzës dhe askush nga peshqit e mëdhenj në rrjetë. Përtej kësaj, prokuroria duket e mbyllur në kullën e saj dhe pa asnjë prononcim, duke lënë rrugë të lirë për çdo shpërdorim deklarativ dhe makiavelizëm politik nga aktorët e politikës.

Ndërkohë që, palët merren ende me njëra-tjetrën se kush prej tyre është e lidhur me krimin, trafiku i lëndëve narkotike në fakt, vijon me të njëjtat ritme shqetësuese. Së fundmi, policia gjermane kapi një tjetër grup shqiptarësh, duke u sekuestruar dhe 56 kg kokainë. Shifër e konsiderueshme dhe miliona euro. Ndërsa nga ndërkombëtarët kërkohen rezultate konkrete në luftën ndaj krimit të organizuar, krimi vijon të punojë si në Shqipëri edhe jashtë saj, dhe politika shqiptare merret jo me të, por me akuza politike. Trafiku i narkotikëve nga grupet shqiptare zë vend kryesor në mediat europiane sërish, pikërisht në kohën që duhet t’u mbushim mendjen vendeve anëtare që të shprehen pozitivisht për hapjen e negociatave me BE-në. Në Spanjë, u kap një sasi rekord - një ton kokainë - e ardhur nga Kolumbia, dhe ku u arrestuan dy shqiptarë si pjesë e një bande të strukturuar të trafikut të drogës, me origjinë nga Amerika Latine drejt Europës. Së bashku me sasinë e drogës, u sekuestruan edhe 1.5 milionë euro që ishte pagesa për transportin që kryhej me avionë çarter. Në të njëjtën kohë në Itali, kapet një tjetër sasi e madhe kanabisi. Dy tonë marijuanë që vinte nga Shqipëria dhe të arrestuar sërish shtetas shqiptarë që, sipas policisë kanë patur edhe më parë rekorde me trafikun e lëndëve narkotike. Si të mos mjaftonin këto raste, Departamenti Amerikan i Shtetit e fut Shqipërinë për të dytin vit radhazi, në listën e vendeve ku pastrohen paratë e narkotrafikut. Pastrimi i këtyre parave vjen pasi, institucionet shtetërorë janë të dobëta për ta luftuar si dukuri - nga lejimi i institucioneve financiare për të kaluar shuma të mëdha e jo të qarta për origjinën e tyre, dhe se këto pará pastrohen lehtësisht, sidomos në sektorin e ndërtimit. Kryesisht në ndërtimet në sektorin e turizmit në bregdet, si dhe në lojërat e fatit.

Në fakt, kjo problematikë që lidhet si me trafikun e lëndëve narkotike, ashtu dhe përdorimin e parave të pista në ekonomi, lidhjet e krimit me politikën e më gjerë, kanë qenë të cekura gjerësisht këto vite. Ndërkohë në vend, ajo çfarë bëhet është se, këto çështje thjesht debatohen në Parlament. Jo thjesht si një çështje e rendit publik dhe mbarëvajtje e jetës normale qytetare që respekton ligjin, por për krimin që tashmë është i lidhur ngushtë me politikën, që përdoret prej tij dhe që vetë politika i lehtëson aktivitetin kriminal si kompensim mbështetjeje në fushatat elektorale. Gjithë kjo krijon një situatë të rritjes së pasigurisë së qytetarit në rrugë e mjedise publike, por dhe dështimin e strukturave shtetërore për të parandaluar krimin dhe trafikun e lëndëve narkotike.

Kjo situatë që do të reflektojë edhe në shtimin e krimit ordiner nëpër rrugë, ka krijuar shqetësim qytetar dhe duhet thënë se, reagimi nga kjo gjendje ka ardhur kryesisht nga opinioni publik dhe media. Dhe hera-herës, në këtë reagim është bashkuar edhe opozita, ndërsa ka akuzuar nga foltorja e Parlamentit, por duke e parë thjesht si një armë për goditur shumicën dhe jo si një shqetësim qytetar.

Krimi dhe bota rreth tij nuk u shpikën dhe as u shfaqën sot. Ato kanë qenë aty dhe në aktivitetin e tyre nuk njohin ngjyra partiake, por realizim fitimi të shpejtë. Ndaj - ndërsa komentet e ambasadorit amerikan e të ndonjë institucioni tjetër ndërkombëtar, flasin për rritje të rrezikshmërisë së krimit ne vend, se ka katër klane mafioze e 20 familje në botën e krimit - kjo dëshmon se ky realitet është përftuar pas një periudhe relativisht të gjatë, ku të gjitha palët politike, ose kanë mbyllur sytë, ose i kanë përdorur herë pas here në luftën e tyre ndaj kundërshtarëve politikë. Lidhja me krimin dhe përdorja e tij pra, nuk ka një krah të përcaktuar. Me krimin është bërë pis e gjithë klasa politike që, për shërbimet e marra ka mbyllur sytë ndaj aktiviteteve kriminale, që kanë sjellë pasurimin dhe fuqizimin e këtyre klaneve dhe familjeve.

Ndaj dhe qasja që i bën vetë opozita problemit të rritjes së kriminalitetit, duket apatik dhe jo i sinqertë. Duke u marrë me krimin e rrugës, por jo me thelbin e problemit, të duket sikur do të hapë dhe vetë një shteg për të përdorur edhe ajo, botën e krimit, nëse shihet se balancat e pushtetit mund të ofrohen drejt opozitës së sotme. Ndaj ajo që mbetet të sqarohet është, nëse vërtet kemi një aksion për të luftuar krimin dhe trafikun e narkotikëve, apo e gjitha kjo është thjesht një pretekst më shumë për të mbajtur ndezur debatin politik?

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: