LESH-i i fundjavës me shokët Subashi, Sejko dhe edhe Braho

LESH-i i fundjavës me shokët Subashi, Sejko dhe edhe Braho
Satirë

Antena Jashtë Familjes ka radhën që të sjellë sot, LESH-in e tij, pra Lajmet Ekskluzive të Shartuara, nga fusha e ekonomisë dhe politikës. Kjo rubrikë vjen sot me një lajm të mirë.

Regjistrimet për Shkollën e Magjistraturës, këtë vit akademik, ka shumë mundësi që të shtyhen për në dhjetor, ose mos të zhvillohen fare.

Themi lajm i mirë, pasi kandidatët që ëndërrojnë të shkojnë në këtë shkollë, do të kenë kohë më shumë të mësojnë dhe të përgatiten për konkurrimin.

Një tjetër aspekt i këtij lajmi të mirë, është fakti që tashmë gjyqtarët dhe prokurorët të cilët janë në punë, kanë më tepër kohë që të nxjerrin dorën nga xhepi e t'i vënë gishtin kokës, duke menduar se në çfarë çështjesh kanë gabuar, duke marrë më pak lekë, se ç'duhej të merrnin.

E meqë ra llafi te konkurrimi. Guvernatori i Bankës së vendit tonë, doli dhe na bëri të qartë se, në ekonominë tonë, ka flukse të larta të euros. Këtë kishte kohë që na e kishte thënë edhe kamerieri i lokalit ku shkojmë dhe pijmë makiato dhe disa tullacë pijnë uiski, por ne nuk e besuam. Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që, disa shqiptarë që kanë dalë jashtë vendit, ia kanë dalë që të fusin në atdheun tonë, sasi të mëdha të kësaj monedhe. Ne si rubrikë, nuk marrim dot përsipër të themi se me ç'mjete janë futur këto pará. Nuk jemi në gjendje të themi nëse janë futur me çanta, me valixhe, apo me pajisje të tjera lëkurore. Ne pyetëm shokun Gent Sejko dhe ai na u përgjigj: Nuk dimë sa janë futur. Dimë të themi që, ata të cilët i kanë futur eurot në Shqipëri, desh kanë lënë lëkurën në Europë.

Për futjen e eurove të shumta në Shqipëri, ne nuk ja hedhim aspak fajin policisë, pasi ata akoma nuk i kanë mjetet logjistike që të ndjekin në det le të themi, një gomone 7 metra të gjatë, me 7 motorë. Shpresojmë që, në të ardhmen, gomonia të ketë ulur fuqinë, duke ulur numrin e motorëve.

E meqë ra llafi te fuqia. Dje ish-ministri i Brendshëm, shoku Saimir Tahiri, tregoi se ka fuqi në vetvete që të përballet me drejtësinë. Në daljen e tij para medias, na bëri të ditur se, shoku Fatmir Xhafaj i cili e ka zëvendësuar, ka gabuar që ka detyruar policët që t'i nënshtrohen vlerësimit ose siç quhet në gazetari dhe ne politikë, vetingut.

Shoku Fatmir, nëpërmjet procesit që po zhvillon, pritet të nxjerrë jashtë policisë vetëm 500 punonjës, ndërkohë që vetëm në vitin e parë të drejtimit të tij, shoku Saimir, gjeti 1300 policë të korruptuar dhe të paaftë.

Pra siç shihet, krahasuar me Fatmirin, ish-ministri Saimir, qëndron më lart. Ne si rubrikë shpresojmë që këtë gjë ta ketë parasysh edhe Prokuroria, si masë lehtësuese në hetim.

Pritet që në vend të shokut Saimir, mandatin ta marrë shoku Spartak Braho ose siç i thonë shokët me përkëdheli, Taku Çanta. Nuk e dimë nëse shoku Taku do e pranojë të ulet në Kuvend. Priten zhvillime të tjera, për të cilat do ju mbajmë të informuar javën tjetër.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: