LARGIMI I EUROPËS – FAKTI I DITËS NGA NGA PLATOR NESTURI

LARGIMI I EUROPËS – FAKTI I DITËS NGA NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ardhja e një grupi deputetësh holandezë në Tiranë, si një grup monitorimi për çka ndodh në këtë cep Ballkani, do t’i shërbejë vendimit që do të marrë Holanda, për hapjen e dritës jeshile Shqipërisë, për negociatat me BE-në. Deputetët patën takime të shumta me funksionarë politikë, por, me sa duket, nuk kishin ardhur për darka e qoka. Misioni ishte i thjeshtë. Indikacion se, në çfarë niveli është demokracia në institucionet e vendit. Nuk është çudi që kanë mbetur të çuditur, se si funksionon ajo në këtë laborator hibridësh dhe nuk kanë faj. Edhe ne qytetarët e thjeshtë, nuk arrijmë të kapim në kohë e të mos habitemi me piruetat e politikës që drejton vendin prej 27 vitesh. Dhe të mendosh se, me standardet që kemi arritur, jemi në pritje për të hapur negociatat për tu pranuar në familjen europiane...

Prej gati një viti, temperatura politike në vend ka qenë aq e tejngritur, aq e sikletshme, saqë stinët shërbyen thjesht si dekor, ndërsa tonet alarmante të ambientalistëve për ngrohjen globale, të dukeshin si punë pesë me hiç. Në gjithë këta muaj, të mbushur plot me ngjarje pikante, zgjedhje, me fitues në pushtet e fitues "moralë", mosnjohje rezultati, njohje të tyre por bojkot parlamentar, shqiptarët e ndjejnë veten të lodhur nga ky kalvar rraskapitës konfliktual, ku lufta e bajlozëve të politikës vijon të bëhet me kaq egërsi, jo për ndonjë grua (si sebep historik sherri), por për pushtet.

Si rezultat i këtij tensioni ku palët refuzojnë njëra-tjetrën, qytetari i thjeshtë është shurdhuar nga rënia e dy kambanave që stonojnë mes tyre. Opsionet se ka "krizë politike", - çka thotë opozita dhe mohimit të saj nga shumica, se kemi krizë ekonomike përkundrejt optimizmit qeveritar, se përkundrazi "ka rritje të ekonomisë, përderisa do ngremë pagat dhe pensionet" - e kanë trullosur opinionin publik. Ndaj, si për t'iu përgjigjur këtij absurdi ku bashkëjetojnë dy realitete jo në simbiozë mes tyre, konstatimi i sotëm është se, edhe kemi krizë politike, por ka dhe rritje ekonomike. Në këtë "konkluzion" arrijnë madje edhe institucione të BE-së. Kështu në Bruksel dhe Strasburg, theksohet se ka krizë politike dhe se palët duhet të gjejnë rrugëzgjidhjen, ndërsa në raporte të ndryshme të BE-së, përgëzohet për progresin ekonomik. Ti marrësh veç e veç këto qëndrime, të duket se bëhet fjalë për dy vende të ndryshme, ndaj nuk është çudi që shqiptari i thjeshtë, i trullosur nga këto akrobaci, si ngelet të zgjedhë veç njërën nga këto botë virtuale, midis asaj të Ramës dhe asaj të Bashës. Pavarësisht se në botën e tij reale, asaj të përditshmes, pak dallim ka nëse është ithtar i njërit ose i tjetrit

Ajo çfarë po iu bën politika shqiptare shtetasve të vet në lidhje me interesat më kryesore të tyre, ngjan së tepërmi me atë çfarë ndodhte deri pak kohë më parë, në oborrin e Fakultetit të Drejtësisë, ku sekserët ofronin diploma për juristë kundrejt çmimit prej 7000 eurosh; pikërisht aty pra, ku duhet të dalin jurist e prokurorë që duhet të luftojnë korrupsionin. Të paktën, për punën e sekserëve u vu rregull, por a ka ende garanci që sekserët të kenë shkuar në Parlament për të përcaktuar drejtësi e transparencë ne emër të vetingut?

Madje vetë Brukseli që prej dy vjetësh po monitoron nga afër çështjen e reformave dhe sidomos atë në drejtësi, ende e ka të vështirë të orientohet në intrigën ballkanase dhe të kuptojë drejt, nëse kjo klasë politike e ka seriozisht kur deklaron se synon Europën apo ka rënë dhe Brukseli vetë, në rrjetën e interesave të vogla të lojtarëve pompozë të një vendi liliput? Deri më tani është kërkuar thjesht një formulë magjike e ngjyer me bojë demokracie, për të bërë së bashku shumicën dhe opozitën shqiptare, për tu marrë vesh për interesin e qytetarëve të këtij vendi, e që është rruga e integrimit në BE. Në të kundërt të kësaj, forcat tona kryesore politike, thjesht kërkojnë deklarata mbështetëse dhe ekskluzive për to. Dhe për këtë, nuk përtojnë të hapin dhe thesin e parave (që i bie të jenë dhe tonat), porse rezultati do të jetë veç krijimi i një publiciteti negativ për Shqipërinë, po me paratë tona. Në këtë mënyrë, jo vetëm nuk arrijnë dot një konsensus politik për t’i hapur udhë rrugëtimit drejt BE-së, por kriza do thellohet. Dhe bashkë me të, edhe Europa do të jetë shumë më larg.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: