LABIRINT INTERESASH NË DREJTËSI – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

LABIRINT INTERESASH NË DREJTËSI – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vëmendja është fiksuar prej kohësh te drejtësia dhe reforma që ka nisur. Por dhe të rejat prej saj nuk mungojnë. Madje, vijnë befasuese. Dje, kryeprokurorja Marku shkarkon prokurorin Hajdarmataj të Krimeve të Rënda. Sipas versionit zyrtar,  zëvendësimi i tij bëhet për të shtyrë dhe dhënë nxitje më të shpejtë, hetimeve të çështjeve sensitive, që janë në vëmendje të opinionit publik. Veçse kaq duket se nuk mjafton. Në një klimë të rënduar politike, natyrisht kjo lëvizje do të jetë nxitje për akuza të mëtejshme, për përdorim dhe deri në shkatërrim të hetimit. Përderisa nuk ka një vullnet politik të përbashkët për të kryer reformën dhe për të pastruar drejtësinë nga korrupsioni dhe paaftësia, është e natyrshme që akuzat do të jenë sheshit. Pasi vetë drejtësia, në gjithë këto vite, ka qenë e përdorur.

Ajo çfarë bie në sy është se, Hajdarmata, ndonëse nuk ishte ndër preferencat e kryeprokurores së re, iu garantua mbështetje prej saj në fillim të janarit, për hetimet e nisura. Dhe hetime jo dosido, por për ish-ministrin e Brendshëm, Tahiri, dhe për bandat që merren me trafikun e drogës. Tani, pas këtyre muajve, çfarë ka ndryshuar? Thjesht nuk është operuar me profesionalizëm dhe me shpejtësi, apo ka shkaqe të tjera? Fakti është që, pas refuzimit nga Parlamenti për arrestimin e Tahirit, u duk se tempi i hetimeve ra ndjeshëm. Vetë Rama, për të mbrojtur vendimin e deputetëve të PS-së për imunitetin e Tahirit, u shpreh para disa kohësh se, megjithëse kanë kaluar disa muaj, prokuroria nuk ka sjellë ende një provë të mjaftueshme për të argumentuar kërkesën e dikurshme të arrestimit.

Pavarësisht pritshmërive, shkarkimi i Hajdarmatës pikërisht në këtë kohë, do të hapë debat të fortë, pasi kjo vjen ndërsa sapo ishte pyetur në cilësinë e dëshmitarit ish-shoferi i ministrit Tahiri dhe lidhjet me Orest Sotën. Ndryshimi bëhet kur tashmë, Tahiri është pa mandat parlamentar dhe sapo është ekstraduar në Shqipëri, Izet Haxhia që duket se do të hapë dosje të vjetra. Pa vijuar më tej në çështje me jo më pak rëndësi dhe ku ngatërrohen interesa oligarkësh, me funksionarë shtetërorë dhe politikë.

Ka një labirint interesash politike në drejtësi; nga këto varen dhe hetimet që do kryhen. Pra, nëse ato do të kenë përparësi ose do të vihet fasho syve. Dhe interesat e palëve politike janë të ndryshme. Çka është normal për një palë është skandal për tjetrën. Çfarë dhëmb për njërën palë, është vënie drejtësie për tjetrën. Deri më tani, ligji i omertas ka funksionuar për të mbyllur çështjet që djegin për të dyja palët. Por presioni ndërkombëtar duket se i ka dhënë fund gjendjes së pasivitetit konfliktual. Tani duket se, gara është se kush është më i përlyer e kush më pak. Pasi të gjithë janë bërë pis.

Krimi dhe bota rreth tij nuk u shpik, as nuk u shfaq sot. Ajo aty ka qenë dhe në aktivitetin e saj, ajo nuk njeh ngjyra partiake. Ndaj dhe ndërsa komentet e ambasadorit amerikan ose të ndonjë institucioni tjetër ndërkombëtar, flasin për rritje të rrezikshmërisë së krimit ne vend, se ka katër klane mafioze e 20 familje në botën e krimit, kjo dëshmon se ky realitet është përftuar pas një periudhe relativisht të gjatë, ku të gjitha palët politike, ose kanë mbyllur sytë, ose i kanë përdorur herë pas here në luftën e tyre ndaj kundërshtarëve politikë. Lidhja me krimin dhe përdorja e tij pra, nuk ka një krah të përcaktuar. Me krimin është bërë pis e gjithë klasa politike.

Çka mbetet për tu parë, është si do të vijohet më tej. Pra, nëse ndryshimet janë bërë vërtet për të shtyrë më tej hetimet, e për t’u përdorur në dëm të një pale të caktuar. Ndaj në këtë rast kanë rëndësi edhe detajet se, kush ulet e kush ngrihet në detyrë dhe çfarë garancish jep se do të jetë në shërbim të ligjit e jo të sponsorëve. Kanë rëndësi, jo vetëm mënyra dhe shpejtësia e hetimit të dosjeve të bujshme, por dhe sqarimi për ngjarje më të veçanta e "të thjeshta", siç ishte rasti i grabitjes së postës së prokurorisë së Durrësit, para dy ditësh.  Në një kohë të tillë, kur gjithçka është fokusuar te drejtësia, nuk mjaftojnë vetëm lëvizjet në emër të përmirësimit të punës, por dhe një rritje më e madhe e transparencës se çfarë ndodh. Në të kundërt, nuk do të tretet dyshimi se, drejtësia ende përdoret.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: