KRIZË PA OPSION ZGJIDHJEJE – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

Publicitet
Publicitet
KRIZË PA OPSION ZGJIDHJEJE – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nuk besoj se do të ketë asgjë të re nga protesta e së shtunës. Përtej kërcënimeve se kështu do të rrëzohet Rama me qeverinë e tij, se do të ketë të tjera përgjime që kompromentojnë më tej Xhafën e kështu me radhë, duket se gjithçka është në boshllëk. Po ashtu, nuk besohet që edhe kërcënimet nga PS-ja se ka prova për përfshirjen e zyrtarëve të opozitës në çështjen e drogës së Maminasit, do të mbarsen për të dalë jashtë kuadrit të deklaratave politike. Gjithçka duket si një betejë, ku askush nga palët nuk dëshiron të hyjë në luftë, veç i sokëllijnë njëri-tjetrit. Si dy komshinj që bërtasin e hakërrehen se do bëjnë namin, por askush nuk e kalon gardhin që i ndan. Dhe kjo ndodh, pasi askush nuk do të ndryshojë dhe se marrëdhëniet politike midis palëve mbeten sërish në formulën e vjetër të pazareve në tryeza të mbyllura. Nëse do të kishte ndryshuar diçka, tashmë do të kishim ndonjë politikan VIP nën akuzë apo nën pranga dhe që këto hetime t’i kishin bërë vetë institucionet shqiptare.

Në Maqedoni, pas një procesi të autoriteteve atje, ish- kryeministri Gruevski dënohet me dy vjet burg për një abuzim me blerje makine, me një vlerë 600 mijë euro. Një rast që do të quhej qesharak dhe pa vlerë, nëse i krahasojmë me akuzat që palët politike i ngrenë njëra- tjetrës, për abuzime miliona eurosh për tendera e shpërdorime. Në Shqipëri vetëm shahet, akuzohet pa fund, por asgjë nuk ndodh. Sepse askush nuk mund ta lëshojë tjetrin. Ndaj dhe tensioni i sotëm politik, ku akuzohet Tahiri e Xhafaj dhe synohet Rama që të lëshojë, nuk duket aq i tmerrshëm për mazhorancën. Sepse të dyja palët i njohin manovrat dhe se deri ku mund të shkojë tjetri. Pasi, sado të acarohet një situatë ku palët thjesht masin forcat, e reja e vetme që ka ndodhur është se gjithçka ka rënë në qetësi me një kompromis, ku dy liderët shtrëngojnë me sportivitet duart. I njëjti film do të jetë dhe zhgënjimi po i tillë.

E veçanta, që ditën kur do të zhvillohet protesta e opozitës, në Tiranë mbërrin një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit. Zgjidhjet për kompromis vijnë ende nga jashtë, madje nga më larg të jetë e mundur. Përtej deklaratave luftarake të politikës, gjithkush prej tyre është i kujdesshëm që me cep të syrit të shohë gjestikulacionin e diplomatëve dhe të të dërguarve, që vlerësojnë krizën tonë dhe i japin një dorë pajtimi. Por ajo çka e bën më të rrezikshme në papjekuri, është primitivizmi i saj. Kriza politike ka në çdo vend të botës, porse elitat dinë të gjejnë zgjidhje edhe duke sakrifikuar për hir të kolonave të shtetit e rregullave që kanë ndërtuar. Ajo çfarë pamë në mbi dy muaj, por dhe në historikun e pluralizmit tonë shfaq një tjetër fenomen. Në Shqipëri, jo vetëm që nuk arrihet pjekuria e klasës drejtuese për të zgjidhur krizën me kanalet e saj, por më keq se kaq, ato përdoren si bllokuese të ligjit e të shtetit. Në këtë mënyrë, vetë krizat politike shndërrohen në ngërç të funksionimit të shtetit dhe zgjidhja e tyre bëhet si lëshim në dëm të ligjit dhe gjithë ngrehinës që përbën shtetin.

Në gjithë botën, krizat dëshmojnë se trupi i shtetit dhe demokracia ka një sëmundje dhe temperatura e debatit politik veç tregon se në çfarë shkalle është inflamacioni, porse zgjidhjet e kompromiset i japin hapësirë e frymëmarrje të re demokracisë, çka i bën mirë vetë funksionimit të mëtejshëm të shtetit. Vështirë të mendohet se kompromiset në Shqipëri e kanë eliminuar virusin e krizës. Dhe në më të shumtat e rasteve, as se i kanë bërë mirë funksionimit të shtetit dhe demokracisë. Virusi ka mbetur sërish aty dhe pak mundësi ka që dhe në kompromisin e tanishëm, ai të shmanget. Kompromis për shtyrje krize, por jo për shërimin e demokracisë shqiptare nga efektet e dominancës, përplasjes, rritjes së pushtetit të pak figurave kryesore dhe shpërfilljes së interesave të qytetarëve. Pasi ky kompromis, garanci jep pak se faktorët që shkaktojnë kriza, do të eliminohen. Shqipëria mund të bëjë zgjedhje pas tre vjetësh, apo dhe pas disa muajsh, porse papjekuria e kësaj klase politike nuk e garanton aspak se pas tyre, kriza do të rishafqet sërish, me tension të ri dhe nën teza të reja.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: