Këshilla për prindërit, si të dallojnë fëmijët e spektrit autik

Këshilla për prindërit, si të dallojnë fëmijët e spektrit autik
Autizmi duket t'i ketë rrënjët në zhvillimin e hershëm të trurit, ndonëse shenjat më të qarta të autizmit dhe simptomat e tij, dalin në pah ndërmjet moshës 2 dhe trevjeçare

Sonila Isaku

Autizmi dhe çrregullimet e spektrit autik janë çrregullime të gjithanshme e shumëplanëshe të zhvillimit të trurit, me dëmtim në shkallë të ndryshme të aftësive sociale e komunikative si dhe aftësitë motorre dhe ato gjuhësore te fëmija.  Autizmi mund të shoqërohet me paaftësi intelektuale, vështirësi në koordinimin motor dhe në ruajtjen e vëmendjes si dhe probleme të tjera shëndetësore, si vështirësi apo çrregullime të gjumit, shqetësime gastrointestinale. Disa njerëz me çrregullim të spektrit autik shkëlqejnë në disa fusha si në art, muzikë, matematike e arte pamore. Njerëzit me autizëm mund të jenë fjalëshumë ose të heshtur, të afeksionuar ose të ftohtë, metodikë ose të ç’organizuar. Autizmi duket t'i ketë rrënjët në zhvillimin e hershëm të trurit, ndonëse shenjat më të qarta të tij dhe simptomat dalin në pah, ndërmjet moshës 2 dhe trevjeçare. Por, si një prind duhet të vërejë shenjat e para të sëmundjes. Mjekja psikiatre, Sonila Tomorri, flet mbi sëmundjen dhe sinjalet e para që mund të kapin prindërit për të filluar trajtimin e hershëm të saj.

Shkaku i sëmundjes

Jo shumë kohë më parë, përgjigjja për këtë pyetje do të ishte "nuk ka asnjë shpjegim". Kërkuesit janë duke na dhënë përgjigje. Së pari e mbi të gjitha, tashmë dimë se nuk ka vetëm një shkak për autizmin, ashtu sikurse nuk ka një lloj autizmi. Përgjatë pesë viteve të fundit, shkencëtarët kanë zbuluar një numër genesh të rralla përgjegjëse, ose mutacione, të lidhura me shkakësinë e autizmit. Shumica e rasteve të autizmit duket se kanë patur si shkak një kombinim të geneve në rrezik për autizëm me faktorët ambientalë, që ka ndikuar në zhvillimin e hershëm të trurit. Në prani të një predispozite gjenetike për autizëm, një numër faktorësh jo gjenetikë ose "ambientalë", duket se shtojnë rrezikun për një fëmijë që të preket nga autizmi. Të dhëna të qarta të këtyre faktorëve të riskut për autizëm, tregojnë për praninë e ngjarjeve përpara dhe gjatë procesit të lindjes. Disa nga këto janë mosha e madhe e prindërve në kohën e konceptimit të fëmijës (si të nënës edhe të babait), sëmundje të nënës gjatë shtatzënisë dhe një sërë vështirësish gjatë lindjes, veçanërisht ato që kanë të bëjnë më momentet e mungesës së oksigjenimit të trurit në lindje. Por kujdes, këto ngjarje si të tilla nuk shkaktojnë autizëm, madje edhe të kombinuar me faktorëve genetikë të riskut, ato risin lehtësisht rrezikun për autizëm. Një numër studimesh rekomandojnë se në uljen e rrezikut për të patur një fëmijë me autizëm, ndikon marrja nga nëna e vitaminave prenatal që përmbajnë acid folik (të paktën 600 mcg/ditë) në muajt përpara dhe gjatë shtatzënisë. Studiuesit janë duke parë ndikimin e sistemit imun në autizëm.

Diagnostikimi

Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjnë prindërit ose ata që kujdesen për fëmijët, është të mësojnë shenjat e hershme të autizmit dhe të familjarizohen me ecurinë tipike të zhvillimit, atë që fëmija duhet të arrijë gradualisht. Më poshtë janë disa nga “shenjat e alarmit” të cilat mund të sinjalizojnë për rrezikun për praninë e autizmit. Nëse prindërit i vërejnë tek fëmija i tyre, duhet të drejtohen tek mjeku i familjes apo tek pediatri, për një vlerësim të zhvillimit. Vendosja e diagnozës së autizmit kërkon një vlerësim shumëplanësh dhe përfshin një grup multidisiplinar pjesë e të cilit janë pediatri, psikiatri, psikologu, e terapisti i zhvillimit. Testimi gjenetik mund të jetë po ashtu i rekomandueshëm, sikurse dhe depistimi për sëmundje të tjera mjekësore, si çrregullimet e gjumit, çrregullimet gastrointestinale etj. Vendosja e diagnozës kërkon një vëzhgim të kujdesshëm të sjelljes, vlerësim të zhvillimit të fëmijës në të gjitha aspektet, sikurse dhe kryerjen e intervistave diagnostike me prindërit si dhe përdorimin e metodave si ADOS (autism diagnostik observational scale), etj. Diagnoza e autizmit vendoset pas vlerësimit klinik të psikiatrit në përputhje me kriteret diagnostike sipas manualeve diagnostike përkatëse DSM apo ICD. Ndonjëherë, ndodh që çrregullimet e spektrit autik të diagnostikohen vonë përgjatë jetës, shpesh prej vështirësive në procesin e të mësuarit, në aspektin social apo emocional. Ashtu sikurse edhe me fëmijët, vendosja e diagnozës për adoleshentët dhe të rriturit, ka nevojë për vëzhgim të kujdesshëm dhe intervistë diagnostike prej profesionistëve të specializuar të shëndetit mendor. Shpesh, vendosja e një diagnose të tillë sjell lehtësim emocional tek ata që kanë vuajtur për një kohë të gjatë me vështirësitë sociale dhe të sjelljes shpesh të pa kuptuara dhe të adresuara gabim. Vendosja e diagnozës i jep udhë fillimit të terapisë dhe metodave ndihmuese dhe mbështetëse që mund të përmirësojnë funksionimin e individit në apo aspekte që paraqiten të dëmtuara, por edhe në cilësinë e jetës në tërësi.

Trajtimi

Çdo fëmijë me autizëm është i veçantë (unik), kështu dhe plani i ndërhyrjes terapeutike do t’i përshtatët nevojave specifike të fëmijës. Ndërhyrja ka të bëjë me trajtimin e sjelljes dhe/ose përdorim medikamentesh. Mjaft fëmijë me autizëm kanë edhe probleme të tjera mjekësore si probleme me gjumin, konvulsione, shqetësim gastrointestinal të cilat duhen trajtuar sipas rastit dhe në bashkëpunim më specialistët përkatës. Në çdo rast, zgjidhja e këtyre problemeve mjekësore mund të përmirësojë sjelljen e fëmijës, të përmirësoje vëmendjen e tij apo dhe aftësinë për t’u përqendruar e për të mësuar.

Pse duhet të ndërhyjmë herët?

Sepse në tre vitet e para, mendja dhe truri zhvillohen me shpejtësi të madhe. Kjo periudhë është mjaft kritike për ecurinë e “gurëve kilometrike/themeltarë” të zhvillimit në marrëdhëniet sociale, në komunikim dhe në të menduarit, të cilët janë blloqe të themeleve të të nxënit në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale.  Sa më i madh në moshë fëmija, aq më e vështirë bëhet kjo ndërmarrje.

Problemi është tek të kuptuarit dhe vlerësimi i këtyre‘gurëve kilometrike dhe roli i pediatërve është i pazëvendësueshëm për këtë proces. Ndërhyrja e hershme përfshin fëmijën dhe tërë familjen të cilët do të punojnë ngushtësisht me grupin e profesionistëve. Në disa lloj ndërhyrjesh të hershme, terapisti u shkon fëmijëve në shtëpi për të kryer  terapinë. Ky proces terapeutik kërkon përfshirjen edhe të prindit, duke e mësuar sesi të kryejë pjesë të terapisë së zhvillimit nën mbikëqyrjen e ndihmën e terapistit. Ndonëse çdo fëmijë zhvillohet në mënyrë të ndryshme, është provuar po ashtu që ndërhyrja/trajtimi i hershëm, përmirëson dukshëm dhe shpesh herë në mënyrë spektakolare. P.sh., ndërhyrja e hershme intensive në sjellje përmirëson procesin e të nxënit, aftësinë komunikuese dhe atë sociale në fëmijët e vegjël që vuajnë nga çrregullimi i spektrit autik.

 

Si të dallojmë një fëmijë autik

Mungesë e buzëqeshjeve në fytyrë kundrejt të tjerëve, e shprehjes së kënaqësisë që prej moshës 6 –muajsh;

Mungesë e shkëmbimit të tingujve vokalë, buzëqeshjes apo shprehjeve të tjera emocionale që prej moshës 9-muajsh;

Mungesë e gugave që 12-muajsh;

Mungesë e shkëmbimit të gjesteve si të treguarit me gisht, të treguarit e një objekti që i pëlqen në moshën 9-muajsh;

Mungesë e fjalëve, 16-muajsh;

Mungesë e frazave me dy fjalë me kuptim (duke mos përfshirë imitimin apo përsëritjen e frazave që dëgjon), në moshën 24-muajsh;

Humbje e të folurës apo e gugave apo e aftësive sociale në çdo moshë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: