KË DO TË BESOJË PUBLIKU, "BABALEN" APO RAMËN? ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA

Publicitet
Publicitet
KË DO TË BESOJË PUBLIKU, "BABALEN" APO RAMËN? ANALIZË NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Java e shkuar, filloi me publikimin nga PD-ja, të një përgjimi audio, përmes të cilit pretendohej se, një ish-skafist kishte biseduar me vëllanë e ministrit të Brendshëm, për dërgimin e një sasie kanabisi drejt Italisë. Më pas, ish-skafisti i përgjimit (Albert Veliu, i njohur në Vlorë me nofkën "Babale"), deklaroi se, biseda e publikuar (mes tij dhe vëllait të ministrit të Brendshëm), ishte autentike.

Nga ana tjetër, në një fjalim para grupit parlamentar socialist, Edi Rama deklaroi se e kishte dërguar regjistrimin e bisedës së sipërcituar, në një agjenci të specializuar jashtë Shqipërisë dhe, nga përgjigjja e asaj agjencie, ishte bindur se regjistrimi nuk ishte autentik.

Ditët e javës u mbushën me deklarata e kundërdeklarata nga politikanë dhe gazetarë, të cilët mbështesnin, ose versionin e "Babales", ose të Ramës. Por këto dy versione janë diametralisht të kundërta – nuk ka vend për një të vërtetë të mesme midis tyre. Ose ish-skafisti "Babale" po tregon të vërtetën, ose Rama...

Në një rast të tillë, në një vend me shtet të konsoliduar ligjor, i lihet drejtësisë të thotë fjalën e fundit. Por, në Shqipëri, ne kemi patur raste të ngjashme, kur ekspertët e huaj kanë deklaruar se, një regjistrim privat video/audio ka qenë autentik, ndërkohë që ekspertët vendas kanë deklaruar të kundërtën. Ose më keq akoma, kemi patur një rast kur, FBI-ja amerikane ka deklaruar se ka patur qitje të drejtpërdrejtë nga arma e oficerit të Gardës së Republikës, drejt protestuesit të vrarë me duar në xhepa në bulevard, ndërkohë që, ekspertët shqiptarë kanë dalë në përfundimin se ka patur një rikoshet plumbi te... halat e pishës.

Nisur nga kjo përvojë shqiptare, nuk mund të pritet që i gjithë opinioni publik të bindet nga verdikti që do të japë eventualisht, drejtësia në këtë rast (nëse ish-skafisti "Babale" apo Rama ka thënë të vërtetën). Në qoftë se, drejtësia konkludon se i pari ka thënë të vërtetën, përkrahësit e PS-së do të thonë se drejtësia ende kontrollohet nga Berisha, në kohën e të cilit janë emëruar prokurorët dhe gjykatësit aktualë. Në të kundërtën, përkrahësit e PD-së do të thonë se, Rama e ka shtënë tashmë në dorë drejtësinë.

Me pak fjalë, opinioni publik do të jetë i ndarë mes ish-skafistit "Babale" dhe Ramës. Por, a kemi ndonjë të dhënë se, në ç'proporcione ndahet aktualisht opinioni shqiptar në duelin "Babale-Rama"?

Në një sondazh online të një prej faqeve shqiptare më të ndjekura në internet, pyeteshin vizitorët: "A i besoni dëshmisë së Albert Veliut, që solli Partia Demokratike?" Dhe 2/3 e pjesëmarrësve në sondazh, i ishin përgjigjur "Jo" kësaj pyetje. Ndërkohë, vetëm 1/3 e besonin dëshminë e ish-skafistit "Babale".

Ky sondazh online ka dy probleme statistikore. Së pari, kampioni i tij përfaqëson vetëm vizitorët e faqes konkrete të internetit. Së dyti, përgjigjja e pyetjes kishte vetëm dy mundësi; ose jo, ose po. Normalisht, për pyetje të tilla, jepet edhe një mundësi e tretë; "S'e di". Me këtë opsion, u jepet mundësia të shprehen edhe ata që nuk janë të sigurt, nëse diçka është e vërtetë apo jo.

Për arsyet e mësipërme, nuk mund të thuhet se, statistikisht, 2/3 e shqiptarëve besojnë Ramën dhe 1/3 ish-skafistin "Babale". Sidoqoftë, fakti që faqja e sipërcituar e internetit i takon një televizioni kryesor kombëtar, i cili ka disa muaj që ka qenë shumë kritik ndaj qeverisë, si dhe fakti që numri i pjesëmarrësve në votimin online ka qenë i madh (nënkupto shumëngjyrësh), të lejon të mendosh se ndjeshëm, më shumë shqiptarë i besojnë Ramës, krahasimisht me ish-skafistin "Babale".

Parë nga një këndvështrim më afatgjatë, betejat mediatike mes pakicës dhe shumicës (në shtete ku ekzistojnë të dyja), bëhen për votat. Kështu që, lind natyrshëm pyetja: Çfarë efekti mund të ketë te votat, dueli mediatik, "Babale-Rama"?

Nga një sondazh që zhvillova një ditë para se ky duel të fillonte, më rezultoi se, PS-ja kishte rreth 80 mijë votues të vendosur më pak, se sa në qershor 2017, ndërkohë që PD-ja kishte rreth 75 mijë më shumë, se sa niveli tejet i ulët i atij qershori (shihni grafikun shoqërues). Sidoqoftë, PS-ja kishte ende një epërsi prej 155 mijë votash ndaj PD-së.

Kur të zhvilloj në qershor sondazhin e radhës, do të kem mundësinë të testoj se, ç'efekt mund të ketë te votat, dueli mediatik "Babale-Rama"?

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: