Kanceri i gjirit, rëndësia e ekzaminimit në kohë e sëmundjes

Kanceri i gjirit, rëndësia e ekzaminimit në kohë e sëmundjes
Pjesë e rëndësishme e Fushatës Sensibilizuese në Luftën kundër Kancerit të Gjirit, është diagnostikimi i tij në fazat fillestare. Për këtë, një rëndësi të veçantë merr njohja e metodave diagnostikuese, duke filluar nga ekzaminimi fizik e deri te ato imazherike. Dr. Adrian Hoti, mjek në Shërbimin e Imazherisë në QSUT, tregon se cilat janë hapat kryesore që duhet të ndjekë një femër për të kapur sëmundjet në stade fillestare

Sonila Isaku

Gjiri fillimisht ekzaminohet fizikisht, nëpërmjet shikimit dhe prekjes, me anë të cilave synohet të identifikohen gjëndra apo struktura të tjera të mundshme asimetrike. Pas kësaj, nëse dalin dyshime apo shihet e nevojshme, pacienti dërgohet në repartin e imazherisë ku fillojnë ekzaminimet imazherike. Këto ekzaminime kryhen sipas moshës së pacientit. Për pacientet para moshës 35-40 vjeç është e përshtatshme kryerja e ekografisë, ndërkohë për pacientet mbi këtë moshë, fillohet direkt me ekzaminimin e mamografisë. Eko-ja dhe mamografia janë ekzaminime bazike standarde për gjirin. Më pas, sipas rastit, vazhdohet me ekzaminimet e tjera shtesë, si citologjia nën eko apo rezonanca magnetike.

Eko dhe mamografia

Aplikimi te një pacient i eko-s apo mamografisë, është i lidhur me strukturën e gjirit. Gjiri duke qenë organ në ndryshim të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës së femrës, sipas strukturës së tij, përcaktohet se cili ekzaminim do të përdoret. Ndryshimi i strukturës së gjirit fillon nga 35 vjeç për femrat që kanë lindur dhe nga 40-45 vjeç për femrat që nuk kanë kryer lindje, deri në këtë moshë. Ekografia është ekzaminimi bazë që kryhet nga vet mjeku dhe interpretohet në kohë reale në prani të pacientit. Ajo është e pazëvendësueshme edhe për moshat e reja, por mund të kryet në çdo moshë. Te femrat në moshë të re, gjiri ka strukturë gjëndërore dhe me një ekzaminim mamografik nuk është e mundur të dallohet patologjia. Ndërkohë tek femrat mbi 40 vjeç apo tek femrat mbi 35 që kanë kryer lindje, struktura e gjirit ndryshon, duke ulur volumin e strukturës gjëndërore dhe duke shtuar indin dhjamor. Prezenca e indit dhjamor, nëpërmjet mamografisë lejon identifikimin e patologjive. Mamografia është diagnostikim që realizohet nga makineria dhe tekniku; më pas, interpretohet nga mjeku. Faza e interpretimit mund të kryhet edhe pa praninë e pacientit, ndryshe nga eko-ja.

Rezonanca magnetike

Rezonanca magnetike është ekzaminim shumë i rëndësishëm, por specifik. Pra, nuk kryhet si ekzaminim rutinë te të gjitha femrat, por vetëm në ato raste ku me ekzaminimet e para që përmendëm, nuk është arritur në një konkluzion të përshtatshëm. Për shembull, rezonanca kryhet nëse shikojmë një paketë gjëndrash tumorale nën sqetull dhe dyshimi është që mund të vijë nga gjiri, por nëpërmjet ekografisë dhe mamografisë nuk kemi konstatuar masë. Rezonanca magnetike kryhet edhe në rastet kur në gjirin e gruas është gjetur një vatër fillestare e tumorit dhe do kryhet një ndërhyrje kirurgjikale. Në këtë rast, kirurgut i duhet të përjashtojë mundësinë e ekzistencës së ndonjë mase të dytë në atë gji apo në gjirin tjetër. Rasti tjetër për kryerjen e rezonancës magnetike është kur kemi paciente të reja në moshë, te të cilat dyshojmë për kancer gjiri apo që kanë histori familjare të kancerit të gjirit. Në këto raste, te femrat e reja në moshë ku mamografia nuk na jep të dhëna, duhet të përdorim rezonancën magnetike. Tek ekzaminimet e tjera imazherike, përfshihen edhe ato që quhen ndërhyrëse, të cilat janë citologjia dhe biopsia e kryer në rrugë imazherike. Citologjia është marrja e disa qelizave të shkëputura nga indi tumoral, por që kryhet nën ekografi. Kurse biopsia është marrja e copave të indeve nën ekografi, mamografi apo rezonancë. Në rastet kur masa tumorale është shumë e vogël, realizohet edhe heqja e masës njëkohësisht në rrugë imazherike si edhe biopsia e saj. Gjatë ekografisë apo mamografisë, futet një fill metalik në mesin e masës, të cilën kirurgu e përdor për të ndjekur drejtimin për heqjen e masës.

Ekzaminimet post kirurgjikale

Ekzaminimi kryesor postkirurgjikal te një femër që ka pasur kancer të gjirit, është sërish ekografia, sepse shikon çdo pikë të gjirit, studion mirë aksilën (gropën e sqetullës), studion mirë të gjitha vendet e mundshme apo të pritshme të rikthimit të sëmundjes. Duke iu referuar moshës së femrës, për moshat e reja sërish është eko-ja ekzaminimi bazë, ndërkohë mamografia kthehet në një ekzaminim standard në moshat më të mëdha, ashtu sikundër përmendëm më lart. Mamografia në këtë fazë postkirurgjikale, kryhet një herë në vit dhe ndërmjet mamografive kryhen ekografi me shpeshtësi çdo 3 muaj, vitin e parë dhe çdo 6 muaj vitin e dytë kur ecuria e pacientit është e mirë. Lidhur me aplikimin e rezonancës magnetike pas kryerjes së kirurgjisë, mund të themi se ajo aplikohet më tepër për të monitoruar mundësinë e rikthimit të sëmundjes, në një kohë kur me anë të eko-s apo mamografisë nuk arrijmë ta verifikojmë, por kemi të shfaqur një zonë inflamatore. Nga ana tjetër, rezonanca është një anë shumë e rëndësishme për të parë si i përgjigjet pacienti terapisë, në rastet kur nuk është kryer ndërhyrje kirurgjikale për të hequr tumorin, por është kryer kimioterapi apo/dhe radioterapi. Zona që pëson rrezatimin mund të kthehet në një zonë fibroze dhe në këtë rast, rezonanca na tregon ndryshimet që shfaqen nga kimioterapia apo radioterapia.

Këshilla

Femrat janë të gatshme të kujdesen për shëndetin e tyre dhe nuk duhet t’i drejtohemi më femrave, por atyre që kanë në dorë për të bërë diçka për t’u kujdesur për jetën e tyre, që do të thotë se personeli shëndetësor në çdo qendër shëndetësore, poliklinikë, apo spital edhe në skajet më të largëta të vendit, duhet të informojnë femrat për rrezikun që iu kanoset nga diagnostikimi i vonshëm i kësaj sëmundjeje. Jo vetëm personeli shëndetësor, por edhe mediat, organizatat që mbrojnë të drejtat e grave duhet të kenë në fokusin e tyre të përditshëm dhënien e informacionit për vetëkontroll dhe kontrolle të herëpashershme te mjeku. Këto mesazhe duhet të përcillen në vazhdimësi gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm gjatë muajit tetor. Femrat duhet të kenë informacion dhe spitalet në rrethe duhet të kenë mjetet e nevojshme për t’u diagnostikuar dhe kuruar. Duhet krijuar një rrjet informativ dhe ekzekutiv i këtij procesi, në mënyrë që të kemi një diagnostikim sa më të shpejtë të kësaj sëmundjeje .

Shpërndajeni me miqtë tuaj: