KAKOFONI PËR KRIZË PA ZGJEDHJE – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

Publicitet
Publicitet
KAKOFONI PËR KRIZË PA ZGJEDHJE – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në Italinë fqinje po kalojnë muaj që nuk po zgjidhet çështja e qeverisjes. Pas marrëveshjes midis 5 Yjeve dhe Legas për bashkëqeverisje, presidentit Matarela iu paraqit si kandidat për kryeministër Conte, si figurë konsensuale e dy partive që sigurojnë shumicën në parlament. Por frika se qeveria e re mund të shkojë përtej në marrëdhëniet e saj me BE-në, duke diskutuar jo vetëm rikthimin e listës, por dhe acarim që mund të çojnë ne Itaexit, bëri që presidenti të mos e pranojë mandatimin e kësaj qeverie. Në vend të tij, presidenti me iniciativën e tij, ka mandatuar një kryeministër teknik, ekonomistin Cottarelli, ish-drejtor të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kjo lëvizje ka ngjallur zemërim te populistët e 5 Yjeve dhe Legës, që e shohin këtë si ndërhyrje të presidentit dhe të lobeve europiane, për të penguar qeverinë e shumicës zgjedhore dhe politikat e saj. Mbi këtë bazë, kriza politike në Itali hyn në një fazë të re. Vështirë se kryeministri i ri mandatuar do të arrijë të marrë votat për qeverinë e re dhe Italia po shkon drejt zgjedhjeve te reja parlamentare.

Në një mënyrë ose një tjetër, janë zgjedhjet ato që i japin fund krizave. Pasi në to shpaloset forca e gjithkujt, sa besim krijon në elektorat për të marrë përgjegjësitë e qeverisjes. Janë zgjedhjet ato që vendosin të drejtën, jo se kush është më i forti ose që di të bërtasë më shumë, por se sa pranë realitetit dhe interesit publik i vendos politika nismat e veta. Pas rezultatit zgjedhor, të gjithë janë pozicionuar në vendet e tyre për të vijuar jetën parlamentare sipas parimeve që kushtëzon demokracia.

Në kushtet shqiptare jemi ende larg këtyre parimeve të lojës së ndershme. Zgjedhjet janë zhvilluar para një viti, porse ato kanë patur jo pak probleme të theksuara dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Nisur nga kjo, kur akuzat për blerje vote dhe ndikim në rezultat, e kanë lënë litarin e grindjes jashtë, do jetë normale që dhe loja paszgjedhore të jetë jo normale. Cassusi është dhënë. Sidoqoftë, ajo çfarë të bën përshtypje në gjithë këtë kalvar krize e që nuk mbaron, është se asnjëherë nuk kërkohen qartazi zgjedhje të reja. Kriza politike pra, është e gjithëpranishme dhe thjesht kërkohet të mbetet si e tillë, në kaos dhe pa rrugëzgjidhje.

Protesta e fundit nga ana e opozitës, u përqendrua kryesisht te figura e Xhafajt, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Më qartë pra, i kërkohej Ramës që të heqë ministrin e tij të Brendshëm. Nëse do të kishte ikur vetë Xhafaj ose do ishte shkarkuar që një javë më parë, atëherë protesta e opozitës do të mbetej pa asnjë motiv? Nëse kemi akuza për çështjen e trafikut të narkotikëve dhe lidhjen e krimit me politikën, këto janë çështje të rënda që natyrisht kërkojnë zgjidhje. Dhe kjo nuk mban thjesht me kërkesën për dorëheqje të një ministri. Më së shumti do kërkohej dorëheqja e qeverisë dhe zgjedhje të reja. Por kjo e fundit veç mërmëritet me çerek zëri, pasi vetë opozita siç duket në sondazhet e saj, parametrat nuk i dalin mirë. Ndaj kërkohet thjesht trysni për zhurmë, me mundësinë për ta dëmtuar pjesë pjesë kundërshtarin, për të arritur një marrëveshje bashkëdrejtimi sa të fuqizohet për zgjedhjet.

E gjitha kjo duket si politikë hileqare dhe që në vetvete nuk ka ndonjë vlerë për qytetarin, sesa i shërben thjesht grupit politik në strategjinë për të mbërritur në pushtet. Që në fund të fundit, është një rrugë e tërthortë dhe jo një ballafaqim i drejtpërdrejtë zgjedhor ku të maten ndershmërisht forcat dhe besueshmëria tek elektorati. Basha nëse ndien frikë për beteja të vërteta, atëherë duhet të presë që dhe reagimi i qytetarëve ndaj tij në thirrjet në protestë të jetë i ulët dhe anemik. Pasi në fund të fundit me këtë lloj politike ku kriza mbetet e përhershme dhe pa zgjidhje, atëherë dhe problemet mbeten të njëjta e të pandryshueshme. Në këto kushte, nëse Rama do t’i përgjigjej me një sfidë opozitës për zgjedhje të parakohshme për çështjet që ka ngritur, do të ishte interesante se si do të vepronte PD-ja. Me shumë gjasë, nuk do të pranojë të hyjë në zgjedhje.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: