Julian Deda: Vllaznia lëngon, vjet na ndihmoi Zoti, sivjet jemi përsëri në dorë të Tij

Julian Deda: Vllaznia lëngon, vjet na ndihmoi Zoti, sivjet jemi përsëri në dorë të Tij
Aktori shkodran reagon mbi rrezikun e rënies së Vllaznisë, duke bërë bashkinë përgjegjëse

Vitin tjetër, Vllaznia feston 100-vjetorin e themelimit të saj dhe ky përvjetor jubilar mund ta gjejë “djepin e futbollit shqiptar” të rënë nga kategoria. Aktori shkodran, Julian Deda, tifoz i Vllaznisë, në një reagim publik bën me faj autoritetet vendore, si përgjegjëse të këtij dështimi të madh historik.

“Më vjen keq për Vllazninë, me plas më vjen!”- shkruan Julian Deda. “Skuadra e zemrës është në ditët e saj më të vështira, është në prag të katastrofës historike. E gjitha kjo vjen, jo për shkak të kualiteteve, të cilët Shkodra i ka me tonelata dhe shkëlqejnë kudo ku luajnë, por për shkak të  keqmenaxhimit, për shkak të indiferencës dhe të mos bërjes asgjë për të ruajtur traditën. Më falni por, nëse nuk kujdeset për Vllazninë, për çfarë dreqin po kujdeset tjetër bashkia Shkodër?”

Më tej ai shton se, “Nëse nuk bën asgjë për Vllazninë, thjesht nuk ka bërë asgjë për asgjë dhe që tani mund ta quash pa frikë, një mandat 100% të dështuar. Është i dyti vit radhazi që Vllaznia lëngon, vjet na ndihmoi Zoti, sivjet jemi përsëri në dorë të Tij. Pyetja është, A është e qëllimtë e gjitha kjo? Mendimet dhe ndjesitë nuk ia vërtetojmë dot askujt, por veprimet dhe mosveprimet janë të dukshme. Vllaznisë nuk ia ulën kokën as lojtarët, as trajnerët, as tifozët, as 1997-ta madje as komunizmi, por sot, e shkreta, gjunjëzohet nga paaftësia!”

Julian Deda shpreson që në javët e mbetura, Vllaznia të gjejë forcë e të tregojë se fanella e saj peshon rëndë, që prej 1919-ës dhe s’mund të hidhet si leckë nga të papërgjegjshmit.

“Nuk shkohet drejt 100-vjetorit kokulur!”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: