Juli Çenko: Kënga popullore rron më shumë se një kështjellë

Juli Çenko: Kënga popullore rron më shumë se një kështjellë
Prej shumë vitesh, bija e Gjirokastrës, Juli Çenko, me shumë fanatizëm e përkushtim, përpiqet të çojë deri në fund, amanetin e të parëve të saj, për të mbrojtur dhe kaluar brez pas brezi, këngët më të bukura të polifonisë së Jugut. Edhe në këtë prag vere, ashtu si çdo sezon gëzimesh e festash, këngëtarja ka pak ditë që hodhi në tregun e muzikës popullore, klipin e saj më të ri që, jo më kot, e quan “Këngët e vendit tim”, sepse është një përmbledhje e kujdesshme dhe besnike e disa këngëve të vjetra të trevave të jugut të Shqipërisë. Këngëtarja e hijshme na rrëfen posaçërisht për Albanian Free Press se, si erdhi realizimi i këtij kolazhi.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ka pak ditë që ka dalë me sukses një kolazh i ri juaji, si lindi ky bashkëpunim?

Kolazhi i ri që këto ditë pa dritën e tregut muzikor, “Këngët e vendit tim”,  është një pjesë e vogël e disa prej këngëve më të njohura të jugut të Shqipërisë, të përmbledhura në pak minuta. Unë jam munduar shumë, t’i risjell sa më origjinale në interpretim këto këngë, për të respektuar traditën maksimalisht. Këto këngë që janë brendi e këtij kolazhi e shumë të tjera si ato, më kanë shoqëruar gjithë jetën, në gëzimet tona familjare dhe mbledhjet e takimet tona, ndaj e kisha kënaqësinë më të madhe t’i ripropozoja ato përsëri, që të mbeten të freskëta, ashtu siç kanë qenë dekada më parë.

Po mendoni për një album të ri?

Jam duke punuar për projekte të tjera në lidhje me albumin. Janë të shumta këngët që dua të risjell në publik, pjesë e thesarit të çmuar të polifonisë së jugut.

Nga buron kjo dashuri juaja, për këngët e vjetra të tabanit?

Dashuria ime për këngët e vjetra e ka një shpjegim. Ajo ka nisur qysh në fëmijëri, sepse që në djep jam tundur me këngë polifonike. Në familjen time kanë kënduar e këndojnë të gjithë këngën tradicionale polifonike gjirokastrite.

Cili është mendimi juaj për brezin e ri të këngëtarëve të muzikës popullore?

Për brezin e ri dëshiroj shumë të dëgjojë, të adhurojë dhe të trashëgojë me pasion, muzikën tonë popullore! Jam e lumtur që, në qytetin tim, Gjirokastrën, janë ngritur grupe të reja të fëmijëve, që këndojnë me pasion këngën polifonike!

Sa ju ka mbështetur familja në pasionin tuaj për këngën?

Familja më ka mbështetur shumë. Për herë të parë në Festivalin Folklorik në 1983, ma ka ngjitur gjyshi im i dashuri, Demo Çenko, ndërsa në vazhdim më ka ndihmuar babai, duke më kujtuar shumë melodi e këngë të vjetra, në mënyrë që t’i risillja në skenë. Kështu, këto vlera, nuk humbasin kurrë.

Cili është mendimi juaj për ndërhyrjet në muzikën popullore sot?

E kam të vështirë të flas për ritmet e huazuara, për sa kohë ato i pëlqen populli, publiku, sepse ne jemi vend ballkanik dhe rrymat ballkanike pak a shumë janë të pëlqyeshme kudo. Sa për polifoninë, ndjej keqardhje që është lënë pas dore, sepse polifonia ka qenë dhe mbetet perla dhe thesari më me vlerë në Shqipërinë e Jugut. Nevojitet edukimi i duhur te brezat, për të respektuar e trashëguar muzikën tonë të bukur popullore.

Kemi përpara stinën e verës, do të jetë e ngarkuar për ju?

Vera ka qenë gjithmonë e ngarkuar për mua, sepse është stina më e bukur dhe e përshtatshme për gëzimet familjare, ku unë ftohem të performoj. Po ashtu, edhe nëpër koncerte në natyrë dhe sheshe. Kam shumë aktivitete në verë.

Më tregoni pak, sa vend zënë kostumet popullore në aktivitetin tuaj?

Kanë qenë e do të mbeten parësore në aktivitetin tim artistik, veshjet e folklorit, sepse kostumet popullore përfaqësojnë denjësisht traditën, kulturën dhe zakonet e krahinave të vendit. Dua të përmend këtu, me theks të veçantë, kostumin tradicional të krahinës së Lunxhërisë, me të cilin jam prezantuar më së shumti dhe kudo.

Gjithmonë e më shumë artistët po vënë theksin te tabani popullor. Ju si mendoni?

Tabani popullor është baza, themeli i kulturës dhe i muzikës së një vendi. Të gjithë ne, ngado të shkojmë e kudo të jemi, duhet të mbështetemi te tradita, ta mbrojmë atë, të frymëzohemi prej sa, ta mbajmë gjallë për ta trashëguar te brezat që do të vijnë. Kënga e bukur popullore ka treguar nëpër shekuj se, rron më shumë se një kështjellë!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: