Historia e një fotoje që ktheu fatin e Luftës së Vietnamit, pse po ekzekutohet ky guerrilas komunist

Publicitet
Publicitet
Historia e një fotoje që ktheu fatin e Luftës së Vietnamit, pse po ekzekutohet ky guerrilas komunist
DOSSIER/ Si u sulmua ambasada amerikane në Sajgon nga komunistët. Shpërthimi in ofensivës së përgjithshme që kapi në befasi ushtrinë më të fuqishme në botë. “Ofensiva Tet”, dështimi i madh që u shndërrua në një sukses spektakolar. Si u ekzekutua në rrugë oficeri komunist, që kishte masakruar një familje duke u prerë fytin me thikë. Fotoja e Assosiated Press që i dha Çmimin Pulitzer autorit dhe ndryshoi fatin e Luftës së Vietnamit

Në orën 02.47 të mëngjesit të 31 janarit të vitit 1968, një polic amerikan ushtarak dërgoi një mesazh radiofonik emergjence nga posti i tij, jashtë një ambasade amerikane, në anën tjetër të botës: “Sinjal 300! Ata po vijnë! Ndihmë! Ndihmë!”.

Mesazhi u dërgua vetëm pak çaste përpara se të qëllohej për vdekje, së bashku me një roje tjetër.

Ky mesazh gjysmë shekulli më parë shënoi fillimin e sulmit më shkatërrues ndaj krenarisë dhe prestigjit amerikan, që nga sulmi japonez mbi Pearl Harbor, në vitin 1941.

Sulmi mbi ambasadë

Komandot e Viet Cong-ut, të zbritura nga një taksi dhe një kamion i vogël përballë kompleksit të ambasadës amerikane në Saigon, përdorën një ngarkesë eksplozivi për të shpërthyer një vrimë në murin e saj perimetrik dhe hynë brenda duke qëlluar më kallashnikovë.

Kjo ishte ngjarja më spektakolare e të ashtuquajturës “ofensivë Tet”, që përbënte sulme të koordinuara nga 67 mijë guerilë dhe trupat e rregullta të Vietnamit të Veriut për të kapur në befasi amerikanët dhe aleatët e tyre vietnamezë të jugut.

Vetëm një pjesë e vogël e amerikanëve po flinin në ndërtesën e ambasadës, kur Viet Cong goditi.

Një betejë e gjatë me armë filloi mes komunistëve në oborr dhe një numri të vogël amerikanësh brenda perimetrit, gjatë të cilit oficeri i sigurisë së ambasadës, Allan Wendt, tha se mendonte se po jetonte “momentet e tij të fundit”.

Wendt u lidh me komandën dhe kërkoi ndihmën e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara. Përgjigjja ishte se do t’i vinin në ndihmë, por ndërkohë ishin të okupuar për të zmbrapsur sulmet mbi Saigon.

Oficeri Wendt protestonte, emocionalisht por me saktësi: “Ky vend është simboli i vërtetë i fuqisë amerikane në Vietnam”. Por ushtarët amerikanë dhe aleatët e tyre vietnamitojugorë, po luftonin për të mbrojtur jetët e tyre në fushat rreth Saigonit.

Konfrontimi në ambasadën e SHBA në Saigon përfundoi gjashtë orë pasi filloi, kur i fundit i 19 sulmuesve u vra apo u kap. Askush nuk kishte depërtuar në ndërtesën kryesore të ambasadës, por historia bëri xhiron e medieve botërore, pasi komunistët kishin sulmuar këtë kështjellë të fuqisë së SHBA në Azinë Juglindore.

Komunistët sulmojnë superfuqinë

Ajo që tronditi botën dhe komandantin e ushtrisë amerikane, gjeneralin Uilliam Westmoreland, ishte se armiku, me sa duket një turmë e zbathur dhe e zhveshur fshatarësh aziatikë, kishin arritur të kryenin një ofensivë të sinkronizuar të një magnitude të tillë.

Vetëm disa javë më parë, Westmoreland ndodhej në Shtetet e Bashkuara për të organizuar një fushatë mediatike, në të cilën i deklaroi popullit amerikan se lufta ishte pothuajse e fitua.

Amerikanët në Vietnam kishin të dislokuara 492 mijë trupa, 61 mijë të tjerë ishin të aleatëve dhe 650 mijë ushtarë ishin vietamitojugorë. Një forcë njerëzore e mbështetur nga 2600 avionë, 3 mijë helikopterë dhe 3500 mjete të blinduara.

Megjithatë, komunistët kishin guxuar të sulmonin superfuqinë deri në rrugët e Saigonit dhe në më shumë se një qind qytete të tjera njëkohësisht.

Goditja ndaj prestigjit amerikan, besueshmërisë së komandantit të ushtrisë amerikane, gjeneralit Westmoreland dhe vetë Presidentit Johnson, ishte shkatërruese.

Çfarë po ndodhte në Vietnam?

Një aspekt interesant i Luftës së Vietnamit ishte sa pak amerikanët dinin për armiqtë e tyre. Ata besonin se revolucionari legjendar Ho Chi Minh drejtonte Vietnamin e Veriut dhe gjenerali Nguyen Vo Giap drejtonte luftën. Në të vërtetë, 76-vjeçari Ho dhe Giap, fitues mbi forcat pushtuese franceze më 1954, ishin lënë mënjanë nga një brez i ri radikalësh.

Sundimtari i vërtetë i Vietnamit të Veriut, Le Duan në vitin 1968 ishte pothuajse i panjohur. Ishte ai që, kundër dëshirave të Ho, Giap dhe shumicës së ushtrisë, këmbënguli se ishte koha për të hedhur gjithçka që komunistët mund të kishin në një sulm në Jug, ku ai parashikoi se gjysmë milioni simpatizantë do të bashkoheshin me ta për të dëbuar amerikanët nga vendi.

Logjika thoshte se “Ofensiva Tet” ishte një çmenduri ushtarake dhe ndoshta pikërisht për këtë amerikanët u kapën në një befasi të madhe.

Si rezultat, brenda disa orëve nga fillimi i ofensivës, 10 mijë trupa komuniste kishin marshuar në kështjellën e vjetër në Hue dhe kishin pushtuar pjesë të mëdha të qytetit, pothuajse pa rezistencë.

Pas kësaj, u deshën tri javë bombardime dhe luftime të ashpra që forcat amerikane dhe vietnamitojugore të rimerrnin kështjellën Hue.

Megjithatë, ironia ishte se “ofensiva Tet” ishte një dështim ushtarak. Dështimi mori përmasa të plota gjatë pranverës, me komunistët e dëbuar nga secili prej vendeve që kishin zënë për pak kohë. Ata kishin lënë 20 mijë të vrarë, shumë më tepër se amerikanët dhe vietnamezët e Jugut. Viet Cong, i cili deri më tani kishte mbajtur barrën e luftës, u shkatërrua si një forcë luftimi.

Fotoja që bëri xhiron e botës

Gjatë pushtimit të qytetit të Hue, Viet Cong kishte ekzekutuar pa gjyq më shumë se 3 mijë burra, gra dhe fëmijë, të dyshuar si mbështetës të qeverisë së Saigonit. Megjithatë, do të ishte vdekja e një njeriu që do të merrte më shumë vëmendje botërore sesa vrasjet masive, sepse ajo u regjistrua në film.

Në Saigon, oficeri i Viet Cong, Nguyen Van Lem, kishte prerë personalisht fytin e oficerit të kapur rob nga Vietnami i Jugut, kolonel-leitnant Nguyen Tuan, gruas së tij, gjashtë fëmijëve dhe nënës 80-vjeçare.

Më 1 shkurt, Nguyen Van Lem u burgos dhe u sollën para shefit të policisë së Saigonit, Brigadier Nguyen Ngoc Loan, një mik i kolonelit të vdekur. Ai nxorri nga brezi një pistoletë “Smith & Wesson” dhe qëlloi Lemin në kokë.

Vrasjet makabre të kryera nga komunisti Lem e justifikonin ekzekutimin e tij. Por imazhi i famshëm i fotografit të Associated Press, Eddie Adams, i cili fitoi me këtë foto një çmim Pulitzer, i kushtoi shtrenjtë Amerikës.

Zëvendëspresidenti i Vietnamit të Jugut, Nguyen Cao Ky, shkroi: “Me krismën e një arme, lufta jonë për pavarësi dhe vetëvendosje u shndërrua në një imazh të një ekzekutimi në dukje të pakuptimtë dhe brutal”.

Marrë nga libri i Max Hastings “Vietnam: Një tragjedi epike 1945-75”, që do të dalë në treg në vjeshtë nga shtëpia botuese “HarperCollins”.

Përgatiti: Alket Aliu

 

“OFENSIVA TET”/ Dështimi që u shndërrua në sukses

Menjëherë pas këtyre betejave, Viet Cong u pa në terren se rezultoi humbës. Shefi i tyre ushtarak, Tran Do, me sinqeritet pranoi se guerilet humbën kontrollin e shumicës së vendit.

Në një shoqëri të lirë, udhëheqësi i Vietnamit të Veriut, Le Duan, do të ishte diskredituar nga dështimi i skajshëm i “ofensivës Tet”. Në vend të kësaj, viktima e saj më e madhe politike, u shndërrua Presidenti i SHBA, Lyndon Johnson.

Populli amerikan, tashmë skeptik rreth luftës, u traumatizua nga zbulimi i aftësisë së komunistëve për të shkaktuar vdekje në masë ushtarësh amerikanë si dhe nga poshtërimi simbolik prej sulmit mbi ambasadë.

Pak para “ofensivës Tet”, Presidenti Johnson mbajti një fjalim 40-minutësh në Shtëpinë e Bardhë për vendosmërinë për të qëndruar në Vietnam.

Por në mbrëmjen e 31 marsit, Presidenti mbajti një fjalim televiziv kombëtar që fillo me këto fjalë: “Mirëmbrëma, miqtë e mi amerikanë. Sonte dua të flas me ju për paqen në Vietnam”. Johnson njoftoi një ndërprerje të njëanshme të bombardimeve të Veriut dhe angazhimin e tij për negociata.

“Unë nuk do të kërkoj, dhe unë nuk do të pranoj, emërimin e partisë sime për një mandat tjetër si president”, përfundoi Johnson.

“Ofensiva Tet” shkatërroi vullnetin e popullit amerikan, si dhe atë të Lyndon Johnson. Katastrofa ushtarake e udhëheqësit vietnamez të Veriut, Le Duan, u shndërrua në një triumf në planin afatgjatë, pasi “hëngri” kokat më të larta të Uashingtonit.

Kur Richard Nixon zëvendësoi Johnson si president në janar 1969, ai plotësoi dëshirën dërrmuese të bashkatdhetarëve të tij, duke filluar një largim progresiv të trupave nga Indokina, një tërheqje e quajtur si “Vietnamizimi”. Në Paris, në janar të vitit 1973, SHBA-ja dhe Vietnami i Veriut nënshkruan një traktat paqeje, ku amerikanët e lanë përfundimisht Vietnamin e Jugut, ndërsa forcat komuniste mbanin Veriun.

Dy vjet më vonë, me Nixonin e “zhdukur” nga zyra prej skandalit Watergate, Vietnami i Veriut gjykoi se Shtetet e Bashkuara ishin shumë të dobëta dhe të demoralizuara për t'i rezistuar ofensivës së re masive të lëshuar nga komunistët. Ofensiva e re përfundoi me rënien e Saigonit, në prilli 1975.

Kjo ngjarje historike ka lënë pas edhe një mësim të hidhur për gjithë luftërat moderne: gjeneralët ndonjëherë mund të pretendojnë fitore, siç bëri Perëndimi pas rënies së talebanëve në Afganistan në vitin 2001 dhe me pushtimin e Irakut në 2003, megjithatë kjo është larg nga fundi i luftërave.

Sulmuesit vetëvrasëse të Viet Cong-ut, i cili la në fushën e betejës dhjetëra mijëra të vrarë në vitin 1968, u treguan pasuesve fanatikë islamikë se si kryengritësit mund të rrëmbejnë fitoren nga humbja, madje edhe kundër makinës më të fuqishme ushtarake në botë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: