Historia e Kupës së Botës/ Udhëtimi i parë në Uruguai, nis me bojkotin e Europës     

Publicitet
Historia e Kupës së Botës/ Udhëtimi i parë në Uruguai, nis me bojkotin e Europës     
Aktiviteti më i rëndësishëm futbollistik në botë nisi me Uruguain, që u bë vendi i parë pritës he u shpall kampion dhe u pasua nga Italia dominuese e dy turneve të radhës

Aranit Muraçi

Finalet e 21-ta të Kupës së Botës që do të mbahen në Rusi muajin tjetër, pritet të tërheqin miliarda shikues në mbarë botën. Nga Maracanazo, te Mrekullia e Bernës dhe nga çuditë e Pele, te perlat e Maradonës, finalet e Kupës së Botës, që prej vitit 1930 kanë dhuruar momente historike dhe të paharrueshme. Fabio Cannavaro, Horst Eckel, Just Fontaine, Geoff Hurst, Mario Kempes, Diego Maradona, Lothar Matthaus, Gerd Muller, Pele, Carles Puyol, Romario, Ronaldo, Paolo Rossi dhe shumë të tjerë, janë mes legjendave që kanë shkruar historinë e këtij turneu sa madhështor aq edhe emocionues, duke ngritur lart trofeun më të lakmueshëm në botë, e duke mbushur me krenari një komb të tërë. Po si nisi rrugëtimi i finaleve të Kupës së Botës, që sot për nga rëndësia dhe audienca nuk ka të krahasuar me asnjë aktivitet tjetër i çdo lloj fushe, aq sa për organizimin e tij lobohet për vite të tëra dhe madje krijohen edhe konflikte mes vendeve më të mëdha, të cilat e shohin Botërorin si rast për të paraqitur imazhin e vendit të tyre?

Në vitin 1928, FIFA vendosi që të organizojë finalet e para të Kupës së Botës. Lojërat Olimpike të vitit 1932, mbajtur në Los Angelos, nuk parashikonin ta përfshinin futbollin në program, për shkak të popullaritetit të ulët që kishte ky sport në SHBA. Presidenti i FIFA-s, Jules Rimet projektoi finalet e para dhe Uruguai u bë vendi i parë pritës i turneut.

1930

Asnjë ekip evropian nuk kishte planifikuar të dërgonte ekipet e tyre dy muaj para se të fillonte turneu. Rimet siguroi më pas pjesëmarrjet e vendeve si Belgjika, Franca, Rumania, Hungaria dhe Jugosllavia. Në total morën pjesë 13 ekipe, 7 nga Amerika Jugore, 4 nga Europa dhe 2 nga Amerika Veriore.  Finalet e para të Kupës së Botës u zhvilluan në Uruguai nga 13 deri më 30 qershor 1930. Uruguait, që fitoi medalje ari në futboll në Lojërat Olimpike 1924 dhe 1928, iu dha e drejta të zhvillonte kompeticionin e trofeut “Jules Rimet”, Kupa e Botës që mori emrin e presidentit të FIFA-s në atë kohë, njeriu që bëri realitet atë që sot është edhe kompeticioni më madhështor dhe me audiencën më të madhe të globit. Sulmuesi i Francës, Lucien Laurent realizoi golin e parë në historinë e Botërorit, në 19’, në ndeshjen e parë të këtyre finaleve ndaj Meksikës. Vetëm 5 mijë spektatorë ishin të pranishëm në këtë moment historik. Uruguai shkoi në finale dhe mposhti Argjentinën në “Centenario Stadium”, që filloi me mosmarrëveshje se cilin top duhet të përdornin. Në pjesën e parë, finalja u luajt me topin që propozoi Argjentina dhe në pjesën e dytë, me atë të Uruguait. Zyrtarisht, para 70 mijë tifozëve (besohet se ishin 100 mijë dhe me mijëra që mbetën jashtë) Uruguai mposhti Argjentinën 4-2, duke u bërë fitues i parë i këtij trofeu. Kupa e Botës nisi kështu të tërheqë vëmendjen e admirueshme të tifozëve, pasi ky kompeticion filloi të ndezë menjëherë ndjenjat kombëtare.

1934

Kupa e Botës 1934 u mbajt në Itali. Uruguai, fitues i 1930-tës bojkotoi finalet e dyta, pasi u mërzit nga performanca e dobët e ekipeve europiane katër vite më parë. Bolivia dhe Paraguai munguan gjithashtu, duke lejuar Argjentinën e Brazilin të bënin automatikisht progres në finalet e Italisë, edhe pse nuk kishin zhvilluar asnjë ndeshje kualifikuese. Egjipti u bë ekipi i parë afrikan që mori pjesë.

1938

Kupa e Botës e këtij viti u zhvillua në Europë, por bojkotuan Argjentina dhe Uruguai. Për herë të parë, kampionëve në fuqi iu dha e drejta e pjesëmarrjes direkte. Austria u kualifikua, por disa lojtarë të saj u bashkuan me Gjermaninë dhe kjo bëri që kombëtarja austriake të tërhiqej. Vendi i Austrisë iu propozua Anglisë, por edhe ajo e refuzoi pjesëmarrjen, çka bëri që finalet e “Francë 38” të zhvilloheshin me 15 ekipe pjesëmarrëse. Sulmuesi polak, Ernest Uillimovski u bë sulmuesi i parë që shënoi katër gola në një ndeshje, Poloni-Brazil 6-5. Gjermania ishte propozuar të zhvillonte finalet e vitit 42’, por për shkak të Luftës së Dytë Botërore, ky botëror nuk u zhvillua. Edhe ai i vitit 1946 u anulua, pasi nuk kishte kohë për organizimin e tij, ndërsa finalet e katërta u zhvilluan në 1950, në Brazil (historia e të cilit vijon në numrin e ardhshëm).

Vendet organizatore

Uruguai 1930, Itali 1934, Francë 1938, Brazil 1950, Zvicër, 1954, Suedi 1958, Kili 1962, Angli 1966, Meksikë 1970, Gjermani 1974, Argjentinë 1978, Spanjë 1982,  Meksikë 1986, Itali 1990, SHBA 1994, Francë 1998, Kore/Japani 2002, Gjermani 2006, Afrika e Jugut 2010, Brazil 2014, Rusi 2018.

 

Botërori 1930

Vendi pritës: Uruguai

Finalja: Uruguai –Argjentinë 4-2

Ndeshje të luajtura: 18

Ekipe pjesëmarrëse: 13

Vendi i tretë: SHBA

Vendi i katërt: Jugosllavia

Shikueshmëria: 590.549 (32.802 mijë për ndeshje)

Gola të shënuar: 70 (3.89 për ndeshje)

Golashënuesi më i mirë: Guillermo Stábile (Argjentinë)

 

Botërori 1934

Vendi organizator: Italia

Finalja: Itali-Çekosllovaki 2-1

Ekipe pjesëmarrëse: 16

Vendi i tretë: Gjermania

Vendi i katërt: Austria

Ndeshje të luajtura: 17

Shikueshmëria:  363.000 (21.353 mijë për ndeshje)

Golashënuesi më i mirë: Oldřich Nejedlý (5 gola) Çekosllavaki

 

Botërori 1938

Vendi organizator: Franca

Finalja: Hungari-Itali 2-4

Ekipe pjesëmarrëse: 15

Vendi i tretë:  Brazili

Vendi i katërt:  Suedia

Ndeshje të luajtura:  18

Gola të shënuar: 84 (4.67 për ndeshje)

Shikueshmëria:  375,700 (20,872 për ndeshje)

Golashënuesi më i mirë: Leonidas (7 gola) Brazil

 

 

Italia, kampione bote në 34’ e 38’, sipas “porosive” të Musolinit

Fashizmi duhet të triumfonte, Italia     

Finalet e dyta të Kupës së Botës u zhvilluan në Itali, vend që në vitin 1934 ishte nën udhëheqjen  fashiste, drejtuar nga Benito Mussolini dhe banda e tij e dhunshme “Blackshirts”. Musolini mori kontrollin e vendit në vitin 1922. Si një tifoz futbolli, ai e dinte se po të priste finalet e Kupës së Botës dhe Italia t’i fitonte ato, kjo do të ishte mënyra më e mirë për propagandë. Për një votë, Suedia humbi të drejtën e organizimit përballë Italisë. Dhe Mussolini, i njohur ndryshe si Duçja, krijoi radhët e para të tifozëve për të blerë biletë, ndërsa vetë ulej në vendin mbretëror të stadiumit. Megjithatë, për herë të parë, Kupa e Botës u zhvillua në disa qytete njëkohësisht. Italia kaloi çerekfinalet, pasi mundi SHBA-të, 7-1. Në Firence, Italia eliminoi edhe Spanjën, ndonëse ndeshja e parë përfundoi 1-1. Vendasit kaluan në epërsi me gol të Guiseppe Meazza-s, ndërsa Spanjës iu anuluan dy gola. Italia mundi në gjysmëfinale 1-0 edhe Austrinë dhe shkoi në finale, ndërsa gjysmëfinalja tjetër ishte Çekosllovaki-Gjermani. Një italian gjykoi këtë ndeshje dhe duket se Musolini preferonte çekët e jo gjermanët, për të mos krijuar përplasje me aleatin e tij fashist, Hitlerin. Çekia fitoi 3-1 dhe shkoi në finale. Finalja e madhe u zhvillua në Romë dhe sigurisht u ndoq nga Musolini dhe krerët e lartë fashistë. Çekosllovakia shënoi golin e parë, por Italia barazoi në 81’. U mendua se do të duhej edhe një ndeshje tjetër, por Italia fitoi në kohë shtesë një finale, që mbeti në analet e historisë për shkak të diktatit fashist. Italia dominoi edhe finalet e katër viteve më vonë, që u zhvilluan në Francë, në tre turnetë e parë që u zhvilluan para Luftës së Dytë Botërore. Finalja ndaj Hungarisë përfundoi 4-2 në favor të Italisë. Secili lojtar u shpërblye për herë të parë mbi këtë sukses, me nga 8 mijë lira (paga e tre muajve në atë kohë), teksa ata morën edhe medaljen e artë të fashizmit. Medaljet ekipit ua dorëzoi vetë Mussolini pas pritjes së ekipit në Pallatin e Venecias në Romë. Fashizmi ra, ndonëse kishte planifikuar të fitonte edhe finalet e vitit 1942, për të treguar dominimin e tij total. Pas rënies së regjimit, megjithatë, trajneri Pozzo u bë pjesë e transformimit të Italisë nga diktatura fashiste në një republikë demokratike. Ai mbeti trajner i Italisë, deri në 1948-tën dhe vijoi më tej të shkruante për “La Stampa”, derisa vdiq 20 vjet më vonë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: