Historia e Kupës së Botës/ Gjermania dhe Brazili, në skenë shfaqen superfuqitë

Publicitet
Publicitet
Historia e Kupës së Botës/ Gjermania dhe Brazili, në skenë shfaqen superfuqitë
Tragjedia e “Maracanazos”-1950, “Mrekullia e Bernës”-1954 dhe dalja në skenë e 17-vjeçarit, Pele, më 1958, ishin “kryefjala” e historisë së Kupës së Botës, në tre botërorët e parë pas luftës 

Nga Aranit Muraçi

Pas Uruguait kampion më 1930 dhe Italisë që fitoi dy trofetë e tjerë para luftës, finalet e Kupës së Botës u rikthyen në Brazil më 1950, ku triumfoi sërish Uruguai. Gjermania Perëndimore fitoi ndaj Hungarisë, favorite katër vjet më vonë dhe Brazili rikthehet si superfuqi më 1958.

1950

Kupa e Botës rikthehet pas ndërprerjes për shkak të Luftës së Dytë Botërore, me finalet e katërta që u mbajtën në Brazil. Ekipet britanike rikthehen në garë, pasi ishin tërhequr qysh prej 1920 nga FIFA në shenjë proteste, sepse disa vende anëtare ishin të përfshira në luftë. Megjithatë, Anglia dështoi të kalonte më tej, pasi humbi ndeshjet kualifikuese, përfshirë edhe humbjen 1-0 me SHBA. Kjo garë riktheu Uruguain, kampionen e parë të Botës, që mungoi në dy turnetë e radhës. Për arsye politike munguan ekipet e Europës Lindore, si Hungaria, Bashkimi Sovjetik dhe Çekosllovakia. Mori pjesë ekipi kampion në fuqi, Italia, ndonëse humbën jetën disa lojtarë, gjatë tragjedisë që e përfshiu më 1949, në Torino. Ky turne zëvendësoi raundet me dy faza që ishin praktikuar më herët. Uruguai u bë surpriza e këtij botërori, duke mundur Brazilin në finale, 2-1, (kjo ndeshje më vonë u njoh me emrin Maracanazo). Finalja shënoi gjithashtu rekord botëror, sa i takon audiencës. Në stadium besohet se ishin 200 mijë tifozë, që qëndronin jo vetëm të ngjeshur, por shumë prej të cilëve në krah të njërit-tjetrit, vetëm e vetëm që të mos humbnin emocionet e këtij takimi.

1954

Botërori 1954 që u mbajt në Zvicër, ishte i pari që u transmetua edhe në ekranet televizive. Bashkimi Sovjetik nuk mori pjesë pas performancës së dobët në Lojërat Olimpike, 1952. Skocia bëri paraqitjen e parë në finalet e Kupës së Botës, por pa shënuar asnjë fitore. Ky turne shënoi një numër të konsiderueshëm golash, rekord për numrin mesatar të golave për ndeshje, si dhe për një ekip, Hungarinë. Gjithashtu, u shënuan më tepër gola në një ndeshje të vetme, Austri-Zvicër 7:5. Gjermania Perëndimore fitoi turneun, duke mundur kampionët olimpikë të Hungarisë në finale, 3-2, duke përmbysur rezultatin që ishte 2-0 në favor të hungarezëve, me autor Helmut Rahn i cili shënoi golin e fitores. Kjo ndeshje u cilësua “mrekullia e Bernës” në Gjermani.

1958

Brazili fitoi Kupën e Botës 1958, që u mbajt në Suedi dhe u bë vendi i parë që fitoi një trofe të tillë jashtë kontinentit të tij. Më pas, vetëm tri ekipe e kanë arritur atë, përveç Brazilit që e përsëriti edhe më 1970, 1994 e 2002: Argjentina më 1986, Spanja më 2010 dhe Gjermania më 2014. Bashkimi Sovjetik mori pjesë në këto finale, pasi fitoi Lojërat Olimpike, Melburne 1956. Për herë të parë, morën pjesë katër ekipe britanike në këtë turne. Uellsi fitoi 2-0 ndaj Izraelit, duke qenë se ekipet e tjera të zonës së Azisë dhe Oqeanisë, u tërhoqën nga ndeshjet “play-off”. Në këtë turne u shfaq legjenda Pele, i cili shënoi dy gola në finale. Sulmuesi francez, Just Fontaine, u bë golashënuesi më i mirë i finaleve të vitit 1958.

 

Tragjedia e “Maracanazos”, kur humbja krahasohet me “Hiroshimën”

Anglia nuk do ta kishte menduar që, kur çoi futbollin në Brazil pak vite para 1900, ky sport do të bëhej aq masiv, saqë do të kthehej edhe në kulturë për brazilianët. Para finales së ’50, u improvizuan karnavalet në Rio, ku morën pjesë me qindra mijëra vetë, të cilët lëshuan thirrjen: “Brazili do të fitojë”. Stadiumi i finales u hap një javë para Botërorit, ndonëse nuk kishte përfunduar. Madje përfundoi në vitin 1965. Në stadium u ngjeshën rreth 200 mijë tifozë. Pas golit të dytë të Uruguait dhe humbjes së Brazilit, FIFA harroi të organizonte ceremoninë për të kurorëzuar fituesit. Një tifoz kreu vetëvrasje pas ndeshjes, ndërsa tre të tjerë vdiqën për shkak të atakut kardiak. Humbja pati një efekt emocional dhe psikologjik, jo vetëm për të pranishmit në stadium, por për të gjithë kombin brazilian. Nuk u zhvillua asnjë ndeshje në “Maracana”, për 4 vitet e ardhshme. Humbja në finale me Uruguain, mori edhe pseudonimin  “Maracanazo,” pasi u konsiderua një tragjedi kombëtare. Brazilianët kishin investuar për sukses dhe disfata u konsiderua një tragjedi, madje u krahasua me atë të Hiroshimës.

 

“Mrekullia e Bernës”, aty nisi frymëzimi për Franz Beckenbauer

Finalja e ’54 u cilësua “Mrekullia e Bernës”. Hungaria u konsiderua “skuadra e artë” e atyre viteve, dhe dominoi deri në finalen e madhe, kur Gjermania Perëndimore, papritur, fitoi në fundin e ndeshjes, duke përmbysur rezultatin në 3-2. Gjermania Perëndimore e kishte humbur thellë ndeshjen në grup ndaj të njëjtit kundërshtar dhe besohet se, pas finales së humbur nisën të rriteshin pakënaqësitë, derisa shpërtheu revolucioni hungarez në ’56. Nuk humbi thjesht një ekip kombëtar. Studime akademike kanë shkruar mbi efektet që pati fitorja e Gjermanisë në finalen e ’54, duke dalë në përfundimin se ndikoi psikologjia kolektive gjermane. Krenaria e Gjermanisë duhej rizgjuar, pas shkatërrimit nga lufta botërore dhe rënia e fashizmit.

“Papritur Gjermania ishte dikush sërish,” – theksoi Franz Beckenbauer, i cili do të rikthehej më vonë, një legjendë. “Për shumë nga ne që po rriteshim në vitet pas luftës së tmerrshme, Berna ishte frymëzim i jashtëzakonshëm. Historiani Joachim Fest e cilësoi ditën e fitores në finalen e Kupës së Botës, si “ditëlindja e vërtetë e vendit.”

Garrincha e Pele, Brazilit i mjaftuan dy lojtarë për “pushtimin” e Europës

Brazili ishte afër, finalist në vitin 1950, vendi i tretë në vitin 1938, madje i duhej të kënaqej duke parë rivalët e tyre të Amerikës së Jugut, Uruguain, që i hoqi trofeun në shtëpi. Por 1958 ishte ndryshe. Skuadra e vitit 1958 kishte dy emra - një 17-vjeçar i quajtur Pele dhe Garrincha i shkëlqyer, që, megjithatë, nuk u përzgjodh në skuadrën që shkoi në Kupën e Botës 1954. Këto dy, së bashku, do të ndryshonin plotësisht dinamikën e sulmit të Brazilit. Koha e tyre, më në fund, kishte ardhur. Brazili ra në një grup të vështirë, së bashku me Anglinë, Austrinë dhe Hungarinë, botëror që gjithashtu do të mbahet mend për mungesën e Italisë që do të përsëritej në Rusi 2018. Një ekip joeuropian, kurrë nuk kishte fituar një kupë bote në territorin europian dhe kjo ishte arritje mjaft e rëndësishme deri atëherë. Trajneri i Brazilit, Vicente Feola, kurrë nuk besonte se duhet të luante me Pele (edhe një lëndim në gju).  Ndërsa Garrincha ishte popullor, Pele bëri gjithçka për të shfaqur talentin e tij në botë. Ai u bë golashënuesi më i ri në finalen e Kupës së Botës, që në moshën 17 vjeç e 249 ditë dhe mbetet një nga më të mirët e historisë së finaleve të Kupës së Botës. Ai realizoi dy gola në finale, aq sa edhe Zagallo. 1958 ishte i veçantë, kurse 1962 ishte konfirmimi i statusit të Brazilit si një superfuqi e futbollit, historia për të cilën vijon më tej, në numrin e ardhshëm.

Botërori 1950

Vendi pritës: Brazili

24 qershor – 16 korrik

Ekipe pjesëmarrëse: 13

Finalja: Brazil-Uruguai 1-2

Vendi i tretë:  Suedia

Vendi i katërt:  Spanja

Ndeshje të luajtura: 22

Gola të shënuar: 88 (4 për ndeshje)

Shikueshmëria: 1, 045,246 (47,511 për ndeshje)

Golashënuesi më i mirë: Brazil Ademir (8 gola)

 

Botërori 1954

Vendi pritës: Zvicra

16 qershor – 4 korrik

Ekipe pjesëmarrëse: 16

Finalja: Gjermania P. - Hungari 3-2

Vendi i tretë: Austria

Vendi i katërt:  Uruguai

Ndeshje të luajtura:  26

Gola të shënuar: 140 (5.38 për ndeshje)

Golashënuesi më i mirë:  Sándor Kocsis Hungari (11 gola)

 

Botërori 1958’

Vendi pritës: Suedia

8–29 qershor

Ekipe pjesëmarrëse: 16

Finalja: Suedi-Brazil 2-5

Vendi i tretë: Franca

Vendi i katërt: Gjermania P.

Ndeshje të luajtura:  35

Gola të shënuar:  126 (3.6 për ndeshje)

Golashënuesi më i mirë: France Just Fontaine (13 gola)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: