Grezda humb miqësoret, Qaka te Steaua për 500 mijë euro 

Grezda humb miqësoret, Qaka te Steaua për 500 mijë euro 
Shqipëri-Kosovë, miqësore më 29 maj në Zyrih

FSHF-ja njoftoi zyrtarisht zhvillimin e ndeshjes miqësore të skuadrës kombëtare të futbollit, më 29 maj në Zyrih, ndaj përfaqësueses së Kosovës.

Sipas akordit të arritur, takimi do të luhet në stadiumin “Letzingrund” në Zyrih në 20:00, teksa pak ditë më vonë, është përcaktuar të luhet edhe një tjetër takim miqësor, me përfaqësuesen e Ukrainës.

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të nisë grumbullimin e saj në Zvicër më 26 maj, për të përgatitur edhe këto dy sfida miqësore.

Por trajneri Christian Panucci nuk do të ketë në dispozicion një nga lojtarët më të spikatur të ndeshjeve të fundit.

Eros Grezda, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, i ka dhënë lamtumirë këtij sezoni, duke konfirmuar dhe nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, dëmtimin në kavilje.

Ai ka mbyllur sezonin me Osijek dhe pret të rikthehet gjatë verës.

Panucci, në këtë miqësore, pritet të testojë disa lojtarë të rinj, si dhe të shuajë mosmarrëveshjet me Kosovën, pas disa ndasive vitet e fundit.

Në prag të miqësores, në kampin kuqezi kanë nisur edhe lëvizjet e para në merkato.

Kamer Qaka bën lëvizjen e madhe, por brenda në Rumani. Futbollisti i Kombëtares firmosi për Steauan e Bukureshtit, klubin më të madh atje. Mesfushori takoi drejtuesit e Steauas, për të finalizuar marrëveshjen që do të zgjasë 5 vjet.

Nga kjo lëvizje skuadra e tij, Poli Iasi, do të përfitojë 500 mijë euro. Qaka, nga kjo marrëveshje, do të marrë një pagë prej 12 mijë euro në muaj vitin e parë; nëse do të jetë titullar, progresivisht, 13 mijë euro për sezonin e dytë, 14 mijë për të tretin dhe 15 mijë euro/muaj, për sezonin e fundit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: