GAZETARËT SOT JANË SHUMICË! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

GAZETARËT SOT JANË SHUMICË! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në nisje të procesit të vështirë të demokratizimit të këtij vendi, gazetarët e lirë, ata djemtë e vajzat që pothuajse të gjithë kishin qenë pjesë e lëvizjeve antikomuniste, nuk e patën të vështirë të krijonin konturet e një karriere pozitive. Duke qenë se roli i gazetarit, përpara viteve ’90 ishte i barazvlefshëm me atë të ushtarakut, në sensin e ngrirjes së pozitës, paragjykimit, dhe shërbimit ndaj sistemit, pas viteve ’90 publiku, populli, audienca, lexuesi, ta quajmë si të doni, njohu më në fund gazetarët si pjesë e tyre, intelektualë me guxim, reporterë dhe, në ato vite, jo oborrtarë. Madje ishin aq me peshë sa që kanë bërë edhe një pjesë të diplomacisë së Shqipërisë që kërkonte konsensus me sy nga perëndimi dhe SHBA-të.

Më pas erdhi ngjitja e statusit në njerëz të kamur, për disa prej tyre, politika nuk ishte më spontane, e brishtë dhe e sajuar, por u institucionalizua, u pasurua, u forcua me pushtet të tejskajshëm, ndaj edhe gazetaria u nda më dysh a më tresh dhe filloi shtresëzimi i saj në gazetarë “elitarë” dhe gazetarë që sillnin lajm por meritat i merrnin të tjerët.

Kjo ishte edhe pika e kthesës që mori gazetaria shqiptare, gazetari si i tillë. Figura e tij u kthye nga ajo e intelektualit të pasur me gjuhë shqipe e të huaj, e me xhaketë, bllok e laps në dorë, në atë të njeriut që bën një luftë të dyfishtë, për lajm e për mbijetesë.

Në kuadrin e një beteje që duhet të bëjnë gazetarët për lirinë e shprehjes e të mendimit, çdo gjë bëhet utopike kur shumica e këtij komuniteti, bjerret të shprehet, për sa kohë nuk ka të garantuar pagën, kushtet e punës, të ardhmen. Nuk di nëse mund të presësh një barrikadë ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut nga një komunitet që do të dalë në pension me një të tillë minimal, ndërkohë që ka punuar kokulur për mamjen dhe krekosjen e politikës, biznesit e jo vetëm.

E drejta për lirinë e shprehjes - e cila përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë dhe komunikuar informata ose ide, pa ndërhyrje nga autoritetet publike dhe pa limite kufijsh - është një e drejtë themelore për të siguruar mbrojtje adekuate dhe respektimin e të drejtave të tjera dhe si të tilla të pranuara qartë nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Këto janë fjalët e bujshme të cituara ngado. Por pas shumë vitesh nga dalja në dritë e së parës gazetë të lirë në Shqipëri, Rilindja Demokratike, kjo e drejtë ende shkelet shumë në Shqipëri, ku ka kërcënime, frikësime, presione të të gjitha llojeve, duke u përpjekur për të kufizuar apo për të shtypur punën e atyre që, çdo ditë dhe me guxim, përpiqen, shpesh në rrezik për jetën dhe reputacionin e tyre, për të siguruar informacionin që nuk është vetëm gjaku i demokracisë dhe i çdo zhvillim socio-ekonomik, por nganjëherë e vetmja mënyrë për të denoncuar kushtet dramatike të shkeljes së të drejtave dhe dinjitetit njerëzor.

Por a e di vallë mjaftueshëm publiku i gjerë se një pjesë e tij, ajo pjesa që ka mundësinë ta mbrojë atë me gjuhë, zë e figurë, pra gazetarët, ka shumë gjasa të mos mundet të marrin dot as edhe një kredi për shtëpi sepse paguhen sa një kamerier?

Në këtë kontekst, një i ri, gjen mundësi të paimagjinueshme të shprehjes së lirë por kjo kombinohet me shtimin e kërcënimeve të reja dhe grackave, në mesin e këtyre, në mënyrë të veçantë, fenomeni i të ashtuquajturës “fake news”, i krijuar nga përhapja e pakontrolluar e lajmeve dhe informacionit, përhapja e së cilës ngre çështje që ndikojnë drejtpërsëdrejti në rolin e shtypit të lirë, të pavarur dhe profesional.

Ka një ekuilibër delikat mes lirisë së shprehjes dhe të përgjegjësisë për ta bazuar punën tonë duke respektuar rregullat e etikës profesionale. Tek ne që punojmë në këtë sektor delikat duhet të jetë gjithmonë vetëdija e thellë për të qenë në gjendje që me veprimet tona të parandalojmë një dëm, që më pas bëhet jo lehtësisht i riparueshëm, duke cenuar dinjitetin, reputacionin dhe imazhin i atyre që, nganjëherë padrejtësisht, me veprimet ose mosveprimet tona.

Gazetarët sot janë shumicë, sepse janë një, si kurrë më parë, me ata të cilëve u shërbejnë, njerëzit e thjeshtë të këtij vendi. Sa herë ulemi të shkruajmë, le të mendojmë që jemi këtu për ta, respekti duhet të jetë për ta, ata duhet të jenë prioritet, ata, të keqpaguarit si ne, të shkelurit në të drejta si ne, të pasigurtit për të ardhmen si ne. Një shumicë që duhet të jetë mburojë ndaj nëpërkëmbjes nga monopolet, të ngjallë shpresë e paqe, përkundrejt erërave të forta që gjithmonë kanë lëkundur këtë vend.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: