FRIKA NGA ZGJEDHJET – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

Publicitet
Publicitet
FRIKA NGA ZGJEDHJET – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në kulmin e një beteje që po zhvillohet, ku protagonistë të tabelës së qitjes janë ministrat e brendshëm, në qasjen e opozitës se çfarë synon pas gjithë kësaj, ka shumë dilema. Të godasësh e të arrish që të japë dorëheqjen, një nga ministrat më të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, do ishte sukses i madh për çdo opozitë. Aq më shumë kur, beteja lidhet dhe me luftën ndaj trafikut të drogës, temë kjo që shqetëson dhe ndërkombëtarët. Çështja është se, çfarë vjen më pas? Thjesht, ministri jep dorëheqjen dhe gjithçka rrjedh, duke pritur zgjedhjet e ardhshme, apo opozita synon të shfrytëzojë këtë situatë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, për të marrë vetë përgjegjësinë e pushtetit? Në shikim të parë, PD-ja po tregohet agresive, por vetëm kaq. Më tej ka frikë të shkojë, aq më tepër të synojë zgjedhje të parakohshme. Të paktën i di problemet dhe dobësitë që ka. Nga ana tjetër, as nuk ka bërë përpjekjen më të vogël, për të përgatitur kuadrin e ri ligjor për zgjedhje.

Skena e sotme në të cilën po ekranizohet lufta politike, është përqendruar tashmë te kanabisi, krimi dhe lidhjet e tij me politikën. Duket një casus shumë i mirë për opozitën, për të bërë presion mbi një pushtet që dukej se nuk do t’i hynte asgjë në këmbë, të paktën për 4 vitet e ardhshme. Por nëse kujtesa nuk na ka lënë, në shtator, opozita kishte ndërtuar një tjetër strategji për aksion - pikërisht, reforma zgjedhore dhe një ligj të ri, për të shmangur dhe demotivuar vjedhjen e votave, si dhe deformimin e rezultateve nga ndërhyrjet e jashtme nga vullneti i elektoratit. Në fakt, emëruesi i përbashkët i normalitetit për çdo proces zgjedhor të shkuar, ka qenë se, asnjëra prej tyre nuk ka marrë certifikatën e standardit demokratik nga ana e ndërkombëtarëve. Përveç kësaj, një tjetër e përbashkët e proceseve zgjedhore, me rezultat të pranuar ose jo, është fakti i paprecedentë që, në asnjë rast, nuk kemi patur dënime për manipulues dhe hajdutë të rëndomtë të rezultateve të votimit. Në këtë mënyrë, problemet dhe vjedhjet me protagonistët përkatës, janë bartur nga një proces zgjedhor në tjetrin, çfarë e bën edhe më të koklavitur zgjidhjen e nyjës, për të arritur zgjedhje të ndershme.

Duket se, kjo betejë e opozitës është harruar tashmë. Ndonëse nga raportet e OSBE-ODHIR-it për zgjedhjet në Shqipëri, u renditën një sërë faktorësh dhe elementësh negative, ku më e rënda ishte dukuria e vjedhjes së votës, opozita e la tashmë këtë drejtim.  Dhe kjo në një kohë kur, nga skandalet që tashmë po dalin si rezultat i shërbimeve të huaja mbi trafikun dhe përfshirjen në të të njerëzve me pushtet, nga krerët e opozitës jo pak herë është kërkuar të dorëhiqet Rama nga kryeministër, çka do të sillte mundësisht, zgjedhje të parakohshme.

Në vend të kësaj – pra, krijimit të kushteve për zgjidhje të qëndrueshme që do të hapin rrugën për zgjedhje të lira e së paku të pranueshme nga të gjithë – thjesht, po vijohet me politikën e tensionit dhe mbajtjen pezull të një mjedisi luftarak. Por luftarak fjalaman e që thjesht bën grindavecin në Parlament. E keqja e gjithë kësaj çka po përcillet, është se, politika e tensionit po shndërrohet edhe në një skemë të pandryshueshme zgjedhore, ku manipulimi ka mbetur qëllimi final e ku asgjë nuk ndryshon, si për tani edhe për të ardhmen. Duket se, vetë opozita i trembet termit zgjedhje dhe ballafaqimit real me elektoratin.

Tashmë së fundmi në tryeza debatesh, përveç aspektit të votimit elektronik është futur dhe çështja e votës së emigrantëve jashtë vendit. Në këto debate, kryefjala e politikës është se synohen zgjedhje të lira, të ndershme dhe sa më pranë standardeve europiane, por pas kuintave, eksponentë të saj nuk harrojnë të krijojnë struktura për të shmangur pikërisht, rezultatin e votës popullore. Pra, synohen edhe standarde, por edhe me pak mashtrim brenda; edhe votë e lirë, por edhe struktura antiligjore që e dhunojnë pa pikë ndrojtje votën. Përsëritja e përhershme e kësaj skeme, ndërsa nuk merret asnjë masë administrative dhe ligjore kundër shkeljeve, duket si një përpjekje e pranuar në heshtje nga ana e politikës, për të shartuar votën e lirë me manipulimin. Gjithsesi, kjo bashkëjetesë e sforcuar midis së ligjshmes dhe antiligjores që po shoqëron proceset zgjedhore në Shqipëri, po na nxjerr gjithmonë e më gjysmakë në demokracinë tonë dhe pothuaj rast i pashpresë në sytë e ndërkombëtarëve. Si ka mundësi që - në vendet fqinje dhe me një përvojë më të shkurtër demokratike si në Mal të Zi, Serbi, por edhe në Maqedoni - zgjedhjet të vlerësohen jo thjesht të pranueshme, por dhe brenda standardeve të kërkuara nga bashkësia ndërkombëtare? Ndërsa ne, pas 18 palë zgjedhjesh në 27 vjet pluralizëm, ende vlerësohemi negativisht për mënyrën se si i menaxhojmë dhe zhvillojmë zgjedhjet. Është kjo një papjekuri demokratike e vetë shqiptarëve, se nuk dinë të bëjnë zgjedhje, tezë që amplifikohet dhe nga qarqe jashtë vendit, apo faji për këtë më tepër sesa te populli, duhet kërkuar në klasën politike të vendit?

Ndërsa historitë me hajdutët elektoralë dhe manipuluesit e zgjedhjeve, kanë marrë një status normal në realitetin shqiptar ndër vite, këto raste të përsëritura po bëhen gjithmonë e më bezdisëse për veshët e ndërkombëtarëve. Ndaj, nuk do ishte çudi që, nga gjithë kjo mejhane elektorale, ta paguajë i gjithë vendi penalizimin për procesin e integrimit dhe hapjen e dyerve drejt Europës. Është tepruar mjaft këto 27 vjet dhe kësaj rruge i duhet vendosur një cak, për të mos u përmbysur në shtigjet e thepisura të konflikteve politike. Pasi, ashtu siç janë lodhur shqiptarët që diskutohet ende sot e kësaj dite nëse vota e tyre manipulohet apo jo, po ashtu dhe ndërkombëtarët mund të lodhen një ditë së besuari se, mund të jemi të besueshëm në rrugëtimin e përbashkët të shoqërive demokratike.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: