FORUM/Kongresi i Përmetit, ngjarje madhore apo demagogji komuniste?

Publicitet
FORUM/Kongresi i Përmetit, ngjarje madhore apo demagogji komuniste?
Mbushen 74 vjet nga Kongresi i Përmetit (24 maj 1944 - 2018). Flasin për “Albanian Free Press” Kastriot Dervishi, Muharrem Xhafa, Kastriot Bezati, Artur Roshi dhe Bashkim Qeli: Si e shohin ata pas kaq vitesh këtë ngjarje historike? Cila është rëndësia e tij dhe a e ka vërtet një të tillë?

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Plot 74 vjet më parë, gjatë datave 24-28 maj, u zhvillua Kongresi i Përmetit, rreth të cilit edhe sot e kësaj dite ka shumë diskutime për rëndësinë historike që ai përcjell. Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it i kanë konsideruar dhe i konsiderojnë ende vendimet e këtij kongresi, si të jashtëzakonshme e jetike edhe sot. Sipas tyre dhe shumë historianëve, ato vendime që u miratuan aty, për kohën e rrethanat kur u morën, për vlerat që patën për LANÇ dhe për vetë fatet e Shqipërisë, hapën një epokë të re në historinë e saj. Por ka edhe nga ata që i kundërshtojnë haptazi këto vendime dhe dalin edhe kundër këtij Kongresi, duke e cilësuar atë si një demagogji komuniste. Flasin rreth këtij debati për “Albanian Free Press”, historianë, por edhe njerëz të politikës, Kastriot Dervishi, Muharrem Xhafa, Kastriot Bezati, Artur Roshi dhe Bashkim Qeli. Mendimet pro dhe kundër të tyre, rreth kësaj ngjarje historike e cila diskutohet sot e kësaj dite, edhe pse kanë kaluar mbi shtatë dekada nga zhvillimi i saj...

 

KASTRIOT DERVISHI, Historian:

Kongresi që u mbajt në ditëlindjen e Titos

Pse dhe si e organizuan jugosllavët Kongresin e Përmetit?

E kam thënë disa herë se i ashtuquajturi “Kongres i Përmetit”, si pikënisje e pushtetit komunist, që u vendos në Shqipëri në vitin 1944 është ndër "krenaritë" më të përmendura të klasës politike që drejtoi vendin për 50 vjet dhe të pinjollëve të tyre që janë në pushtet. Jo më kot, stema e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë kishte të qëndisur në mes të saj, datën "24 maj 1944", ashtu sikurse jugosllavët kishin "29 nëntor 1943". Sigurisht që i ashtuquajturi “Kongres i Përmetit” ka vendin e tij në historinë e Shqipërisë, ashtu siç kanë vend në këtë histori edhe plot ngjarje apo histori negative e regresive të gjeneruara në një kohë të turbullt, kur jugosllavët bënin ligjin këtu, në mënyrën më të pabesueshme. Është e kuptueshme që përderisa emisarët jugosllavë ishin promotorë të ngjarjeve të hidhura në Shqipëri, edhe i ashtuquajturi “Kongres i Përmetit” të ishte totalisht i fantazuar dhe i kontrolluar prej tyre. Miladin Popoviç, Dushan Mugosha, Bllazho Jovanoviç (i dërguar i PKJ-së në Konferencën e Labinotit 4 - 9 shtator 1943), Zvetovar Vukmanoviç (Tempo), Velimir Stojniç, apo Nijaz Dizdareviç ishin emisarë që nuk erdhën për shëtitje në Shqipëri, por për të përzgjedhur dhe për të kontrolluar elementët që do të viheshin në pushtet në Shqipërinë komuniste. Kjo për faktin se forcat gjermane, duke mos qenë ushtri pushtuese në Shqipëri po tërhiqeshin vazhdimisht në drejtim të Gjermanisë. Në këtë situatë, jugosllavët organizuan dy mbledhje të Këshillit Nacional Çlirimtar siç kishin mbajtur më parë në Jugosllavi.

Çfarë ishin dy mbledhjet e AVNOJ dhe ç'përfaqësonin ato?

Jugosllavia ka qenë gjithnjë një krijesë artificiale e formësuar për të plotësuar skemat e caktuara të pëlqyera nga shtete të tilla si Rusia dhe Franca, të cilat kanë qenë vazhdimisht ushqyes të idesë në lidhje me domosdoshmërinë e ekzistencës së këtij shteti për interesa të tyre. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, bota e dalë nga sistemi i Versajës ishte e favorshme për forcimin e interesave sllave në gadishullin e Ballkanit. Më 1 dhjetor 1918 në Beograd u shpall formimi i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene me mbret Aleksandrin dhe më 28 qershor 1919 u miratua edhe kushtetuta e këtij shteti. Si shtet artificial që ishte, mbretëria në fjalë, nuk mund të shmangte dot rivalitetet e paevitueshme serb -kroate, të cilat kulmuan më 20 qershor 1928 me vrasjen nga serbët të liderit kroat Stepan Radiç. Pas kësaj ngjarje, mbreti Aleksandër shpërndau parlamentin dhe e quajti shtetin e tij më 6 janar 1929 me emrin e ri "Jugosllavi". Ky shtet pushoi së ekzistuari si shtet më 6 prill 1941 pas hyrjes së trupave gjermane dhe italiane dhe brenda 24 orëve kapitulloi. Pikërisht në kohën e luftës, do të formësohej ajo që do të ishte Jugosllavia e tretë dhe njëkohësisht e fundit. Në qendër të lëvizjes për Jugosllavinë e tretë do të vihej Josip Brozi, i njohur me pseudonimin "Tito". I lindur më 25 maj 1892 në një familje të varfër fshatare në Kumrec të Kroacisë, Tito do të mobilizohej në ushtrinë austro -hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore, kohë kur do të zihej rob në Rusi. Në këtë kohë, ai kishte përqafuar idetë bolshevike dhe u anëtarësua në radhët e Partisë Komuniste Jugosllave, duke kryer gjithashtu disa kurse në Bashkimin Sovjetik. Ai shumë shpejt do të vihej në krye të partizanëve jugosllavë dhe do të ngrinte Jugosllavinë e tretë. Mbledhja e Dytë e AVNOJ u zhvillua në kushtet e reja të lindura nga kapitullimi i Italisë. Ajo u mbajt në Jajce të Bosnjës më 29 nëntor 1943. Në këtë mbledhje, Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar e quajti veten të vetmin pushtet legjislativ në Jugosllavi dhe deklaroi numrin 67 të "deputetëve". Në krye të këtij organi vepronte një këshill që drejtohej nga Ivan Ribar. AVNOJ zgjodhi Komitetin Nacional Çlirimtar në rolin e një qeverie në krye të të cilit u vu Tito. Këtij iu dha grada e Mareshalit dhe filloi të popullarizohej në maksimum figura panballkanike e tij. Kjo mbledhje vendosi gjithashtu edhe formën federative të Jugosllavisë së ardhshme, si dhe i ndaloi mbretit Pjetër Karagjorgjeviç rikthimin në atdhe.

Pse u mbajt kongresi i Përmetit në ditëlindjen e Mareshallit “Tito”?

Sikurse e thashë më lart, Mareshalli Tito ka lindur më 25 maj 1892. Për ta pasur kongresin brenda kësaj date, me shtytjen e emisarëve jugosllavë dhe për t'i bërë qejfin mareshallit, i ashtuquajturi :Kongres i Përmetit” u mbajt pikërisht në këtë kohë, në datat 24-28 maj 1944. Emisarët jugosllavë ishin të interesuar për mbarëvajtjen e kongresit, pasi me këtë do t'i këputej rruga e drejtë shtetit shqiptar dhe do të krijoheshin bazat për një shtet vasal ndaj Jugosllavisë pa ndonjë kosto të madhe. Në momentin e përshtatshëm, këtij shteti do të mund t'i hiqej edhe ajo pavarësi e vogël formale dhe një bashkim faktik me Jugosllavinë nuk do të kërkonte asnjë përpjekje serioze. Si një ushtar i bindur që ishte, Enver Hoxha e lajmëronte Dushan Mugoshën me anë të një letre në lidhje me "zgjedhjen" e delegatëve që do të vinin në Përmet në këtë mënyrë: "Zgjedhjet për kongres po bëhen me sukses në zonat e lira ku kam frikë se do na vinë shumë pak nga zonat e okupuara. Do të lajmërojmë për zhvillimin e gjërave". Kurse në një letër që Nexhmije Hoxha i dërgonte (po në të njëjtën datë me Enverin) më 7 maj 1944 Mugoshës, shkruante: "Dushan, thuaju shokëve jugosllavë se shokët shqiptarë ndjekim me besim hapin e tyre dhe kërkojnë të bëjnë çmos që të ndjekin dhe shembullin e tyre heroik. Thuaju që gjithë populli shqiptar ndjen për popujt e Jugosllavisë një dashuri të madhe. Të gjithëve, të fala shoqërore...".  E gjithë mënyra e përzgjedhjes së "delegatëve" ishte një procedurë më tepër se qesharake. Sipas mënyrës që dinin vetë në "kongres" u zgjodhën njerëz që s'e kishin idenë se për çfarë po mblidheshin”.

 

MUHARREM XHAFA, Politikan:

Kongresi që vendosi pushtetin popullor

Z. Xhafa, çfarë sinjifikon për ju Kongresi i Përmetit?

Më 24 maj 2018 bëhen 74 vjet nga mbajtja e Kongresit të Parë Antifashist Nacionalçlirimtar Shqiptar, i njohur si Kongresi i Përmetit. Ai u mbajt në qytetin e luleve, të bukur, të lirë, të Përmetit, çliruar nga forcat partizane. Kongresi i Përmetit përbën një ngjarje me vlera të madha të LANÇ-it dhe përcjell për të gjithë shqiptarët patriotë një mesazh epokal: Pushteti popullor është i vetmi pushtet i vërtetë në shërbim të atdheut e të popullit! Ky është një fakt historik, të cilin e përcjellim më së pari për brezin e ri të Shqipërisë, por edhe për të gjithë ata që nuk e njohin mirë dhe e kanë mësuar të shtrembëruar historinë e Shqipërisë, përfshirë të vërtetën për Kongresin e Përmetit. Mbledhja e tij nuk ishte një veprimtari e rastit, e thjeshtë, po një domosdoshmëri historike në kushtet e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare. Ajo u thirr në bazë të një propozimi të menduar mirë më parë, i paraqitur më 15 prill 1944 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-çlirimtar dhe i miratuar nga Plenumi i KQ të PKSH-së, më 15 maj 1944, i mbledhur në Helmës të Skraparit. Ishte ky një Kongres i mirëorganizuar e me një bazë të gjerë shoqërore, në të cilin morën pjesë 185 delegatë e delegate të zgjedhur nga populli në zonat e çliruara e ato të paçliruara të vendit, si edhe në repartet e Ushtrisë Nacional-çlirimtare Shqiptare. Raportin "Mbi zhvillimin e Luftës Nacional-çlirimtare të popullit shqiptar në lidhje me ngjarjet ndërkombëtare", në Kongres e mbajti Sekretari i Përgjithshëm i KQ të PKSH-së, shoku Enver Hoxha. Kongresi i Përmetit mori vendime me rëndësi jetësore për LANÇ-in dhe për vendosjen e rendit demokratik popullor në Shqipëri. Në mënyrë përfundimtare, ai zgjidhi çështjen e pushtetit, si çështjen themelore të revolucionit popullor, krijoi kështu shtetin e ri demokratik popullor shqiptar. Kongresi i Përmetit zgjodhi Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ-in) të përbërë nga 121 anëtarë si organin më të lartë shtetëror - trupin kryesor ligjvënës dhe ekzekutiv, përfaqësuesin e vetëm të sovranitetit të shtetit e të popullit shqiptar. KANÇ-i zgjodhi Kryesinë e tij, emëroi Komitetin Antifashist Nacional-çlirimtar me atributet e një Qeverie të përkohshme popullore. Kryetar i Komitetit Antifashist Nacional-çlirimtar u caktua Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Shqipërisë, shoku Enver Hoxha. Kongresi i Përmetit vendosi të ndërtohet Shqipëria e re demokratike popullore, sipas vullnetit të popullit, të cilin, që nga ajo ditë, e shprehte solemnisht Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar. Po kështu, ai mori edhe disa vendime të tjera me rëndësi të madhe historike për sigurimin e sovranitetit të shtetit e të popullit shqiptar, ndër të cilat : ndalimin e hyrjes së Ahmet Zogut në Shqipëri, si tradhtar i atdheut e kombit shqiptar, mosnjohjen e asnjë qeverie tjetër, që mund të formohej brenda ose jashtë Shqipërisë kundër vullnetit të popullit shqiptar, mosnjohjen e koncesioneve të huaja, vazhdimin e luftës kundër pushtuesve të huaj e shërbëtorëve të tyre tradhtarë vendës, të grumbulluar rreth qeverisë kuislinge të Tiranës e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, të çdo klike tjetër antishqiptare e reaksionare, e cila mund të paraqitej më vonë etj. “Kongresi i Përmetit” është kongresi që i dha fund monarkisë. Në lidhje të ngushtë me çështjen e organizimit të pushtetit popullor në një shkallë më të lartë, Kongresi i Përmetit analizoi e zgjidhi edhe çështjen e forcimit të mëtejshëm e të përsosjes së strukturës së Ushtrisë Nacional-çlirimtare Shqiptare si arma kryesore për çlirimin e plotë të vendit e për mbrojtjen e pushtetit të ri popullor, vendosi njësimin e Komandës se Lartë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe dhënien e gradave ushtarake. Shoku Enver Hoxha u emërua Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-çlirimtare Shqiptare. Kongresi dha orientime për krijimin e divizioneve e të korparmatave si njësi ushtarake të domosdoshme për arritjen e sigurt të çlirimit të atdheut.

Përse e vlerësoni ju Kongresin e Përmetit?

Sepse ai përbën një ndër faqet më të lavdishme të historisë së LANÇ-it e të krejt historisë së popullit shqiptar. Jo vetëm atëherë, por edhe sot, vendimet e tij i tmerrojnë borgjezinë e pushtetin e saj antipopullor e antishqiptar. Sot, borgjezia dhe pushteti i saj i kanë hedhur poshtë e mohuar Kongresin e Përmetit e vendimet e tij, kanë rehabilituar pushtetin antikombëtar e profashist të Ahmet Zogut, të reaksionit! Komunistët e vërtetë as janë pajtuar me vendimet e qeverive profashiste e as e kanë pranuar këtë krim kundër pushtetit popullor! Kjo nuk ka ndodhur e as ndodh me veteranët e luftëtarët e vërtetë të LANÇ-it dhe me masat e popullit të shtypura e të shfrytëzuara nga pushteti i borgjezisë shqiptare e antikombëtare. Mësimet dhe vendimet e Kongresit të Përmetit nuk harrohen, ato janë përherë aktuale e na bëjnë krenarë, ato u tregojnë punëtoreve dhe fshatarëve, gjithë të shtypurve e të shfrytëzuarve, se pushteti i vetëm në shërbim të popullit e të atdheut është pushteti popullor. Kongresi i Përmetit bën apel për rivendosjen e pushtetit popullor”.

 

BASHKIM QELI, Historian:

Ky kongres, një ndër ditët më të shënuara të historisë sonë

Pse e vlerësoni ju Kongresin e Përmetit?

Ky kongres mbetet një ndër ditët më të shënuara të historisë së Shqipërisë, pasi aty u morën vendime historike që përcaktuan të ardhmen e atdheut. Ky Kongres për vetë kushtet apo kohën kur u mblodh, detyrat dhe vendimet që mori, tregoi se vizioni i së ardhmes së Shqipërisë ishte projektuar në bazë të situatave të kohës e interesave të gjera të masave popullore. Gatishmëria dhe mikpritja përmetare u shfaq edhe këtë radhë me gjithë madhështinë e saj. Përmetarët, megjithëse të djegur disa herë, hapën zemrat e dyert e shtëpive të tyre për delegatët dhe forcat partizane në mbrojtje të tyre. Në Kongres ishin ftuar edhe përfaqësuesit e misionit ushtarak britanik, por ata nuk mundën të merrnin pjesë.

Cilat ishin rezultatet e kësaj ngjarje historike?

Në rezolucionin e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm thuhej: “Në Kongres të përfaqësohen zonat e lira, zonat e pushtuara nga armiku, brigadat dhe batalionet partizane e vullnetare, Bashkimi i Rinisë Antifashiste me 10 delegatë dhe Bashkimi i Gruas me 5 delegatë”. Në zonat e çliruara dhe formacionet e ushtrisë delegatët do të zgjidheshin demokratikisht me votim të hapur nga 3 deri në 5 vetë për çdo komunë. Kongresin e çeli me një fjalim të shkurtër sr. Omer Nishani, i cili ndër të tjera tha: “Se ç’të drejta kemi fituar me luftën tonë dhe si do ta ngremë ne Shqipërinë e re demokratike e popullore, e dëshmon ky Kongres, do ta dëshmojnë përfundimet e tij”. Raportin “Zhvillimi i Luftës NAÇ të popullit në lidhje me ngjarjet ndërkombëtare” e mbaji Enver Hoxha. Ai ndër të tjera tha: “Kjo që bëjmë sot, është një nga ngjarjet më të mëdha të popullit shqiptar. Për të parën herë populli dërgon përfaqësuesit e vet, që i ka zgjedhur lirisht e që ka besim në ta”. Ndërsa, duke bërë fjalë për sakrificat e mëdha që u bënë gjatë luftës tha: “Kemi pasur vuajtje dhe mundime të mëdha, me të cilat bijtë e popullit tonë, të plagosur, pa bukë, të zhveshur, në borë e furtunë, por me moralin kurdoherë të lartë, kanë treguar trimëri të padëgjuara, me të cilat do të mburren me shekuj brezat e ardhshëm të popullit tonë.

 

KASTRIOT BEZATI, Historian:

Nder për Përmetin që Kongresi u mbajt në qytetin e rilindësve

Ju jeni nga Përmeti. Si do ta vlerësonit mbajtjen e këtij Kongresi në qytetin tuaj?

24 maji është një ditë shumë e veçantë, pasi hodhi themelet e 29 nëntorit, që është dita e çlirimit të atdheut. Kjo ditë mbetet e  paharruar, ashtu si Konferenca e Pezës.  Për ne përmetarët, zhvillimi i punimeve të këtij Kongresi në qytetin tonë na bën krenarë. Në këtë mënyrë, në kongres u përfaqësua i gjithë populli, nga jugu në veri, nga terreni dhe ushtria, me parti dhe pa parti, nga radhët e klerit, rinia dhe gruaja. Gjithsej, u zgjodhën 200 delegatë. Edhe sot diskutohet pse u zhvillua ky Kongres në Përmetin e njerëzve të ditur. Kjo ka disa arsye të cilat edhe janë thënë, por edhe janë  venitur në disa raste. Ky kongres, së pari u mbajt në qytetin tonë heroik, sepse qyteti i Përmetit ishte i çliruar dhe me këtë, duhej t’i tregohej opinionit të brendshëm dhe të jashtëm se lufta e popullit shqiptar kishte kaluar nga faza e luftës partizane, në një luftë të rregullt me veprime të mëdha të bashkërenduara, kishte kaluar në fazën e çlirimit të qyteteve. Së dyti, sepse krahina e Përmetit dhe krahinat përreth kishin një pozitë të favorshme strategjike që mund të mbrohej më mirë nga forcat partizane dhe ato popullore. Dhe e fundit, për të nderuar kujtimin e udhëheqësve të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare, që lindën në truallin e Përmetit, poetin e madh Naim Frashëri, filozofin dhe dijetarin e shquar Sami Frashëri dhe revolucionarin e madh, Abdyl Frashëri. Në këto ditë, një rol të veçantë për zhvillimin me sukses të punimeve ruajti dhe Brigada e VI sulmuese, e cila u formua në këtë qytet. Brigada e VI-të zë vend nderi ndër 24 brigadat e LANÇ-it, ato luftuan dhe çliruan bashkë me popullin, Shqipërinë. Nga 20 deri më 26 maj ajo kreu detyrën duke mbyllur drejtimin Vlorë-Tepelenë-Përmet për të siguruar Kongresin e Përmetit. Më pas, ajo mbrojti pozitat e fituara midis Vlorës, Himarës, Sarandës, Mesaplikut e Kurveleshit. Duke u ndodhur e rrethuar ajo bëri që çdo pëllëmbë tokë të kthehet në varr për armiqtë.

Cilat ishin strukturat që zgjodhi ky Kongres?

- Këshillin e Përgjithshëm me 121 anëtarë, që përfaqësonin të gjithë vendin dhe të gjitha shtresat shoqërore.

- Kryesinë e Këshillit me 25 anëtarë: dr.Omer Nishani, u zgjodh president, Baba Faja Martaneshi, Hasan Pulo dhe Koçi Xoxe nënpresidentë dhe  Enver Hoxha, Spiro Moisiu, Ramadan Çitaku, Sejfulla Malëshova, dr. Ymer Dishnica, Liri Gega, Islam Radovicka, Nako Spiru, Tuk Jakova, Mustafa Gjinishi, Haxhi Lleshi, Gogo Nushi, Siri Shapllo, Spiro Koleka, Qiriako Harito, Gjergj Kokoshi, Ollga Plumbi dhe Gaqo Tashko, anëtare. Sekretarë u zgjodhën: Koço Tashko e Sami Baholli. U zgjodh gjithashtu edhe Komiteti Antifashist me atributet e një qeverie provizore, të përbërë nga 11 anëtarë: Enver Hoxha, president, Myslym Peza n/president, Haxhi Lleshi i ngarkuar me Punët e Brendshme, dr.Omer Nishani me Punët e Jashtme, Manol Konomi me drejtësinë, dr.Medar Shtylla, me ekonominë, Ramadan Çitaku, me financën, Spiro Koleka me punët botërore, dr. Ymer Dishnica, me shëndetësinë, Sejfulla Malëshova me kulturën dhe arsimin e Bedri Spahiu me rindërtimin ekonomik. U zgjodh edhe një komision për zbulimin dhe vërtetimin e krimeve të pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe për zbulimin e vërtetimin e emrave të kriminelëve të luftës.

 

ARTUR ROSHI, Politikan, kreu i Ballit Kombëtar Demokrat:

Kjo datë projektoi regjimin totalitar komunist në vend

 

Çfarë sinjifikon për ju data 24 maj?

24 Maji! 24 Maji 1944 është një datë në historinë e Shqipërisë e vendosur në mënyrë të dhunshme për të njehsuar historinë e kombit me historinë e Partisë Komuniste shqiptare. Kjo gjë për t’i shërbyer pushtetit të diktaturës. Ky moment tregon qartësisht, se i ashtuquajturi "Këshilli Antifashist Nacional-çlirimtar" kishte qëllim parësor marrjen e pushtetit dhe çlirimin e vendit siç propagandonte. Kjo reflektohet në vendimin për krijimin e qeverisë "popullore e demokratike" dhe gjithë vendimet e atij grupimi në atë ditë. Kur një grupim njerëzish krijojnë një parti politike tregon se kanë qëllim marrjen e pushtetit. Partia është një mjet për pushtet dhe këtë gjë bënë komunistët shqiptarë, që në 8 Nëntor 1841 që krijuan Partinë Komuniste. 24 Maji 1944 është vazhdimësia e kësaj logjike pushteti dhe asgjë tjetër siç pretendojnë njerëz që i referohen emocioneve dhe jo logjikës.

Çfarë projekton për ju kjo datë?

Kjo datë projekton regjimin totalitar në vendin tonë për gjatë 45 viteve që e pasojnë. Ky është raporti i saj me të vërtetën të cilës nuk duhet t’i shmangemi më për të ndaluar pasojat negative për të ardhmen e fëmijëve tanë. Diktatura provoi të ngrinte një realitet fals larg të vërtetës mbështetur mbi ideologjinë marksiste dhe ja ku jemi sot të zhytur në prapambetje përballë botës së zhvilluar euro-atlantike. E vërteta është ajo nga duhet të fillojmë një ngritje vizionare për të nesërmen e kombit tonë”.

 

HISTORI

Koha kur u mblodh Kongresi

Vetëm pak muaj pas mbajtjes së Konferencës së Teheranit, (28 nëntor-1 dhjetor 1943) midis tre Aleatëve të Mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore, ku u vendos edhe mbi mbështetjen që i duhej dhënë frontit antifashist në Ballkan, më 24 maj të 1944 në Përmetin e çliruar u mbajt Kongresi i parë Antifashist Nacionalçlirimtar. Vendimi për këtë Kongres u mor më 15 prill 1944 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar. Zgjedhja e Përmetit për mbajtjen e këtij Kongresi nuk ishte rastësore. Ky qytet ishte çliruar nga forcat antifashiste nacionalçlirimtare dhe afirmonte më së miri rolin e tyre si forcat që do vendosnin më tej mbi fatet e vendit. Në Kongres morën pjesë 200 delegatë nga e gjithë Shqipëria, nga zonat e çliruara dhe nga ato ende të paçliruara nga pushtimi nazist. Në Kongres u morën tre vendime shumë të rëndësishme që diktuan për afër 50 vite gjithë politikën shqiptare të diktaturës komuniste. “Të ndërtohet Shqipëria e re dhe demokratike sipas vullnetit të popullit që sot e shpreh solemnisht në Këshillin e Përgjithshëm  Antifashist Nacionalçlirimtar, t’i ndalohet ish-mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihet asnjë qeveri që mund të formohet brenda apo jashtë vendit kundër vullnetit të popullit dhe të vazhdohet më me ashpërsi lufta kundër pushuesve gjermanë dhe tradhtarëve shqiptarë deri në shkatërrimin e tyre të plotë dhe vendosjen e pushtetit demokratik popullor në të gjithë vendin”, ishin tre vendimet kryesore, të rëndësishme, të marra nga Kongresi i Përmetit. Komandanti i Përgjithshëm, gjeneral-kolonel Enver Hoxha që e zgjodhi Kongresi, shprehu besimin e patundur në fitoren përfundimtare, si edhe mirënjohjen e besimin në triumfin e Aleancës anglo-sovjeto-amerikane, anëtare e së cilës ishte edhe Shqipëria. Vendimi që për 50 vjet u quajt i jashtëzakonshëm ishte: “Të ndërtohet Shqipëria e Re Demokratike Popullore, sipas vullnetit të popullit” që u mor solemnisht në Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar. Ai shprehte kthesën historike, që përbente përmbysjen e madhe, ku populli do të bëhej zot i fateve të tij. Vendimet e Kongresit të Përmetit sipas shumë historianëve patën jehonë të jashtëzakonshme brenda e jashtë vendit, ato rritën entuziazmin në popull, forcuan besimin në fitore dhe krijuan bindjen se vetëm lufta e drejtë e popullit do të siguronte çlirimin e plotë të Shqipërisë.

 

Vendimet e Kongresit

  1. Të ndërtohet Shqipëria e re demokratike e popullore sipas vullnetit të popullit, që sot e shpreh solemnisht në Këshillin e Përgjithshëm Antifashist NAÇL.
  2. T’i ndalohet ish- mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe, të mos njihet asnjë qeveri që mund të formohej brenda ose jashtë vendit kundër vullnetit të popullit.
  3. Të vazhdohet më me ashpërsi lufta kundër pushtuesve gjermanë e tradhtarëve shqiptarë, deri në shkatërrimin e tyre të plotë dhe vendosjen e pushtetit demokratik-popullor në të gjithë vendin.
  4. Rishikim dhe prishje e gjithë marrëveshjeve politike dhe ekonomike që binin në kundërshtim me interesat e popullit dhe të kombit shqiptar.
  5. Shndërrim i UNAÇL në ushtri të rregullt, me udhëheqje të njësuar e me komandë të përgjithshme. Dhënie e gradave në ushtri
  6. Kalimi i ushtrisë në mësymje të përgjithshme për çlirimin e plotë të trojeve shqiptare. Këto përbëjnë ligjet e para të pushtetit demokratik popullor.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: