FMN: Shqipëria ka rritje ekonomike, por borxhi publik mund ta ngadalësojë

Publicitet
Publicitet
FMN: Shqipëria ka rritje ekonomike, por borxhi publik mund ta ngadalësojë
Ekonomia shqiptare po vazhdon të forcohet, duke arritur deri në nivelin prej 3.8% gjatë vitit të kaluar 2017. Por ajo duhet të tregojë kujdes, pasi borxhi publik mund ta rrezikojë nivelin rritës progresiv të saj.

Ky është apeli i ri që Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka drejtuar vendin tonë në raportin e parë të programit të post monitorimit.

“Pavarësisht mjedisit të favorshëm dhe perspektivës pozitive afatshkurtër, mbeten rreziqe dhe dobësi, që rrjedhin nga borxhi i lartë publik”, citon FMN-ja.

Duke shtuar më tej faktin se rritja e fortë ekonomike, që po gëzon Shqipëria, nuk mund të zgjasë pa një shtytje të konsiderueshme për reformat strukturore. Ku këtu përfshin edhe atë që ka të bëjë pikërisht me mbajtjen nën kontroll të treguesit makro-ekonomik të borxhit publik, edhe pse në fakt, FMN-ja pranon se ai është në rënie e sipër.

“Borxhi publik mbetet i lartë. Adresimi i rreziqeve fiskale që paraqet niveli i lartë i tij, mbetet një prioritet. Kjo kërkon më shumë përshtatje fiskale, mundësisht në afatin e afërt. Menaxhimi i tij duhet të fokusohet në zgjatjen e maturitetit, duke shmangur rreziqet që vijnë nga huamarrja e tepërt”, është porosia e veçantë që i lënë palës shqiptare ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

E në këtë kuadër, ata nuk lënë pa përmendur edhe të ashtuquajturat forma koncesionare PPP, (Partneritet Publik-Privat).

“Ndikimi i PPP-ve në kuadrin buxhetor afatmesëm dhe qëndrueshmërinë e borxhit, duhet të vlerësohet me kujdes”, apelojnë ata.

Shoqëruar me këshillën tjetër se “Ministria e Financave duhet të përmirësojë regjistrimin fiskal dhe analizën ligjore e financiare të projekteve PPP, si edhe të sigurojë zbatimin e duhur të kornizës PPP”. Për të përfunduar se nëse këto probleme nuk adresohen dhe nëse reformat strukturore nuk zbatohen, rritja ekonomike e vendit mund të ngadalësohet.

 

Aspekti politik, hapja e negociatave me BE shihet si shans për investime

Në raportin e tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar i lë një vend të posaçëm edhe aspektit politik të zhvillimeve në Shqipëri, duke i lidhur ato me ndikimin që kanë në ekonominë e vendit. “Hapja e negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian mund të ofrojë një dritare mundësish për zbatimin e axhendës së reformave, duke çuar në rritjen e investimeve dhe rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, saktëson FMN-ja lidhur me një fakt të tillë. Më tej, ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerësojnë se Shqipëria edhe pse gëzon rritje të fortë ekonomike, ende nuk është duke përfituar plotësisht nga kostoja e ulët e punës dhe afërsia me Bashkimin Evropian, sipas tyre, për shkak të një mjedisi të vështirë biznesi që pengon investimet. “Prandaj është e rëndësishme që qeveria të përdorë kohët e mira për të nxitur axhendën e reformave dhe për të përfituar nga pranimi potencial në Bashkimin Evropian”, shtojnë ata.

 

Kujdes me taksën e pronës! Të mblidhen më shumë pará nga taksat

“Progresi drejt taksimit të pronës me vlerë të tregut është i mirëpritur, por zbatimi i tij kërkon përgatitje të kujdesshme”.

Ky është një tjetër apel që Fondi Monetar Ndërkombëtar i drejton qeverisë shqiptare në lidhje me aspektin fiskal. Për të shtuar më tej se administrimi siç duhet i taksave është vendimtar.

“Autoritetet duhet të marrin parasysh masa shtesë për të ardhurat, duke përfshirë zgjerimin e bazës tatimore”, shtojnë ekspertët e FMN-së.

Duke i mëshuar gjithashtu faktit se forcimi i institucioneve fiskale dhe vlerësimi i rreziqeve fiskale është një tjetër prioritet.

“Nevojiten përpjekje më të forta për të rritur kredibilitetin e kornizës buxhetore afatmesme”, përfundon FMN-ja këshillat e tij ndaj Shqipërisë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: