Femrat shqiptare, gjejnë më pak punë se meshkujt, por edhe paguhen më pak

Femrat shqiptare, gjejnë më pak punë se meshkujt, por edhe paguhen më pak
Jo vetëm që lodhen më shumë se meshkujt për ta gjetur një punë, por edhe paguhen më pak se ata, kur e kanë një të tillë.

Ky është realiteti i femrave në Shqipëri, sa i përket aspektit të punësimit të tyre. Mjaft i hidhur në fakt, po të mendosh se ende ato janë më pak të preferuara për një vend pune, jo vetëm si punonjëse, por edhe në lidhje me pagën që u ofrohet.

Kjo dukuri konfirmohet nga Anketa më e fundit e Institutit të Statistikave, lidhur me punësimin në vendin tonë, sipas së cilës, dallimi mes dy gjinive vazhdon të jetë ende i pranishëm në vendet e punës.

“Femrat përbëjnë 42,6% të forcës së punës dhe meshkujt 57,4%. Të punësuar janë 1.195 mijë persona, ku femrat përbëjnë 43,2% të të punësuarve dhe meshkujt 56,8%”, janë shifrat konkrete që referojnë ekspertët e statistikave lidhur me dukurinë në fjalë.

“Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 18% më e lartë sesa për femrat”, shtojnë më tej ata. Për të shtuar më tej faktin se  hendeku gjinor në punësim për këtë grup-moshë është 14%. E thënë më thjesht, dallimi i niveleve të punësimit femra dhe meshkuj.

Nga ana tjetër, ata kanë vënë përballë edhe hendekun që ekziston mes dy gjinive lidhur me pagat, duke dhënë një shifër më të ulët, rreth 10%. Që përkthehet në një diferencë më të vogël, sesa ajo e punësimit si i tillë.

Por që gjithsesi, sipas tyre, ekziston dhe ka vend për përmirësimin, në mënyrë që edhe femrat në Shqipëri, të trajtohen njësoj si meshkujt, sa i përket aspektit të punësimit.

 

LISTA

Profesionet më të paguara

Ligjvënësit dhe nëpunësit e lartë

Drejtorët e administratës publike

Specialistët që kanë arsim të lartë

Teknikët, specialistët në zbatim.

 

Profesionet me pagë nën mesatare

Punonjës të kualifikuar në

bujqësi, pyje dhe peshkim

Profesionet elementare;

Zejtarët edhe artizanët.

 

SEKTORËT

Ku paguhen më shumë femrat?

Nëse një femër në Shqipëri zgjedh që të marrë një “funksion drejtues administrativë dhe komercialë”, ajo fiton më shumë se në çdo sektor tjetër.

Konkretisht, sipas INSTAT-it, në këtë lloj profili të cilat në vitin kishin një pagë mujore prej 146.143 lekësh, më e larta kjo nga të gjitha profesionet e tjera.

Një pagë kjo, e cila në fakt është shumë më e lartë edhe se e ajo meshkujve, të cilët paguhen mesatarisht 113,825 lekë, apo 28% më pak sesa femrat.

Nga ana tjetër, INSTAT konfirmon se pas drejtuesve, profesioni i dytë më i paguar tek femrat është ai i të qenit “specialiste të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit”, me një pagë mesatare prej 86,927, por që është rreth 7% më e ulët sesa e meshkujve.

Në fund, ekspertët shtojnë se punët më pak të paguara për femrat janë “Punëtorë për shitje dhe shërbime të ndryshme në rrugë” dhe “Prodhues të produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit për nevoja familjare”, me rreth 22 mijë lekë në muaj.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: