FAKTORËT DHE AKTORËT QË PENGOJNË REFORMËN NË DREJTËSI – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI

FAKTORËT DHE AKTORËT QË PENGOJNË REFORMËN NË DREJTËSI – FAKTI I DITËS NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vendimi i KLD-së për të mos pranuar propozimet e ministres së Drejtësisë për shkarkim të tre gjyqtarëve, rihap edhe njëherë debatin e faktorëve që shtyjnë drejt reformës në drejtësi dhe aktorëve që e pengojnë atë. Ndërsa i gjithë sistemi ndihet i troshitur si nga ligjet e reja, ashtu dhe nga vetingu mbi gjyqtarët e prokurorët, një vendim që hedh poshtë propozimin për shkarkim të atyre që mendohet se kanë shkelur rëndë afatet e zbardhjes së vendimeve, apo që kanë mundësuar lirimin e të akuzuarve për trafik droge, do të dukej si i palogjikshëm në këtë kohë. Gjithsesi, kjo ndodhi. Dhe menjëherë pas kësaj, deklarata e ministres së Drejtësisë pasohet nga një komunikatë e presidentit Meta, ku dënohet vendimi i marrë dhe KLD-ja cilësohet si jashtë realitetit të kohës dhe të reformave që po ndërmerren.

Vendimi, sidoqoftë hap dhe një temë tjetër të diskutueshme dhe që ka sjellë ngërç ligjor mbi vetë sistemin e drejtësisë. Atë të legjitimitetit të organeve të drejtësisë. Ka tashmë dy vjet që është ndryshuar Kushtetuta dhe që parasheh ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë dhe me të tjera kompetenca. Por po vijojmë ende me institucionet e vjetra dhe me funksion mbi ligje, të cilat janë hedhur në kosh prej kohësh. Vetë KLD-ja po vijon mbi bazën e një ligji tranzitor pasi Kushtetuta e ndryshuar e ka shformuar situatën dhe KLD-ja me funksionet e tanishme nuk do të ekzistojë. Edhe vetë Presidenti i vendit nuk do të jetë në krye të institucionit të drejtësisë, ashtu siç ishte deri më parë kur kryesonte dhe KLD-në. Në vend të tyre, duhet të ngrihen Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

E njëjta gjë duhet të kishte ndodhur edhe me organin e akuzës, ku prokuroria do të kishte një organizim tjetër dhe vetë Prokurori i Përgjithshëm del në rolin e një administratori dhe jo me kompetencat që ka sot. Edhe në këtë rast duhet të ngrihet këshilli i Lartë i Prokurorisë, që jo vetëm do të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm, por dhe do të ketë kompetencat për emërimet e të gjithë prokurorëve.

Jemi pra në situatë absurdi, ku në fakt të gjitha institucionet e drejtësisë janë në fushë të minuar dhe kushte jashtëligjore. Dhe këtu nuk po marrim parasysh faktin se Gjykata Kushtetuese ka dalë jashtë funksionit pse gjyqtarët e saj janë pushuar pasi nuk kanë kaluar provimin e vetingut.

A ka përgjegjës për këtë situatë anormale? Natyrisht që po dhe kjo është nga vetë politika. Parlamenti duhet të kishte zgjedhur prej kohësh si Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ashtu dhe atë të Prokurorëve, porse kjo çështje zvarritet pambarimisht. Duket se askush nuk ngutet për këtë dhe më së shumti, po fitohet kohë.

Pikërisht mbi këtë çështje është përqendruar dhe trysnia e faktorit ndërkombëtar. Pasi në letër e kemi miratuar reformën në drejtësi, kemi ndryshuar dhe Kushtetutën për këtë. Por nuk mjafton vetëm kaq. Vërtet ka nisur dhe vetingu, i cili ka nisur të shoshisë gjyqtarë dhe prokurorë, por dhe kjo po bëhet në mënyrë të përciptë. Përderisa nuk janë ngritur institucionet e reja që përcakton ligji, askush nuk mund të thotë se reforma ka nisur të funksionojë. Deri tani, ajo është ende në letër dhe në dosjet e komisioneve parlamentare që ende merren me kandidaturat për të cilat akoma nuk po votohen. Funksionimi i institucioneve të reja, veçanërisht SPAK dhe Byroja e e Hetimit janë pikërisht ato të cilat do të jenë të specializuarat për luftën ndaj korrupsionit dhe trafikut. E pikërisht prej tyre priten dhe rezultate konkrete të korrupsionit si në drejtësi dhe në politikë. Pasi ndërkohë, ndërsa deklarohet se ka nisur vetingu, duhet thënë se gjykimi mbi të është vetëm mbi ato çfarë kanë deklaruar subjektet mbi pasuritë që disponojnë. Kemi pra një vetëdeklarim çka është dhe një vetërregullim i letrave që justifikojnë pasuritë që kanë vënë. Një hetim i thelluar nuk mund të mbetet tek vetëdeklarimi, por duke shkuar më thellë. Dhe vetëm në atë rast mund të thuash se po bëhet veting. Deri më tani, thjesht po kapen ata gjyqtarë e prokurorë që nuk kanë ditur të rregullojnë letrat dhe të justifikojnë të ardhurat e tyre. Që gjithsesi duken si peshq shumë të vegjël, ndërsa hiqen nga detyra për disa pak lekë, ndërkohë që milionat flenë gjetiu e në të tjera duar.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: