"Esat Pasha e donte kristianizmin për shqiptarët, si m’i rrëfeu idetë e tij mbi fenë"

Publicitet
"Esat Pasha e donte kristianizmin për shqiptarët, si m’i rrëfeu idetë e tij mbi fenë"
HISTORI/ Shqiptari Esat Pashë Toptani vazhdon të shfaqet në kujtimet e gazetarit dhe përkthyesit të njohur, Stephen Bonsal, si një njeri me vizion për të ardhmen e kombit shqiptar. “Ai ishte shumë më mendjegjerë sa i takon çështjeve fetare, sesa shumica mund të mendonte”

“Nëse feja ime do të bëhet pengesë për t’u kthyer në petkun kristian, unë dhe ne të gjithë shqiptarët do të kthehemi prapa, siç bënë dikur baballarët tanë: Do të kthehemi më dëshirë dhe kënaqësi në besimin tonë të hershëm, atë kristian”. Një shprehje të tillë, Stephen Bonsal, përkthyesi i presidentit amerikan, Uilson, gjatë Konferencës së Paqes në Paris, pohon që t’ia ketë thënë vetë Esat Pashë Toptani, përfaqësuesi i delegacionit shqiptar gjatë këtij aktiviteti të vitit 1919. Në vijim të kujtimeve të tij rreth Esatit, ai përmend pikërisht një takim të posaçëm që pati me të dhe ku ai i shprehu hapur bindjet që kishte në lidhje me fenë.”Unë mendoj se Presidenti juaj duhet të informohet drejt mbi situatën në Shqipëri dhe madje edhe për qëndrimin tim personal, se nuk do të lejoj kurrë që të qenit unë mysliman të bëhet problem që Shqipëria dhe shqiptarët e mi të pengohen të jenë të lumtur e të lirë”, citon gjithashtu Bonsali që t’i ketë thënë Esat Pasha. Ndërsa nga ana tjetër, ai bën një përshkrim të veçantë edhe për mbretin Nikolla të Malit të Zi, i pranishëm gjithashtu në punimet e Konferencës së Paqes në Paris, me të cilin kishte një miqësi të veçantë. “Unë e përfytyroj Nikollën si John Sevier (ushtarak, politikan dhe një ndër themeluesit e shtetit të Tennessee), i cili bashkë më malësorët e tij i mundën keqazi “xhaketat e kuqe” (ushtrinë angleze) në Karolinë...”, shkruan Bonsal në kujtimet e tij “Kombet e vegjël në Versajë”...

Nga  Stephen Bonsal

 

“5 Dhjetor 1918 ...

... Gjatë një dreke me Esatin javën e kaluar, ku isha i ftuar prej tij në mënyre formale, ai më nderoi në një mënyrë që tregoi hapur se ishte shumë më mendje-gjerë përsa u përket çështjeve fetare, sesa shumica mund të mendonte, përfshirë këtu edhe mua personalisht. Ishte një ftesë paksa e çuditshme, në fakt. Ishim pothuajse vetëm, sepse siç më pohoi dhe ai vetë, kishte nevojë të më komunikonte diçka me rëndësi, që nëse vërtet do të ishte bërë dot realitet do të kishte pasur një influencë të jashtëzakonshme në kushtet e turbullta dhe të egra që mbizotëronin në Ballkan. Pas karriges së tij dhe pas times gjithashtu qëndronin burrat e tij besnikë, nën tunikat blu të të cilëve shkëlqenin pistolat dhe jataganët e tyre të shkëlqyer. Ata qëndronin aty stoikë për të na mbrojtur, ndërkohë që ushqimi na shërbehej nga kamarierët parisienë të restorantit të hotelit ku kishte dhe pak klientë të tjerë, të cilët përpiqeshin, por pa sukses, të injoronin në njëfarë mënyre këtë skenë të çuditshme, të cilën nuk e hasnin shpesh në Paris. Gjatë kohës që po pinim kafenë, e cila kthehej me një të rrufitur sipas mënyrës maqedonase, Esati hapi bisedën të cilën kishte kaq kohë që e mendonte.

“Një mik shqiptar i cili ka kohë që jeton në Boston më njoftoi mbi disa çështje javën e kaluar, - e filloi bisedën ai. - Ai më tha se Presidenti juaj i nderuar është pjesëtar i një kishe, të cilën shumë prej amerikanëve e shohin si të çuditshme dhe të dyshimtë, si një lloj sekti i ngushtë. Nëse kjo gjëës htë e vërtetë, më ka shtyrë që të vendos dhe unë personalisht t’ju tregoj ato çka mund të quhen si bindjet e mia fetare, ose më mirë pikëpamjet e mia mbi fenë. Ndërkohë që shqiptarët e mi janë të ndarë sipas kishave dhe xhamive, gjë të cilën e kanë përdorur si Sulltani i Turqisë, po ashtu dhe Perandori i Austrisë e me radhë, ju vetë duhet ta keni vënë re sesa liberalë dhe katolikë janë shqiptarët, nëse do t’u duhet të përdorin mjetet e tyre. Ju vetë duhet ta keni vënë re gjatë vizitës tuaj në Shqipëri se kur fshatarët tanë përgatiten për të mbjellë tokën, ata u kërkojnë si hoxhallarëve të fesë myslimane për të bekuar të mbjellat dhe tokat e tyre, po ashtu edhe priftërinjve katolikë e ortodoksë të cilët paguhen vetëm për të kënduar këto rite të bekuara. Unë mendoj se Presidenti juaj duhet të informohet drejt mbi situatën në Shqipëri dhe madje edhe për qëndrimin tim personal, për të cilin mund ta siguroni se nuk do të lejoj kurrë që të qenit unë mysliman të bëhet problem që Shqipëria dhe shqiptarët e mi të pengohen të jenë të lumtur e të lirë. Kam dëshirë t’ju shpjegoj se çfarë ndodhi në vendin tim, pas situatës në Kosovë (viti 1349) dhe betejës së tmerrshme që u luftua atëherë atje. Turqit me çallmat e tyre dhe me standardet e mënyrat e tyre gjakatare vërshuan mbi tokat tona duke vrarë e prerë këdo që nuk pranonte t’i lutej Zotit të tyre dhe profetit Muhamed. Ne shqiptarët kemi qenë të gjithë të krishterë katolikë. Në familjen time shumë janë flijuar në këtë kohë vetëm për të mos ndërruar fenë dhe gjyshërit e stërgjyshërit e mi më pas do të kishin preferuar me dëshirë të njëjtin fat nëse do t’u garantohej jeta e fëmijëve dhe paprekshmëria e pronës së tyre. Por kjo nuk ishte e mundur. Jeta dhe prona e të parëve të mi dhe e gjithë shqiptarëve ishte në balancë të plotë me çështjen e fesë dhe ata vepruan ashtu sikurse unë e kam quajtur gjithmonë të drejtë si vendim. Ata u detyruan të ndërrojnë fenë dhe t’i binden proverbit të vjetër që thotë “atje ku është shpata ngritur, atje është dhe feja” dhe duke vepruar në këtë mënyrë shpëtuan jetën e fëmijëve të tyre, shpëtuan tokat e tyre nga djegia dhe shkatërrimi i plotë”.

Heqja e paraleles

Esati duket se po hiqte një paralele me atë çka ai mendonte se kishte qenë shkatërrim për paraardhësit e aq shumë të urryerit prej tij, mbret Nikollës. “Sa të pamend kanë qenë ata peshkopët malazezë, - thotë ai, - në vend që të kuptonin dhe besonin se ka shumë rrugë që të çojnë në parajsë dhe që asnjë kishë nuk e ka dot kontrollin ekskluziv të portës hyrëse të parajsës, ata u larguan për në male dhe u fshehën nëpër shpella. Ata e shpëtuan besimin e tyre, është e vërtetë, por humbën civilizimin e tyre. Ata jetuan në nivelin më të ulët të njerëzimit. Edhe ai, Nikolla juaj, i cili sot vjen përpara gjykatës së të mëdhenjve, nën petkat e tij të bukura nuk është gjë tjetër, veçse një harbut i egër”.

Dhe më në fund, Esati erdhi tek thelbi i bisedës.“Baballarët tanë e shpëtuan popullin tonë dhe ne shqiptarët i shërbyem perandorisë turke me besnikëri deri kur erdhi koha për të hequr nga froni sulltanin, gjë që e bëmë me shumë dëshirë. Sot, nëse feja ime, e cila na u imponua, ose të paktën, të cilën ne e pranuam vetëm prej vuajtjes dhe si të vetmen mundësi për të shpëtuar popullin tonë, do të bëhet pengesë për t’u kthyer në petkun kristian, unë dhe ne të gjithë shqiptarët do të kthehemi prapa, siç bënë dikur baballarët tanë, për të shpëtuar popullin tonë, do të kthehemi më dëshirë dhe kënaqësi në besimin tonë të hershëm, atë kristian”.

I premtova Esatit se do t’i tregoja Kolonelit House dhe delegatëve të tjerë për kërkesën e tij të arsyeshme dhe patriotike dhe kështu bëra. Por, me të drejtë, komisioni ynë refuzoi të kishte të bënte me gjithçka që lidhej me Shqipërinë dhe zgjidhjet mbi të. Sikurse dhe ndaj shumë probleme të tjera është e këshillueshme të bëhesh mënjanë, sepse përfundimi i të tilla çështjeve do të ishte vetëm një lumë gjaku i pafund. (Ndërkohë, sipas udhëzimeve të Romës zyrtare, z. Nobile Chiesa, ekspert aviacioni i delegacionit italian, e sulmoi tepër ashpër Esatin, madje duke e fyer atë.) Por Chiesa e kishte gabim, të paktën përsa i përket kulturës dhe gjuhëve që fliste Esati. Ai fliste frëngjisht dhe e shkruante shumë mirë atë, fliste shumë mirë italisht, gjuhë në të cilën ne kemi pasur dhe të gjitha bisedat tona së bashku. Kuptimi që u jepte fjalëve ishte gjithnjë i pagabueshëm. Sa shumë i urrente ai italianët dhe sa shumë i pëlqente që t’i vinte në lojë nëpërmjet gjuhës së tyre. Në gjuhën e maleve të tij, Esati tregonte për një këngë që kishte lidhje pikërisht me mendimin e tij për italianët: “çfarë është diçka që vesh pupla, por nuk është zog? Që mban pushkë, por nuk është ushtar? Që vesh pantallona, por nuk është burrë? Ky është ushtari (Bersagliere) italian”.

6 Dhjetor 1918

Një ndër ëndrrat e mëdha që kisha unë gjatë ditëve të para të Konferencës, të cilat dukeshin premtuese, ishte që të bëja bashkë kampionin e kristianizmit në Ballkan, Mbret Nikollën dhe Esatin, Saladinin e luftërave moderne, të uleshin bashkë me mua në tavolinën time. Sigurisht kjo nuk kishte pse të ndodhte në“Crillon” (një ndër hotelet më të bukura në qendër të Parisit) nën sytë dhe vëmendjen e gazetarëve kureshtarë, por në ndonjë restorant të veçuar që nuk binte aspak në sy, larg ambientit të Konferencës. Pjesa kryesore dhe qëllimi i këtij takimi duhet të ishte ardhja e Kolonelit, që do të vinte aty gjoja rastësisht (e gjithë kjo duhej të organizohej nga unë që të mos ishte në dijeni as mbret Nikolla dhe as Esat pasha) nën petkun e tij si apostul i paqes dhe ta niste bisedën duke thënë shprehjen e tij të famshme, por shumë domethënëse dhe shpesh në punimet e kësaj Konference edhe efikase: “Të gjithë njerëzit janë vëllezër. Ka vetëm pak pika mosmarrëveshjesh ndërmjet nesh dhe me pak durim e vullnet të mirë, edhe këto mosmarrëveshje mund të sheshohen plotësisht”.

Gjithsesi, Koloneli u shpreh se ishte e pamundur që të takohej në këtë mënyrë me dy kampionët e Ballkanit. Ai tha se kjo ishte plotësisht jashtë protokollit zyrtar dhe se atij kjo gjë nuk i lejohej, megjithëse unë vetë e dija dhe e ndjeja se ai kishte vërtet dëshirë të bënte një takim të tillë klandestin, nëse mund të shprehem kështu. Njëherë më tha: “Unë merrem vesh shumë mirë me malësorët. Duket se unë dhe këta lloj burrash e kuptojmë më së miri njëri-tjetrin. Paradhoma ime është gjithnjë e mbushur me njerëz të pasur, pronarë tokash që flasin gjatë gjithë kohës për para, borxhe, privilegje tregtare dhe të them të drejtën, kjo gjë më bezdis dhe më mërzit. Të kam zili ty, Stephen për kontaktet dhe takimet që ke me malësorët e Ballkanit. Sa dëshirë do të kisha të isha dhe unë me ty dhe ata, por sigurisht që e kam të pamundur e të lutem mos më provoko. Nga çka më tregon ti, unë e përfytyroj Nikollën si John Sevier (ushtarak, politikan dhe një ndër themeluesit e shtetit të Tennessee), i cili bashkë më malësorët e tij i mundën keqazi “xhaketat e kuqe” (ushtrinë angleze) në Karolinë, ndërsa Esatin e përfytyroj si Uallace “këmbëmadhin” (kështu quhej Big Foot Uallace, i cili ishte një ushtarak i famshëm nga Teksasi dhe kishte marrë pjesë në shumë konflikte e luftëra të armatosura në Republikën e Teksasit dhe të të gjithë Shteteve të Bashkuara të viteve 1840, përfshirë këtu edhe luftën meksicano-amerikane), i cili nuk do ta kishte problem të udhëtonte për një javë rresht mbi kalë në mes të diellit përvëlues të tropikut, vetëm e vetëm që në fund të udhëtimit të tij të kishte mundësinë të luftonte dhe të bënte detyrën e tij si ushtarak. Kam kaq shumë dëshirë t’i takoj këta dy burra, por sigurisht për momentin e kam të pamundur”.

E kuptova qartë se Koloneli im po thyhej. Një arsye tjetër se përse unë nuk po ia dilja dot në krye  të realizoja përballjen që mund të rezultonte edhe me pasoja të pallogaritshme më pas për të gjithë situatën në Ballkan, ishte dhe pamundësia e Esatit për të mos qëndruar gjithë kohën në “Champs Elysee”. I adhuruar e madje edhe i hyjnizuar prej një pjese të shqiptarëve të tij, pashai shqiptar urrehej shumë edhe nga pjesa tjetër. Ai dilte rrallë dhe kur kjo ndodhte ishte gjithnjë i shoqëruar nga eskorta e trimave të tij të armatosur, edhe ai vetë gjithashtu qëndronte gjithnjë i armatosur”.

 

Kujtimet e datës 18 Dhjetor 1918

“Mbreti i Malit të Zi, luftëtari zemërluan i Ballkanit”

“Sot ndjej vërtet se duhet të ndalem dhe të analizoj pak më shtruar e gjerë marrëdhënien time me mbret Nikollën. Hirësia e tij, Mbreti i Malit të Zi ka qenë i njohuri dhe miku im shumë kohë përpara këtyre punimeve në Paris dhe njeriu gjithnjë sugjestionohet disi nga miqësitë e vjetra. Kjo miqësi daton rreth 25 vite më parë dhe ndoshta ca më shumë se kaq dhe unë për këtë njeri ndjej admirim të thellë. Kur doli në sipërfaqe problemi në lidhje me të ardhmen e tij dhe të vendit të tij përpara Këshillit Suprem të Luftës, ndjeva se ishte e drejtë që duhet t’i tregoja Kolonelit, shefit tim, lidhjet e mia të ngushta dhe të vjetra me Mbret Nikollën dhe duhet t’i tregoja edhe se gjykimi im në lidhje me të mund të ishte i ngarkuar me admirim për “luftëtarin zemërluan” të Ballkanit. Për rrëfimin e sinqertë që i tregova Kolonelit tim, ai më bëri një tufë komplimenta që në fund të fundit më pëlqyen dhe më bënë qejfin. “Pikërisht, ky je ti, - më tha Koloneli, - ti i vure letrat mbi tavolinë. Sigurisht që do të kisha shumë dëshirë të diskutoja me ty mbi çështjen dhe problemin e Malit të Zi, por kur të vijë puna për të marrë vendim, do të më duhet ta marr unë, i vetëm”. Dhe pastaj Koloneli shtoi edhe të vetmen fjali jo shumë të këndshme që i kam dëgjuar ndonjëherë gjatë gjithë punimeve të Konferencës: “Ti Stephen, je vërtet shumë ndryshe nga X, kurdo që ai shkon për drekë në hotelin “Eduard VII”, ku dihet nga të gjithë që atje italianët shtrojnë ato drekat e tyre të mrekullueshme, ndjej thellë brenda vetes se jugosllavët do të humbin edhe një ishull tjetër”. “Unë nuk kam drekuar kurrë me Mbret Nikollën”, protestova unë, por i zbutur më pas prej sjelljes dhe bisedës së Kolonelit, më pas shtova: “Kam pirë vetëm ndonjë gotë (slivovich – raki kumbulle, përkthyer nga çekishtja) me të pas mbarimit të gjithë punës së ditës, jemi takuar për të kujtuar kohët e vjetra me nga një gote raki”. “Pikërisht, kjo nuk duhet të ndodhte, - tha Koloneli, - nuk mund të ulesh e madje as të takohesh ti si anëtar i Jurisë, me një mbret, i cili këtu vjen si “kërkues” (lutës)”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: