Eli Malaj: Pa xhelozi në art, askush nuk arrin përpara

Eli Malaj: Pa xhelozi në art, askush nuk arrin përpara
Flet këngëtarja Eli Malaj: Duajeni shumë veten, duajeni familjen, respektoni atë që ju respekton dhe jepni pozitivitet, sepse çka jepni do t’ju kthehet shumëfish!

Bukuroshja brune është një nga zërat më të njohur, për të gjithë ata që shijojnë jetën e natës dhe mjediset e muzikës live. Pavarësisht se ka mbi një dekadë që këndon, brenda e jashtë vendit, Eli Malaj, me shumë modesti dhe sinqeritet, na rrëfen mbi jetën e saj, dashurinë për muzikën që lindi qysh në vogëli, mirënjohjen për familjen e pasionet jashtë skenës.

Intervistoi për Albanian Free Press: Juela Meçani

Ju keni kënduar me pasion këngën për shumë vite. Si erdhët deri tek kënga?

Qysh në moshë të vogël kam pasur dëshirë të madhe të këndoja dhe, si fëmijë që isha, besoja se nuk do të ishte e vështirë. Por, nga pamundësia për të kontaktuar me njerëzit e përshtatshëm në atë kohë, m’u desh të prisja disa vite, derisa një ditë, rastësisht, takova profesor Fatmir Lelën. Ai kishte një studio dhe kështu studiova për pak kohë dhe ja ku dola këngëtare... ha ha ha.

Si e kujtoni fëmijërinë? Çfarë arome dhe shije ka pasur ajo për ju?

Fëmijëria ime ka qenë normale dhe e bukur, si për shumë nga bashkëmoshatarët e mi. Kam qenë fëmijë që e doja të bukurën dhe doja t’i arrija ato që dëshiroja, pavarësisht se jo çdo gjë realizohet në jetë.

E kujtoni herën tuaj të parë në skenë? Si kanë qenë ato emocione?

Hera e parë që kam kënduar në skenë, ka qenë një dasmë, gëzim familjar. E kujtoj me mjaft nostalgji pasi, më shumë se dasmorët, më e gëzuara isha unë që performova aty.

Nëse nuk do të ishit këngëtare, ku e shikoni veten?

Nëse nuk do isha bërë këngëtare, s’besoj se do ta shihja veten në tjetër profesion.

Jeni shumë e vlerësuar nga publiku. Po ekonomikisht, ndiheni të shpaguar si duhet nga puna juaj?

Asnjëherë nuk mendoj se merr atë që jep, por fitoj mjaftueshëm, gjithsesi.

Ka miqësi në art? Keni hasur xhelozi mes këngëtareve, në karrierën tuaj?

Miqësi ka si kudo në fushat e jetës, por nëse nuk ka xhelozi në art, askush nuk ecën përpara.

Cili është mendimi juaj, për brezin e ri të këngëtarëve të muzikës shqiptare?

Muzika shqiptare po ecën shumë; ka të rinj që janë tepër të vlerësuar, por edhe anasjelltas.

Ju këndoni live, a duhet të rikthehet më shumë, të kënduarit live në trend?

Po, jam shumë dakord që, muzika live të kthehet në trend në skenat shqiptare. Ku ka më mirë që publiku ta njohë artistin përballë tij, në gjithë aftësinë e tij! Është emocion dypalësh.

Keni ndonjë interpretim tuajin, që e keni më për zemër?

Interpretimin që kam më për zemër, është një kompozim nga Maringlen Boja i cili ka realizuar muzikën, teksti është i Suzana Fazliut, me titull "Jam gjaku yt". Arsyeja pse më pëlqen është se, kënga është tepër prekëse dhe unë kam shkrirë veten aty, për të dalë sa më e realizuar, si këngë dhe si klip!

Jeni gjithmonë e kuruar në skenë, transmetoni qetësi. Kështu jeni edhe në jetë, kaq e kuruar?

Jam tip i qetë në përgjithësi dhe mundohem edhe ta përcjell te të tjerët. Më e rëndësishmja është se, mundohem të kurohem aq sa duhet, pra me limit; nuk duhet të mendoni se, në çdo kohë, është e lehtë. Por ku ka dëshirë, atëherë edhe del më tepër në pah.

Por, a është e vërtetë që, të jesh artist në Shqipëri, do të thotë edhe të shpenzosh shumë për pamjen dhe videoklipet?

Po, është e vërtetë. Një artiste shpenzon shumë, sepse nuk mund ta përdorësh një veshje dy herë në një klip dhe kjo ka kosto. Po ashtu, grimi dhe flokët që kërkon klipi i këngës, kërkojnë pamjen e duhur. Kur të mendosh të bësh një klip të ri, duhet të marrësh parasysh edhe portofolin.

Sa ju ka mbështetur familja në pasionin për këngën?

Familja ka qenë arsyeja kryesore që kam arritur këtu ku jam; pa familjen time, nuk do isha askund!

A është e vështirë jetesa e një artisteje, e cila është gjithmonë në lëvizje dhe koncerte?

Është e vështirë, sepse unë lë dy vajzat kur iki në udhëtime dhe turne; edhe pse ato nuk janë vetëm dhe kanë gjithë dashurinë e mundshme. Ama, kjo është vështirësia më e madhe, ndërsa pjesa tjetër është kënaqësi!

Si i keni përballuar vështirësitë në jetë?

Me ndihmën e Zotit dhe të Partnerit, që më kanë ndenjur afër përherë!

Cilat janë planet në të ardhmen e afërt, në këngë?

Kam dy këngë që, për momentin, dua t’i mbaj surprizë. E ndjej se do të jenë diçka ndryshe nga të tjerat, këtë le ta shohim.

Cilat janë pasionet tuaja, jashtë këngës?

Pasioni im jashtë këngës, është gatimi. Më pëlqen të gatuaj e të surprizoj fëmijët me receta të reja.

Cila është gjëja për të cilën do të luftonit më fort?

Do të luftoja vetëm për familjen time! Atë do ta mbroja edhe me thonj e do jepja shpirtin! Tjetër gjë, s’ka rëndësi!

Jeni një femër shqiptare në karrierë artistike. Keni një mesazh për to?

Duajeni shumë veten, duajeni familjen! Respektoni atë që ju respekton dhe jepni pozitivitet, sepse çka jepet, do t’u kthehet shumëfish!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: