EDHE I VETËM NUK JE TRIM NË LUFTË

EDHE I VETËM NUK JE TRIM NË LUFTË
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

“Marshalli” u largua menjëherë sapo kuptoi se beteja ra; pastaj u mbyll në zyrë jo për të qarë, por për të dhënë mesazhe të nëndheshme...

Kështu, edhe protesta e opozitës, dështoi. Po të dështonte para se “nizamët” të zbarkonin në kryeqytet, ky nuk do të quhej “dështim’ i plotë”. “Nizamët” në këtë rast quhen varfanjakët, që kanë nevojë për një udhëtim me autobus për Tiranë, ose edhe për 5 mijë lekë të vjetra. Më lart nuk shikojnë dot. Këta thirren për të bërë punë gjigande, që është rrëzimi i qeverisë dhe kjo është ironia. Që këtu, protesta me idenë e rrëzimit të qeverisë, është e dështuar.

Thërritja e “nizamëve” është pikënisja e dështimit me vullnet.

Kryetari i protestës opozitare, Lulzim Basha, mblodhi “të përvujturit”, me qëllim që vetë të mbetej i vetëm në krye të betejës. Romani i Dold Mihajlik “Edhe i vetëm trim në luftë”, i botuar në shqip dekada më parë, ka mbetur vetëm si titull dhe është heroizuar pa ditur më shumë, por shpeshherë hyn në psikozën e politikës si motiv lufte. Që prej zgjedhjeve të vitit 2013, ku PD-ja humbi thellë, kryetari i PD-së lufton sipas titullit të romanit të vjetër. Kulmi i “vetmisë” u shënua më 26 maj, pardje, kur kryetari i PD-së u shpall “trim i vetëm” dhe humbi luftën. Në krah të tij nuk kishte as liderë dhe themelues të PD-së, as aleatë politik, as personalitete të kulturës dhe arteve.

Nga vinte “i vetmuari” në luftë?

1.

Psikoza autokratike e lidershipit

Kryetari i PD-së, në opozitë, ka lindur 30 e ca vjet pas lindjes së sistemit autoritarist komunist dhe në rënien e regjimit ishte në prag adoleshence. Megjithatë, nuk i ka shpëtuar dominimit komunist në sjellje. Edhe pse është vetëshpallur si  adoleshent antikomunist i viteve ‘90, realisht është një inatçi kundër secilit që i rrezikon pushtetin, gjë që nuk lidhet shumë me sjelljet e brezit të vet. Mania për përqendrimin e pushtetit në duar të tij e bëri që të “hajë” në grup liderët e tjerë tradicionalë të PD-së dhe të mbetet i vetëm mes disa njerëzve të selektuar me dorën e tij. Askush në PD nuk është në gjendje më që t' i dalë kundër. I vetmi lider tradicional i PD-së që Basha “i hap rrugë” akoma është Sali Berisha, njeriu që e zgjodhi me dorë dhe që ia vadit “lulet” e pushtetit. Por edhe Berishën e mban për shkak se e di që nuk tenton t'i marrë pushtet. Vetë Berisha, nuhatës i mirë i rreziqeve pushtetërore, ka deklaruar se “epoka Berisha ka mbaruar”, gjë që e ka qetësuar Lulin... Protesta e fundit e nxori komplet të vetmuar; LulzimBasha kishte në krah vetëm kryetarin e Bashkisë së Kavajës, por edhe kjo ra në sy si “vetmi” për keq, për shkak se protesta mbahej në Tiranë dhe lidershipi shoqërues ishte nga Kavaja. Derisa filloi protesta, Basha e kishte përpiluar me dëshirë vetminë. Pasi filloi me aq pak pjesëmarrës dhe të paorganizuar, atëherë vetmia iu kthye në një makth.

Tërheqja para kryeministrit “ të vetëm”

Që nga protesta e shkurt-maj 2017 dhe deri në 26 maj 2018, lideri i PD-së, Basha, ka ndryshuar tërësisht drejtimin e sulmit. Në fillim të vitit 2017, ai e deklaroi veten publikisht "kryeministër që po vjen", kurse në protestën e 26 majit 2018 deklaroi se "nuk kërkoj pushtet". Një nga aleatët e djathtë në koalicion, zotin Shehi, e pajisi me autorizimin që të thotë disa herë në televizione se "Basha nuk do të jetë kryeministër". Ndryshimi i kursit ndaj pretendimit për postin e vetëm si kryeministër, nuk e ndryshon qasjen e Bashës si “i vetmuar” në skenën politike të opozitës. Ai u detyrua të deklarohet “jo kryeministër” që nga marrëveshja e 18 majit 2017 me kryeministrin Rama, e cila sot e kësaj dite mbetet e pazbuluar. Në atë marrëveshje janë ndarë pushtetet, por Basha ka pranuar, me inferioritet, postin e numrit 2. Tradhtia ndaj PD-së, e cila kërkon të jetë “Njësh” e ka bërë liderin që të izolohet brenda kupolës së partisë së vet, duke tentuar që ta kthejë në një parti të mbyllur dhe deri familjare. Për liderin e PD-së nuk ka rëndësi aspirata e demokratëve për të zënë pozicionin "1", atij tani i vlen edhe pozicioni 2, 3 dhe 4. Mjafton që të dominojë një parti me emër të mirë në post-komunizëm. Protesta e 26 majit e gjeti në këto dilema ekzistencialiste dhe prandaj ra.

3.

Filozofia "as i majtë, as i djathtë" e çoi në amulli

Amullia është “sëmundja” më e papranueshme për liderin. Ajo sjell mungesë gjallërie, iniciative, përparimi, frikë dhe ngecje në vend. Kur bën tipologjinë e njeriut "të amullt", duket se koncepti është ndërtuar pikërisht sipas profilit të zotit Basha. Formësimi i tij mbi tre kolona: Besnikëri ndaj Berishës që e krijoji, lidhje patologjike me pushtetin dhe paaftësia për “të bluar dhe gatuar” situatën, e kanë shtyrë liderin e PD-së drejt vetmisë. Njerëzit që ka zgjedhur rreth vetes i ka të panjohur në publik, pa përkatësi politike, thuajse laikë,  shërbëtorë të vegjël dhe me vese, gjë që i krijon një vetmi të cilën ai nuk e kupton. Ai mendon se është i rrethuar nga disa  “liderë”, por që në fakt janë ajër, nuk ekzistojnë. Protesta e 26 majit e vërtetoi se PD-ja nuk ka lidership. Secili prej tyre i thotë: "Zoti kryetar, jemi shumë mirë, si sot kurrë nuk ka qenë opozita kaq e fortë". Një njeri në vetmi i beson, sepse ka dëshirë t'i besojë...

4.

Vetmia sipas romanit të Kadaresë

Kur shkrimtari ynë shkroi "Dimrin e Vetmisë së Madhe", ai tronditi gjithë botën heroike komuniste. I shkruar bukur padyshim, por me një thelb aventuresk izolacioni, që mund të quhej idiotësia më e madhe e historisë sonë. Por ajo ishte koha, ajo ishte diktatura dhe vetë epidemia. Tani kur lideri i PD-së është izoluar dhe tërhequr në vetmi, kjo e zhyt në humbje të madhe. Zoti Basha ka futur në amulli marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë dhe administratën e zotit Trump, ka mbajtur qëndrime kundër konservatorëve amerikanë dhe britanikë, është tërhequr kryesisht nga lidhja dhe simpatia ndaj George Sorosit, nuk ka mundur të dalë nga rrethi ku ishte futur që në periudhën e studimeve, madje edhe e forcoi guaskën sorosiane në PD duke përqendruar më shumë se gjysmën e deputetëve dhe liderëve nga shoqatat e Sorosit. Tani PD-ja dhe vetë Basha nuk kanë ngjyrim, thjesht janë izoluar ndërkombëtarisht...

Afera më e fundit e financimeve ruse për fushatën elektorale, e ka vënë në fokusin e atyre që kur të shikojnë në korridoret e kancelarisë perëndimore, bëjnë sikur nuk të shikojnë. Në Perëndim nuk e duan liberalët majtistë (sepse nuk u përket), po as konservatorët, sepse nuk ka asnjë vepër konservatore. Izolimi nga perëndimorët e ka frustruar deri në vetmi...

Lideri i opozitës e provoi se kishte qenë përrallë, subjekti i romanit "edhe i vetëm je trim në luftë".

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: