DY MINISTRA NDAJNË BOTËN - OPINION NGA FRROK ÇUPI

DY MINISTRA NDAJNË BOTËN - OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Të dy u takuan sot, në selinë e Kuvendit. Të dy bënin rrugë të kundërta: njëri vinte, tjetri shkonte. Dy ministrat e Brendshëm të qeverisë së majtë të Shqipërisë, njëri Tahir e tjetri Xhafë, u shkëmbyen në dhoma të ndryshme të Kuvendit. Kuvendi i Shqipërisë (që në mënyrë të rrejshme e kanë quajtur “panteon i Demokracisë”), u duk si hangarët e një hani të pistë, ku njëri ministër shkarkonte kuajt me barrë droge, ndërsa tjetri sillte kuaj nga larg, sa nga Amerika aq edhe nga ku ta dish. Ministri i Brendshëm që u kap në tregtinë shtetërore të drogës dhe të armëve, sot u detyrua të dorëzojë “duajt” , pas një lufte shumë të madhe të të gjithë shtetit dhe diplomacisë së huaj, për ta mbajtur të pa dorëzuar. Tahiri dha mandatin, ndërsa Xhafaj u duk se sot e mori mandatin në vend të tij.

“Hauri” ku u shkëmbyen “kuajt” në Kuvendin e Shqipërisë, ka një rëndësi shumë të madhe. Nuk është si të ishte vocërraku Saimir si dikur, aq i pafuqishëm për të bërë për vete një vajzë, saqë vajzës i dëshmoi dashuri duke u hedhur nga dritaret e apartamentit të tij për “vetëvrasje”. Asgjë tjetër nuk posedonte për të dashurën. Jo, akti i “kuajve” sot, ishte shumë i rëndësishëm: Sot ka nisur të ndahen botët për ne...

Po pse ndodhi pikërisht sot?

Sot ishte pika kulmore e fuqisë së ministrit të kapur në krim ndërkombëtar; njëkohësisht - dita e pikës më të ulët të qeverisë së ministrit të kapur... Po të kishte dorëzuar “duajt” që ditën kur u kap, ministri do të kishte shkuar si “hero”. Jetojmë kohë banditësh shtetërorë, kur ministri më i ndyrë ose krimineli gjakatar, mund të bëhen heronj. Ishte data 19 tetor 2017, kur ministri u akuzua zyrtarisht si i përfshirë në krimin e trafikut të narkotikëve drejt shteteve europiane. Sot më 3 maj 2018, ai mbylli ciklin e “fuqisë” së tij. Edhe qeveria e tij, qysh sot, ka rënë në zero kuajfuqi. Sepse që sot mund të thërritet nën arrest ministri tjetër, ose kryeministri, ose një lider “opozitar” dhe askush nuk e ndez dritën e dhomës së gjumit ku hyjnë zërat se, dikush nga të mëdhenjtë po arrestohet natën... Shqipëria është kthyer në vendin ku ndodh krimi më i madh i lidershipit ndaj popullit; pas Koresë së Veriut që u dorëzua;  tani, ky këtu është vendi në krye të listës.

Ky ishte “hauri” i sotëm, ku u ndanë “kuajt” mes atyre që shkarkuan barrët dhe atyre që vijnë...

Pse u trondit Tahiri?

Kishin thënë se ministri i kapur në trafik shtetëror droge, do të trondiste botën me “fakte” kundër kryeministrit. Në fakt, këto dolën o imagjinata të medias, o fjalë të nxitura nga kupola. Ministri i kapur u trondit nga ardhja e ministrit tjetër, jo nga kabineti bashkë me të cilin kreu aktin. Në deklaratën para gazetarëve, ai nuk u përmbajt në sulme kundër ministrit pasues, Xhafaj. Tahiri nuk donte që Xhafaj të tregojë sa banda, sa klane dhe klika mafieje, ka vendi. Kush di të lexojë shenja letrash dhe mafiozësh, e kupton se Tahiri përfaqëson hingëllimën e kuajve të kryeministrit, jo thjesht të tijën. Këtu ndahet epoka, deri sot dhe pjesa pas sot, e qeverisë; këtu ku u shkëmbyen dy ministrat.

Pse vjen Xhafaj?

Fatmir Xhafaj vjen në postin e ministrit të Brendshëm për të hapur “kutinë”. Shteti shqiptar ka shumë vjet që kryen krime kundër njerëzimit dhe kundër individit, por këto vitet e fundit “krimi” u bë regjim. Shoqëria u kap në rrathë: Rrethi i funksionarëve të lidhur me trashëgimi nga diktatura; rrethi i funksionarëve të nivelit të dytë - që mirëmbajnë sfungjerin mes vulgut dhe kupolës; rrethi i oligarkëve - i cili nuk funksionoi si në oligarkinë klasike, që edhe korrekton qeverisjen e keqe, por është vetëm për të kërcënuar votuesit; rrethi i nëpunësve minorë - komisionerë partiakë zgjedhjesh të cilët jetojnë si parazitë, por që nuk mund të kenë jetë tjetër. Shoqëria është kapur nga krimi. Hapja e këtyre zinxhirëve nuk bëhet menjëherë dhe as vetëm me forcat e brendshme - që në fakt janë joekzistente pas tradhtisë së opozitës. Ardhja e Fatmir Xhafajt, pa dëshirën e kryeministrit, në qeveri, ka ndodhur pikërisht në këtë moment. Tahiri i kapur që nuk u dallua për pikë inteligjencie, e zbuloi edhe gjatë ndërrimit në “haur”.

Kush e solli Fatmir Xhafajn?

Ministri Xhafaj që, në fakt, nuk ishte ministër real deri më sot, këto kohë ka vizituar zyra të larta të Perëndimit: Francë, Gjermani, Amerikë...

Para pak ditësh, ministri Xhafaj ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në institucionet “thelb” të shtetit. Kur u kthye, nuk solli asnjë foto me të cilët kishte pasur takime. Të dy para tij, na sollën fotografi, sepse i kishin duart bosh, çfarë tjetër të sillnin?! Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka projektuar aksione kundër qeverive që shkelin popujt, kundër tendencave për krijimin e moçaleve të politikës anarkiste, ku mbyten njerëzit jo qeveritë; kundër narkotikëve, abortit, qeverive që rrezikojnë sigurinë, kundër shtetarëve që vjedhin pronat dhe pasurinë e kombeve... Shqipëria, në gjithë manualet e fundit të State Department, është cilësuar si shtet me rrezikshmëri të lartë. Edhe rrezikshmëria më e lartë e Koresë së Veriut, ra... Prova se me levat e një ministri të Brendshëm, mund të nisë zhvendosja e regjimit të krimit, duket se ka nisur me Xhafajn.

Pse u zgjodh Xhafaj?

Ka naivë që thonë se, si mund të ndodhë që Perëndimi të zgjedhë një komunist për të bërë ndryshimin... Fatmir Xhafaj është një personalitet i komplikuar: Ish-dashnor i etur i diktatorit Hoxha; prokuror i periudhës së diktaturës; vëlla i një vëllai që e kanë shpallur “trafikant droge”; deputet i vjetër i Kuvendit; përfaqësues i brezit - kockë të PS-së (ish-komuniste) dhe jo pjesë e perversëve të prurë; politikan që nuk ka prova se ka vjedhur pronën publike; njeri me veshë, por pa gojë; i dëgjueshëm për secilin që i del në rrugë a në zyrë; i vetëdijshëm se nuk është qendra e botës...

Ky është zgjedhur për të ndërruar “kuajt” mes dy botëve. Të dy botëve jo vetëm këtu, por edhe të dy modeleve të qeverisjes: Asaj që ka vetëm fjalë dhe krim; dhe asaj që çfarë premton e arrin... Këtu po ndahet bota politike.

A është mjerim politik?

Zgjedhja e Xhafajt për të ndryshuar “orën” e Big-Bangut, padyshim që dëshmon mjerim politik. Pas 30 vjet demokraci, pse vallë do të zgjidhej një komunist? Po, sepse për arsye të qeverisë komuniste dhe opozitës jo antikomuniste, sjellja komuniste është rikthyer... Pse u kërkua “shpëtimi” po brenda radhëve të qeverisë, që e bëri “baltë”? Sepse mjerimi i opozitës dhe akademizmit është në pikën më tragjike. Opozita nuk përfaqëson as konservatorët, as të ndershmit, as komunistët dhe as demokratët... Po këto janë pjesët përbërëse të shoqërisë... Atëherë, çfarë? Ky është mjerimi.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: