“DRITARJA MBI OBORR”, OSKARI SHQIPTAR I PASTRIMIT TË PARAVE – KOMENT NGA SONILA MEÇO

“DRITARJA MBI OBORR”, OSKARI SHQIPTAR I PASTRIMIT TË PARAVE – KOMENT NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

“Dritarja mbi oborr” është një film thriller i Alfred Hitchcock, i vitit 1954, fitues i 4 çmimeve Oskar. Një fotograf profesionist gazete, që ka thyer këmbën në një aksident, kalon kohën duke vëzhguar e përgjuar komshinjtë nga dritarja, e cila bie në një oborr më lulishte dhe apartamente. Për shkak të vapës së madhe, thuajse të gjithë mbajnë dritaret hapur, duke i dhënë mundësinë Jeff fotografit, të vëzhgojë deri thellë në përditshmërinë e fqinjëve. Nëse nuk do të qe i vëmendshëm, i përfshirë nga angazhimet e përditshme, as nuk do t’i bënin përshtypje shumë rrethana e ngjarje në atë oborr, që e bëjnë të besojë se ka ndodhur një krim, ndaj vendos të hetojë vetë. Duke lidhur pikat e shumë ndodhive që, në pamje të parë, ngjajnë sikur nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Por mjafton koha e tij e bollshme prej rikuperimit, vëzhgimi i hollë prej fotografi profesionist, durimi për t’u shkuar gjërave deri në fund dhe angazhimi moral për të zbuluar një krim, që ngjarja të zbardhet e krimineli të kapet.

Më erdhi në kujtesë kjo kryevepër e Hitchcockut, teksa përpiqesha të lidhja nyjet e disa ngjarjeve që pasojnë njëra-tjetrën në “oborrin” e zhurmshëm të Shqipërisë, aty ku media dhe propaganda nuk ia bëjnë të lehtë as syve profesionistë diktimin e një skeme të mundshme krimi. Të gjitha gjasat të çojnë aty, por një dritare e munguar mbi oborr, ose e neglizhuar prej zhurmave të diversionit prej propagandës, e bëjnë të pamundur vëzhgimin e hollë. Por nëse do ndiqnim logjikën e Hitchcockut, le ta çelim atë dritare, të shuajmë zhurmat e tepërta dhe diversionet me ngjarje periferike larg interesit publik, të mprehim shqisat e të thërrasim në vëmendje çdo zhvillim që lë gjurmë në një skemë të pastër krimi. Në oborrin shushatur nga çuditë, që zgjasin veç tri ditë. Ja të çelim dritaren mbi qytet.

Pak ditë më parë, në një prezantim skenik të kuruar, me fjalime të tejmbushura me ajër për të shitur po aq kështjellat në të, u prezantua një pjesë tjetër e bulevardit të ri, punë e bashkisë së Tiranës, por që u përshëndet me shumë entuziazëm nga kryeministri i vendit. Pasi u bë kryelajm fakti se kryetari aktual i bashkisë së kryeqytetit do të rikonfirmohej si kandidat i shumicës edhe për katër vitet e ardhshme, kryeministri i vendit do të shtonte se, çështja e shumëdiskutuar e ndërtimit të kullave në Tiranë, qe një debat idiot. Sipas tij, në vijim të projekteve për kryeqytetin, “kemi edhe kullat e parashikuara me planin francez. Bëhet fjalë për zhvillime të domosdoshme në të gjitha aspektet, ekonomik, social, mjedisor dhe gjithçka thuhet lidhur me to, për t’i kundërshtuar është thjesht e vetëm një absurditet i plotë.” Të orientuar prej propagandës e medias që të përtypnim vetëm lajmin se Veliaj rikonfirmohet si kandidat për bashkinë e Tiranës, për të tretur një nga intrigat më joshëse të kohëve të fundit për një sherrnajë mes kryeministrit e kryebashkiakut, mungesa e vëmendjes për çuditë në “oborrin” tonë, mund të na linte jashtë vëmendjes këto deklarata të kryeministrit, që po shoqërohen me akte konkrete në terren. Le të rrëmbejmë dylbitë e çdo mjet tjetër vëzhgues si Jeffi, fotografi profesionist i Hitchcockut, të mprehim shqisat e kujtesën dhe të lidhim aktet e vëzhgimet konkrete për të kuptuar se nuk është “absurditet i plotë”, ai që po ndodh në oborr dhe se debati për kullat nuk mund të jetë “idiot”. Përkundrazi, do të ishim idiotët më të mëdhenj po ta neglizhonim.

Pak ditë më parë, nëpërmjet Raportit për Kontrollin e Narkotikëve për vitin 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit e ka futur zyrtarisht Shqipërinë, në listën e vendeve kryesore të pastrimit të parave në botë. Dhe kjo ndodh për të dytin vit radhazi. Ç’do të thotë vend kryesor i pastrimit të parave? Raporti cilëson të tillë, ato vende ku institucionet financiare janë të përfshira në transferta të mëdha parash, që burojnë nga të ardhurat prej trafikut ndërkombëtar të drogës. Në Shqipëri, qarkullon shumë para kesh dhe ekonomia ka një informalitet të lartë. Dhe si realizohet fshehja e të ardhurave të paligjshme? Sipas Raportit, nëpërmjet aktiviteteve të shit-blerjes së pronave të paluajtshme, në veçanti në bregun e detit, ndërtimit dhe lojërave të fatit. Sipas të njëjtit Raport, Shqipëria është bazë e krimit të organizuar, një nga pikat më të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku prodhohen dhe eksportohen sasi të mëdha marjuane, vend tranzit për heroinën dhe kokainën afgane, një vend ku pastrohen lehtë paratë e ku korrupsioni është i shfrenuar. Pra, le të themi se çdo dyshim a debat mbi kulla e nisma të ngjashme të nisura nga kjo qeveri, nuk qenka kaq idiot ose absurd, siç u mëtua nga “oborri” i zhurmshëm i propagandës, që nuk të lë të marrësh vesh qartë nga “dritarja”. Por le të vijomë vëzhgimin…

Atëherë kur reforma në drejtësi, do të mund të shërbente për të ndikuar fort në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, pas nisjes së vettingut dhe krijimit të një sërë institucionesh të reja, Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron se nuk ka më kompetencë ligjore, mbi shumë raste nën hetim për trafikim të drogës. Për këtë arsye, ajo ia ka dorëzuar këto hetime prokurorive të rretheve. Kodi i Procedurës Penale u ndryshua pa miratimin e opozitës, duke sanksionuar se krimet që nuk përbëjnë korrupsion ose që nuk janë kryer nga grupe të strukturuara kriminale, do të jenë kompetencë e prokurorive të rretheve. Për korrupsionin dhe krimet nga grupe kriminale, do të vepronte SPAK, prokuroria speciale dhe BKH, Byroja Kombëtare e Hetimit. Këto institucione ende nuk janë krijuar, ndërsa kompetencën për të hetuar narkotrafikun e kanë prokuroritë e rretheve pa burime njerëzore e mjete të domosdoshme për të përballuar këtë situatë. Pra në “oborrin” tonë, drejtësia është jo vetëm e pamundur të veprojë, por e sfidueshme nga krimi e narkotrafiku, duke ua bërë më të lehtë veprimtarinë, e cila prodhon shumë të ardhura, që në një mënyrë a tjetër po tentojnë hyrjen në ekonomi, përmes aktiviteteve tipike të pastrimit të parave, ndërtim, lojëra fati, shit-blerje pronash siç mëton Raporti Vjetor i DASH-it.

Por le të vijojmë të këqyrim me kujdes detajet, përtej zhurmnajës së propagandës, që tenton të cilësojë “idiot” e “absurd” debatin për kullat, të cilat ndërtohen edhe me projekte PPP (Partneritet Publik Privat). Banka Botërore, disa herë, ka përsëritur rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga partneritetet publike private dhe ka kritikuar kryeministrin për mungesë transparence në këto vendimmarrje. Një nga mënyrat e futjes së parasë së zezë në ekonomi, është nëpërmjet këtyre projekteve. Mungesa e transparencës në financimet e tyre dhe një mungesë vullneti nga qeveria për të marrë parasysh rekomandimet, krijojnë premisat e një dyshimi të fortë se, e gjithë veprimatria e cituar nga Raporti i DASH-it, po gjen saraçineskën e rrjedhjes pa kokëçarje nëpërmjet PPP-ve.

Si për të ndihmuar krijimin e një ideje të qartë mbi krimin në “oborrin e nahijes sonë”, mjafton të shohim me sy të lirë, por edhe me shifra, lulëzimin e një prej aktiviteteve më të favorshme për pastrimin e parave, ndërtimin. Në Tiranë po ndërtojnë kompani që, sipas deklaratave në QKB, kanë vite që nuk merren me ndërtim, kanë të ardhura të ulta ose prej vitesh deklarojnë të ardhura zero. Pra, pa likuditete të mjaftueshme, pa përvojën e domosdoshme, me rekorde humbjesh disavjeçare dhe gjejnë financime për të ndërtuar me çmime më të larta se ato normale të zonës ku investojnë. Ndërkohë që kredia bankare për këtë sektor, është në rënie, duke pasqyruar një vendim të sektorit për t’i qëndruar larg kësaj flluske. Ngjan ende “idiot”, apo “absurd” debati mbi ndërtimet e kullave? Dhe mbi të gjitha, a mund të cilësohen rastësore ndodhitë në “oborrin” tonë, me valën e shfrenuar të dhënies së lejeve të ndërtimit apo ndërtimeve edhe nga kompani fantazmë?

Për të shtuar këtu edhe operacione të çuditshme shitje-blerje pronash në bregdet, por edhe mu në mes të kryeqytetit, ku vlera marramendëse qarkullojnë nëpër duar kompanish offshore, kinezësh të paidentifikueshëm, apo investitorësh që deri vonë nuk u ka interesuar biznesi i pasurive të paluajtshme, hotelerisë apo turizmit.

Ku mund të ndërhyjnë paratë e pista në ekonomi, përpos ndërtimit e shitblerjes së pronave? Edhe te lojërat e fatit që sipas statistikave rezultojnë biznesi me më shumë fitime, në një vend ku pagat e pensionet janë rritur më pak se përqindja e inflacionit dhe ku më shumë se 60% e të punësuarve marrin pagë më të ulët se 40 mijë lekë në muaj (sipas INSTAT). Teoritë e modelet ekonomike të ftojnë të hedhësh sytë edhe tek kursi i këmbimit dhe sjellja e tij, për të kuptuar se si ndikon prania e parasë së pashpjegueshme në ekonomi. Pas paradoksit të çmimeve të apartamenteve që pësojnë rritje, edhe pse kërkesa për to bie, ndërsa oferta shtohet dita-ditës, një tjetër çudi po ndodh me monedhën e përbashkët europiane. Euro sot kushton 8.5% më lirë, se sa dy vjet e gjysmë më parë. Kjo rënie në rekorde historike, reflekton një prani të shtuar të monedhës së përbashkët në treg edhe në periudha jo tipike (periudha pushimesh, festash, ardhjesh masive të emigrantëve). Për disa njohës të mirë të tregut, prania e shtuar e euros është krijuar edhe nga prodhimi dhe eksporti i marjuanës. Prodhimi masiv dhe stoqet e shumta bëjnë që, sot e kësaj dite, oferta e euros të mbetet e lartë, duke dëshmuar kësisoj ekspozimin e Shqipërisë ndaj aktiviteteve kriminale dhe parasë së pistë, gjeneruar prej tyre. Nga ana tjetër, dhënia e shumë lejeve të ndërtimit, projektet e kullave, programi 1 miliard, po bëhen arsye për futjen e një sasie shumë të madhe euroje në treg. Meqë bankat po i qëndrojnë larg këtij sektori, duke mos ofruar kredi e financime, prezenca e parasë së pistë në ekonomi mbetet shpjegimi kryesor edhe për rënien e fortë të euros, por edhe për paradokset e sektorit të ndërtimit në Shqipëri. Vetë Banka Botërore, së bashku me FMN, shprehën shqetësim për transparencën e fondeve në ndërtim e projekteve PPP; DASH-i sapo na kujtoi se, Shqipëria është në listën e vendeve kryesore të pastrimit të parave. Sa “idiot” dhe “absurd” vijon të ngjajë debati për kullat? Dhe sa i besueshëm është një kryeministër, që këmbëngul të mos heqë dorë nga shtimi i tyre? Në mes të vërshimit të parasë së pistë, pa digën e drejtësisë për ta ndalur, shqiptarët janë të ekspozuar, sot më shumë se kurrë, ndaj një flluske të madhe financiare, pasojat e çarjes së të cilës ende mund t’i kenë të freskëta nga piramidat e viteve ’90.

Ja pra, pak vullnet e vëzhgim i hollë, për të parë nga “dritarja” një seri ngjarjesh në “oborrin” tonë, e bëjnë kaq të dukshme prezencën e parasë së krimit në ekonominë shqiptare. Hitchcocku nuk do ta kishte fare të vështirë të lidhte nyjet e ngjarjeve, për të ndërtuar një thriller të mirë në këtë oborr, ama Oskarët kësaj here do t’i shkonin skenaristëve të propagandës, që me gjithë krimin e bujshëm nën hundën tonë, arrijnë të rrëmbejnë vëmendjen mediatike me një segment të mbaruar bulevardi, ose intrigën e sherrnajës kryeministër-kryebashkiak. Sepse kaq gjë e kanë mësuar nga maestro i madh: suksesi i një thrilleri, është ta nisësh me një tërmet e të shtosh stresin me kalimin e kohës. Sepse e vetmja mënyrë që autori t’i shpëtojë frikës së vet, është të ndërtojë sa më shumë filma për të… ai që do të vuajë, është publiku.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: