DREJTËSIA DHE GRUPET E INTERESIT TË POLITIKËS – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI

DREJTËSIA DHE GRUPET E INTERESIT TË POLITIKËS – ANALIZË NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Arresti shtëpiak i ish-ministrit Tahiri dhe fushata e sulmit nga ana e PD-së, ndaj ministrit aktual të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, janë në fokusin mediatik të ditëve të fundit. Kjo është e lidhur me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, pika që mbeten kushtet e përhershme për statusin e vendit në BE, për hapjen e negociatave; fatkeqësisht, po kthehen në një luftë politike për përfitime të brendshme dhe jo si çështje të drejtësisë. Politika dhe drejtësia ka kohë që kanë ndërruar rolet. Megjithatë, nëse vërejmë notat e institucioneve të huaja dhe të ambasadave, lidhur me arrestimet e kohëve të fundit, vërehet se, në to, nuk përshëndetet politika dhe këto arrestime nuk trajtohen si sukses të saj. Në shprehjet e tyre, "inkurajohet puna e institucioneve të drejtësisë", për të hetuar krimin e korrupsionin në vend dhe arrestimin e njerëzve me rekorde kriminale. Pra, janë institucionet ato që duhet të bëjnë punën dhe kjo nuk bëhet mbi bazën e vullnetit të njërit ose tjetrit politikan të veshur me pushtet. Në fund të fundit, vetë reforma në drejtësi këtë qëllim ka së pari, të shpëtojë institucionet ligjzbatuese nga kontrolli i politikës dhe pavarësimin e plotë të tyre.

Mbajtja e debatit në nivel politik, tregon se, politika jonë, jo vetëm që nuk është mësuar të mos jetë në qendër të vëmendjes, por nuk do të mësojë tashmë, edhe faktin se duhet të bëjë një hap pas, ndërsa hetimi është ekskluzivitet i të tjera organeve. Nëse ju kujtohet, kur para gjashtë muajsh, diskutohej mandati i Tahirit në Parlament, aq shumë u avancuan orientimet nga politika, saqë, Prokuroria e Krimeve të Rënda u detyrua të bëjë një reagim ndaj deklaratave të Kryeministrit për çështjen Tahiri, në grupin parlamentar të PS-së. Megjithatë, edhe kjo u perceptua si anësi dhe rreshtim nga vetë Prokuroria.

Në gjithë këtë rrokopujë lajmesh, që bombardojnë median me akuza të ndërsjella nga politikanë e deputetë, si dhe kujtesa për krime të shkuara e përherë të pazbardhura, duket se çështja Tahiri, më së shumti, do të fokusohet për tu trajtuar politikisht, sesa si çështje që duhet të jetë ekskluzivisht në kompetencën e drejtësisë. Në gjithë këto ditë, pavarësisht debateve, sesa e bindshme ose jo ishte dosja e prokurorisë së Krimeve të Rënda, në provat ndaj Tahirit për masën e arrestit, duhet thënë se, për këdo po bëhej e qartë që, ishte politika ajo që kishte hyrë pa të drejtë, në terrenin e drejtësisë. Ishte e dukshme që, argumentet të cilat janë përdorur nga deputetë të ndryshëm, pavarësisht se referohen në ligje e në bindje, më së shumti, ishin politike, pasi dhe për atë punë janë zgjedhur në Parlament, për të bërë politikë dhe për të mbrojtur interesat partiake. Në këtë aspekt, pavarësisht natyrës së institucionit, për vetë kushtet e veçanta të reformimit, por dhe hetimeve delikate ku përfshihen figura të larta politike, duhet që, organet e drejtësisë e veçanërisht prokuroritë, të kenë komunikim më të vazhdueshëm me publikun mbi ecurinë e punës. Pavarësisht se, komentet mund t’i pëlqejnë një pale dhe të acarojnë tjetrën, duhet folur thjesht me gjuhën e ligjit. Do të ishte më me vlerë për prokurorinë, të jepte imazh më të mirë paanësie dhe të mbante profilin ligjor, duke theksuar se, ata janë organi kompetent për vlerësimin e provave dhe jo politika, - por jo duke u futur në terrenin e politikës. Për më tepër, kur janë artikuluar edhe akuza se, vetë prokuroria po përdoret politikisht nga pushteti. Ky është pozicionim brenda tagrit që të lejon ligji dhe pa i hedhur më shumë benzinë zjarrit, që vetë politika kërkon ta mbajë të ndezur. Dhe kështu, duket se gjithkush do të bëhet pis me dashje, - politika, drejtësia, institucionet shtetërore. Vetëm krimi mbetet qibar, në pisllëkun e tij.

Në tregun mediatik, po hidhet një lumë akuzash, të cilat po bëjnë pis gjithkënd. Është në të mirë të imazhit, por dhe si tregues që, reforma po funksionon, se organi i akuzës dhe i gjyqësorit të jetë më aktiv, jo vetëm në hetim dhe gjykim të çështjeve, por dhe në transparencën ndaj qytetarit. Nëse rritet besimi te qytetari, vetë ndikimi i politikës mbi institucionet e tredhura në këto 27 vjet, do të nisë të tretet e të humbasë.

Gjithsesi, loja duket se do të vijojë gjatë. Brenda sferës politike, grupet e interesit që po ndeshen kaq ashpër për të shpëtuar veten nga pasojat e reformës dhe për t’ia veshur fajet kundërshtarëve, duket se do të nxjerrin të tjera të papritura. Një pjesë mund të jenë shashka, disa diversione, por në sipërfaqe mund të dalin edhe mëkate. Të gjitha janë të pritshme dhe, në fund të fundit, gjithçka shkon në interes të pastrimit të vendit nga lidhjet e politikës me krimin. Por, së paku, drejtësia të jetë në pritshmëritë që duhet, pasi nëse do të vijojë të përdoret, mund të pastrohet gjysma e shtëpisë, por gjysma tjetër do të vijojë të mbajë erë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: