Dita Botërore e Punëtorëve, intelektualët: 1 Maji ditë apeli, më shumë se festë

Dita Botërore e Punëtorëve, intelektualët: 1 Maji ditë apeli, më shumë se festë
FORUM/ Sot në mbarë botën përkujtohet 127-vjetori i asaj që njihet nga të gjithë si Dita e Punëtorëve. Po në Shqipëri çfarë ndodh në këtë ditë? A duhet të jetë ajo një ditë festë siç ndodh zakonisht, apo të jetë vërtet dita kur apelohet për problemet reale që kanë sot punonjësit si të tillë? Flasin për “Albanian Free Press”, prof. Kastriot Bezati; dr. Sulejman Muça; Astrit Kosturi, (kryetar i LDSH, Lëvizjes për Drejtësi të Shqiptarëve); Fiqiri Xibri, kryetar i Shoqatës së Minatorëve; prof. Bashkim Nikolla, avokat dhe Mirela Biba, avokate

Dita e solidaritetit ndërkombëtar të punëtorëve dhe e kërkimit të të drejtave të tyre me çdo kusht. Ky është simboli i 1 Majit, ditës që kujtohet zyrtarisht sot, duke nisur që nga viti 1891, në përkujtim të të gjitha përpjekjeve të punëtorëve të botës, për të afirmuar të drejtat e tyre dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës. Konkretisht, kremtimi i saj lidhet ngushtë me protestën e punëtorëve të Çikagos në vitin 1886, e cila përfundoi me gjak. Por historia e ditës së punëtorëve fillon edhe më herët se ai vit. “8 orë punë, 8 orë dëfrim dhe 8 orë gjumë”, ishte parulla e hedhur për herë të parë në Australi më 1855-ën e pastaj e përqafuar nga krejt lëvizja sindikaliste botërore. U hap kështu rruga për protesta të përgjithshme dhe u kërkua një ditë, pikërisht 1 Maji, në të cilën të gjithë punëtorët të ushtronin presion për të drejtat e tyre dhe jo të festonin, siç ndodh aktualisht në Shqipëri. Gjë e cila u caktua në mënyrë përfundimtare në gusht të vitit 1891, kur Kongresi i Internacionales, i mbledhur në Bruksel, mori vendimin që dita e 1 Majit do të kremtohej përgjithmonë e në të gjitha vendet si “festa e punëtorëve, në të cilën ata vetë do të manifestonin së bashku për kërkesat dhe do të tregonin solidaritetin ndaj njëri-tjetrit”. Po në Shqipëri, cili është realisht opinioni që ekziston rreth kësaj dite? A konsiderohet vërtet si një ditë e tillë, apo më tepër si një ditë feste? Japin mendimin e tyre rreth kësaj çështje, të pyetur posaçërisht nga “Albanian Free Press”, intelektualë dhe përfaqësues të shoqërisë civile...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

KASTRIOT BEZATI Profesor, historian:

Punëtorët kanë po aq të drejta, sa edhe detyrime

“Kjo ditë është një ditë thirrje, proteste për respektimin e të drejtave të punëtorëve. Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1866. Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet, më 1 maj 1867. Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite e date të rëndësishme, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën sociale-ekonomike të punëtorëve. Sindikata botërore e caktoi 1 Majin, ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre. Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës. Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendimin që: “Dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si “festa e punëtorëve“, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me kushtetutë e ligje, liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet e tjera sipas nevojës”. Por edhe pas kaq vitesh, e them me bindje se ende nuk respektohen si duhet këto të drejta, ndaj dhe punëtorët në Europë këtë ditë nuk e quajnë si festë, por si thirrje për të qenë vigjilentë për të drejtat e tyre, për të ndërgjegjësuar politikën dhe drejtësinë, se punëtorët kanë po aq të drejta sa kanë dhe detyrime”.

 

SULEJMAN MUÇA, Doktor shkencash:

Populli ynë, jo i orientuar drejt protestave në 1 Maj. Gabim i madh

“Për mua kjo ditë është një ditë apeli, më shumë sesa një ditë feste. Pra, quhet festë, por normalisht është kujtesë dhe vigjilencë për të mos u nëpërkëmbur të drejtat. Dita e Punës, ose e Punëtorëve, është një festë që festohet më 1 Maj të çdo viti, e cila synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve. Dita e Punëtorëve është e njohur në shumë vende të botës, por jo në të gjitha. Më saktësisht, ajo i referohet kujtimit të protestave të punëtorëve që synonin një të drejtë të madhe dhe që konsistonte ne orarin e punës, në 8 orë. Këto protesta çuan në nxjerrjen e një ligji që u miratua në 1866 në Illinois (SHBA). Origjina e kësaj feste daton nga manifestimi i organizuar në Shtetet e Bashkuara nga Kalorësit e Punës (Knights of Labor), një shoqatë e themeluar në 1869) në Nju Jork, 5 shtator 1882. Dy vjet më vonë, më 1884, një manifestim i ngjashëm i Kavalierëve të Punës miratoi një rezolutë që ngjarja të kishte bazë vjetore. Gjithashtu, organizatorët sindikalistë, afër lëvizjeve socialiste dhe anarkiste, sugjeruan si datë feste: 1 Majin. Ndërkohë, incidente të rënda ndodhën në ditët e para të majit 1886 në Çikago (SHBA) dhe që njihet si kryengritja e Haymarket. Këto ngjarje arritën kulmin e tyre më 4 maj, kur policia qëlloi mbi demonstruesit duke shkaktuar shumë viktima. Data e 1 Majit është miratuar në Kanada në 1894-ën, edhe pse koncepti i festës së punëtorëve u referohej këtu marshimeve të mëparshme të punëtorëve të mbajtur në Toronto dhe Otava në 1872-in. Punëtorët e çdo fushe të jetës në këtë ditë duhet të thërrasin më shumë se kurrë për të drejtat e tyre. Disa herë harrohet se punëtorët kanë të drejta, mendohet se kanë vetëm detyra. Sindikatat shqiptare, por edhe vetë populli ynë nuk është i orientuar drejt protestave në këtë ditë. Gabim i madh. Duhet kuptuar qëllimi i festës”.

 

BASHKIM NIKOLLA, Avokat, profesor:

Jemi shumë larg protestave të sindikatave evropiane

“1 Maji ka shërbyer në shumë vende të botës edhe si ditë proteste për shumë qytetarë, të cilët me anë të saj kanë kërkuar hapjen e vendeve të reja të punës. Duket se edhe qytetarët shqiptarë po shkojnë drejt orientimit perëndimor përsa si përket 1 Majit, ditë kjo e cila në mbarë botën është ditë protestash për të drejtat e qytetarëve dhe jo ditë festash, siç ishte në Shqipëri në kohën e Enver Hoxhës. Por ende jemi shumë larg atyre organizimeve të sindikatave në Europë. Sindikatat tona janë inaktive, indiferente, të paorganizuara. Në kohët moderne, paradat dhe demonstratat gjatë festës së 1 Majit nisën në Amerikën e Veriut. Pse pikërisht këtu? Revolucioni industrial solli makineri të reja që punonin pareshtur dhe si pasojë, pronarët e fabrikave kërkonin që punëtorët të punonin të paktën 16 orë në ditë, përveç të dielave. Për të përmirësuar jetën e tyre, një federatë punëtorësh e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, kërkoi që dita e punës të bëhej 8-orëshe, duke filluar nga 1 Maji i vitit 1886. Pjesa më e madhe e punëdhënësve nuk ranë dakord, dhe si pasojë më 1 Maj, mijëra punëtorë hynë në grevë. Njerëzit e parë që humbën jetën sepse përkrahën lëvizjen punëtore në Shtetet e Bashkuara, vdiqën në kryengritjen e Haymarket të Çikagos, Ilinois. Punëtorët në Angli, Francë, Holandë, Itali, Rusi dhe Spanjë u bashkuan me ta. Në vitin 1889, në Paris u mbajt një kongres i partive socialiste të të gjithë botës, dhe e shpalli 1 Majin e vitit 1890 ditën ndërkombëtare të demonstratave në mbështetje të kërkesës për t’i pasur ditët e punës 8-orëshe. Që nga ky vit, në ditën e 1 Majit punëtorët ngriheshin për të kërkuar të drejtat për kushte më të mira pune. Në republikat e Bashkimit Sovjetik, festimi tradicional i 1 Majit bëhej me parada ushtarake dhe tregoheshin arritjet në fushën e teknologjisë. Sot, shumë vende e kanë 1 Majin ditë pushimi dhe quhet Dita e Punëtorëve.  Kurse, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja e festojnë Ditën e Punëtorëve, të hënën e parë të shtatorit. Kjo ditë thirrje bëhet si solidarizim i të gjithë punonjësve kudo në botë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre, për të mos i lënë ato në harresë”.

 

MIRELA BIBA, Avokate:

Në Shqipëri, ende s’është kuptuar thelbi i kësaj dite

“Në Shqipëri, vite më parë, Dita e Punëtorëve ishte ditë feste dhe festohej nëpërmjet ceremonive të ndryshme festive në gjithë vendin, nga jugu në veri. Gjatë viteve të fundit, qytetarët shqiptarë këtë ditë preferojnë ta kalojnë në heshtje, edhe pse tek-tuk shikohet një organizim i sindikatave për ta përcjellë si ditë apel-protestash. Pra, ende nuk është kuptuar thelbi i kësaj dite. Në fakt, sipas historisë, 1 Maji duhet të shërbejë si ditë proteste, ç’ka nënkupton se edhe qytetarët shqiptarë po shkojnë drejt orientimit perëndimor, përsa i përket 1 Majit, ditë kjo e cila në mbarë botën është ditë protestash për të drejtat e qytetarëve dhe jo ditë festash, siç ishte në Shqipëri në kohën e Enver Hoxhës. Festa e 1 Majit, apo Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve lindi nga lufta botërore e punëtorëve për të afirmuar të drejtat e tyre e për të përmirësuar kushtet e jetesës. Pavarësisht se kremtimi i saj lidhet ngushtë me protestën e punëtorëve të Çikagos, përfunduar me gjak, historia e festës së punëtorëve fillon më herët se sa viti 1886. “8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”, kjo ishte parulla e hedhur për herë të parë në Australi më 1855-n e pastaj e përqafuar nga krejt lëvizja sindikaliste botërore. U hap kështu rruga për protesta të përgjithshme dhe u kërkua një ditë, pikërisht 1 maji, në të cilën të gjithë punëtorët të ushtronin presion për të drejtat e tyre. Vetëm në gusht të vitit 1891, Kongresi tjetër i Internacionales, i mbledhur në Bruksel, mori vendimin që dita e 1 Majit do të kremtohej përgjithmonë e në të gjitha vendet si “festa e punëtorëve, në të cilën ata vetë do të manifestonin së bashku për kërkesat dhe do të tregonin solidaritetin ndaj njëri-tjetrit”. Sot, pothuajse pas 123 vjetësh, 1 Maji festohet në mbarë botën si Dita e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve”.

 

ASTRIT KOSTURI Kreu i LDSH:

Sindikatat të cilat duhet të mbrojnë punëtorët, të përçara

“Ne si parti politike, në këtë datë kemi bërë disa vite rresht që organizojmë protesta për drejtësi dhe barazi sociale, për dinjitet dhe vlera njerëzore. Por për mendimin tim, në këtë ditë sheshet e Shqipërisë kanë nevojë të zgjohen, tamam si në kohët e Platonit: “Rrugëve dhe rrugicave të qyteteve, për daljen nga mpirja, çoroditja dhe përgjumja, për emancipimin e shoqërisë dhe për ta bërë koshiente atë, se pa reagim popullor, asnjëherë nuk do të ketë shtet e qeveritarë administratorë, por padronë e sundimtarë, ndërrim pushtetesh fals!”. 1 Maji, në Shqipëri ndryshe nga bota, më shumë është festuar se sa protestuar. Dhe sindikatat që duhej të merreshin me protestat, janë të përçara njësoj si partitë politike. Duke mos arritur kështu të bëjnë një protestë të denjë”.

 

FIQIRI XIBRI, Kreu i Shoqatës së Minatorëve:

Jemi  lodhur nga protestat boshe, në Evropë sindikata trondit shtetin

“Shqiptarët janë të lodhur nga protestat boshe, ata duan punë, ata duan siguri, ata duan drejtësi. Kemi bërë shumë protesta, por nuk kemi gjetur përkrahjen e duhur. Në Shqipëri vazhdimisht është abuzuar hapur me lirinë dhe të drejtat e punëtorëve në marrëdhëniet e punës dhe karrierë. Reformat gjysmake dhe të korruptuara në disa sfera të jetës e kanë kthyer këtë sistem në një formë biznesi, duke humbur thelbin human të ditës së 1 Majit. Ne si shoqatë kemi protestuar disa herë në këtë ditë , para ministrisë së Punës, dhe e kemi përmbyllur protestën para Kryeministrisë, por problemet tona ende nuk janë zgjidhur. Pa një reformë të thellë në drejtësi, edhe të drejtat tona do jenë të nëpërkëmbura. Në për 1 Maj, duhet një organizim që zëri protestues i sindikatave të ndihet fuqishëm. Ende pesha e sindikatave nuk ka forcë në shoqërinë shqiptare, ndryshe nga Europa ku sindikata trondit shtetin”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: