Devis Xherahu: Si u bë realitet “profecia” e babait tim

Devis Xherahu: Si u bë realitet “profecia” e babait tim
INTERVISTA/Flet në një rrëfim posaçërisht për Albanian Free Press, këngëtari i njohur Devis Xherahu. Artisti rrëfehet pas publikimit të këngës së tij më të re, “Ëmbël ti më pe”, mbi pikënisjen e karrierës, jetën në familjen e tij intelektuale korçare, pasionin për muzikën dhe aktrimin, këmbënguljen për të ecur përpara, krenarinë për veten dhe punën e tij, përkrahjen dhe dashamirësinë që gjeti në Greqinë fqinjë, suksesin e rigjetur në publikun shqiptar

Kur takon Devis Xherahun, as që e kupton se ai ka mbi tre dekada që këndon. Dialekti i tij ndihet menjëherë, por mbi të gjitha, të qenët korçar e shfaq me aq krenari, sa që e kupton më së miri nga vjen gjithë ajo adrenalinë që Devisi ka në këngë e jetë. Aspak rastësor në nisje të karrierës, Devisi është një muzikant profesionist, i studiuar, i lexuar, i kultivuar. Pra, nga këtu rrjedh edhe fakti se, me shumë qartësi, ai ndoqi suksesin, duke ngjitur shkallë që, deri më sot, pak këngëtarë shqiptarë e kanë arritur jashtë kufijve. Këngët e dashurisë që ka sjellë në skenën shqiptare, kanë bërë të lotojnë çupat e djemtë, ndërkohë që ai vetë jeton një dashuri të konsoliduar tashmë prej vitesh, me një nga vajzat më të bukura shqiptare. Por, si i shikon ai vetë këto vite në karrierë?

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Devis, ka pak ditë që ka dalë kënga jote më e re, “Ëmbël ti më pe”, një tjetër bashkëpunim i suksesshëm me Gent Myftarajn. Një këngë verore apo presim ndonjë këngë tjetër?

Kompozitori Gent Myftaraj dhe poeti Jorgo Papingji, janë dy mbështetjet e mia kryesore. Nuk do mjaftohem asnjëherë t’i falënderoj jashtëzakonisht shumë, sepse, qysh në momentin e parë, ata më hodhën krahun.

Atëherë, je me fat sepse janë nga më të mirët...

Nuk e di si e shikoni ju, por unë e shikoj që janë nga ato pak të mira që na kanë mbetur në Shqipëri. Ndaj, unë kur shikoj gjëra të mira, nuk lëviz më prej atje, hedh spirancën.

Po kënga të vjen ty sipas formës apo ti këngës?

Kënga “qepet” për mua, është si një rrobaqepës që qep sipas përmasave të mia, që jam klient i përhershëm. Pra, kënga bëhet për Devis Xherahun, tipologjisë së zërit dhe shijeve të mia.

Ti vë dorë në këngë gjatë procesit?

Ndërhyj në redaktimin e fundit, sepse shikoj se çfarë zanore ose bashkëtingëllore më shkon mua në studio, në mikrofon. Ajo është pjesa ime, ndaj dua ose s’dua, do të vë dorë në të. Ushqimi është i bërë, unë vë garniturën, bëj përshtatjen e fundit. Kënga “Ëmbël ti më pe” lindi nga Gent Myftaraj, autori i muzikës, i rrodhi thjesht fjala “Ëmbël ti më pe”. Autor teksti, këtë herë, nuk është poeti Jorgo Papingji, por dy djem të rinj që i vlerësoj shumë, Marly dhe Santi. Janë dy repera të talentuar, me të cilët kam bashkëpunuar, i kam angazhuar në këngët e mia, sepse janë dy djem të talentuar e mua më pëlqen të promovoj talentin. Këtë pranverë u zhveshëm shpejt me mëngë të shkurtra, moti u ngroh më herët, ndaj nga momenti që ndërruam veshje, kënga dhe ritmi erdhi natyrshëm drejt verës, ngrohtësisë dhe ëmbëlsisë. Por, nëse vjen ndonjë material tjetër që ne na pëlqen, nuk përjashtohet mundësia e një kënge tjetër.

Videoklipi është xhiruar në Korçë, qytetin tënd të lindjes. Nuk të ndahet shpirti nga Korça?

Është realizuar i tëri në Korçë, nuk më ndahet shpirti prej saj, sepse jam korçar i vjetër dhe ne të vjetrit kemi hedhur atë spirancën, që kur kemi lindur. Po të dëgjosh dialektin tim, ai nuk ndryshon e nuk ka për të ndryshuar ndonjëherë. Jo për gjë tjetër, por shkolla e parë shqipe në Korçë është hapur, ndaj e shikoj si naivitet të ndryshoj dialekt. Përpos kësaj, vij nga familje arsimtarësh, mamaja ka qenë mësuese filloreje, ndaj ma ka rrënjosur shumë dialektin dhe gjuhën e pastër.

Sa fëmijë jeni në familje?

Kam edhe një vëlla, i cili sot jeton në Stokholm; kemi një ndryshim 7-vjeçar në mes, por jemi më shumë se vëllezër, jemi miq të ngushtë.

Ti je një këngëtar që vjen nga një kalim stafete brezash...

Jam me shumë fat, sepse kam trashëguar dy tradita familjare. Gjyshi im, Vaskë Xherahu, është një nga themeluesit e korit “Lira”, të famshmit kor të Korçës, emblema e qytetit tonë. Unë u rrita me një mori zërash e, që në moshën 4-5 vjeçare, gjyshi më merrte në provat e korit, në Pallatin e Kulturës. Ulur në këmbën e tij, dëgjoja ata burra që këndonin këngët e mrekullueshme qytetare korçare dhe këngë patriotike. Ndaj, rrënjët e mia janë mjaft të forta, që edhe po të dua, nuk dal dot nga shinat. Përveç kësaj, tradita korçare është e tillë që, në qytetin tim, nëse troket në tri dyer, dy do të të përgjigjen me kitarë ha ha ha.

Ti ke kaluar nëpër një fëmijëri me art?

Sigurisht, u angazhova shumë me shtëpinë e pionierit. Kujtoj që kam kënduar në një operetë “Gjithmonë bashkë”. Isha në klasë të gjashtë, kisha rolin e Benit, rolin kryesor. Shkollimi im nisi menjëherë për muzikë, në shkollën “Tefta Tashko Koço” dhe më pas, kujtoj festivalin e parë të serenatës korçare. Kam qenë 17-18-vjeçar, aty kam marrë çmimin e parë. Nga aty një tjetër korçare e famshme, regjisorja Vera Grabocka, më bën ofertën të marr pjesë në Miss Albania 1994, ku këndova një këngë country. Në atë kohë, ishte gëzim i madh të merrje pjesë në një spektakël të përmasave të atilla. Gjithashtu, mora pjesë edhe në të tjera spektakle të regjisores Vera Grabocka, si “Rreth fatit për 12 javë” etj. Ndërkohë, më doli e drejta e studimit për flaut, ku edhe u diplomova.

Por, ti ndërkohë edhe këndoje në qytetin tënd dhe jo vetëm?

Isha i përkëdheluri i pjacës në Korçë. Këndoja në aktivitete të shumta, gëzime familjare, dasma, fejesa, ditëlindje etj., pra krijova edhe një pavarësi ekonomike, por edhe u bëra qysh në atë kohë, i njohur dhe i vlerësuar në qytetin tim. Për hir të pozitës gjeografike, përveç këngës korçare, ne lëvronim shumë edhe muzikën greke. Por pa shkuar deri aty, do të të tregoj një profeci. Babai im (ndjesë pastë se nuk jeton më), donte shumë që fëmija i parë të ishte djalë dhe të bëhej artist. Ai ishte fans i çmendur i Elvis Presley-t, dhe mendoi të mos ma vinte emrin Elvis, por të ngjashëm, Devis. Dhe ashtu ndodhi vërtetë. Që në barkun e nënës, babai e shprehu këtë dëshirë dhe u bë realitet. Më zgjonte nga gjumi kur unë isha 7-8 vjeç, në mes të natës - ne shikonim jugosllavin, me ato kanaçet e sajuara - e më thoshte: “Shikoje Elvisin në Las Vegas. Ky është mbreti! Këtë të synosh!” ndaj unë u mëkova me frymën e Elvisit, me frymën e Amerikës. Ne korçaret kemi emigruar shumë në Amerikë, ndaj më vinte e natyrshme të ëndërroja që një ditë të isha atje. Dëgjoja shumë muzikë greke, e doja shumë, por qëllimi im ishte përtej oqeanit.

Por atëherë, si u bë Devisi, këngëtari me emër në Greqi?

Ka qenë viti 1997, kur mora një vizë të rregullt e jo false, siç ishin në atë kohë. Ekonomikisht isha shumë mirë, sepse punoja nëpër aktivitete të ndryshme; ndaj, e kujtoj si tani, mora në xhep 400 mijë dhrahmi, që ishin shumë për atë kohë dhe thashë të shkoja e të rrija një muaj, sa të më mbaroheshin paratë. Do qëndroja te një shoku im, që jetonte atje, por ndërkohë doja të shikoja nga afër gjithë këngëtarët e mëdhenj grekë, të cilat i kisha parë vetëm në televizor. Është mjaft e çuditshme historia ime. As që e kisha mendjen të rrija në Greqi, qëllimi im ishte Hollivudi. Isha me mendjen tek Elvis Presley e Tom Johns, te fjalët e babait tim. Shikoja filma me kaubojs, aktorët e mëdhenj dhe isha me ëndrra te kënga dhe aktrimi në Hollivud. Qysh i vogël e imitoja Elvis Presleyn në detaje, merrja bojën e këpucëve dhe lyeja fytyrën, duke sajuar disa favorite si ai. Kitarën që i vogël e luaja shumë mirë, pra isha i çmendur pas tij. Teksa rrija në shtëpinë e shokut në Greqi, shikoj në televizor një emision të thjeshtë talentesh. Unë kuptoja greqisht, deri diku, por nuk e flisja. Kisha lënë takim me dikë atë ditë, personi ma shtyn takimin se po binte shi, ndaj po shikoja televizor. Një aktore mjsft e njohur greke, drejtonte këtë talentshow, një juri jepte pikët. Konkurrentët mu dukën më ulët nga niveli im, t’ju them të vërtetën. Ndaj ashtu siç jam gatuar, ndoqa instinktin. Mora telefonin e shtëpisë në dorë, telefonova. Personi që mu përgjigj, sapo i thashë që isha shqiptar, u mek nga zëri, humbi entuziazmin. Për të më përcjellë, më tha se, maestro që duhet të më dëgjonte, nuk ishte atë pasdite. “S’kam nevojë për maestro, jam maestro vetë” - ju përgjigja me guximin dhe vetësigurinë e moshës dhe karakterit tim. Marr taksinë në Omonia dhe isha në atë moment, një shqiptar turist në Greqi, që as e kishte idenë se çfarë ndodhte atje në ato vite. Me karta, pa karta, me letra, pa letra, me një mijë halle e telashe, shqiptarët luftonin për mbijetesë. Unë as që ia kisha idenë këtyre problemeve. Isha në botën time, me Elvisin në kokë. Në orën tre, shkova në audiencë dhe zotëria me të cilin fola në telefon, më tha se maestro nuk ishte aty. Por ngula këmbë e nuk ngurova aspak. U ula në piano dhe fillova me “let it be”. Të gjithë shtangën. “Ego ime”, “këtu jemi”, u shprehën ata të stafit. “Prisni se nuk kam mbaruar akoma” - u thashë me shumë adrenalinë. Zura të këndoj një këngë të njohur të Giannis Parios, “Pio kali i monaxia”. I shikoj që vunë duart në kokë nga habia. Ishte e hënë, të enjten shkoj në provën gjenerale, të shtunën isha live, në një kanal televiziv që shikohej në Athinë.

Por si ia bëtë me gjuhën greke, që nuk e njihnit?

Atë ditë, vjen ky shoku im nga puna, filloi me historitë e përditshme të emigrantëve, i dola nga ajo rrugicë, nuk më zuri policia, vajta aty, punova kaq orë, mora kaq dhrahmi, u ktheva nga ajo rrugë, shpëtova... Ai gjithë siklet. Unë i them çfarë më kishte ndodhur atë ditë. Nuk ua shpjegoj dot habinë e tij, si tek Pallati 176 ishte skena: “Çupa jonë me djalin tuaj? Ne s’kemi çupë” - ja, fiks ajo skenë. Nuk e konceptonte dot, ai ishte në tjetër hemisferë. I kërkoj të vinte me mua të më përkthente dhe ashtu u bë. Shkojmë në live, mua më lanë të fundit, ndaj pata rastin të dëgjoja të tjerët përpara meje. Hyra të këndoj me energji të dyfishtë, besim te vetja dhe pozitivitet. Katër veta ishin në juri, mes tyre edhe një aktor shumë i njohur. Maksimumi i pikëve kishte qenë tetë. Unë vetëm dhjeta. Pra, fundi u kuptua qartë. “Devisi është mbreti i mbrëmjes, çfarë do të na thotë?” - mu drejtuan pasi mora çmimin e parë atë mbrëmje. Të gjithë të tjerët përpara meje, kur i pyesnin se çfarë do të bënin, po të fitonin, shpreheshin se dëshironin të këndonin me atë ose këtë këngëtar të madh. Unë e kisha menduar që të godisja lartë, pra ta ngrija stekën, që të kapja maksimumin nga ajo mbrëmje, ndaj i them shokut që përkthente, thuaj që dua të bëj një disk me një shtëpi diskografike. E pashë që juria e vlerësoi mjaft këtë ambicie.

Pra, për pak ditë në Greqi si turist dhe ti fitove?  

Vetëm, një javë dhe e kisha arritur diçka falë guximit dhe iniciativës time, si dhe vetëvlerësimit që në fakt më vinte dhe më vjen nga edukimi i gjatë muzikor dhe rrënjët e familjes time. Më erdhi një gjë tepër e madhe dhe aty për aty, nuk më mbante vendi fare! Pas këtij konkurrimi, përsëri kisha lënë një kafe që nuk u realizua. Përsëri në shtëpi dhe dëgjoj telefonin që binte pa pushim, e ngre me mëdyshje, sepse ishte shtëpia e mikut tim. “Po ju telefonoj nga shoqëria diskografike “BMG”.” Dy shtëpi të mëdha diskografike kishte bota në ato vite, Sony Universal dhe BMG. Shtanga, por mbajta veten, mbajta qetësinë, sepse i kisha mbushur mendjen vetes që isha dikush, isha drejt Amerikës.  Bëhej fjalë për turneun e një këngëtari shumë të njohur në Greqi, Stamatis Gonidis, i cili fillonte sezonin e beharit. Ishte muaji mars, ndaj po mblidhte stafin. Dëshironte të më dëgjonte live, sepse performancat ishin vetëm live. Në atë kohë, miss-i shqiptar, Valbona Çoba, kishte marrë pjesë në videoklipin e tij, ndaj ishte edhe kjo koincidencë e freskët. Mora taksinë dhe fluturova. Kur arrita, dallova qindra metra larg tabelën e kuqe të “BMG”. I rashë ziles dhe më pret një zonjushë e fisshme, shikoj disqet dhe afishet e këngëtarëve rreth meje, shkëlqimin e atij vendi. Por i thashë vetes “keep the faith” dhe ec me kokën lart. Por kjo mbajtja e besimit tek vetja lart, më ndihmoi që të mos bija nga ana psikologjike, duke u ndjerë i fortë dhe pa asnjë ndjenjë inferioriteti, do të performoja fuqishëm. Ulem në piano dhe këndoj pjesë nga Elvis dhe Eros Ramazzotti, se në atë kohë Eros ishte shumë në modë. Në orën tre, kaluam në provat e orkestrës që shoqëronte këngëtarin.

Mendove në ndonjë moment me vete se, jeta jote po merrte një drejtim tjetër?

I thashë vetes se kishte ardhur çadti im, duhet të tregoja veten, shkollimin timisha 26 vjeçar, i konsoliduar e me këmbë në tokë. Të them të vërtetën, gjërat më kanë ardhur gjithmonë në kohën e duhur dhe nuk kam bërë gabime për të cilat të bëhesha pishman të nesërmen. Vërtetë kisha kënduar live, por nuk kisha ndonjë përvojë të madhe me performanca me orkestra prej 13 vetash, të gjithë profesionistë, me kushte optimale teknike e në salla të mëdha. Kur u hap dera e sallës, si derë banke, më dolën para syve partiturat, orkestrantët, fonia gjigante. Nuk kisha parë dhe dëgjuar ndonjëherë cilësi të tillë! Këngëtari më shprehu konsideratën e tij, pasi më kishte parë në televizor dhe më ftoi të merrja mikrofonin e të tregoja se ç’dija të bëja. Ktheva kokën të shikoja orkestrantët, të gjithë të qeshur, me fytyra pozitive, artistët nuk kanë atë druajtje ose edhe mosbesim që kanë të tjerët, por më mirëpritën menjëherë. Kjo më ngrohu dhe këndova një potpuri, përsëri nga Elvis. Mora miratimin e të gjithëve, sepse unë këndoja edhe në anglisht me theksin e duhur. I thashë vetes se isha i ri dhe se Amerika priste edhe ca. E kështu, hyra në jetën e natës greke e ku kalova 11 vjet!

Ju, që në nisje, kënduat në standarde të larta?

Po dhe kjo ishte me rëndësi të madhe, sepse kam kënduar në buzukë dhe performanca me këngëtarët më të mëdhenj të Greqisë. Bëhet fjalë për salla sa Pallati i Kongreseve.

Si erdhi etapa e dytë e karrierës tuaj, në cilin vit?

Në vitin 2006, isha në një tjetër nivel, gjuhën greke e kisha tashmë të përvetësuar e po ashtu edhe performancën. Isha përshtatur plotësisht me jetën në Greqi. Mësoj në atë vit se, po organizohej një talentshow i madh dhe prestigjioz, “Fame Story”, miksim midis talentshow dhe big brother. Pra, artistët ishin të mbyllur në një shtëpi të madhe dhe aty perfeksiononin artin e tyre, përmes disa pedagogëve, artistë të mëdhenj grekë. Mes 14 mijë vetave, u përzgjodhën 14 veta. Unë kalova në 9 audicione, jetoja në Selanik në atë kohë. Imagjinoni gëzimin tim kur u përzgjodha. Emisioni zgjati 4 muaj, unë ndenja brenda tre muaj. Dola dhe u riktheva, sepse më deshte publiku përsëri në konkurrim. Me këngën “Sorry seems to be the hardest word”, të Elton John, fitova çmimin e kritikës si kënga më e realizuar e spektaklit. Kur dola që aty, pashë se isha shndërruar në një person publik, më merrnin autografe, gazetat shkruanin për mua çdo javë. Ndryshoi krejt jeta ime. Tashmë Devis ngrihej në standard, në pagesë dhe aktivitet. Ndaj, kur mësova se menaxheri im kishte takim me Lefteris Pantazis, i thashë se do shkoja me të. Sigurisht që menaxheri nuk pranoi në fillim, sepse këngëtarë të kalibrit të Lefteris Fantazis, duan takime kokë më kokë. Por ngula këmbë aq shumë, sa më mori me vete në takim. Sa shkuam në takim dhe menaxheri nisi prezantimin, Lefteris e ndalon dhe më thotë se më kishte ndjekur, i kisha kujtuar veten e tij kur 10-vjeçar. Kishte ardhur nga Rusia dhe kështu nisi një bisedë e ngrohtë me të. Që atëherë isha këngëtar i dytë në stafin prej 14 vetash të tij, ishte fat shumë i madh! Në 2007, erdhi viti i turneut në Amerikë.

Pra, po bëhej realitet ëndrra jote amerikane?

Po, por unë isha në një tjetër fazë të jetës, kishin kaluar shumë vite, nuk isha më 26 vjeç. Qyteti i parë çuditërisht, ishte Las Vegas. Atë pamje që pashë në orën 2 të natës, teksa ulej avioni, me dritat dhe rrugët, nuk do ts harroj kurrë! Mu mblodh një lëmsh në grykë. Ne qëndronim në Ceasars Palace, ku këndonte Celine Dion. Nuk ngurova t’u kërkoja disa miqve tanë grekë, të më bënin të mundur të hyja në International Hotel në Las Vegas, aty ku më 1970 kishte kënduar Elvis Presley. Sapo hyj, në fraksion sekondi, më doli përpara babai. U ula këmbëkryq e kam qarë shumë. Derisa u ngopa. Një lloj çlirimi që më bëri të gjeja veten, ku kisha qenë dhe ku isha. Kur kthehem dhe ia tregoj babait këtë mrekulli, imagjinoni emocionin. Menjëherë, nisem për në festival në Tiranë, babai u nda nga jeta papritur. E kam një peng, sepse shpesh mendoj se mos ndoshta u trondit nga gëzimi. Por ndërkohë, ndjej edhe lumturi që ai ka ikur nga kjo botë i lumtur prej meje, një lloj kompensimi emocional, të cilin e mendoj shpesh.

Por erdhi kënga “Tope tope, o papagalos” që u bë hit...

Kjo ishte një këngë që Lefteris Pantazis e kishte kënduar vite më parë, madje edhe në Shqipëri më 2002, gjatë një ftese nga kryeministri Fatos Nano. Kur dikush po e këndonte në një koncert, shikoj turmën që jehonte sikur të kishte bërë gol “Skënderbeu”. E xhiroj me celular dhe ia nis Lefteris reagimin e publikut shqiptar. Ia propozoj këtë kartë të fortë, që unë të rikthehesha bujshëm në tregun shqiptar dhe ai pranoi menjëherë. Më pas, rrodhën me dhjetëra festivale dhe këngë për publikun shqiptar. Njohja me këngëtarin e njohur Vaskë Curri, me të cilin bashkëpunoj shpesh, nëpër turnetë e shumtë edhe në vende të largëta, si SHBA ose Kanada.

Si Devis Xherahu, ke arritur të kesh një individualitet plotësisht tëndin në tregun muzikor shqiptar? E ndjen ndryshimin e tregut shqiptar nga ai grek?

Ka një ndryshim të madh në kulturën e jetës së natës në Greqi, me këtu. Nga masiviteti, cilësia, por edhe nga fakti se ata janë tepër autoktonë, ruajtës të rreptë të kulturës së tyre. Ne jemi shumë të ngacmuar e të ndikuar nga rryma të ndryshme. Duhet të kthehemi në identitet, sa i takon muzikës tonë të bukur autoktone. Këtë ia them edhe vetes, pavarësisht se edukimi im familjar dhe rrënjët e vjetra, nuk më lënë të dal nga tradita. Ne duhet të ruajmë bazat tona, modet tona! Diçka është bërë në këtë drejtim, por jo aq sa duhet.

Ka ardhur ndonjë moment që t’i thua vetes, mjaft me jetën e natës?

Ne artistët jemi një farë e çuditshme, nëse e ndjen veten dhe e di që je lindur për këtë punë, nuk të lumturon asgjë tjetër në botë më shumë, se dalja në skenë dhe publiku. Unë ka 15 vjet që fle vetëm 4 ose 5 orë në natë, jam shumë aktiv.

Jeton me mamanë pranë, je shumë i lidhur me të?

Sigurisht shumë, por në natyrë jam rebel. Kujtoj që, kur më ka folur rëndë im atë në klasë të shtatë, kam ikur 4 ditë nga shtëpia. Nuk jam natyrë që bëj kompromise të lehta kur shikoj padrejtësi. Jam me cepa. Nëna është mbretëresha, por unë jam në botën time.

Kush e fillon që fëmijë me sukses, rrallë e vazhdon me suksese; ti ke një karrierë lineare, si ia ke dalë?

Sepse gjithmonë shtie pak ujë në verë, nuk e lë atë brusko. Kam studiuar për muzikë, kam kompetencë, por edhe këmbëngulje, e marr me seriozitet, por me këmbë në tokë. Deri më sot, ia kam arritur, nesër e ka në dorë Perëndia!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: