DËSHMITARI I VËRTETË QË MUND TË NA RRËZOJË ME GJITHË QEVERI - OPINION NGA SONILA MEÇO

DËSHMITARI I VËRTETË QË MUND TË NA RRËZOJË ME GJITHË QEVERI - OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ai që do të mashtrojë, e gjen gjithmonë dikë që do të mashtrohet…

Nuk është më e ndërlikuar se kaq, përpjekja e një udhëheqësi a pushtetari kur përballet me publikun e llogaridhënien. Pasi e teston mirë publikun, pasi ia njeh një tundim të jashtëzakonshëm për t’u mashtruar, e përdor sa herë i duhet. Madje, me sukses.

Opinioni publik sapo është përballur me dëshminë e një gazetari, ku nëpërmjet një audiopërgjimi të vëllait të ministrit të Brendshëm - i akuzuar e dënuar në Itali për trafik të lëndëve narkotike - krijohet ideja se, edhe përgjatë pushtetit të të vëllait, ka gëzuar privilegje që i kanë mundësuar vijimin e aktivitetit kriminal dhe lehtësi për t’u përballur me drejtësinë, jo si të gjithë qytetarët e tjerë.

Të gjitha këto ndodhin tamam përballë syve të publikut. Pra, një audiopërgjim i marrë përsipër nga dëshmitarë, një sjellje diferencuese e Prokurorisë ndaj të denoncuarit, një dalje në cilësinë e prokurorit dhe gjykatësit nga ana e kryeministrit për të mbrojtur të denoncuarin, duke shpallur të rremë përgjimin, menjëherë pas vendimit të gjykatës për të lënë në arrest shtëpie nën akuzë, një tjetër ish-ministër të Brendshëm.

Mënjanë konspiracionet, sepse më thjeshtë se kaq nuk mund të jetë, për publikun të kuptojë situatën për mënyrën si ajo shfaqet e çfarë nënkupton për sistemin e ngritur të shtetit e pushtetit. Këtu janë zhvendosur rolet aq paturpësisht, sa nuk ia vlen më të ndash pjesën politike, nga ajo ligjore dhe morale. Këtu, politikisht është forca e dytë politike në vend, përballë të parës, në një situatë të tipit “fjala ime përballë tëndes”; ligjërisht, një prokurori që ka vepruar në mënyrë përzgjedhëse, duke favorizuar njërën palë - atë pranë pushtetit; një polici përzgjedhëse që nuk ndaloi lëvizjen e një personi të dyshuar, pranë pushtetit; moralisht, një ministër e kryeministër rrethuar nga dyshimet për përkrahje të krimit të organizuar, me veprime dhe mosveprime. Pra, le t’i lëmë pa i zgjidhur këto dimensione, sepse lehtësisht ndërhyn çdo teori konspirative, e cila i jep domethënie të ndryshme atyre që janë thjesht fakte dhe jo opinione.

Por le të rikthehemi te ky tundimi i fortë yni si publik, për t’u mashtruar. Sepse do të qe tejet e vështirë, për çdo instancë që do të duhej të vinte drejtësi, nëse opinioni publik nuk nxehej e ftohej sipas preferencave, militantizmit, pasionit politik, të merrte vendime arbitrare a të gjente kleçka për të shpëtuar koka të zhytura deri thellë në krim. Sot, mëtohen të tjera audiopërgjime. Një ish-ministër është nën hetim dhe ende një tymnajë pasigurie vërtitet mbi kë ka në dorë të tjera prova, që do të dëshmonin lidhjet e këtij pushteti me krimin e organizuar, kapjen prej tij dhe tolerimin e mbështetjen e trafikut të kanabisit. Po pse duhet të përfshihemi në këtë dalldi kolektive, me një dëshirë perverse për t’u mashtruar, kur prej kohësh faktet i kemi në dorë e ku situata aktuale nuk mban më ujë të ndenjur propagande? Çfarë dimë me siguri është se, reforma në drejtësi ka nisur e vështirë, e paqartë, me institucione ende të pakonsoliduara, se ende pushteti frikëson e gjunjëzon prokurori dhe gjykata, duke e marrë përsipër vetë këtë rol. Deklaratat publike për këtë, gjenden me një lundrim të thjeshtë në internet. Si e tillë, drejtësia sot është gjithnjë e pabesueshme në përpjekjen serioze për të zbardhur të vërtetën e përfshirjes së krimit të organizuar në pushtet, dje dhe sot. Kjo situatë nuk është thjesht çështje krimi, rendi, sigurie dhe shteti të kapur, por edhe ekonomike. Nëse konceptet e para ngjajnë abstrakte dhe ende subjektive në gjykim, nuk ka si të jetë e tillë ekonomia, ajo që prekim çdo ditë vetë, që e jetojmë me monedhën e fundit e cila verdhon xhepit të vogël të kuletës, si për të të kujtuar se drejtësia mund të mos zbardhë dot më të vërteta, ama, me ekonominë besuar kanabisit e krimit të organizuar nuk ka më asnjë gjasë të fshihet krimi i bërë. Dëshmitari i parë në gjyqin e kapjes së shtetit nga krimi, nuk është as ai X, e as ai Y, por ekonomia e rrënuar, që po shteron çdo ditë e më shumë mundësitë për të jetuar mirë dhe ndershëm. Për këtë, le ta thërrasim dëshmitarin më të fortë të flasë, se si ky pushtet e shtet është kapur me vetëdije e s’ka nga t’ia mbajë tashmë, prej mënyrës si i është nënshtruar krimit të organizuar:

Pas kthimit pak ditë më parë nga samiti i Sofjes, kryeministri shqiptar foli me zell për opozitën, që po përpiqet të dështojë projektin europian të shqiptarëve. Por, nëse ka një dështim faktik, të dukshëm e të prekshëm, ai është niveli i thithjes së investimeve nga BE-ja prej Shqipërisë. Këtë nuk na e thotë pas kthimit nga Sofja kryeministri, por ja që dëshmitari ka argumente më të forta. “Site Selection”, një revistë e njohur ndërkombëtare, që mbulon aktivitetin e korporatave dhe zhvillimin ekonomik, në edicionin e vetë të dhjetë bën renditjen e vendeve të Europës Qendrore e Lindore, ku ka më shumë interes për investime. Maqedonia renditet e shtata mes 10 vendeve të Europës Qendrore e Lindore, për treguesin e vlerës së investimit për frymë. Serbia, në vendin e katërt, ndërsa Shqipëria nuk gjendet në këtë renditje, duke mbetur jashtë interesit të investitorëve të huaj. Për të bërë këtë renditje, revista merr në shqyrtim numrin e projekteve, vendet hapura të punës, sipërfaqen e re të shfrytëzuar dhe kontributin që kanë sjellë ato në mirëqenien e zonës ku janë kryer, përfshirë edhe renditjet ndërkombëtare të të bërit biznes, indeksin e zhvillimit njerëzor, historikun e konkurrencës globale, në të cilat Shqipëria rezulton e fundit në rajon dhe Europë. Si për ta bërë të qartë dëshminë, Shqipëria, sipas raporteve ndërkombëtare të DASH-it, është vendi eksportues numër 1 i kanabisit në Europë, lider për pastrimin e parave. Për ta rrotulluar edhe më thikën në plagën e krijuar, rezulton se, Serbia ka thithur dhjetëfishin e investimeve të BE-së në raport me Shqipërinë, deri në vitin 2017. Duhet pritur drejtësia të bëjë drejtësi, për të kuptuar se ku është zhytur ky vend, që ekonominë ia ka besuar kanabisit? Duhet pritur patjetër ekspertiza e laboratorit fantazmë të kryeministrit, për të kërkuar ende arsye për të kuptuar se ku është varur ky vend për të mbijetuar? Por nuk do ta besojmë drejtësinë - edhe në rastin më bujar - para ekonomisë, që po të dëshmon çdo ditë hallin që ka patur kjo qeveri, për të varur modelin e saj në kremastarët e krimit dhe kultivimit të hashashit. Sepse është kanabisi, ai që gjeneron para për kriminelët, pará që investohen e shtrembërojnë ekonominë, korruptojnë zyrtarë dhe pushtetarë, sektorin privat etj. Mjafton të përllogaritet sasia e shkatërruar nga policia shqiptare, ajo e kapur nga policia italiane, që tejkalojnë 3 miliardë, për të kuptuar përmasat e kësaj ekonomie. Këto janë vetëm shifrat e dala nga shkatërrimet e sekuestrimet; mund të imagjinojmë se, çfarë i bën ekonomisë së ligjshme, ky fluks dhe si e mban larg investitorin e huaj.

Faktet e dëshmitarit të pagabueshëm, të asaj se çfarë ka prodhuar ndikimi i krimit të organizuar në kapjen e shtetit dhe ruajtjes së status quo-së së vetë, e dëshmon ky tregues i konkurrencës së pandershme, mes ekonomisë së ligjshme dhe asaj kriminale, të toleruar e mbështetur në Shqipëri. Fitimet e biznesit shënuan rënie dyshifrore në tre muajt e parë të vitit 2018, duke sinjalizuar një situatë të vështirë financiare dhe rënie të shitjeve. Të dhënat zyrtare nga ministria e Financave, tregojnë se, për periudhën janar-mars të këtij viti, të ardhurat e mbledhura nga Tatimi mbi Fitimin u ulën me 13.4 për qind - krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar - duke qenë 15 milionë dollarë më pak. Rënia e të ardhurave në buxhet me 13.4 për qind, dëshmon situatën e biznesit. Dhe në kushtet kur ka rritur çdo taksë dhe tatim, qeveria do ta ketë gjithnjë e më të vështirë realizimin e synimit të të ardhurave, nëse biznesi ndjehet gjithnjë e më në vështirësi. Ndërkohë, stoku i investimeve të huaja shqiptare jashtë vendit, arriti në 1.2 miliardë euro në fund të vitit 2017, sa 10% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sepse edhe vetë investitorët shqiptarë e nuhasin të vogël e të lodhur tregun shqiptar, me fuqi rënëse në blerje e të sfiduar nga ekonomia e paligjshme. Trendi ka nisur, ecuria do të jetë dëshmitari më i mirë i kapjes për fyti të pushtetit nga ekonomia e kanabisit. Më shumë se sa dëshmitari X e një gazetar i guximshëm, të cilët lehtësisht mund të sfidohen nga drejtësia e trembur prej pushtetit.

Një tjetër dëshmitar ka ndezur sinjalet e po rreket të flasë për atë dëm që mund t’i jetë bërë ekonomisë nga sjellja e papërgjegjshme e një pushteti të kapur. Borxhi publik. Qeveria raporton shifra më të ulëta nga ato që vlerëson FMN-ja, çka hedh dyshime për manipulim të shifrave zyrtare. Sipas FMN-së, në fund të vitit të kaluar, borxhi publik i Shqipërisë nuk ishte 69.9 për qind, por 71.2 për qind e Prodhimit Kombëtar. Dhe se, në fund të vitit, nuk do të jetë 68,7%, por 71,3%. Kjo është hera e parë që FMN-ja përplaset me një qeveri në Shqipëri, për shifrat e borxhit publik. E thënë më thjesht, planet e qeverisë për realizimin e të ardhurave nuk janë ato të deklaruarat. Treguesit po dëshmojnë në mënyrë kokëfortë se, ekonomia nuk po mban, se çdo përpjekje për të shuar a goditur dëshmitarë të përfshirjes së krimit në pushtet, do të dëshmojnë të vërtetën e hidhur të Shqipërisë së kohës së kanabisit. Po t’i shtojmë kësaj situate, edhe rritjen e fshehur të borxhit me projektin 1 miliard të qeverisë shqiptare, do duhej të pranonim se, qoftë qeveria qoftë bankat, ndodhen në një presion të frikshëm për krijimin e mundësisë së futjes së parasë së pistë me origjinë kriminale, droga më së pari në ekonomi.

Departamenti i Shtetit në raportin e fundit, e pohoi qartazi, se si sistemi i drejtësisë është i pamundur të luftojë krimin ekonomik, se Shqipëria vijon të mbetet në listën e vendeve kryesore të pastrimit të parave dhe po të logjikojmë mbi nivelin e kultivimit dhe trafikimit të drogës në Shqipëri, më shumë se për imazhin e dëmtuar në vigjilje të çeljes së negociatave, duhet të na lërë pa gjumë skema e frikshme që po përgatitet në ekonomi, për të shpëtuar saktësisht, krimin në kurriz të shqiptarëve. Se këto simptoma të ekonomisë vendase, janë hiçmosgjë përballë trysnisë së frikshme që, tashmë, krimi i organizuar veshur me pushtet, kudo në çdo kah, do të ushtrojë për të ruajtur privilegjet ekonomike të krijuara.

Dëshmitë e provat e reja që mund t’i serviren drejtësisë, për përfshirjen e njerëzve pranë pushtetit, kanë fatin e hidhur të kalojnë në një sistem tejet të brishtë e të paprovuar, të ndikuar dhe ende të pabesueshëm, të kalojnë në filtrin e një publiku që gjykon si tifoz në stadiumin ku luhet me paratë dhe sigurinë e tij. Por ekonomia është një dëshmitar që nuk lë as militantizëm, pasion politik, zemërgjerësi dhe empati, të veprojë për të dhënë drejtësi. Dhe me ç’ngjan, do të jetë kusuri ynë, kjo dëshmi që do na kushtojë shtrenjtë. Ndërsa në media dhe publikisht konsumohet farsa e një beteje ku janë bërë lëmsh luanë, dhelpra, ujqër e çarqe. Por le ta kujtojmë Makiavelin, shpjeguesin e saktë të kulisës, luani nuk mund ta ruajë veten nga çarku dhe dhelpra nuk mbrohet dot nga ujqërit. Pra, duhet të jesh një dhelpër që të njohësh kurthin e një luan që të trembësh ujqërit. Tani le të flasë dëshmitari X, Y, a kush të dojë… Veç të mos i lejojmë vetes të mashtrohemi kaq thjeshtë, nga pushteti!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: