Depozitat, qytetarët po zgjedhin për kursimet vetëm afate mbi dy vjet

Depozitat, qytetarët po zgjedhin për kursimet vetëm afate mbi dy vjet
Sa më të gjata në kohë, aq më shumë mund të përfitosh prej tyre. Këtë parim të njohur mbi depozitat bankare, duket se qytetarët shqiptarë po e vënë në zbatim gjithmonë e më shumë kohët e fundit, teksa interesat e atyre me afate maturimi disa mujore janë thuajse të barabarta me zero. Një fakt i tillë pohohet nga vetë ekspertët e bankave, sipas të cilëve, një dukuri e tillë përveçse është më e pranishme se kurrë, po ndikon edhe në qarkullimin e parasë në vend. E thënë më thjesht, “kyçja” e kursimeve pranë bankave me afat më të gjatë kohor, por bën që të ketë më pak pará në xhiro. “Individët që vendosin t’i mbajnë kursimet e tyre në sistemin bankar, preferojnë t’i zhvendosin ato, nga depozita me maturitet nën dy vjet drejt maturiteteve mbi dy vjet, të cilat ofrojnë norma interesi më të larta”, pohojnë ata lidhur me një fakt të tillë në raportin e fundit të politikës monetare. Duke shtuar se pikërisht një gjë e tillë ka ndikuar në sasinë më të pakët të parave në qarkullim. “Zgjerimi  i  pakët  i  masës  monetare  vijon  të  kushtëzohet  nga  zhvendosjet  e depozitave drejt maturiteteve mbi dy vjet”, cilësojnë saktësisht ata rreth kësaj. Nga ana tjetër, ajo që vënë re ekspertët lidhur me ecurinë e depozitave është edhe dukuria se ato që janë shtuar më shumë janë pikërisht depozitat në monedhën vendase, lek dhe më pak ato në monedhën evropiane, euro. Gjë e cila mund të përkthehet në një qarkullim më të madh të kësaj të fundit, në gjendje cash, jashtë kanaleve bankare, sesa të qenit në formë stoku, teksa kursehet në formë depozitash nga individët apo bizneset. Ndoshta për këtë ka ndikuar edhe nënçmimi i saj mjaft i ulët gjatë muajve të fundit në tregun e brendshëm valutor dhe mesa duket, qytetarët, pse jo, edhe bizneset, kanë preferuar më mirë që të kryejnë pagesa me eurot që kanë patur në dispozicion, sesa t’i mbyllin në bankë.

 

Politika e bankave, të tërheqin klientët që kursejnë pará për më shumë kohë

Bankat paraqiten më të interesuara që të tërheqin pranë tyre klientë, të cilët kursejnë pará për një afat më të gjatë kohor se të tjerët. Kjo politikë e tyre konfirmohet nga vetë Banka e Shqipërisë në raportin e saj të fundit të politikës monetare, sipas të cilës, pikërisht për një arsye të tillë ato po rrisin edhe interesat për depozitat më të gjata në kohë se të tjerat. “Interesi mesatar për maturitetin mbi një vit është rritur lehtësisht që në pjesën e dytë të vitit të kaluar, duke reflektuar politikat e bankave për të tërhequr depozituesit drejt maturiteteve të larta”, saktëson raporti në fjalë, lidhur me këtë dukuri. Më tej, Banka e Shqipërisë jep edhe shifra konkrete mbi interesat e depozitave nëpër banka. Konkretisht, sipas saj, ato për depozitat  e  reja  në  lekë  rezultuan  mesatarisht  në nivelin prej 0.98%  në  tremujorin e parë të vitit 2018, duke qenë në nivele të afërta me tremujorin e kaluar, të cilat kanë qenë deri në 0.92%.

 

Bizneset po i shtojnë depozitat, ekspertët: Po formalizohen

Bizneset shqiptare po hapin më shumë depozita se më parë pranë bankave. Kjo dukuri konfirmohet nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilëve, ajo shpjegohet me faktin e shtimit gjithmonë e më shumë të formalizimit të biznesit si i tillë. Por në të njëjtën kohë edhe të kryerjes së më shumë shërbimeve, apo pagesave, prej bizneseve, pikërisht përmes bankave. “Nivelet relativisht të larta të depozitave të bizneseve reflektojnë formalizimin e  bizneseve dhe përdorimin e produkteve bankare për shlyerjen e detyrimeve, si dhe tendencën për kapitalizimin e fitimit nga aktiviteti”, cilësojnë ata. Duke shtuar nga ana tjetër se luhatshmëria e depozitave të bizneseve në terma më afatshkurtër lidhet me mbajtjen e tyre në gjendje likuide dhe  përdorimin për pagesat e taksave, për garanci bankare apo  qëllime të tjera të ngjashme.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: