DASMA – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

Publicitet
Publicitet
DASMA – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Jo më larg se pardje, në orët e vona, ndesha transmetimin e një dokumentari ku përshkruhej jeta e Lady Dianës, përmes rrëfimit të saj. Me një mjeshtëri të jashtëzakonshme gazetarie televizive, ndërthureshin saktë dhe bukur pamjet reale filmike të atyre viteve, me në sfond rrëfimin e një Diane të sinqertë, të lirshme, të brishtë, por edhe të fortë në të njëjtën kohë; me shumë pengje, por edhe me shumë maturi të fituar nga kjo përvojë që përfundoi aq tragjikisht.

Në qetësinë e natës, zëri i saj që dridhej, të rrëqethte mendimet, sepse ngjarjet zhvilloheshin në Britaninë ishullore, por edhe sot, në format jete të përditshme, kumbojnë aq të vërteta.

Teksa ngjiste shkallët e kishës ku u martua, teksa përshëndeste me dorë qindra mijëra njerëzit që ishin aty për të, Diana shprehej se, ajo kishte qenë dita më e keqe në jetën e saj. Frazë që të habit, të shkund, të jep një shuplakë e të zbret në tokë. Sepse, ajo, Diana, ishte një vajzë e re që po kapte ëndrrën, atë nivel lumturie që çdo vajzë synon në jetë. Kjo sipas një shikimi në sipërfaqe.

Por sa Diana ka? Sa ndeshim çdo ditë? Sa fustane nusërie nuk zbardhin dot një marrëdhënie të errët realisht? Sa marrëdhënie, në sy të njerëzve e për sy të njerëzve, janë idilike, por brenda katër mureve janë dashuri ose marrëdhënie vrastare? E mbi të gjitha, pse duhet vallë të luhet ky teatër veshur me të bardha, ndërkohë që jeta është kaq e shkurtër?

Më ka ndodhur shpesh, të bisedoj me vajza që kërkojnë prej kohësh fatin e tyre, me një ngulmim deri në absurd, me një dëshpërim deri në delir, me një panik deri në vetëmohim. Shpesh, të ndikuara nga shfaqje çiftëzimesh të bujshme, dasma masive e luksoze, muaj mjalti mbretërorë, shtëpi dhe vila si në përralla, mediatikisht çifte të dashuruar, që nuk lënë rast pa qenë publikë në dedikimet e "ndjenjave", etj., etj., se këto i dini vetë.

Duke thithur këtë "dashuri të sheqerosur", orë e minutë, si një sfungjer, shumë të sinqerta, trishtohen e mendojnë se diçka u mungon në jetë.

Por, ndërkohë, drama e Dianës mbetet aty, edhe princi i kaltër që donte dikë tjetër, edhe vjehrra "mbretëreshë" që synon të lëvizë fijet e jetës tënde prej marionete, edhe palumturia, flenë aty, në pritje. Nuk ka show, luks, fasadë që mund ta kamuflojë palumturinë deri në fund.

Ja pse Diana, ende dhe sot, pas kaq vitesh, është një kambanë që trondit!

Lumturia, jashtë patetizmit, mbetet ndjenja më e vështirë dhe e lehtë në botë, për këdo! E jo, detyrimisht, vishet me të bardha!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: