Darina Gjebrea: Fatkeqësi, këtu gjithkush mund të këndojë sepse paguan!

Publicitet
Publicitet
Darina Gjebrea: Fatkeqësi, këtu gjithkush mund të këndojë sepse paguan!
Flet ekskluzivisht për Albanian Free Press, këngëtarja Darina Gjebrea: Arti është kthyer në monopol në Shqipëri, biznes fitimprurës, ku televizionet nuk pyesin më se dhe çfarë i servirin publikut. Është bërë një fushë tepër e vështirë, sepse nuk ka menaxhim arti. Këtu artistët braktisen - nëse nuk shpenzon për një klip këtu humbet - në këtë vend kanë arritur majat antivlerat.

E mbaj mend këngëtaren Darina Gjebrea, që në fillimet e mia në televizion. Ka qenë nga këngëtaret e para në tregun muzikor shqiptar, e cila këndonte live dhe ndërthurte fillimet e muzikës folk në ato vite, me muzikën popullore të tabanit. Me një pamje gjithë sensualitet, vajza e hijshme e rritur në lagjet me traditë të Tiranës, sot ka ende një karrierë në rrugëtim, teksa ka kaluar dy dekada në skenë. Ky rrëfim i saj na sjell edhe syrin kritik të këngëtares ndaj artit në Shqipëri.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju keni kënduar me pasion për shumë vite. Por si erdhët deri te kënga?

Që kisha një zë të bukur dhe që kisha talent, e zbuloi daja im, dirigjenti Fiqiri Kraja, qysh kur isha 5 vjeç.

                                                                     

Kur kujtoni fëmijërinë, çfarë ju vjen ndërmend?

Ahhh, fëmijëria! Pjesa më e bukur e jetës, me lojërat që bënim me shoqet e lagjes, kujtoj prindërit me përkushtim maksimal, e kujtoj si kohë të artë fëmijërinë time!

 

Si e kujtoni herën tuaj të parë në skenë dhe emocionet që përjetuat?

Hera e parë kur jam ngjitur në skenë, ka qenë në moshën 9-vjeçare, sepse isha soliste në Pallatin e Pionierëve. Në atë mjedis artistësh e talentesh, mora pjesë për shumë vite, duke interpretuar në festivale të shumtë fëmijësh, në Tiranë e Shkodër.

 

Nëse nuk do të ishit këngëtare, ku e shikoni veten?

E shikoj veten se mund të isha bërë kërcimtare ose aktore, por përsëri në fushën e artit.

 

Publiku ju ka vlerësuar ndër vite dhe ju ka mbajtur në skenë. Po ekonomikisht ndiheni të shpaguar si duhet nga puna juaj?

Karriera ime 20-vjeçare është zhvilluar më së shumti në diasporë; kam performuar në Gjermani, në Zvicër, në Danimarkë, në SHBA, në Suedi e kudo ku ka shqiptarë. Kjo sigurisht ka kontribuar në faktin që të shpërblehem për punën time e të ndihem e qetë ekonomikisht, e kënaqur deri diku, por ka edhe më mirë ha ha ha.

 

Ka miqësi në art? Keni hasur xhelozi mes këngëtareve në karrierën tuaj?

Patjetër që ka miqësi në art e kudo në fushat e jetës, aq më shumë tek ne në Shqipëri, sepse jemi popull miqësor, pasionant. Por nuk e fsheh se ka edhe shumë xhelozi.  Kam parë xhelozi pa fund mes këngëtaresh, deri aty ku kanë arritur të me fshijnë emrin nga pjesëmarrëse në koncerte të ndryshme.

 

Si e shikoni brezin e ri të këngëtarëve të muzikës shqiptare?

Nuk di, a mund të quhen këngëtare shumë prej atyre që shoh në stacionet televizive?! As mikrofonin nuk dinë ta mbajnë. Nuk e kuptoj si kanë guxim e dalin, për arsye që s’mund t’i kuptoj, ndoshta të reklamojnë trupin, minifundin e lakuriqësinë e tyre, por pa talent, s’ka kuptim. Kënga dëgjohet, nuk shikohet. Fatkeqësi për artin e këtij vendi që po humbet! Këtu është ai nivel tashmë që gjithkush mund të dalë në skenë, sepse paguan dhe këndon, bëjnë një videoklip dhe u bënë këngëtare...

 

Jeni këngëtare që preferoni të këndoni live. A duhet të rikthehet më shumë të kënduarit live në trend?

Kam preferuar gjithmonë të këndoj live këto 20 vjet të karrierës time në skenë. Sinqerisht, jam ndjerë e vlerësuar, sepse bota e ka traditë të kënduarit live, shumë vite përpara nesh.  Edhe në Shqipëri këndojnë, por jo si në Europë, ka super diferencë në çdo aspekt.

 

Cilin interpretim tuajin, keni më për zemër?

Gjate karrierës sime kam kënduar këngë nga të gjitha trevat e nuk mund të veçoj vetëm disa, por mund të them se këngën kosovare e dua, sepse më ngjit dhe me zërin që kam.

 

Jeni gjithmonë e kuruar në skenë. Po jashtë saj?

Pamja e jashtme ka shumë rëndësi te një femër, aq më tepër për një artiste. Ndoshta nuk besohet, por unë nuk bëj ndonjë trajtim ekstra special, siç bëjnë sot femrat në përgjithësi. Mundohem të jem në formë të mirë fizike, me dieta të shëndetshme dhe ecje nga Liqeni i Tiranës. Kaq më mjafton edhe falë gjenetikës së mirë; për mua, thjeshtësia përbën bukurinë, çdo gjë origjinale është e bukur.

 

A është e vërtetë që të jesh artiste në Shqipëri, do të thotë edhe të shpenzosh shumë për pamjen dhe videoklipet?

Arti në Shqipëri është kthyer në monopol, biznes fitimprurës, ku televizionet nuk pyesin më se dhe çfarë i servirin publikut. Është bërë një fushë shumë vështirë, sepse nuk ka menaxhim arti. Këtu artistët braktisen - nëse nuk shpenzon për një klip këtu humbet - në këtë vend kanë arritur majat antivlerat, që nuk kanë lidhje me të kënduarin, por kanë armën tjetër, paranë. Me anë të saj kanë arritur aty ku janë.

 

Sa ju ka mbështetur familja në pasionin tuaj për këngën?

Ahhh, familja ime e dashur më ka mbështetur tej mase! 20 vjet jashtë nëpër koncerte dhe djalin tim, Bjordin, e lija vetëm kur shkoja në turne të gjata. Por isha disi e qetë, sepse për të kujdesej bashkëshorti im, dhe kjo është ndihmë shumë e madhe, mendoj.

 

Sa e vështirë është jeta e një artisteje, gjithmonë në lëvizje dhe koncerte?

Është tej mase e vështirë. Unë isha nënë dhe më duhej të lija djalin dhe bashkëshortin, malli më brente, bënte të vetën. E rëndë shumë, ka qenë!

 

Si i keni përballuar vështirësitë në jetë?

Mendoj se jam natyrë optimiste dhe e kam parim se, me forcë e vullnet kalohet gjithçka. Por jam edhe shumë e ndjeshme në natyrë, mundohem të mendoj se do të bëhet mirë e duke menduar pozitivisht largon dhe të keqen, dhe vështirësitë.

 

Cilat janë planet në të ardhmen në këngë?

Kam në duar një projekt për realizimin e një videoklipi të një kënge të mirëfilltë popullore karakteri.

 

Cilat janë pasionet tuaja jashtë këngës?

Kërcimi mbetet pasioni mi, por edhe leximi, si dhe ndjekja e filmave më të mirë.

 

Cila është gjëja për të cilën do të luftonit më fort?

Për dinjitetin do të luftoja fort. Njeriu pa dinjitet është i humbur!

 

Keni një mesazh për femrat shqiptare, duke qenë një përfaqësuese e tyre në art?

Mesazhi im është që, arti në Shqipëri duhet të vihet në shina të drejta, ku të shpalosin vlerat e tyre vetëm ata që janë të aftë ta bëjnë këtë gjë, pra këngëtarët e vërtetë! Tregu sot shet antivlera dhe është për të ardhur keq! Ky vend ka potenciale gjigante, gjë që duket edhe në përfaqësime ndërkombëtare që bëjnë emra të mëdhenj me prejardhje shqiptare; pra, menaxhim i drejtë i këngës shqipe, pa huazime, me vokale dhe interpretime këngëtarësh të vërtetë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: