Dafi Derti: Konkurrencë ka, por unë nuk e shoh atë!

Dafi Derti: Konkurrencë ka, por unë nuk e shoh atë!
Intervista/ Flet kantautori i mirënjohur i hip-hop, Dëfrim (Dafi) Derti: Kam qenë i fiksuar pas muzikës qysh fëmijë; prej atëherë isha i vetmi në orën e muzikës që këndoja në klasë para shokëve, sepse të tjerët kishin turp

I lindur në Dibër, Dafi, siç e kanë thirrur shkurt tërë jetën, dashuroi muzikën e lagjeve shumëngjyrëshe amerikane, hip-hop, e cila, në fakt, shkon shumë edhe me zonën nga ai vjen, për ashpërsinë, burrërinë dhe kodet. Për shumë vite, karriera e tij ishte në kërkim të hiteve, edhe përmes bashkëpunimeve të shumta me këngëtarë të tjerë të suksesshëm. Por ndoshta nuk do ta kishte menduar që erdhën paralel edhe sukseset në karrierë, edhe ato në dashuri. Sot reperi i njohur është bashkudhëtar jete dhe arti, me këngëtaren e njohur, Silva Gunbardhi, dhe shijojnë rritjen e djalit të tyre bukurosh. I gjen vazhdimisht në turne në të gjithë botën, ndaj në një moment frymëmarrjeje, na rrëfeu këto ndjesi, posaçërisht për Albanian Free Press.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Më shuani kuriozitetin, si erdhi pseudonimi “Dafi”? Rrjedh nga fëmijëria juaj?

“Dafi” ruaj në memorie. Mbaj mend se, kështu më kanë thirrur gjithmonë.

 

Si ka qenë fëmijëria juaj, cilën aromë kujtoni, vend, panoramë?

Jam rritur në një fshat në Dibër. Ka qenë fëmijëri e bukur, besoj nuk ka më bukur se të rritesh në fshat. Fatmirësisht, fshati im është në një vend me panoramë malesh shumë të bukur dhe sigurisht që e kujtoj shpesh atë pamje madhështore!

 

Si ka nisur dashuria për muzikën te ti?

Kam qenë i fiksuar pas muzikës qysh fëmijë. Prej atëherë isha i vetmi në orën e muzikës që këndoja në klasë para shokëve, sepse të tjerët kishin turp.

 

A e kishe përkrahjen e familjes?

Po, fatmirësisht! Gjithmonë e kam pasur përkrahjen e familjes dhe i falënderoj me shumë mirënjohje!

 

Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë, e mbani mend?

Të them të drejtën nuk e mbaj mend këtë moment. Kanë kaluar shumë vite.

 

Po klipi i parë i yti, ju kujtohet?

Sigurisht që më kujtohet, sepse është ai që më ndryshoi jetën.

 

Jeni nga artistët më të njohur të hip-hop në Shqipëri, nga lindi ky pasion për këtë rrymë?

Pasioni për këtë rrymë, lindi ndoshta nga koha kur isha adoleshent. Atëherë ishte shumë në modë muzika hip-hop.

 

Keni disa bashkëpunime me artistë të tjerë të njohur; si kanë lindur këto bashkëpunime?

Janë projekte që kanë lindur natyrshëm dhe më pas na kanë bashkuar.

 

Keni në duar një projekt të ri?

Nuk është një projekt, janë disa të tillë me të cilët po merrem këto kohë.

 

E kanë më të thjeshtë këngëtaret femra në Shqipëri, të bëjnë karrierë?

Nuk mund ta them këtë, sepse si për femrat edhe për meshkujt, tregu në Shqipëri është mjaft i vështirë.

 

Keni mbi një dekadë në skenë. Si e shikon gjendjen e muzikës sot dhe sa përkraheni nga institucionet e kulturës?

Muzika në Shqipëri ka evoluar shumë, por ndërkohë institucionet janë në nivelin zero në përkrahjen tonë. Shpresoj të ndryshojë kjo gjë në të ardhmen.

 

Çfarë vere ju pret, do jetë e ngarkuar?

Më mirë mos më pyet...!

 

Jeni një kantautor, por si lind një këngë e re juaja?

Natyrshëm lind, një frymëzim momenti dhe menjëherë shkoj në studio dhe e provoj.

 

Këngët tuaja janë më së shumti romantike, flasim për dashurinë. Sepse pëlqehen më shumë?

Ne bëjmë muzikë që ta pëlqejë populli dhe fansat. Mendoj se kjo pëlqehet prej tyre dhe unë këtë realizoj për ta.

 

Je një baba “i dobët” e “i butë”, apo i rreptë?

Të gjitha nga pak.

 

Dikur, shumë këngëtarë të muzikës së lehtë e pak hip-hop, sot e kundërta. Sa i druheni konkurrencës?

Konkurrenca ndoshta është e madhe edhe pse unë nuk shoh konkurrencë, ha ha ha.

 

Lexova diku për krenarinë tuaj si djalë dibran...; rrënjët ju kanë ndikuar në krijimtari?

Të jesh dibran është me të vërtetë krenari! Dibra është një vend me vlera e njerëz të mrekullueshëm, me karakter, burrëri, cilësi që më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës. Prandaj, sigurisht, të jesh dibran nuk ka si mos të dalësh i suksesshëm, ha ha ha.

 

Jeni një “çift” gjithmonë në udhëtim, e bën kjo marrëdhënien tuaj më dinamike apo ju lodh?

Është krejt e kundërta , jam i lumtur që jemi bashkë kudo.

 

Më tregoni diçka më shumë, rreth jetës tuaj të përditshme… si e kaloni ditën…

Normale është që zgjimin e bëjmë me djalin Dalvin, pastaj përsëri me Dalvin, pastaj një kafe dhe drejt e në studio, ku punoj deri vonë.

 

Nevojitet një festival muzike moderne, hip-hop, r’n’b etj., në Shqipëri?

Besoj që do të duhej një i tillë. Jeta artistike do të ishte më e larmishme.

 

Si ndiheni sa herë kujtoni se, kënga “Të ka lali shpirt” është kënga më e famshme shqiptare?

Tej mase krenar, që jam pjesë e asaj krijimtarie!

 

Po të mos merreshit me muzikë, cili do të ishte pasioni juaj?

Jam shumë i dhënë pas fushës së ndërtimit dhe biznesit.

 

A keni një mesazh për të rinjtë që duan të ndjekin pasionin tuaj?

Kërkojeni atë që doni dhe mos kaloni në pesimizëm, nëse një herë ose dy, do të keni një dështim. Ju dua, Dafi!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: