ÇFARË SOLLI PROTESTA E TË SHTUNËS – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

ÇFARË SOLLI PROTESTA E TË SHTUNËS – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

As Xhafaj e as Rama nuk ikën. As qeveria nuk u trondit. Pas mbeti protesta me numrin e komenteve, pothuajse të barabartë me numrin e banorëve të Shqipërisë. Por çfarë solli në realitet protesta e të shtunës? A i realizoi ajo pritshmëritë? A tregoi ajo se, masa e qytetarëve dhe jo vetëm opozita, nuk e do këtë qeveri dhe a është e përgatitur kjo opozitë për të qenë alternativë për të zëvendësuar qeverinë?

Janë 10 të veçanta që spikatën në këtë protestë që, nëse i mbledh së bashku, tregojnë shumë për ato dy orë gjatë të cilave, Tirana po edhe e gjithë Shqipëria, mbajti sytë.

  1. NUK LARGOI XHAFAJN DHE RAMËN

Me synimin që ministri i Brendshëm dhe kryeministri të largoheshin, protesta e 26 majit tregoi se sa larg është nga ajo çka synon PD-ja. Me një videopërgjim si trofe, PD-ja u premtoi shqiptarëve se, mbi bazën e saj të shtunën do largonin vëllanë e trafikantit që është ministër i Brendshëm dhe bashkë me të edhe kryeministrin që e mbështet atë. Por kjo nuk ndodhi në fakt. Xhafaj u fut në zyrë përpara protestës pa asnjë problem dhe kompleks, e doli prej andej si në një ditë të zakonshme pune. Ndërsa opozitës i mbeti premtimi i pambajtur se, pikërisht ai dhe pikërisht të shtunën nuk do ishte më në detyrë.

  1. ÇËSHTJA “BABALE” U KTHYE NË ÇËSHTJE “PROTESTË”

Partia Demokratike prej më shumë se dy javësh, e kishte kauzë çështjen e videopërgjimit me vëllanë e ministrit të Brendshëm dhe personazhin e njohur në Vlorë, Albert Veliu me nofkën Bababale. Por edhe pse protesta u bë për videopërgjimin, kauza tani duket se është transferuar në debate dhe diskutime për protestën, pjesëmarrjen e saj, përleshjen me policinë e të tjera si këto. Nëse nuk do ta kujtonte vetë Rama, duke e quajtur “Babaleprotestë”, realisht motivi i protestës pothuajse u harrua.

  1. PJESËMARRJA E ULËT

Nga 10 protesta që PD-ja ka bërë në këto 5 vjet që Lulzim Basha është kryetar i saj, kjo cilësohet si protesta me pjesëmarrjen më të ulët. As autobusët e qyteteve, as turi surprizë në lokalet e Tiranës me thirrjen “hajde të largojmë Xhafajn dhe Ramën”, nuk e mbushën dot bulevardin “Dëshmorët e Kombit” 850 metra të gjatë. Dhe të mendojmë se, parashikimet në selinë e PD-së, ishin se do të ishte protesta më e madhe në këto 27 vjet. Një inflacion fjalësh dhe premtimesh që të habisin, sa herë dalin nga goja e liderëve të PD-së, ndërsa dronet e televizioneve fiksuan pamje dëshpëruese për një opozitë që synoi të trondiste nga themelet qeverinë. E po kjo pjesëmarrje, as të ngroh e as të motivon për të rrëzuar qeverinë.

  1. SLOGANET NA ISHTE NJË HERË

Nuk besojmë se nuk ka qeshur kushdo që gjatë protestës i kapi veshi thirrjet: “Liri Demokraci”. Ndonëse spontane dhe të paorganizuara, ato më shumë shkaktuan të qeshura se sa kërshëri. Se si pas 28 vjetësh nga thirrja e madhe në Qytetin Studenti, ta përsërisësh në një protestë më se normale të opozitës, është për të vënë duart në kokë. Po aq pa vend ishte edhe thirrja: “Azem, Azem, ti je gjallë!” që, në këtë protestë, ishte jashtë çdo koncepti. Megjithatë, duhet thënë se disa parulla të shkruara ose jo, ishin interesante si p.sh.: Equal justice for all (Drejtësie e barabartë për të gjithë), Poshtë pashallarët e krimit! etj. Ah, se harruam! Në këtë protestë, për herë të parë, kishim edhe një thirrje të lëshuar nga policia: Zotërinj qytetarë, mos shtyni policinë! Ky ishte megafoni i policisë.

  1. PËRLESHJA ME POLICINË

Në Shqipëri, është kthyer gati në një fiksim të madh se, nëse nuk ka përleshje, nuk quhet protestë. Por duhet të themi se, nëse ka një cilësi që Lulzim Basha duhet të vlerësohet pa hezitim, është se ai ka treguar se nuk ka asnjë pikë dëshire që protesta që ai drejton, të ketë dhunë. Përleshja e një grupi prej 100-200 personash te godina e ministrisë së Brendshme, ishte e tillë që mund të quhej kulmi dhe arritja e kësaj proteste. Por çfarë ishte kjo përleshje? A ishte ajo e parashikuar? Ajo që bëri më shumë përshtypje ishte se, deputetët e PD-së ishin ata që kërkonin të mbanin turmën. Ishin ata që njoftuan kryetarin Basha dhe ishin ata që bashkë me kryetarin, i tërhoqën protestuesit e dhunshëm. A ishte ky një skenar i tipit: “Pasi i udhëzoi të ushtrojnë dhunë, duke i tërhequr merr flamurin e paqes? Nuk duam ta besojmë që të jetë e vërtetë!

  1. ORGANIZIM I ÇORGANIZUAR

Edhe këtë herë, PD-ja tregoi se organizimi është një nga defektet kryesore të PD-së së re të Lulzim Bashës. Pa asnjë skenar dhe pa organizim, çdo gjë dukej qartë që i lihej rastësisë. U duk prej faktit se, në polici u morën 4 orë leje dhe protesta në fakt, zgjati vetëm 2 orë. U pa te thirrja e Bashës pas fjalimit për të shkuar në sheshin “Skënderbej” dhe pas e ndoqën vetëm 30 vetë, ndërsa pjesa tjetër vazhdoi axhendën e vet. Një zot e kuptoi atë rrotullimin e Bashës te sheshi “Nënë Tereza”, që është i detyrueshëm vetëm për makinat, por të shtunën e bëri edhe Basha me 30 këmbësorë. Dhe kulmi arriti te thirrjet për largimin nga godina e ministrit të Brendshëm, pasi protestuesit ishin përleshur me policinë nja gjysmë orë të mirë. A nuk mund të kishte rregull protesta, organizim dhe persona që të përgjigjeshin dhe gjithçka të ishte e mirëmenduar dhe e koordinuar? Natyrisht që po. Por kjo nuk është një cilësi e disa drejtuesve në PD.

  1. KOORDINIMI ME ALEATËT

U duk qartë që, një element dështues i protestës ishte koordinimi i PD-së me aleatët. Së pari, me bashkëpunëtoren e saj më të madhe, LSI-në. Kryetari Basha foli i vetëm në foltore dhe askush tjetër nuk e pasoi atë. A nuk do ishte më mirë që të fliste edhe kryetarja Kryemadhi dhe jo vetëm? Kjo gjë u vu re sidomos te mbështetësit e LSI-së, por dhe të tjerë. Protesta mori identifikimin e PD-së dhe aleatët dukeshin sikur nuk ekzistonin. E vetmja ekzistencë e tyre ishin kamerat që fiksonin Kryemadhin dhe mbështetësit e saj; vetëm kaq. Akoma më të humbur në këtë protestë, ishin edhe aleatët. Nëse dikush di se ku ishin kryetarët e partive të vogla aleate tradicionale ose jo të PD-së, të na thotë, se nuk i pamë kund.

  1. MEDIA E PËRÇARË

Kjo protestë solli edhe një herë vëmendjen ekstra të medias. Përveç pasqyrimit dhe garës së ekraneve, ajo solli njëkohësisht edhe një debat mes mediave dhe vetë gazetarëve, se si u realizua protesta. Prej më shumë se një dekadë, gazetarët shqiptarë janë rreshtuar si të ishin më shumë përfaqësues të partive se sa profesionistë, për të vënë në dukje me realizëm se çfarë ndodhi dhe për të bërë analizën e protestës. Aspak ose rrallë gjen analiza këto dy ditë, që të vënë në pah edhe vlera të protestës, si edhe defektet e saj. Për shumicën e gazetarëve, protesta ishte ose shumë e mirë ose shumë e keqe, duke treguar se përveç polarizimit politik, në Shqipëri kemi edhe polarizim mediatik. Sëmundje gati e pashërueshme e medias shqiptare.

  1. FUNKSIONIMI I POLICISË

Nëse ka një notë maksimale që meriton në këtë protestë, ajo është policia! Policia që nuk është as e Ramës, as e Bashës, por Policia e shtetit. Mjaft profesionalizëm dhe etikë, policia realizoi atë që duhet të bënte. Nuk pati asnjë moment që të tejkalonte ligjin, të kryente veprime jashtë parametrave të caktuar dhe të dilte nga misioni i saj. Nuk besojmë se ka ndonjë dilemë që gjakosja e gazetarit dhe kolegut, Bledi Kasmi, duhet të hetohet dhe të verifikohet nga prokuroria. Nëse ai është goditur nga ndonjë polic, pa diskutim që ky polic duhet të ndëshkohet!

  1. THE SHOW MUST GO ON

A do të vijojë protesta e PD-së? Me këtë pjesëmarrje, me këtë flakë të dobët të energjisë dhe motivimit, zor se mund të kemi një vijueshmëri të saj e që të detyrojë qeverinë të largohet. Më 14 qershor, nis Botërori dhe nuk besojmë se 30 ditët e tij, masa e shqiptarëve do lënë Ronaldon dhe Mesin mënjanë pa i parë dhe do të protestojnë për çështje kardinale të Shqipërisë. Kështu që, spektakli politik nuk mund të vazhdojë. E gjithë bota do jetë rreth topit të futbollit dhe nuk besojmë se opozita do prishë rregullin. Pas Botërorit, nisin pushimet. Shihemi në shtator!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: