Bukuroshet zgjedhin fustanet e gjata

Bukuroshet zgjedhin fustanet e gjata
Të gjata deri në fund të këmbëve, me copa të lehta dhe jo gjithmonë ose detyrimisht të çmuara, fustanet e gjata janë më të përzgjedhurat për veshjen e paradites dhe pasdites, mes bukurosheve të skenës dhe ekranit shqiptar. Nuk është kjo një gjetje e kësaj vere, por një traditë që ka disa vite që mbizotëron. Kryefjala është “komoditet”. Të qenët rehat dhe të lirshme, pa kompleksin e shtimit të peshës, grimit, rastit të duhur. Sepse ato, fustanet bohemien, janë të përshtatshme edhe në orare pasditeje, kur një aktivitet i papritur të fton të jesh e veshur me stil, elegante dhe femërore. E nëse ke edhe shpatulla të brishta dhe krahë të hollë, kjo është edhe më mirë. Një çantë e vogël me ngjyrë pastel, një kapele nëse flokët janë të pakrehur ose të palyer, një palë syze dielli, nëse je pa grim, një varëse etnike e gjatë ose një palë vëthë me ndriçim, nëse fustani është njëngjyrësh, një palë sandale të sheshta, këpucë balerinë ose sandale të larta ortopedike, nëse nuk je e gjatë, dhe ja ku u zgjidh dita jote. Ka nga bukuroshet që i qëndrojnë besnike trendeve të verës që shkoi, me fustane me lule në sfond të bardhë ose me ngjyrë pastel, modelja Vivian Canaj zgjedh të bëjë shoping paradite me një fustan të gjatë, pa mëngë, me lule të ndezura, ndërsa këngëtarja Eranda Libohova zgjedh atë me lule në sfond blu, jo më sportiv, por me copë të derdhur e të tejdukshme, pra edhe për në mbrëmje. Nuk mungojnë edhe mitiket chemisier ose këmishët e zgjatura dhe me rrip në bel, që u zënë vendin fustaneve klasikë, si në rastin e modeles kosovare, Afrina Dika, që e ka zgjedhur ta veshë në bregdet, ose në rastin e blogeres së njohur, Irena Kita. Ajo shkon edhe më tej, mbi një palë xhinse të grisura, hedh një fustan-këmishë të zezë me dantellë, syzet janë aksesor dhe ja ku bëhet e bukur për në kryeqytet. Modelja e njohur, Emina Çunmulaj, pavarësisht shtatzënisë, duket kaq elegante në këtë kombinim të lirshëm e të lehtë, që i jep avantazh në ditët e fundit të pritjes së ëmbël, ndërsa Lori Hoxha e kombinon në stilin e eksploratores në “xhungël”, duke pushuar në Maldive e duke shtuar një kapele. Buzë ujëvarave të bukura të Shëngjergjit, në rrethinat e Tiranës, Nevina Shtylla duket mahnitëse me këtë fustan të gjatë ngjyra kanellë, me supet jashtë e këmbët zbathur. Ema Andrea? Si gjithmonë unike, me këtë këmishë-fustan ngjyrë rozë, me një jakë japoneze, me guxim veshur mbi pantallona të verdha, në një pasdite televizive. Këngëtarja kosovare Mihrije Braha e vesh në një stil etnik me motive arabe ndërsa, si gjithmonë, koreografja Riselda Sejdia e zgjedh të çmuar, me logo, kombinuar me një çantë elegante dhe sandale me takë të lartë, edhe për paradite.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: