Bujar Lako, artisti i barabartë vetëm me veten

Bujar Lako, artisti i barabartë vetëm me veten
Portret i aktorit, “Mjeshtrit të madh”, Bujar Lako, në kujtim të ditëlindjes së tij

Nga Juela Meçani

Me një karrierë 44-vjeçare, me një galeri të pasur rolesh në teatër dhe kinema, me një publik që e admiroi lojën e tij, Bujar Lako mbetet një emër i rëndësishëm në panteonin e korifenjve të skenës shqiptare, asaj skene që solli një kastë aktorësh me të cilët do të ndjehej e nderuar çdo traditë e artit botëror. Sot më 9 maj, Bujar Lako dhe njerëzit që e donin, do të festonin ditëlindjen e tij. Por është një ditë maji për të kujtuar gjenialitetin e tij si aktor, zërin që do të mbetet i pashlyer në mendjen e të gjithë brezave, vështrimin burrëror, vetullat e mbledhura nga emocionet, bukurinë e prezencës, rebelizmin që shfaqte në rol. Bujar Lako ishte artist me kuptimin e plotë të fjalës! Janë shumë pak 69 vjet jetë, për të mbajtur peshën që Bujar Lako, me rolet dhe emocionet që fali, i la kohës së tij. Ai ka lënë pas një sërë rolesh që i gdhendi me mjeshtërinë e tij unike. Halit Berati te “Gjeneral Gramafoni”, Tunxhi tek “Udha e shkronjave”, gjenerali italian te “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, Martin Kreka te “Përballimi” e mjaft karaktere të tjera të spikatura në kinematografinë shqiptare. Por aktori i madh, nuk u mjaftua me rolet në kinematografi, duke na lënë rreth 70 role në teatër, në të cilat shkëlqeu në karaktere të shumtë, negative dhe pozitive.

Biografi

Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar, menjëherë pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Në fillim të verës” i Gjergj Erebarës dhe “Përballimi” i Viktor Gjikës. Pas kësaj, ai realizoi një sërë figurash në rreth tridhjetë filma, midis të cilëve mund të përmendim: “Gjeneral gramafoni” nga Viktor Gjika, “Udha e shkronjave” nga Vladimir Prifti, “Ballë për ballë” nga Kujtim Çashku dhe Pirro Milkani, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime” nga Dhimitër Anagnosti, “Amiko” nga Cizia Zyke, produksion francez.

Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçohen “Vizita e inspektorit”, “Monserati”, “Vdekja e një komisionari”, “Vdekja e Dantonit” “Ditë vere”, “Ariu” etj.

Në vitin 1992, interpretoi në Teatrin e Kombësive në Shkup, në produksionin "Varrtarët" .

Vlerësimet në çmime

Në vitin 1975, nderohet me çmimin e veçantë për filmin "Përballimi" dhe në vitin 1979, mori çmimin e veçantë për filmin "Ballë për ballë". Në festivalin e filmit të vitit 1979, u vlerësua si aktori më i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit për rolin e Halit Beratit, në filmin "Gjeneral gramafoni".

Në vitin 1979, është laureuar me çmimin e Republikës të shkallës së parë, për filmat "Gjeneral gramafoni" dhe "Ballë për ballë”.

Në vitin 1982, është nderuar me urdhrin "Naim Frashëri" klasi i parë, për interpretimet në teatër.

Në festivalin e filmit të vitit 1991, është shpallur aktori më i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit, në filmin "Kthimi i ushtrisë se vdekur". Në vitin 1985, fiton titullin "Artist i Merituar".

Në vitin 2005, ka marrë "Palmën e artë" si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29-të të "Cairo International Film Festival", me filmin "Magic Eye" me regjisor Kujtim Çashku. Ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor shqiptar, në një festival të Kategorisë A.

Në vitin 2012, nderohet me Urdhrin “Mjeshtër i madh” nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me motivacionin: “Aktori i shquar i teatrit dhe kinemasë, i cili me një interpretim mjeshtëror dhe origjinalitet, realizoi role të rëndësishme që kanë hyrë në fondin e çmuar të artit shqiptar, me një komunikim të fuqishëm në skenë dhe ekran, çka e ka bërë atë një artist tepër të dashur për publikun”.

Vlerësim kolegësh

Aktori Mirush Kabashi: “Bujar Lako, një gjeneral i skenës dhe ekranit shqiptar, siç me të drejtë e cilësonte shtypi!”

Aktorja Elvira Diamanti: “Nuk gjej fjalë ta përshkruaj si artist, si koleg ishte i jashtëzakonshëm, si partner ishte një nga partnerët më komodë!”

Aktori Pirro Kita: “Mendoja se Bujari me të vërtetë e kishte mësuar klarinetën, ndërsa shikoja “Gjeneral Gramafonin”, por në bashkëpunim me Laver Bariun, ai kishte filluar të imitonte në mënyrë perfekte, të gjitha lëvizjet e duarve në klarinetën e tij.”

Shkrimtarja Natasha Lako: “Te filmi “Ballë për ballë” është i paarritshëm, pasi roli është shumë i vështirë, i përmbledhur në një koncentrat ultimatumi dhënë jo komandantit rus, por një superfuqie! Dhe Bujari ia kalon çdo gjenerali të kësaj bote! Unë ia kam ditur dobësinë për lojën e Marlon Brandos, një shkollë amerikane e krijuar prej Elia Kazanit dhe një aktor i lindur si Bujar Lako, mund të takohej instinktivisht me lojën e çdo aktori tjetër të madh të kësaj bote. Në filmin “Syri Magjik”, pak të kujtuar nga spektatori i sotëm, por një prej filmave me mesazhe nga më të rëndësishme të botës së sotme, Bujar Lako merr çmimin e Festivalit të Kajros, duke shkëlqyer në brendësi të dramaturgjisë së krijuar nga Vath Koreshi. Është ky skenarist, që i ka dhuruar edhe një tjetër rol të shkëlqyer Bujar Lakos, atë të Halit Beratit. Por, njëkohësisht, pa Bujar Lakon, kjo figurë duket sikur nuk do të ekzistonte kurrë. Një lojë e tillë brilante, e bën njëkohësisht çdo personazh të tij një njeri tokësor dhe jashtëzakonisht të besueshëm: Bujar Lako më ka folur për instrumentistin e jashtëzakonshëm, Laver Bariun. Dhe, falë këtij studimi të pashpallur, sot kemi një kryerol që, për herë të parë, ka kuptimin e heroit, përderisa është edhe Bujar. Ndoshta gjithë kinematografia botërore nuk do të ketë ndonjëherë një sekuencë të tillë si e filmit “Gjeneral Gramafoni” të Viktor Gjikës. Befasuese është loja e tij edhe te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i Dhimitër Anagnostit. Kujtoj këtu skenën e famshme me plakën Nicë, ku thyhen gjithë rregullat patetike dhe gjenerali i Bujar Lakos, përmban në rol një transhendencë të madhe. Mbaj mend se, te filmi televiziv “I paharruari”, Mevlan Shanaj, regjisori i filmit, u detyrua të lërë grupin për të përcjellë për në banesën e fundit, nënën e vet, e Bujari vazhdoi xhirimin për sekuenca skenash me një përkujdesje të plotë, me ndihmën e asistentëve dhe operatorit.”

Aktori Timo Flloko: “Kishte një mënyrë interpretimi përpara kamerës, që nuk ishte shfaqur më parë. Solli një element emancipues në këtë pikëpamje. Kjo shihet që në krijimet e tij të para. Ishte një aktor me të dhëna të jashtëzakonshme, me botë shpirtërore të pasur, shpërthyese, me vështrim psikologjik mbi gjërat. Kjo e dallonte interpretimin e tij nga të tjerët, kishte interpretim më të thellë, më brendësor, që i afrohet parimit që aktorët e quajnë “parimi i ajsbergut”, pra që sheh në brendësi dhe këtë e bënte në mënyrë intuitive, sepse, në atë kohë, nuk ishte e lejuar njohja e metodave perëndimore. Kishte edhe talentin, sepse ishte nga njohësit më të mirë të kinemasë, e gdhinte duke parë filma.”

Kritiku i artit, Përparim Kabo: “Nga rrjetet sociale zbuluam që, Bujari kishte dimensione të cilat çuditërisht, ia zbuloi vdekja. Atij i bënë homazh të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë. Vura re dhimbje, por edhe respekt të tejskajshëm për figurën e tij. Bujar Lako është ndër personalitetet më të shquara të kohës tonë, pikërisht një aktor ose më saktë një artist i skenës dhe ekranit. Në gjykimin tim, është në kapërcyell të aktrimit shqiptar. Ai lidhi shkollën tradicionale të aktrimit me atë moderne, në mënyrë të natyrshme, pa sforcim, pa krisje, me forcën e personalitetit të tij, me artin individual që krijoi. Në këtë kuptim, Bujar Lako është një unik, një artist i barabartë me veten!”

Disa nga rolet e spikatura të Bujar Lakos

1975, Në fillim të verës – Misto

1976, Përballimi – Martin Kreka

1978, Udha e shkronjave – Tunxhi

1978, Gjeneral gramafoni – Halit Berati

1979, Ballë për ballë – Mujo Bermema

1982, Nëntori i dytë – Luigj Gurakuqi

1983, Dora e ngrohtë – Spahiu

1984, Vendimi – Këshilltari

1984, I paharruari – Besim Peja

1985, Gurët e shtëpisë sime – Tenente Moruçi

1986, Gabimi – Arjani

1987, Vrasje në gjueti – Ferdinandi

1987, Telefoni i një mëngjesi – Nestori

1987, Binarët – Kujtimi

1989, Kthimi i ushtrisë së vdekur – gjenerali italian

2001, Amigo – mësuesi

2003, Lule të kuqe, lule të zeza – shoferi i taksisë

2005, Syri magjik – Petro

2009, Muaji i mjaltit– Rroku

2014, Amsterdam Express – Selimi

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: