BSH: Rënia e euros ndaj lekut, një goditje me efekte kalimtare

BSH: Rënia e euros ndaj lekut, një goditje me efekte kalimtare
Pohimi zyrtar: “Forcimi  i  shpejtë  i  kursit  në  periudhën  mars-prill 2018  duket se është ndikuar nga goditje kalimtare. Ato kanë  përgjithësisht natyrë kalimtare dhe nuk lënë pasoja të përhershme në ekonomi

Një goditje, efektet e së cilës do të jenë kalimtare. Kështu i ka cilësuar Banka e Shqipërisë luhatjet që ka pësuar kursi i këmbimit valutor gjatë muajve të fundit në vend, që e kanë çuar monedhën evropiane, euro, në një kuotë deri në kufijtë ekstremë të 126-127 lekëve.

Kjo pohohet në Raportin e saj të fundit të Politikës Monetare, publikuar dje, ku një vend të rëndësishëm i ka dhënë pikërisht luhatjeve që ka pësuar kursi i këmbimit në javët e fundit.

“Kjo ecuri nuk pasqyron efektet direkte dhe as objektivat e strategjisë sonë për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare. Si e tillë, ajo pritet dhe vlerësohet të jetë afatshkurtër”, cilëson ai. Duke shprehur qartë në këtë mënyrë tërheqjen e bankës qendrore, edhe një herë, siç bëri para pak ditësh përmes Guvernatorit të saj, nga akuzat se ka qenë pikërisht strategjia e miratuar nga ky institucion, ajo që ka shkaktuar “pikiatën” e euros.

“Nga  ana tjetër, forcimi i shpejtë i kursit në periudhën mars-prill  2018 duket se është ndikuar nga goditje kalimtare. Ato tentojnë si rregull, të prodhojnë pasoja afatshkurtra dhe të mos sjellin shmangie të mëdha dhe të qëndrueshme nga trendet afatgjata. Kanë përgjithësisht natyrë afatshkurtër e kalimtare dhe nuk lënë pasoja të përhershme në ekonomi”, vlerësojnë mes të tjerash ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Duke sqaruar në këtë mënyrë se pikërisht si të tilla, edhe efektet e tyre pritet të jenë kalimtare.

Më tej, banka qendrore jep edhe shifra konkrete të luhatjeve që ka pësuar së fundmi kursi i këmbimit valutor.

“Leku është forcuar me një ritëm më të shpejtë në  tremujorin e parë të këtij viti, pas atij të vërejtur në muajt e fundit të vitit të kaluar. Konkretisht, mbiçmimi vjetor i tij u rrit në 5.5% në muajin mars, nga 4.1% që shënonte në muajin dhjetor”, sqaron BSH-ja. Duke pranuar se monedha vendase është forcuar me një ritëm më të shpejtë se në muajt paraardhës kundrejt të gjitha monedhave të shportës, porse  ndikimin më të madh ama e ka dhënë forcimi i tij kundrejt monedhës evropiane, euros.

“Mbiçmimi vjetor i lekut kundrejt euros shënoi nivelin +3% vetëm në muajin mars”, sqarojnë ekspertët. Duke “ia hedhur fajin” prurjeve të mëdha të euros nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptarë.

“Ecuria e kursit të këmbimit ka qenë gjithashtu subjekt i tepricave  valutore të prodhuara nga agjentë  apo sektorë të ndryshëm të ekonomisë, të cilat në periudha të caktuara kanë diktuar shpejtësinë me të cilën ky mbiçmim është faktuar”, argumentojnë mes të tjerash ekspertët e BSH-së.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: