BREXIT DHE ITEXIT, APO ALB-IN?!... - KOMENT NGA FRROK ÇUPI

Publicitet
Publicitet
BREXIT DHE ITEXIT, APO ALB-IN?!... - KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Edhe BE-ja, në fakt, një martesë është, por një martesë që nuk u bë kurrë “politike”, edhe pse ashtu u nis.  Në humorin mesdhetar mbi martesën, qarkullon një thënie: sikur martesa është “kështjellë ku, ata që janë brenda duan të dalin, ata që janë jashtë duan të hyjnë”.  Martesa në çift nuk ka shumë dallim nga martesa BE, për të thënë të vërtetën...

Shqipëria, me shoqe - që janë jashtë - po tentojnë të hyjnë, madje martesën në BE e kanë kthyer edhe në sfidë të ekzistencës politike. Prej vitesh, gara për të fituar zgjedhjet politike në vend, ka edhe premtimin: “Do të hapim rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE!”

Ndërsa popuj të vjetër të Europës, kanë nisur trendin e daljes.

Çfarë është Brexit?

U duk se erdhi si një tërmet i papritur, në erën e mungesës së studiuesve sizmologë. Liderët (që tashmë i mungojnë Europës), e pritën me triumf ditën e katastrofës, 23 qershorin e vitit 2016. Britanikët, atë ditë, vendosën të dalin nga Bashkimi Europian, ku ishin rropatur prej vitit 1973. Në referendumin e Britanisë, 51.9 përqind e votuesve i thanë “jo më!” BE-së. Qytetarët ishullorë të Mbretërisë, që kishin qenë “të martuar” prej 43 vjetësh, i prenë urat me kontinentin dhe e lanë Bashkimin Europian. Bezdia e britanikëve: Burokraci e pamatë, ligje dhe rregullore pafund, puno vetë e përfito eurokratët..., këto i mjaftuan anglosaksonisë që t’i jepte fund lidhjes.

Lëvizja Britanike u quajt “Brexit”, për shkak të veprimit “exit bre...”, domethënë dalje e britanikëve. Fjalori politik i botës u pasurua, jo vetëm me një fjalë, por edhe me një dukuri. Dalja e një shteti nga BE-ja, tash e tutje, do të sjellë fjalën e bashkëngjitur mes emrit të shtetit dhe fjalës exit (dalje). Për shembull, pas pak, mund të kemi daljen e Hungarisë, që mund të quhet “Hexit”; daljen e Polonisë që mund të quhet “Polexit”, daljen e Finlandës që mund të quhet “Finexit”... Çështja është më thelbësore, se sa fjala e re në fjalor; çështja është në një radhë shtetesh, që po bëhen gati të dalin nga BE-ja.

Në radhën e daljes, hyri “Itexit”

Italia, e shënuar si një nga shtatë vendet më të fuqishme të ekonomisë botërore, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, është bërë gati të dalë nga BE-ja. Komisioni Europian, menjëherë pas fitores së partive populiste, euroskeptike, nisi të tmerrohej. Politikanët që kanë nisur punën për krijimin e qeverisë së re, kanë akuzuar KE-në se, po “fut duart” në politikën italiane, me qëllim që të mos lejojë qeverinë të dalë nga votat popullore. Anëtarë të Komisionit Europian nisën të alarmohen, vetëm kur politikanët fitimtarë në Itali, nxorën “kartonin e verdhë” për BE-në, ku po kërkojnë: “Deficitin publik, paktin e stabilitetit dhe emigracionin”.

BE-ja, fillimisht, kishte shpresë se mund të merrej vesh “nën gju” me Matteo Salvinin, me të cilin nisi një kanal direkt komunikimi. Salvini është anëtar i Parlamentit Europian, përveç që lider i “Legas”, një partner në qeverinë e re të Italisë. Mirëpo, as ky kanal nuk funksionoi - qeveria që po krijohet mes Legas dhe Lëvizjes së Pesë Yjeve, ka shpallur programin e saj kundër BE. BE-ja harroi se, kësaj here nuk po negocionte me Matteo Renzin ose me Paolo Gentilonin, por me Salvinin dhe Di Maion... Së shpejti, menjëherë pas shpalljes së kësaj qeverie, studiuesit politik në Europë, parashikojnë se mund të kemi “Itexit”.

Vala e fundit e paralajmërimeve po tregon nivelin e lartë të panikut, në të cilin ndodhet Komisioni Europian (ose qeveria e BE-së), kur po kupton se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, pas daljes së Italisë. Madje, dalja e Italisë është pak më e kushtueshme për KE-në, se sa “Brexit”. Italia është anëtare e eurozonës dhe anëtare financuese e BE-së. Bashkimi “i martesës” së kontinentit, kërkon para së gjithash “euro”, pastaj vijnë të tjerat.

Problemi real i Bashkimit Europian, gjatë kësaj vale të shpërthimit të sentimenteve antisistem, nuk është vetëm brenda Britanisë ose Italisë (Brexit dhe Itexit). Problemi është te shtrirja e arrogancës dhe ashpërsisë, over-programet dhe over-paragrafët, emigracioni masiv; këto i kanë lodhur kombet anëtare. Forcat kryengritëse kundër sistemit u bënë trend politik në Europë. Nëse BE-ja nuk kapet këtu, menjëherë tani kur gjërat ndodhen në stadin embrioik,  pasojat do të jenë një ortek katastrofik, në një të ardhme jo të largët...

Atëherë, mund të kemi “Alb-in”

Hyrja (in) e Shqipërisë në BE, akoma është një ëndërr. Që nga Pjetër Bogdani dhe nipi (shekulli 16) -që punuan për orientimin gjuhësor të shqiptarëve drejt Europës (Fjalori shqip-latin), dhe deri te Rilindësit (para rilindësve të PS-së), që kishin thënë poetikisht se, “Lindja është andej nga perëndon” - ishte ëndërr, madje edhe në vitin 1990, kur nismëtarët e demokracisë kërkuan me manifestime madhështore “Shqipërinë si Europa”, mjaft pak mund të besonin se, kjo do të ishte e vërtetë brenda  brezit të tyre... Por afrimi i Shqipërisë (Alb-in) me Bashkimin Europian, është kthyer në një imperativ.

Imperativ për tre dobi:

E para:

Dobia e parë është e disa eurokratëve në BE. Ata mendojnë se, duke afruar vende si Shqipëria, edhe jashtë standardeve, atëherë do të jenë “në rregull” me statistikat e pranimit. Jo pse nuk e dinë efektin shkatërrimtar për BE-në, nëse pranohen vende me probleme të mëdha ekonomike, lirie, qeverisjeje, demokracie dhe krimi, por sepse shumë prej atyre largohen gjatë zgjedhjeve në vitin 2019. Megjithatë, politikanët e rinj që kanë ndërmarrë aventurën e ruajtjes së BE-së, si Macron, nuk pajtohen me “shkatërrimin përmes pranimeve”.

Dobia e dytë:

E politikanëve lokalë. Politikanët e Shqipërisë, si në qeveri edhe në opozitë, te “martesa” me BE-në, shikojnë interesin e tyre në pushtet. Nëse Shqipëria hap negociatat me BE-në në qershor, atëherë qeveria bëhet “çelik” dhe nuk tundet as për 20 vjet të tjerë. Por edhe liderët e opozitës, në marrëveshje me qeverinë, e përdorin forcën “e pranimit” për të shtypur kundërshtarët brenda grupit. Në të dyja rastet, afrimi me BE-në na garanton qeveri shumë më të keqe.

E treta:

Mendon populli se është dobia e tij. Populli nuk ka bërë kurrë pyetje se, cilat janë detyrimet ndaj BE-së. Madje nuk ka bërë as pyetjen më të thjeshtë: “Pse dalin Britanikët, italianët, polakët, lituanezët, hungarezët?...” Pa bërë pyetje, nuk mund të marrësh kurrë vendime të sigurta. Por megjithatë, populli mendon se, po të afrohemi me Europën, atëherë Europa ua mbledh liderëve tanë hajdutë”... E shikoni që, prapë njeriu është në ëndërr?!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: