Botërori pas ’74, Europa “nën diktatin” Gjermani-Itali

Publicitet
Publicitet
Botërori pas ’74, Europa “nën diktatin” Gjermani-Itali
Holanda e Futbollit Total, mbeti pa trofe pas dy finaleve dramatike, por la gjurmë të thella në historinë e futbollit botëror, sikurse Argjentina konfirmohet në kontinentin latin, si rivale e Brazilit

Nga Aranit Muraçi

Brazili fitoi në ’70, për herë të tretë, finalet e Kupës së Botës. Por në finalet e mëtejshme do të shfaqeshin ekipe të tjera dominuese, që nuk e kishin fituar asnjëherë këtë trofe, si Holanda dhe Argjentina. Italia dhe Gjermania do të ndanin nga një trofe në tre botërorët e tre viteve më vonë, duke vendosur diktatin e vendeve të Europës në këtë turne, diktat që vijon edhe në ditët e sotme, ndonëse Italia nuk mundi të kualifikohej në Rusi 2018. Pas Brazilit konfirmohet Argjentina, skuadra e dytë më e fortë e zonës së Amerikës së Jugut.

1974

Finalet e vitit 1974 - të 10-at në histori - u mbajtën në Gjermaninë Perëndimore nga 13 qershori deri më 7 korrik. Trofeu i Kupës së Botës u projektua nga skulptori italian, Silvio Gazzaniga, pasi trofeu i kaluar u përvetësua nga Brazili, tre herë fitues i tij. Vendi pritës fitoi trofeun në fund, duke mundur në finale Holandën 2-1, në “Olympiastadion”. Ishte trofeu i dytë për gjermanët, pas triumfit në vitin 1954. Australia, Gjermania Perëndimore, Haiti dhe Zaireja, debutuan në këto finale. Kjo ishte paraqitja e vetme e Gjermanisë Lindore. Më pas, Gjermania u bashkua më 1990. Holanda demonstroi “Futbollin Total”, një lloj teknike që zbatonte klubi i Ajaksit, specializuar në plozionet që mbanin lojtarët dhe që ishin në gjendje të shkatërronin kundërshtarin në një mënyrë të shpejtë pasi ata mund të ktheheshin në mbrojtës, mesfushorë apo sulmues sipas kërkesave të rastit. Finalja u mbajt më 7 korrik 1974 dhe Gjermania Perëndimore udhëhiqej nga Franz Beckenbauer, ndërsa holandezët kishin yllin e tyre në ekip, Johan Cruyff, i cili dirigjonte stilin e tyre spektakolar. Holanda shkoi në finale, duke dhuruar një futboll mahnitës dhe shihej favorite, teksa Cruyff shënoi në aksionin e parë pas nj shpërthimi të zakonshëm të tij. Një 11-metërsh tjetër solli barazimin më vonë dhe Gerd Muller realizoi golin e fitores në fund të pjesës së parë për vendasit, duke i dhënë Gjermanisë trofeun pas triumfit në Europianin 1972.

1978

Botërori ’78 u mbajt në Argjentinë nga 1 qershori deri më 25 qershor. Trofeu u fitua sërish nga vendi organizator dhe ekipi që humbi finalen, ishte i njëjti i katër viteve më parë, Holanda e “Futbollit Total”. Argjentina fitoi 3-1 në stadiumin “Estadio Monumental” të River Plate ndaj Holandës, pas kohës shtesë, duke qenë se koha e rregullt përfundoi në barazim1-1. Ishte hera e parë që Argjentina shpallej kampione bote, pas Uruguait, Italisë, Anglisë, Brazilit dhe Gjermanisë Perëndimore. Në këtë botëror, Irani dhe Tunizia bënë paraqitjet e para. Për turneun e ardhshëm, FIFA e zgjeroi formatin - nga 16 në 24 ekipe pjesëmarrëse. Finalja e këtij botërori u konsiderua kontraversale, pasi holandezët të cilët fluturuan duke mos njohur ndonjë kundërshtar deri në finale, akuzuan vendin pritës se bëri çmos të shtynte ndeshjen, në një stadium të kritikuar se ishte gati e pamundur për të luajtur një ekip mysafir. Turma që ndodhej në stadiumin e Buenos Aires, dha efektet e saj në finale, teksa Mario Kempesi shënoi golin e parë, ndonëse Dick Nanninga barazoi shifrat për holandezët më vonë. Holanda goditi shtyllën, para se ndeshja të shkonte në shtesë, kohë kur Argjentina shënoi dy golat e fitores 3-1 dhe ngriti lart trofeun.

1982

Finalet e vitit 1982, u mbajtën në Spanjë nga 13 qershori deri më 11 korrik 1982. Ky turne u fitua nga Italia, që mundi Gjermaninë Perëndimore në finale, 3-1. Finalja u zhvillua në kryeqytetin spanjoll, Madrid. Ishte trofeu i tretë për Italinë, pas dy triumfeve të para luftës së Dytë Botërore. Algjeria, Kameruni, Hondurasi, Kuvaiti dhe Zelanda e Re, debutuan në këto finale. Për herë të parë në këtë botëror, morën pjesë 24 ekipe, me më shumë ekipe pjesëmarrëse nga Afrika dhe Azia. Holanda, dy herë finaliste e botëroreve të kaluar, mungoi, pasi u eliminua nga Belgjika dhe Franca. Belgjika, Çekosllovakia, El Salvadori, Anglia dhe Bashkimi Sovjetik, u rikthyen në këto finale pas 12 vitesh mungese. Në finale, me Gentile e Gaetano Scirean, që mbanin qendrën e mesfushës, sulmuesit italianë përdorën kundërsulmin për të zënë në befasi kundërshtarin. Heroi i këtij botërori, Paolo Rossi, hapi serinë e golave. Goditja e Marco Tardellit mposhti sërish Schumacherin dhe Alessandro Altobelli e çoi në 3-0 rezultatin, 10 minuta para se të mbyllej ndeshja, kur Paul Breitneri pati kohë për të shënuar golin e ngushëllimit për gjermanët.

 

Botërori 74

Vendi pritës: Gjermania Perëndimore

Ekipet pjesëmarrëse: 16

Finalja: Gjermania P.-Holandë 2-1

Vendi i tretë: Polonia

Vendi i katërt: Brazili

Ndeshje të luajtura: 38

Gola të shënuar: 97 (2.55 për ndeshje)

Golashënuesi më i mirë: Grzegorz Lato Poloni (7 gola)

 

Botërori 1978

Vendi pritës: Argjentina

Ekipet pjesëmarrëse: 16

Finalja: Argjentinë-Holandë 3-1 (shtesë)

Vendi i tretë: Brazili

Vendi i katërt: Italia

Ndeshje të luajtura: 38

Gola të shënuar: 102 (2.68 për ndeshje)

Golashënuesi më i mirë: Mario Kempes Argjentinë (6 gola)

Botërori 1982

Vendi pritës: Spanja

Ekipet pjesëmarrëse: 24

Finalja: Itali-Gjermania P. 3-2

Vendi i tretë: Polonia

Vendi i katërt: Franca

Ndeshje të luajtura: 52

Gola të shënuar: 146 (2.81 për ndeshje)

Golashënuesi më i mirë: Paolo Rossi Italia (6 gola)

 

Botërori ’74 dhe ’78 shkoi për vendet organizatore, Gjermania dhe Argjentina

Holanda e Futbollit Total, dirigjent: Johan Cruyffi

Finalet e Kupës së Botës 1974 dhe 1978, i fituan vendet organizatore - Gjermania Perëndimore dhe Argjentina. Por, për këto finale, ia vlen t’i kushtohet vëmendje një tjetër ekipi, atij finalist: Holandës. Flitet për momentet e bukura dhe veçanërisht për suksesin, megjithatë ndonjëherë kujtohen gjatë edhe çastet e dhimbshme dhe dramatike. Ishte mëkat që Holanda nuk ngriti trofeun, në asnjë prej dy finaleve ’74 dhe ’78. Mediat botërore shkruan gjatë mbi revolucionin që Holanda i solli futbollit botëror atë kohë. Aq bukur ishte i gërshetuar futbolli i tyre, saqë disa media guxuan të krahasonin me një “bishë” triumfin e Gjermanisë, që e shkatërroi këtë bukuri, pikërisht në një finale. I njëjti fat ndoqi Holandën edhe në finalen e ’78. Skuadra holandeze e 1974, krahasohej shpesh me “The Beatles”, ndërsa Johan Cruyffi me karakterin e John Lennonit. Ana më e bukur e futbollit që bota kishte parë ndonjëherë, humbi pikërisht në finale.

“Bukuria dhe arritja jonë, ishte të krijonin një markë në futbollit botëror. Besoj se ia dolëm!” - tha legjendari Cruyff. Ishte fjala për Futbollin Total, me të cilin Ajaksi ngriti tre herë radhazi trofeun Champions League dhe gjeniu Rinus Mishels me atë që paraqiti Holanda në ato vite, i tregoi botës së futbollit se, truri në këtë sport duhet të bëj diferencën. Mediat gjermane raportonin se, futbollistët e Holandës bënin jetë luksi dhe jetonin si të ishin yje të muzikës. Ndonëse u kthyen dy herë radhazi pa trofe në Amsterdam, krenaria e një kombi të tërë nuk fshihej. Holandezët u pritën nga qindra mijëra njerëz si heronj të vërtetë, si të ishin ata fituesit e botërorëve ’74 dhe ’78. Në fakt, bota mbarë raporton ende sot e kësaj dite, se ata ishin fituesit moralë të atyre viteve.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: