Botërori ’86-’90, kur finalja Argjentinë-Gjermani “përsëritet”

Botërori ’86-’90, kur finalja Argjentinë-Gjermani “përsëritet”
Aranit Muraçi

Botërorët e viteve 1986 dhe 1990, mbyllen me të njëjtën finale që përsëritet: Argjentinë-Gjermani. Maradona me shokë kurorëzohen në Meksikë ’86 dhe Mateuesi e Klinsmani, që udhëhiqnin gjermanët në Italia ’90, “hakmerren” duke i dhënë vendit të tyre trofeun e tretë të Kupës së Botë. Të konfirmuara si dy superfuqi të futbollit botëror, Gjermania dhe Argjentina takohen edhe në finalen e fundit të Kupës së Botës, Brazil 2014, finale që mbyllet me triumfin e Gjermanisë, pas kohës shtesë.

1986

Finalet e vitit 1986, të 13-at në historinë e Kupës së Botës, u mbajtën në Meksikë nga 31 maji deri më 29 qershor 1986. Ishte zgjedhur Kolumbia për të organizuar këtë aktivitet, pasi nuk ia doli në ’74, kur shkoi në Gjermani. FIFA vendosi që, organizimi i finaleve të ’86, të shkonte për Kolumbinë. Por, për shkak të problemeve ekonomike, Kolumbia nuk qe në gjendje të priste një aktivitet kaq madhështor, ndaj u vendos që botërori të luhej në Meksikë, e cila i kishte organizuar më 1970. Botërori ’86 u fitua nga Argjentina që drejtohej nga kapiteni i saj legjendar, Diego Maradona. Ai u bë i njohur për “Dorën e Zotit”, pas golit me dorë që i shënoi Anglisë. Por goli i dytë i tij, në të njëjtën ndeshje që vulosi kalimin në finale, u votua edhe si goli i shekullit. Argjentina fitoi në finale 3-2, ndaj Gjermanisë Perëndimore. Debutuan tre ekipe: Kanadaja, Danimarka dhe Iraku. Ky botëror solli edhe valën e tifozëve nëpër stadiume, si risi për të festuar aktivitetin.

1990

Kupa e Botës më 1990, u mbajt nga 8 qershori - 8 korrik në Itali. Italia dhe Argjentina, iu bashkuan 22 ekipeve të tjera nga e gjitha bota, që ishin kualifikuar. Turneu u fitua nga Gjermania Perëndimore, që e ngriti kupën për herë të tretë në histori. Gjermania fitoi 1-0 në “Olimpico” të Romës, si shenjë hakmarrjeje edhe për finalen e humbur katër vjet më parë. Ishte hera e fundit që gjermanët shkonin të ndarë në Botëror, pasi pikërisht këtë vit kur ata ngritën trofeun, filloi edhe ribashkimi i Gjermanisë. Po ashtu pati ndryshime edhe për shumë vende të lindjes që u shpërbënë, si Jugosllavia, Çekosllovakia dhe Bashkimi Sovjetik, të cilët, pas këtij botërori, do të konkurronin me një sërë shtetesh të reja. Kosta Rica, Irlanda dhe Emiratet e Bashkuara bënë paraqitjen e tyre të parë në finalet e Italia ’90. Kupa e Botës 1990 dalloi për numrin e paktë të golave që u shënuan, me një mesatare 2.21 gola për ndeshje, si dhe për kartonët e kuq, 16 gjithsej. Taktikat mbrojtëse çuan në ndryshimin e rregullores më 1992, duke bërë që barazimi të kishte 1 pikë, fitorja 3 pikë e jo 2, si deri në atë kohë.

 

Finalet e Italia ’90, shënuan rekord botëror: 26.69 miliardë shikues

Finalet e Kupës së Botës 1990, mbeten sot një ndër aktivitetet më të ndjekura televizive në historinë e ekranit botëror. Kur bota nuk kishte as 7 miliardë banorë, në total 26.69 miliardë shikues nga e gjithë bota, vlerësohet se ndoqën ndeshjet e këtij botërori. Televizioni italian RAI, në bashkëpunim me shoqërinë Japoneze NHK, i sollën ndeshjet për herë të parë në HDTV. Rekordet botërore të shikueshmërisë u thyen në SHBA 1994 dhe Japoni dhe Kore 2002, nga i njëjti aktivitet: Kupa e Botës.

 

Botërori 1986

Vendi pritës: Meksika

Ekipet pjesëmarrëse: 24

Finalja: Argjentinë-Gjermania P.

Vendi i tretë: Franca

Vendi i katërt: Belgjikë

Ndeshje të luajtura: 52

Gola të shënuar: 132 (2.54 për ndeshje)

Golashënuesi më i mirë: Gary Lineker Anglia (6 gola)

Lojtari më i mirë: Diego Maradona

 

Botërori 1990

Vendi pritës: Italia

Ekipet pjesëmarrëse: 24

Finalja: Gjermania Perëndimore-Argjentinë 1-0

Vendi i tretë: Italia

Vendi i katërt: Anglia

Ndeshje të zhvilluara: 52

Gola të shënuar: 115 (2.21 për ndeshje)

Golashënuesi më i mirë: Salvatore Schillaci Italia (6 gola)

Lojtari më i mirë: Salvatore Schillaci

 

Argjentina fitoi falë Maradonës në ’86, ndërsa hakmerret Gjermania në ’90

“Dora e Zotit”, Maradona nisi të konsiderohej perëndi

Turneu ’86 u shqua për numrin e lartë të lojtarëve latinë që spikatën, si ai i Uruguait - Enzo Francescoli, i Brazilit – Careca, dhe djali i artë i vendit organizator, Hugo Sanchezi. Për këtë aktivitet të madh futbollistik u krijua edhe një film, i titulluar “Hero”, që iu kushtua aspekteve më të veçanta dhe lojtarëve që shiheshin si heronj në vendet e tyre. Ishte një epokë e re e futbollit modern, ku çdokush donte të shkëlqente. U konsiderua botërori i Platinisë, Giresses e Fernandezit. Por mbi të gjithë, ishte botërori i Maradonës. Ishte koha e tij! I tillë ishte ndikimi që pati Diego Armando Maradona, aq sa u vlerësua gjerësisht si talenti më i madh i futbollit që ka ecur mbi tokë ndonjëherë! Madje ka pasur propozime që, Meksikë ’86 të njihet ndryshe “Maradona 86”. Për të arritur në finale, Maradona me shokë fituan në gjysmëfinale ndaj Anglisë. Goli i parë, i konsideruar “Dora e Zotit” u shënua me dorë nga Maradona, por u pranua shumë vite më vonë prej tij. Maradona bëri anglezët të heshtnin me golin e dytë. Ai kaloi nga gjysmëfusha e skuadrës së tij, çdo kundërshtar që i doli pars dhe e dërgoi topin në rrjetë. Gary Linekeri u shpreh optimist.

“Por, a mund të bënim më shumë që të ndalnim Maradonën? Jo. Ne nuk ishim përgatitur si ekip që të fokusoheshin në lojtarë të veçantë. Pa golin e parë, a do ta pësonim të dytin? Ndoshta jo. Por duhet të pranojmë se, Argjentina ishte skuadra më e mirë e atij turneu dhe sa i takon lojtarit Diego Maradona, ai ishte i jashtëzakonshëm!”

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: