Bie Vllaznia, futbolli shqiptar “në zi”

Bie Vllaznia, futbolli shqiptar “në zi”
Java e 34-ët, përcakton ekipin e dytë që do të shoqërojë Lushnjën, një kategori më poshtë. Vllaznia, pas humbjes 2-0 me Partizanin, është në pritje të sigurojë matematikisht rënien historike. Teuta fitoi 3-1 në Korçë dhe Kamza triumfoi 1-0 ndaj Flamurtarit, ndërsa Ernest Gjoka jep dorëheqjen  

Aranit Muraçi

Vllaznia bie një kategori më poshtë! Kur duhen edhe dy javë nga mbyllja e garës, shkodranët presin matematikisht të sigurojnë rënien historike, duke u bërë skuadra e radhës e madhe, që rrëzohet nga elita e futbollit shqiptar. Një vit pasi fitoi betejën e mbijetesës ndaj Tiranës, skuadër që ra dhe u rikthye këtë sezon në elitën e futbollit shqiptar, nga kategoria bie një ndër ekipet e historisë së futbollit shqiptar.

Valter Fushaj, kandidat për president, ndoqi nga afër humbjen 2-0 të Vllaznisë ndaj Partizanit, dhe shihet si shpresa e këtij ekipi, për ta ndihmuar sezonin tjetër të rikthehet ndoshta, në elitën e futbollit shqiptar.

Kanë qenë të shumta reagimet mbi ecurinë dhe rrezikun që i kanosej Vllaznisë, pasi skuadra financohej 100% nga bashkia e qytetit. Financimi i kufizuar besohet se çoi në këtë situatë, një vit para se klubi shkodran të festojë përvjetorin jubilar të 100-vjetorit të themelimit. Trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka, pas humbjes, nuk pranoi të fliste për të ardhmen e ekipit, por mësohet se u paraqiti dorëheqjen lojtarëve në dhomat e zhveshjes. Pritet edhe një analizë, pas kësaj humbjeje, e ekipit shkodran.

Për të ndihmuar rënien e Vllaznisë, përveç Partizanit që nuk toleroi në “Selman Stërmasi”, duket se “mendoi” edhe Skënderbeu. Humbja 3-1 e kampionëve të Shqipërisë me Teutën në Korçë, si dhe fitorja minimale e Kamzës, 1-0 ndaj Flamurtarit, e çuan në pesë diferencën e pikëve mes ekipit të drejtuar nga Ernest Gjoka dhe dy ekipeve të tjera, rivale për mbijetesë.

Në dy javët e mbetura, Vllaznisë i duhet të rikuperojë këtë diferencë për mbijetesën e madhe, ndërkohë që kalendari nuk është aspak favorizues.

Gjithsesi, në garë për Europën, Partizani shpreson ende në dy javët e fundit. Ndoshta ky është verdikti i mbetur, në dy javët e fundit. Fitorja ndaj Vllaznisë i mban të kuqtë në vend të pestë, me po aq pikë sa ka edhe Laçi i vendit të katërt. Luftëtari me barazimin 2-2 ndaj Kukësit në transfertë, ka blinduar vendin e tretë dhe thuajse e ka siguruar Europa League, ashtu sikurse edhe verilindorët. Dy javët e mbetura mbeten që të luhen sa për statistikë, pasi verdiktet thuajse janë përcaktuar.

 

 

Kategoria Superiore

Java e 34-ët/Dje

Partizani-Vllaznia 2-0

Shënues: Asani 32’, Progni 63’

Skënderbeu-Teuta 1-3

Shënues: Soue 89’/Shkalla 41’, Çyrbja 58’, Latif 68’

Kukësi-Luftëtari 2-2

Shënues: Dzaria 13’, 37’ / Lamçja 55’, Xhekson 77’

Kamza-Flamurtari 1-0

Shënues: Plaku 65’

Laçi-Lushnja 3-1

Shtubina 38’, 76’, Rexhinaldo 78’/ Mone 83’

 

Klasifikimi

Skënderbeu       72

Kukësi                   62

Luftëtari               53

Laçi                         50

Partizani               50

Flamurtari           45

Kamza                   43

Teuta                    43

Vllaznia                 38

Lushnja                                11

Shpërndajeni me miqtë tuaj: