Bashkitë e komunat po e mbajnë ende “frymën gjallë” nga qendra

Publicitet
Publicitet
Bashkitë e komunat po e mbajnë ende “frymën gjallë” nga qendra
Katër vjet pas vënies në zbatim të reformës administrativo-territoriale, asnjëra prej tyre nuk arrin dot që t’i sigurojë financimet që i duhen për shërbimet ndaj qytetarëve, por “u falen” ende financimeve nga shteti

Bashkitë dhe komunat në Shqipëri vazhdojnë që ta mbajnë ende “frymën gjallë” nga pushteti qendror. Nëse ai nuk do t’u lëvrojë fonde atyre edhe sot e kësaj dite, ato nuk do të arrijnë dot të realizojnë dot mjaft nga shërbimet jetike për qytetarët e tyre.

Kjo, edhe pse pak kohë më parë ato u përfshinë nën një reformë të posaçme, atë administrative-territoriale, synimi i të cilës ishte pikërisht sigurimi i së ashtuquajturës “autonomi vendore”.

E thënë më thjesht, sigurimi i të ardhurave dhe financimeve të nevojshme për shërbimet bazë ndaj banorëve që ato mbulojnë.

"Përmirësimi i mirëqeverisjes dhe ofrimi i shërbimeve publike më efiçente nga qeveritë vendore; mbledhja më efektive e taksave dhe tarifave”, kujtojmë se përcaktonte ligji i ndarjes administrativo-territoriale, i cili u vu në zbatim në vitin 2015, në rang vendi.

Por mesa duket, bashkitë dhe komunat nuk kanë arritur dot që ta realizojnë dot ende një mision të tillë, edhe pse u zhveshën nga mjaft ngarkesa apo barra financiare të së kaluarës, pikërisht përmes reformës në fjalë.

Një dukuri e tillë zbulohet nga të dhënat më të fundit të raportit mbi “Financat vendore 2017”. Konkretisht, sipas tij, rezulton se asnjë nga bashkitë në rang vendi nuk e kapërcen nivelin prej 80% të sigurimit të të ardhurave të veta. Madje, kjo është shifra më e lartë në fakt, për një bashki të madhe siç është ajo e Tiranës, e cila ka më tepër mundësi krahasuar me të tjerat për të siguruar pará, kryesisht nga mbledhja e taksave.

Ndërsa ka edhe bashki që mund të cilësohen “mjerane” në këtë aspekt, të tilla si ajo e Hasit, e cila siguron vetë vetëm 2.5% të të ardhurave që i nevojiten. Apo ajo e Pukës, me vetëm 4.6% dhe e Dibrës me 4.2% etj.

Shifra këto që lënë mjaft të dëshiruar, kundrejt atyre më optimiste, që ofrojnë bashki të cilat gjithashtu mund të cilësohen si modeste në aspektin e madhësisë së tyre, apo edhe mundësive reale që kanë për të mbledhur pará.

Të tilla për shembull, si bashkia e Belshit, e cila raportohet se arrin të mbledhë vetë deri 38% të burimeve financiare që i nevojiten, apo ajo e Këlcyrës, deri në 24% etj.

E megjithatë, ekspertët vlerësojnë se në total, burimet financiare vendore ndoqën prirje rritëse gjatë vitit 2017, deri në nivelin prej 23%, krahasuar me 18.9% vitin 2016 dhe madje, nivelin negativ prej -7.8% në 2015-tën.

Por gjithsesi i mbeten mendimit se pushteti vendor vazhdon që të mbetet në varësinë e dukshme të atij qendror për pará, me të cilat të mund të përmbushë kërkesat kyçe ndaj qytetarëve që ka nën administrim, për secilën bashki apo edhe komunë në rang vendi.

 

Vendorët po shpenzojnë më shumë pará, ekspertët: Nuk janë efiçentë

Bashkitë dhe komunat në rang vendi, përveçse nuk janë në gjendje t’i nxjerrin ende vetë të gjitha paratë që u nevojiten, po shpenzojnë edhe më shumë se më parë.

Dhe sipas ekspertëve, në njëfarë mënyre kjo shpjegohet edhe me mosarritjen prej tyre të efiçencës së dëshiruar.

“Financimi i funksioneve të reja mund të mos ketë qenë i mjaftueshëm dhe bashkitë kanë alokuar fonde shtesë për ofrimin e tyre (p.sh. pastrimi i kanaleve të ujitjes dhe kullimit mund të ketë kushtuar më shumë nga sa ka mbuluar nga transferta specifike)”, cilësojnë ekspertët që kanë hartuar raportin mbi “Financat vendore 2017”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: