Arjan Korkaj: “Kthehu”, dedikim jo i drejtpërdrejtë por me nëntekst

Arjan Korkaj: “Kthehu”, dedikim jo i drejtpërdrejtë por me nëntekst
INTERVISTA/ Flet këngëtari i mirënjohur Arjan Korkaj: Baladën “Kthehu” ja dedikoj mallit dhe dashurisë

Ka afërsisht dy vite i emigruar në SHBA, por malli për Shqipërinë e ka përvëluar. E kishte ëndërr të shkonte në vendin simbol të demokracisë ku me të vërtetë gjeti veten por sërish, të afërmit, miqtë, shokët  kënga, aktivitetet e shumta nuk i largonte asnjë moment nga kujtesa. Edhe pse larg mbante lidhje të vazhdueshme me atdheun dhe tashmë që është kthyer përkohësisht i është dedikuar vetëm këngës, klipeve dhe projekteve për një album të ri. Greqi-Shqipëri-SHBA, ky është trinomi i vendeve ku Arjan Korkaj ka kërkuar dhe kërkon suksesin, në jetë dhe në muzikë.

Intervistoi për Albanian Free Press, Albert Zholi

Kur e keni realizuar Klipin me Baladën “Kthehu”?

Ky klip baladë, “Kthehu”, u realizua në muajin Prill të vitit 2018!. Kjo baladë erdhi pas 2 vitesh në heshtje, pasi shkuarja si emigrant në Amerikë, përcolli një mënyrë jetese krejt të re ku dhe ngarkesa e punës dhe e jetës së re më largoi paksa nga komunikimi me fansat dhe dashamirësit e mi. Në këto dy vjet unë shikoja zhvillimet e reja, shikoja mënyrën ndryshe të jetesës dhe u mundova të akumuloj sa më shumë eksperienca për të dalë para fansave ndryshe dhe me tjetër ritëm. Besoj se kam arritur atë çka kam pritur dhe dëshiruar.

Kush është autori  i kësaj balade dhe çfarë ka në thelb ajo?

Ndryshe nga herët e tjera duke marrë parasysh largësinë nga atdheu kisha muaj që çdo natë shkruaja në letër vargje të ndryshëm që buronin nga zemra. Kam punuar disa muaj me këtë tekst, pasi doja në vargje të isha unë vetë, të isha me të gjitha dëshirat dhe brengat e mia, për të parë me sytë e arsyes largësinë që nuk e mposhti dashurinë për atdheun dhe për njerëzit e dashur. Kjo është në përgjithësi, si ide, dashuria.

Po në veçanti?

Në veçanti, kënga përcjell mesazhin e ndjenjave dhe të dashurisë shpirtërore, sado larg të iki një person që e do, e pret të kthehet, qoftë edhe si kujtesë. Pra ka dhe një dedikim jo të drejtpërdrejtë por me nëntekst. Ja disa vargje:

Përse o Zot kështu kjo jetë

Një ndjenjë plot me dashuri

Përtej dallgëve ti më pret

A do kthehesh përsëri ?!!

Pritja, ankthi, dëshira janë pjesët më interesante të jetës ndaj kjo baladë më ka rrëmbyer të tërin, më ka bërë për vete. Ndaj dhe më ka marrë goxha kohë dhe e pata projekt që muajt e parë të emigrimit, por e realizova 2 vite më vonë. Ndoshta tani u poqën kushtet dhe koha ishte më e përshtatshme.

Po muzika e kësaj Balade nga kush është bërë?

Këtë këngë e ka kompozuar kompozitori me përvojë Klodian Qafoku. Ai ju përshtat shumë mirë tekstit të këngës dhe mund të them se kënga ka dalë unike, e mirëorganizuar dhe jep emocion. Sigurisht, muzika është një ndër elementët kryesorë të një kënge.

Ju tashmë po ideoni për një CD të re? Sa këngë do të ketë?

Kam menduar se pas baladës numri i këngëve që do të përmbledh dhe jam duke punuar do të jetë 10, aq sa zakonisht realizohet një album. Këtë album mendoj se do ta realizoj me një tjetër kompozitor të mirë, me të cilin kam vite që kam bashkëpunuar, me Sokol Marsin. Bashkëpunimi ka nisur. Bisedojmë për tekstet dhe llojet e këngëve. Marrim mendimin e njeri-tjetrit dhe mendoj se së afërmi do të kemi albumin e ri me 10 këngët e premtuara.

Si është ritmi i jetës në SHBA?

Ahaaaaaaaa, shpesh thuhet se në Amerikë ka vetëm punë dhe gjumë. Dhe në fakt ashtu është, por nuk e mohoj se komuniteti shqiptar është disi i organizuar ku ka dhe koncerte të ndryshme me këngëtarët shqiptarë në vendin e ëndrrave. Edhe unë në kohën më të madhe punoj, por gjej kohë dhe për profesionin tim si këngëtar, pasi është shumë e vështirë të punosh vetëm me këngë.

Kush ju ka ndihmuar më shumë në Amerikë?

Mua më ka ndihmuar një mik shumë i veçantë, Mike Paprika, që shqip e quajnë Dashi. Një njeri me zemër të madhe që ka ndihmuar shumë shqiptarë. I jam mirënjohës, pasi në vendin e huaj, nëse nuk di gjuhën që në fillim, është e vështirë të integrohesh. Falë tij kam pasur shumë lehtësime për punë dhe mbështetje.  Po jo vetëm unë, por për të flasin shumë shqiptarë për ndihmën e madhe që ju ka dhënë.  Në New York ai njihet si “njeriu i bamirësisë”.

Sa e ndjen mallin për atdheun?

Malli mbetet mall dhe nuk gjen gjuhë që ta përcjellësh.  Por Amerika të mëson me një tjetër stil jetese.

Ke ndjerë shenja racizmi në Amerikë?

As e mos e mendo racizmin në Amerikë. As të shkon mendja se ekziston kjo fjalë, jo më ta prekësh në përditshmëri. Amerika mbetet ashtu si e njohim në Shqipëri, vendi më demokrat në botë, vendi ku të drejtat e njeriut respektohen në maksimum. Në Amerikë po je i aftë rrugët i ke të hapura.

Albumin e parë kur u ktheve nga Amerika e titullove  “Mall”, albumin e ri “Kthehu” mos vallë kanë lidhje?

Albumin e parë si emigrant në SHBA e titullova “Mall” për vetë faktin se tashmë jam në dhe të huaj, jam në Amerikë ku dhe pse kisha vetëm një vit, më kishte marrë malli shumë për Shqipërinë, më kishte marrë malli për miqtë, shokët dhe Tiranën e bukur. Mall për Labërinë time, vendin e origjinës. Kushdo që ikën në mërgim e ka këtë mall në gji, e ruan në heshtje. Ndërsa “Ktheu” e lidh me vonesën 1 vjeçare tjetër pas albumit të parë ku duket se këta njerëz që më duan, të afrimit, miqtë, shokët, dashuria, më thërrasin “po kthehu se na ka marrë malli”. Pra janë dy emra të ndryshëm, sikur janë skajorë, por që kanë një lidhje indirekte, malli dhe kthehu.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: