“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Ulsi Manja i shkruan Ramës: Ngjarja në Prokurorinë e Durrësit, duhet përjetësuar me...!

Publicitet
“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Ulsi Manja i shkruan Ramës: Ngjarja në Prokurorinë e Durrësit, duhet përjetësuar me...!
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Para dy ditësh, u hap godina e Prokurorisë së Durrësit e prej saj u morën materiale hetimore.

Themi lajm i mirë pasi, pas këtij veprimi ose siç i themi neve në gazetari, akti, mund të fillojnë investimet për godinat e institucioneve të rëndësisë së veçantë. Bërja e këtyre investimeve, do të krijojë vende të tjera pune, veç atyre 400 mijëve që janë krijuar, vetëm gjatë pesë vjetëve të fundit.

Kjo do bëjë që t'ia kalojmë edhe Gjermanisë, që e kishim lënë mbrapa në kohën e shokut Sali.

E meqë ishim te Prokuroria e Durrësit.

Ne kemi mundur të kapim në antenën tonë, një letër të shokut Ulsi Manja, ish-prokuror i shquar, drejtuar shokut Edi Rama.

Ja ç'shkruhet në të:

Fort i nderum shoku im, Edi!

Megjithëse nuk jam ministër i Brendshëm, nuk rri dot pa folur për çështjet e brendshme, e sidomos kur ato kanë të bëjnë me Prokurorinë e Përgjithshme, por edhe ato lokale.

Dua t'ju them, pasi juve mbase nuk e dini se, në Prokurorinë e Durrësit na ndodhi një ngjarje. U hapën dyert dhe prej arkivës së atjeshme, u morën disa dosje (akoma nuk jemi të sigurt se sa, pasi siç më tha Arta, po bëjnë inventarin. Si ekspert që jam, nuk besoj që dyert të jenë hapur direkt nga brenda.)

Mendoj që, kjo ngjarje duhet skalitur fort në mendjet e çdo shqiptari të sotëm e të ardhshëm.

Përse them kështu.

E ç'bënë më shumë ilegalët e Tiranës, në korrik të vitit 1943, që morën arkivën e Ministrisë së Brendshme të atëhershme?!

Në korrik të atij viti, administrata shqiptare fashiste ishte shthurur, pas grushtit të shtetit në Itali, kundër Duçes. Pra, në aspektin heroik, kjo ngjarje e tanishme qëndron shumë më lart, pasi ndodh në një kohë që ju, shoku im, e keni administratën dhe çdo strukturë të shtetit në këmbë, në lartësi të detyrave që i keni lënë të bëjë. Përndryshe, fësht e në rrugë!

Ju kujtoj se, për atë ngjarje të korrikut të vitit të largët 1943, u bë edhe një film. Ai "Nga Mesi i Errësirës", gjasme film artistik nga Kinostudioja jonë.

Nuk po them që të bëjmë edhe neve një film për këtë ngjarjen e tanishme, por diçka për te ERTV-ja mund të bëjmë. P.sh., ju mund të dilni dhe të bëni disa batuta. (Le që ju këtë e dini vetë se, siç ja ju tha edhe Vuçiç, jeni mjeshtër i batutave).

Ju kujtoj se, në godinën që tani është Ministria ku rri më duket Gjiknuri ndonjëherë, e ku u krye ai akt nga njësiti gueril, ka një pllakat që tregon veprën e atyre djemve të rinj.

Kërkoj me përulësi që, edhe në godinën e Prokurorisë së Durrësit të skalitet një pllakat, ku mund të shkruhet me gërma të arta:

"Pas një aksioni të koordinuar mirë, njësiti heroinik i qytetit, bëri të mundur hapjen e dyerve të Prokurorisë së Durrësit dhe marrjen prej saj të të gjithë atyre ç'donin të merrnin!"

Gjithsesi, përmbajtjen e tekstit vendoseni ju, se juve ju kemi mjeshtër të komunikimit!

Të na rroni sa malet, o shoku Edi!

Me shumë dashuri,

Shoku yt, Ulsi!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: